Te ne nuk është e turpshme të jesh 'trutrashë', por truptrashë!

Te ne nuk është e turpshme të jesh 'trutrashë', por truptrashë!

Nga Kim Mehmeti - 08/06/2019

Nëpër vendbanimet tona nuk ka librari e biblioteka, por në çdo lagje ka nga një palestër për mirëmbajtjen e trupit, sepse te ne nuk është e turpshme të jesh ‘trutrashë’, por truptrashë: vashat tona nuk e vlerësojnë djalin nëpërmjet asaj që ka në kokë e shpirt, por për nga marka e xhipit që ai grahë!

Pa dyshim se e keni dëgjuar batutën për babën i cili, kur i biri e pyet se ç’punë bëjnë dhe çka shesin politikanët shqiptarë, të cilët aq shpejtë dhe aq shumë pasurohen, ai i përgjigjet: ata bir shesin më të shtrejtën dhe më të vlefshmen që kemi – atdheun dhe interesat e popullit! Por ky baba është dashur t’ia sqaroj të birit se, nuk duhet pasur zili pasanikët e tillë, ngaqë ata, përjetë do i shoqërojë mallkimin më i rëndë: ai i popullit dhe i lotëve të varfanjakëve!

Pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundon ose në vajtim, ose në nënshtrim! Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e ‘Shqipërive’ tona: ikin nga hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe të pafytyrët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta krahasojnë me më të keqen e djeshme!”

Sigurisht e keni dëgjuar rrëfimin për dhelprën që ikë nga pylli, ku luani ka vendosur t’i vret të gjithë ujqit dhe e cila, kur i thonë të mos ikë, sepse është dhelpër e jo ujk, është përgjigjur: nuk jam duke ikur nga luani, por nga gomari, të cilin ai e ka shpallur përgjegjës të pyllit dhe përpilues të listës së ujqve! Jam i sigurt se nëse i pyetni të rinjtë shqiptarë pse e braktisin vendlindjen, edhe ata do u jepnin përgjigje të ngjashme: se nuk janë duke i ikur gjithaq varfërisë, por ‘gomarizimit’ të politikave shqiptare!”

Ne jetojmë në kohë kur shumica e të rinjve nuk mbajnë llogari as si vishen, as ku zhvishen! Pra ne e jetojmë epokën kur vlerësohen prapanica dhe gjoksi i cullakosur, e jo koka e mbushur dhe fytyra që dinë të skuqet! Dhe kjo ndodhi shkaku se ne, prindërit e këtyre të rinjve, u zhveshëm nga morali e ndershmëria dhe, fatin e fëmijëve tanë, e lamë në duar të atyre që janë disfata e shqiptarisë!

“Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri! Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!

…Mençuria dhe oratoria nuk vijnë me porosi: i rrënuam standardet vlerësuese dhe u bëmë shoqëri ku njeriu nuk vlen aq sa ka në kokë, por sa ka ne xhep: të gjithë të rinjtë tanë duan të bëhen o ‘tallava’ këngëtarë, o ‘tallava’ gazetarë, o ‘tallava’ politikanë: jemi duke u bërë ‘tallava’ popull.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

arber09/06/2019 23:28

bravo

Rami Kristaq Murrizi08/06/2019 22:15

Cdo shkrim te mendje ndriturit shkrimtarit tone e lexoj me endje.Desha te shtoj disa fjale per kopanet qe na hiqen si politikane ne shqiperine tone.Vini re qe nga 2013 kush Ka qene perfaqesuesi popullit,tutori, trafikanti droges ,skifteri ,kodoshi dhe fundi i jashqitjes se kombit,ne dore te tyre rane ligjet shqiptare per tu miratuar ,kuje madhe,te miratoj ligje tutori per njeriu e ndershem.Sot shikoni pak kush Ka vajtur ne parlament.ca sahan lepires pa pik dinjiteti ,ca shakllabana njerez pa fytyre.Prandaj jam shume dakort me shkrimin e shkrimtarit te nderuar qe ne shqiptari nuk fiton mendja,por fiton surrati I peshtire .dhe breket e Shukriut .

Shto koment

Denonco