Destabilizim i rajonit dhe autokracitë e dështuara

Destabilizim i rajonit dhe autokracitë e dështuara

Nga Bled Komini - 23/05/2019

A ekziston një skenar sipas të cilit Ballkani duhet të destabilizohet? Nëse po, kush qendron pas këtij skenari? Nëse nuk ka një skenar të tillë, atëherë, a janë vet politikanët dhe udhëheqësit ballkanas fajtorë për prodhimin e këtij artefakti përmes të cilit synohet të fshihet dështimi i tyre?

Këto tri pyetje janë hedhur shpesh herë kohët e fundit në tryezën e diskutimeve mediatike jo vetëm prej analistëve të përditshëm por edhe prej ekspertëve dhe politikanëve të ndryshëm të cilët mëtojnë të japin një sqarim për atë se çfarë po ndodh në Ballkan. Ngjashmërisht këto pyetje përvjedhurazi sjellin ndërmend dualitetin e asaj që parashtronte Walt Whitmani në lidhje me faktin se cili ishte më i çuditshëm: realiteti apo trillimi. E duke qenë se trillimin jemi ne që e bëjmë, realitetin aq të çuditshëm, është tjetri që e bën, e kjo shpie në atë se: realiteti është më i çuditshëm se trillimi.

Në vorbullën e ngjarjeve dhe zhvillimeve (politike) ballkanike, kozmetika (që rrjedh fatkeqësisht prej fjalës kozmos - rend!) që i mvishet atyre, përmes një stilistike të hollë propagande, të ofruar prej mediave afër pushtetit, synon që shpesh herë të fshehi dështimet e liderëve ballkanas e t’i shfaq ato si ndërhyrje të jashme, që vijnë prej faktorësh jo ballkanas.

Qartazi, askush prej nesh nuk e mohon faktorin jashtë ballkanik, e sidomos atë rus, si një element nxitës turbullirash dhe frenues zhvillimi. Për më tepër unë personalisht kam shkruar me dhjetra artikuj në lidhje me rrezikun e faktorëve të jashtëm. Por, kjo nuk e zbeh aspak kozmetikën e pushteteve autokratike të dështura që mëtojnë të fshihen pas këtij artefakti. Që ndërhyrjet e huaja janë një element i pakontestueshëm në dëm të zhvillimit linear progresiv të shteteve ballkanike, kjo është paralajmëruar edhe prej faktorit ndërkombëtar qoftë nga BE apo dhe NATO. Madje në rastin e ndikimit rus, faktori ndërkombëtar u ka tërhequr shpesh ‘veshin’ politikanëve ballkanas që të jenë të kujdesshëm dhe të mos luajnë me zjarrin.

Në sinkron me këtë që sapo u tha, ngjarjet e ditëve të fundit në Austri treguan se edhe vendet e zhvilluara mund të influencohen prej ndikimit rus. Kësisoj për vendet me demokraci të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ky postulat është i pakontestueshëm.

Në këtë qasje, dy (nga tri) pyetjet e para të parashtruara në fillim të shkrimit sillen jo fort hareshëm në tryezat e mediumeve dhe politikës, pasi ato rreken të gjejnë fajtorin, nëse do të mund ta quajmë kështu, si dhe penguesin e ecurisë dhe zhvillimit demokratik brenda vendeve të rajonit të Ballkanit. Përgjigja që mund t’i jepet atyre s’mund të jetë kurrë një e vetme. Janë një sërë përgjigjesh ato që na sjellin më afër kuptimit të asaj se çfarë po ndodh në Ballkan dhe brenda këtyre vendeve.

Ajo që shpesh na shpëton pa u vënë re është, se duke i varur shpresat tek përgjigjet që presim, shpërqendrohemi dhe nuk kuptojmë se vet pyetjet mund të na ofrojnë retorika të cilat përgjigjen na e servirin brenda. Pikërisht kjo ndodh në rastin e pyetjes së tretë. Vet pyetja është një përgjigje ndaj situatës destabilizuese që po kalon rajoni i Ballkanit dhe në mënyrë krejt retorike ajo na shpjegon se janë pikërisht politikanët dhe udhëheqësit e këtyre vendeve që shpikin e sajojnë artefakte, me armiq e ndikim të huaj, për të mbuluar dështimet e tyre. Ndonjëherë këto ‘artefakte’ gatuhen dhe propogandohen për të rritur pushtetin e këtyre liderëve si dhe për të neutralizuar e goditur kundështarët e tyre politik, si gjoja të lidhur me faktorët e jashtëm.

Në një rajon jo fort të stabilizuar, ku e shkuara dhe përbërja etnike ka marrë kahera më tepër rëndësi se stabiliteti, integrimi dhe demokracia, nuk është e vështirë të gjesh modele autokratike dhe autokratësh që në një mënyra a një tjetër pretendojnë hapur se vetëm prej tyre mund të vij ‘shpëtimi’ dhe ‘zhvillimi kombëtar’.

Megjithatë, më e rëndësishmja qendron tek fakti se këto modele autokratike nuk e kanë burimin vetëm tek ideologjitë e dështuara me baza raciste dhe etnike (dhe as tek e shkuara), por ato shpeshherë kanë hedhur rrënjë edhe mbi dështimet ekonomike, tranzicionin e gjatë drejt një sistemi politik të qendrueshëm, si dhe mbi kastën e korruptuar të politikanëve.

Shumë intelektualë të shquar të vendeve të rajonit deri dje fajsonin të shkuarën totalitare për gjendjen në të cilën po kalonin vendet e tyre. Por sot, dhe të paktën gjatë tërë dekadës së fundit, - tridhjetë vjet pas rrëzimit të diktaturave majtiste – faji nuk mund t’i hidhet më të shkuarës. Pas tri dekadash, koha e kaluar në tranzicion për disa shtete ballkanike po arrin të njëjtën gjatësi kohore që iu desh diktaturave të pas Luftë së Dytë Botërore që të instaloheshin e qeverisnin në rajon.

Që Ballkani Perëndimor po përjeton një destabilitet të organizuar, këtë e kanë thënë një sërë raportesh që theksojnë se disa shtete ballkanike janë të lidhura ngushtësisht me të kaluarën; vijojnë të kenë në qendër përplasjet etnike dhe disbalancat fetare, dhe po ashtu korrupsioni e trafiku i drogës lulëzojnë në një pjesë të tyre. Do të mjaftonin këto tre pika, për të nxjerrë në pah gjendjen e vajtueshme të popullsive të këtyre vendeve, të cilat vuajnë pasojat e kobshme të një të kaluare etatiste dhe të një të tashmeje jo të qendrueshme. Për këtë arsye dhe mbi këto premisa negative, modelet autokratike janë shfaqur hapur dhe kanë dominuar politikën e këtyre shteteve në dekadat e fundit.

A shtrihet ky model autokratik në pjesën më të madhe të Ballkanit apo vetëm në disa vende? Dhe a kemi të bëjmë me një model gjithëpërfshirës autokracie apo thjesht një koicidencë? Këto pyetje lindin krejt natyrshëm, sidomos kur vëmë re se liderët që drejtojnë ose kanë drejtuar pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatw viteve të fundit (Milo Gjukanoviçi, Aleksandër Vuçiç, Milorad Dodik, Nikolla Gruevski etj.) jo vetëm kanë qenë të lidhur në të shkuarën e tyre me sistemet autoritare (të para viteve ‘90), por edhe i kanë shërbyer atyre për një kohë të gjatë edhe pasi ato janë rrëzuar. Gjithashtu, jetëgjatësia politike e këtyre politikanëve shtrihet në një hark kohor prej tri dekadash.

Nga kjo mund të deduktojmë se lidhjet e këtyre politikanëve me faktorët e jashtëm janë aq të natyrshme, sa ç’ishin edhe për paraardhësit e tyre. E nga ana tjetër, modelet autoritare mbi të cilat ata kanë nisur karrierën e tyre, janë pak a shumë të njëjtat modele mbi të cilat ata duan të ngrejnë pushtetin e tyre autokratik.

Pavarësisht faktit se diktaturat e para viteve ’90 kanë rënë në rajonin e Ballkanit, modelet e lëna pas, ato të kuazi-demokracive nuk arritën asnjëherë të ktheheshin në demokraci të plota, por e patën më të kollajtë që të rrëshkasin drejt pushteteve autoritare të udhëhequra prej liderësh karizmatik. Për ta sjellë më afër këtë panoramë po i referohem Raporteve të Freedom House nga viti 2010 deri më sot për një pjesë të shteteve ballkanike, gjithnjë duke u fokusuar tek tri paramatrat që ky raport përdor për të matur zhvillimin (nëse mund ta quajmë kështu), qeverisjen demokratike dhe liritë për pjesën më të madhe të shteteve të botës.

Kështu sipas RFH ekzistojnë tri elemente të gjithëpranuara mbi të cilat mund të matet zhvillimi demokratik i një shteti dhe shoqërie. Sipas tij parametra janë: zgjedhjet (ku përfshihen demokracitë elektorale); të drejtat politike dhe liritë qytetare. Vlerësimi i këtyre parametrave bëhet sipas një shkalle nga një në gjashtë, ku njëshi është forma më e lartë e vendeve të zhvilluara e me demokraci të konsoliduar (me zgjedhje të lira dhe demokraci liberale) dhe gjashta është vlerësimi më i ulët ku të tri elementet e përmendura janë të rrezikuara plotësisht prej pushteteve dhe qeverive arbitrare.

Sipas RFH, Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë arritur ende që të marrin mbi 70 pikë, për të dalë mbi limitin brenda së cilit janë vendet me demokraci të konsoliduar, por ato kanë mbetur tek vendet me demokraci pjesërisht funksionale (zgjedhje pjesërisht të lira dhe një demokraci liberale shumë të dobët).

Nga ana tjetër Greqia, Kroacia, Sllovenia dhe Rumania kanë arritur që të sigurojnë një stabilitet afatgjatë të këtyre elementëve sa për të pasur një demokraci funksionale me zgjedhje të lira, respektim të të drejtave politike dhe lirive qytetare.

Panorama e marrë prej raporteve shkon paralelisht me situatën aktuale në disa vende ballkanike ku: Mos ndarja e qartë mes tre pushteteve; shtypja e fjalës së lirë - blerja e medias; korrupsioni; përpjekjet për të dobësuar opozitën; si dhe mosekzistenca e shoqërisë civile, kanë bërë që këto shtete të rrëshkasin prej vitesh drejt modeleve autokratike të pushtetit.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco