Djepi bosh dhe ‘shejtani’ në qeveri

Djepi bosh dhe ‘shejtani’ në qeveri

Nga Gentian Gaba - 22/05/2019

Nga Gentian Gaba

Pasi Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, foli me shqetësim për vonesat në reformimin e sistemit gjyqësor dhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të saj; Rama, përmes një postimi në Twitter, komentoi se falë Vettingut djepi ka mbetur bosh, pa shejtani brenda.

Mirëpo lehtësia me të cilën Kryeministri justifikoi rënien e këtij institucioni, që ka për detyrë garantimin dhe respektimin e Kushtetutës nga veprimtaria e pushtetit, në thelb, fsheh gjithë epopenë e mazhorancës për ta rrokur drejtësinë sipas orekseve politike.

Nuk është e vështirë të kuptohet si kemi mbërritur në këtë pikë. Pas miratimit të ‘Reformës në Drejtësi’ me 140 vota pro, fryma e konsensusit ra viktimë e orkestrimeve që u përdorën në zbatimin e saj. Miratimi i ligjeve organike, pavarësisht kundërshtimit të opozitës, la të kuptohej se një tjetër thënie mbi djepin ishte më e përshtatshme për të shpjeguar turravrapin e mazhorancës në farkëtimin e ‘drejtësisë së re’. Bëhet fjalë për shprehjen e njohur: ‘Dora që tund djepin është dora që sundon botën’. Pra dora që tund djepin, e boshatisur nga ata që ishin të padenjë për të mbajtur ‘çekiçin’, sundon botën e drejtësisë shqiptare.

Kjo dorë është sigurisht ajo nga e cila drejtësia e reformuar duhet të ndahej njëherë e mirë, dora e politikës. Gati tre vite më vonë, bilanci për pasojë të vullnetit mujshar të mazhorancës është krejt i errët, në kufijtë e atyre që në zhargonin e politikës ndërkombëtare njihen si ‘failed states’, shtete të dështuara. Të gjitha afatet kohore kanë rënë. Sikurse kanë rënë Gjykata Kushtetuese dhe  Gjykata e Lartë, duke e shndërruar Shqipërinë në të vetmin vend në Europë pa këto institucione. Për të mos harruar PPP-në e drejtësisë, Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme, e cila u votua vetëm me gjashtëdhjetë e nëntë vota dhe që po qëndron në këtë detyrë prej një viti e gjysmë.

A kishte një alternativë? Sigurisht që po!

Konsensusi. Bashkëpunimi. Përgjegjshmëria. Mjaftonte vullneti politik për të ndërtuar një sistem përnjëmend të pavarur, të orientuar nga domosdoshmëria për të afruar drejtësinë me standardet e kërkuara nga qytetarët dhe procesi integrues në BE. Nëse ‘Reforma’ do të ishte zhvilluar në një klimë besimi dhe respekti ndaj institucioneve, nuk do të kishte ‘Vetting’, peshk të madh apo të vogël, që do të krijonte vakumin që kemi sot. Nëse gradualizmi do të triumfonte mbi babëzinë për pushtet, shumëçka do të ishte ndryshe.

Por, sikurse u tha më sipër, plani ishte krejt tjetër.

Realizimi i projektit për kapjen e drejtësisë, nuk kaloi vetëm nëpërmjet forcës së numrave, por edhe propagandës, e cila e ktheu togfjalëshin ‘frika nga Reforma në drejtësi’ në një mjet për triumfin e ‘spartakiadave’ televizive dhe të shkruara. Një vegjë diabolike që ngriti tymnajën e nevojshme për të kaluar, nën hundën e opinionit publik dhe të ndërkombëtarëve xhahilë, çdo masë represive ndaj sistemit të drejtësisë. Duke e damkosur çdokënd që mendonte ndryshe si një armik të ‘Reformës’.

Sot, ‘nyja Gordiane’ në fytin e drejtësisë së asfiksuar, na lejon të shohim në mënyrë të qashtër ata që u bënë arkitektët e këtij dështimi; sepse ‘djepi i zbrazur’ i drejtësisë kishte për qëllim mbrojtjen e interesave të ‘shejtanit’ që Shqipëria ka në qeveri.

Për të faktuar këtë, midis shumë të tjerave, na mjafton vetëm një provë: Teatri Kombëtar. Antikushtetueshmëria e ligjit të posaçëm me të cilin kryeministri kërkoi shembjen e godinës historike dhe tjetërsimin e truallit publik, nuk mund të kontestoheshin nga mbrojtësit e Teatrit. I vetëdijshëm për pamundësinë e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar çështjen, vendosi që ta çonte ‘ligjin Fusha’ në Parlament.

Jo keq, për një ‘artist’ dhe një dashnor të ‘drejtësisë së re’...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco