Denard Biba 2007 v.s Denar Biba 2019

Denard Biba 2007 v.s Denar Biba 2019

Nga Bledian Koka - 10/06/2019

Nga Bledian Koka -

?“Presidenti është një organ individual i cili mund të veproje sipas bindjes së tij pa u varur nga politika. Duke qenë se zgjidhet nga një shumicë shumë e madhe parlamentare, presidenti vendoset mbi të gjitha palët. Megjithëse nuk ka asnjë funksion themelor shteteror (p.sh të drejtimit politik, administrativ apo ligjor), Kushtetuta i mundëson atij të ndërhyjë në të tre këto funksione përmes atributesh që i mundësojnë të mos jetë thjesht një “noter” apo “drejtues ceremonish”.

Akoma më tej, në situata krizash politike apo të jashtëzakonshme, pushteti i tij rritet thelbësisht, pasi Presidenti merr pushtet vendimmarrës, në zëvendësim të organeve të tjera kushtetuese, për të ruajtur unitetin e popullit.

Pikërisht për këtë ai gjykohet se duhet të jetë “neutral” dhe i “paanshëm” ndërsa ushtron funksionin e tij kryesor të garantimit dhe kontrollit të organeve kushtetuese me synim ekuilibrimin e sistemit”.

E nisa shkrimin e duke cituar një zë të shkëlqyer të jurisprudencës shqiptare. Një intelektual par exellance i cili me punë dhe pa kapërcyer në asnjë trampolinë ka ardhur deri në nivelet më larta të shtetit shqiptar dhe sot ai njihet si Nën kryetari i KQZ-së, z.Denar Biba. Zoti Biba në vitin 2007 ka publikuar në gazetën Shekulli, shkrimin me titull “Pak doktrinë mbi Presidentin”, kohë në të cilën ai mbante postin e këshilltarit juridik pranë Gjykatës Kushtetuese.

E gjitha kjo parantezë më shërben personalisht për të ngritur dyshimin e bazur mbi “indicie” dhe “prova” se Denar Biba që pamë sot në KQZ, nuk është i njëjti që lexojmë në analizën brilante të 12 viteve më parë. “Po nuk ndryshove mendje, nuk ndryshon kurrë asgjë”- mund të replikojë zoti Biba duke cituar Churchill-in, por mendoj se këtu po flasim për forcën e arsyes dhe jo arsyen e forcës. Ish presidenti i Republikës Bujar Nishani e cilësoi aktin e KQZ-së për të refuzuar zbatimin e vendimit të kreut të shtetit Ilir Meta që duke ç’dekretuar zgjedhjet e 30 Qershorit, si tentativë për grusht shteti.

Mazhoranca dhe opozita ndahen me thikë pikërisht aty ku duhet të bashkohen më shumë, tek logjika e kushtetuese e aksionit politik. Unë nuk jam konstitucionalist, por jam aq i formuar sa të kuptoj se juristi i dikurshëm brilant Denar, nuk është Nëkryetari i KQZ-së Biba që pamë sot. Dy intelektualë në një mendje dhe një trup (jo domosdoshmërisht të shëndoshë) nuk mund të qëndrojnë. Ose Denar Biba i dikurshëm ka prodhuar një analizë brilante e cila ka udhëtuar në kohë e paprekur nga aspekti përmbajtësor, ose ai që foli sot thjeshtë e vetëm po shkon pas berihajt të tij politik.

Më shumë se njëherë opinioni publik ka kërkuar që zërat e arsyes brenda PS-së ekzistojnë, dhe mua mu desh të udhëtoja në kohë për të zbuluar Denar Bibën që sot nuk e njoha më. Aftësia shpërfytyruese e Edi Ramës ndaj bashkëpunëtorëve të tij nuk është e panjohur për ne. Ai që mundohet ta shesë Ervin Rroshin si intelektual nuk e ka për gajle që ta nxjerrë Denar Bibën si “përdhunues në grup” të logjikës kushtetuese.

Edi Rama është po i njëjti që ndersa mban afër Vangjush Dakon i ka vënë shqelmin ish-këshilltares së tij besnike Irena Beqiraj. Dhe mund te vijoj me krahasime të tjera, por nuk është qëllimi i këtij shkrimi të tregojmë se kush është berihaj i socialistëve sot, dhe kush janë socialistët e arsyes po sot e gjithë ditën. Shqetësimi ka të bëjë me aktin e paprecendentë të KQZ-së që refuzon të ndalojë punën sipas vendimit të Presidentit të Republikës në shërbim të urdhërit të verbër politik të Edi Ramës.

Sepse në rast të kundërt kur historia të gjykojë juristin brilant Denar Biba dhe të singjashmit e tij socialistë, pa shumë vështirësi do ti vendosë një shenjë barazimi atij me sjelljen qesharake të këshilltarëve socialistë të Mamurrasit në vitin 1996.

p.s...Historia e gallatës shqiptare tregon sesi në kohën kur Kurbini ishte i përmbytur për të disatën herë atë vit nga vërshimi i Lumit Mat, këshilltarët e PS në bashkinë e Mamurrasit votuan kundër një vendimi të qeverisë Meksi që udhëzonte pushtetin vendor për mënyrën sesi duhet të menaxhonte krizën.

Vetëm se në rastin e qëndrimit të Zotit Biba rreziku është më i madh, pas lumi sot mund të marrë me vete jo vetëm Mamurrasin, por të gjithë Shqipërinë! /Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco