Ham-hum-ham, ju shkruan Edi Rama!

Ham-hum-ham, ju shkruan Edi Rama!

Nga Poli Hoxha - 24/05/2019

Po lexoja sot në mëngjes, menjëherë pas letrës-serial të Edi Ramës, një status në FB: Lessons learned from Theresa May today for our ‘beloved ‘ politics. 1- Compromise is not a dirty word. 2- The unique privilege of this office is to give voice to voiceless.

Në shqip, pak a shumë; Mësimet e nxjerra sot nga Theresa May, për politikën tonë ‘të dashur’.

1 - Kompromisi nuk është një fjalë e ndyrë.

2- Privilegji i vetëm i kësaj zyre (kryeministrit) është që tu japë zë, atyre që nuk e kanë.

Me pak fjalë, kryeministrja e Britanisë së Madhe na jep një model dhe një zgjidhje, pikërisht për ato që ‘gjëra të vogla’, për të cilat kryeministri ynë sa herë që i kërkohen nga ‘ca kokrra’ apo dhjetëra mijë njerëz në shesh, i ka veshët gjithmonë të dyllosur.

Lexoni këtë leksion të Tereza May dhe nga ana tjetër imagjinojeni, Edi Ramën, gjithë natën të kërrusur mbi kompjuter duke përpiluar Letrën e Tretë, për Lulzim Bashën. Mbi tryezë ka nga njëra anë përgjigjen e këtij të fundit të cilën ja dërgoi siç thotë edhe vetë, ‘me spond’ nëpërmjet qytetarëve, kurse në anën tjetër letrën e thatë dhe ‘shqip’ të dy përfaqësuesve të lartë parlamentar gjermanë, të qeverisë Merkel.

Rri e mendohet orëve të vona deri në mëngjes, se çfarë të thotë dhe çfarë të shkruaj; nga ta kapë dhe nga ta ç`tjerrë zullumin e tij 6-vjeçar, që po i kthehet mbrapsht si tornado. Ulet të shkruajë në mesnatë Letrën e Tretë brenda tre ditëve dhe në mëngjes përpara se ta hedh kryeveprën e radhës në eter, i fut edhe një lexim me zë përpara pasqyrës.

 Lexon me intonacion duke imagjinuar Faik Konicën aty pranë, i cili e dëgjon me gojën hapur e sytë të shqyer nga habia dhe ‘adhurimi’. Por jehona që i kthehet mbrapsht është një avaz që përsëritet nga Letra e Parë, E Dytë dhe e gjithë turulia e fjalimeve në këto vite. Lexon duke kthyer sytë nga Konica i ngrirë ‘në magjepsje’, sepse të ndërtosh një tekst aq të Lartë dhe produkti të jetë një, ‘ham-hum-ham’, nuk është sprovë e vogël!

Rilexon Lulzim Bashën që ju kujtonte dje shqiptarëve, se ndërkohë që prej më shumë se dy vitesh qëndron e kyçur Gjykata Kushtetuese, AI përpilonte ligje speciale antikushtetuese në parlamentin e tij monist, si ai ‘Fusha’ për shkatërrimin e Teatrit Kombëtarë dhe grabitjen e trojeve të tij për kulla, p.sh. Dhe fap-fap vjen përgjigjja shabllon, për këtë shpifje; Sot jemi më mirë, pa gjykata e gjyqtarë...ham-ham-ham.

Pastaj vazhdon, me këtë temë. Basha i thotë se u shkatërrua edhe Gjykata e Lartë, ai i kthen xhevap se ata që punonin aty kanë qenë e janë të shitur e të blerë, por ai nga ana tjetër do ta çojë Lulzim Bashën në gjykatë (Te cila?!), se i ka thënë shpifje e ‘gjysmë të vërteta’. Ham-ham-ham, o popull demokratë!

Lexon pastaj më tej që Basha i rikujton shqiptarëve, emër më emër, kriminelët, përdhunuesit dhe trafikantët e drogës që futi në parlament e katapultoi në krye të pushtetit lokal (siç po bën sërish me rastin e 30 qershorit), Rama ja kthen; Je gjuhështhurur, mbetje toksike, kazan i neveritshëm, vazhdo bjeri fyellit...haaaaaaaam-hum, o popull socialist!

Basha i thotë që ke bërë batërdinë me tendera abuzivë e fals, koncesione grabitqare, ktheve vendin në fermë gjigante droge, tu kapën dy ministra të Brendshëm me presh në dorë, si të lidhur me trafikantët; ke Veten, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën etj, etj, kokë e këmbë brenda skemës së vjedhjes së zgjedhjeve e votës, Rama mendohet gjithë natën për të shkruar në serinë e tretë të komedisë së tij të zezë: `Unë patjetër kam bërë gabimet e mia, por kurrë nuk jap dorëheqjen`. Hum-hum-hum, o shqiptarë!

Basha u thotë  shqiptarëve se ‘a-ja’ e demokracisë, zgjedhjet plurale me garë demokratike mes palëve po shkelet hapur me rastin e 30 qershorit, Rama i përgjigjet; Ju dhe populli imagjinarë, do ti dorëzoni si Çeçua më 30 qershor të 61 bashkitë e vendit. Uuuuhum-hum!

Pasi bën ‘copë-copë’ opozitën zyrtare, Bashën dhe kazanin mediatik, duke vazhduar të mos e fshehë ëndrrën dhe synimin e tij për ti asgjësuar përfundimisht, i hedh një sy edhe letrës së gjermanëve, për t`ju dhënë edhe këtyre një përgjigje me spond.

Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, i shkruanin troç se; Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve, por Rama e ka gati alibinë këtë herë me një gjuhë më nanuritëse: Bëhet fjal për protestues dhe popull imagjinarë. Ham-ham-mjauuu!

Përfaqësuesit e grupit parlamentarë më të fuqishëm në BE flasin për gjendje dhe masa të jashtëzakonshme, e ja bëjnë të qartë pa asnjë ekuivok se; `Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik; Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale; Se këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale; Se qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje`, Rama, i fut spondin; S’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë. Asnjë shans të më ndaloni mua...

Pasi i jep fund këtij teksti-ferman, e lexon i vetë kënaqur, pastaj shtriqet; i hedh një sy nga lart poshtë Faikut të kruspullosur nga inferioriteti, shtyp ‘Share’ dhe pret që të dëgjojë jehonën e Letrës së Tretë, e cila natyrisht do të pasojë me një Të Katërt. Të gjithë do të rrimë pa gjumë natën e katërt në pritje të Letrës së Katërt, me shpresën se udhëheqësi do të na japë ndonjë përgjigje për krizën institucionale, parlamentare, ekonomike-sociale, depresionin që ka kapluar vendin, zgjidhen e Zgjedhjeve dhe votës, etj, etj.

Por duket se tashmë koeficienti që ta bëjë këtë, për të gjithë është vetëm 1.00. Prandaj të presim serinë tjetër me titull; `Ham-hum-ham, ju shkruan Edi Rama`, derisa kocka për të cilën bën kështu, ti mbetet (a t`ja rrasin) në grykë, e të pushojë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Nardi24/05/2019 13:58

Ham ham ham ju lepin Edi Rama se per te ngrene te ha ate qe nuk thuhet , ky pallosh gjatosh i ka ditet te numeruara edhe per faktin se po e ndje fundin e tij te pashmangshem , ndaj nuk na ngelet vecse ti themi suksese ne jete e mos ta pafshim me bojen , shifemi neser ne shesh

Shto koment

Denonco