Tragjedia e (pa)shmangshme e 30 qershorit

Tragjedia e (pa)shmangshme e 30 qershorit

Nga Gentian Gaba - 12/06/2019

Vendimi i Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 Qershorit, nuk u interpretua si një degë ulliri nga ana e mazhorancës, por si një tufë me hidhës që e ligështoi edhe më shumë qëndrimin e saj kundrejt votimeve të parashikuara në këtë datë.

Debati që vijoi dhe vijon, mbi kushtetutshmërinë e këtij akti ka marrë trajtat e një rropame të madhe midis mbështetësve të secilës palë. Në mungesë të të vetmit institucion që do të mund të vendoste mbi kushtetutshmërinë e zhdekretimit, Gjykatës Kushtetuese, duket se nuk do të triumfojë forca e arsyes, por forca e paarsyeshme e një pushteti absolut.

Për të tilla pushtete dhe për të tillë pushtetarë është folur gjatë në kryeveprat e lashtësisë. Madje për të njohur natyrën e njeriut, natyrën e atij që mban pushtetin, ndoshta edhe për t’i dhënë një interpretim ngërçit aktual, nuk kemi nevojë për konstitucionalist, jurist apo politolog, do të mjaftonte një njohës i mirë i teatrit. Nëse do të donim të kuptonim esencën e këtij momenti të jetës tonë publike, duhet të lexojmë ‘Antigonën’ e Sofokliut. Një vepër që rrëfen se si njëanshmëria e pushtetit prodhon një tragjedi të pashmangshme.

Për ata që nuk njohin subjektin e veprës ‘Antigona’, ajo nis mbas vrasjes së dy vëllezërve Eteoklit dhe Polinikut në dyluftim me njëri-tjetrin. Në Tebë bëhet mbret Kreonti, i cili urdhëron që Poliniku të mos varroset,  dhe këtu zë fill konflikti ndërmjet Antigonës që mbron ligjet e pashkruara të ndërgjegjes e normat morale, dhe Kreontit, që mbron ligjet e shkruara të shtetit. Urdhrit të Kreontit se do të dënojë me vdekje cilindo që do të guxojë të varrosë Polinikun e shpallur tradhtar, i kundërvihet Antigona, e cila, e varros vëllanë sepse ky urdhër ishte në kundërshtim me çka besonin tebanët dhe gjithë grekët. Ata e konsideronin detyrë të shenjtë varrosjen e të vdekurve, madje edhe të kundërshtarëve.

Nga ky konflikt, midis ligjeve të këqija të një shteti dhe atyre morale, lind tragjedia që çon në vdekjen e gjithë familjarëve të mbretit. Kreonti, nga apogjeu i pushteti absolut, shkakton dramën që i jep fund burrit dhe regjimit.

Nuk do të mjaftonin përgjërimet e të birit, Emonit, kur i thotë se: ‘Asnjë qytet (shtet) nuk i përket vetëm një njeriu’; dhe kur Kreonti i përgjigjet: ‘Qyteti është i atij që e komandon’, Emoni (dhe historia) i përgjigjet se: ‘ Ti duhet të mbretërosh në një shkretëtirë’. As paralajmërimet e shortarit Tireze, i cili i thotë se: ‘Të gjithë njerëzit gabojnë, por s’është as i mbrapsht, as i mjeruar ai që ndreq gabimet e tij’.

Kjo përballje e ka kthyer ‘Antigonën’ në një simbol të qëndresës së qytetarëve kundër totalitarizmit, ndërsa Kreontin në shembullin e despotit kokëfortë që, nga frika e humbjes së kontrollit mbi popullin, është i gatshëm të ‘mbretërojë në shkretëtirë’ vetëm për të mos humbur pushtetin e tij.

Këtu Rama ‘takohet’ me Kreontin. Në mungesë të ndarjeve të pushteteve mbi të cilën ngrihet demokracia, mbretëron në ‘shkretëtirën’ institucionale që ka krijuar. I gatshëm të organizojë i vetëm zgjedhjet për të respektuar ligjin, paçka së nuk ka kundërshtar, paçka se partia që votohet është edhe partia që numëron votat. Moskokëçarës kundrejt kërkesave të opozitës, cenues i arritjeve të shenjta për qytetarët, si pluralizmi dhe vota e lirë. Sigurisht, në emër të ligjit, por qartësisht në kundërshti me moralin publik dhe me frymën e Kushtetutës.  Kjo njëanshmëri po bën të pashmangshme një tjetër tragjedi, atë 30 qershorit.

Që kjo datë të mos kthehet në një përplasje civile (vetëm në tragjedi njerëzit pajtohen pasivisht me fatin e tyre), qytetarët nuk mund të rrinë asnjanës, në pritje që të përmbushet fati i zi i Kreontëve. Por duhet të reagojnë në mbrojtje të vlerës më të shenjtë që e bën një shoqëri demokratike: Vota e lirë.

Ndoshta pa ia vënë shumë veshin konstitucionalistëve që popullojnë ekranet,  apo eurokratëve pa mandat, por duke dëgjuar zërin e ‘Antigonës’, që nga lashtësia kumbon me një mesazh pakohë: ‘Asnjë shtet nuk i përket vetëm një njeriu’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Krist12/06/2019 15:52

Fatalisti,normalisht qe nuk eshte "askush".A nuk eshste njelloj,si te besh sikunder thua ti,zoti Askush,dhe te jesh fatalist? Nuk ka armik me te "eger" per njerezit,se nje fatalist.

Krist12/06/2019 15:52

Fatalisti,normalisht qe nuk eshte "askush".A nuk eshste njelloj,si te besh sikunder thua ti,zoti Askush,dhe te jesh fatalist? Nuk ka armik me te "eger" per njerezit,se nje fatalist.

Shofer Petro12/06/2019 12:47

Sa me pelqejne keto perpelitje ne kufijte e pamundesise per bindur te tjeret. Ne kete rast, te pakten genjejme veten...
Zgjedhjet ne 30 Qershor

Askushi12/06/2019 11:25

Ky popull e meriton. Ky popull eshte nje popull pa wellime, pa objektiva, pa dinjitet, pa dashuri, pa gjak, pa ndjenja, pa ideale, pa moral, pantohet me te keqen, pranon te keqen, pranon te pamoralshemen, bile pelqen me shume ate se te moraleshmen, pranon vjedhjen, korrupjonin, drogen, perdhunimin si gjera normale. Ky popull te vret kur dega e pemes se komshiut te eshte futur ne oborr, te vret kur i gervisht makinen ne rruge, kur e sheh shtrember, dhe nuk reagon, nuk te vret kur i fut tymin ne shtepi, kur i prish shtepin, kur i rreh baban, rreh femijen. Ky edhte populli yne dhe Rama di ta perdori mese miri. Prandaj ky popull e meriton.

Shto koment

Denonco