Ramën edhe me Kushtetutë mund ta nxjerrësh me hu nga zyra, po pastaj?!

Ramën edhe me Kushtetutë mund ta nxjerrësh me hu nga zyra, po pastaj?!

Nga Poli Hoxha - 18/05/2019

Po dëgjoja Edi Ramën që stërpërsëriste nga maja e podiumit të Pallatit të Kongreseve, se edhe sikur qielli të kthehet përmbys ai nuk ikën nga karrigia e kryeministrit, përveçse me votë dhe kjo mund të provohet vetëm në vitin 2021.

Pastaj stër-stër-stër përsëriti Kushtetutën, e cila e mbrokërka nga opozita dhe protestat që kërkojnë largimin e tij të parakohshëm. 

Imagjinoni për pak minuta një mbledhje të banorëve të pallatit ku banoni, e cila bëhet për të zgjedhur administratorin tuaj të ri. Ngrihen disa burra seriozë, që ju buzëqeshin çdo mëngjes kur nxitoni që të shkoni në punë e çoni fëmijët në shkollë dhe nisin e ju thonë, se çfarë do të bëjnë për komunitetin nëse i zgjidhni.

Do të zhduken plehrat në oborr, shkallëve e në ashensor. Këta të fundit do të funksionojnë perfekt, e do tu bëhet servisi në kohën e duhur. Ndriçimi as që diskutohet; mure të lyera e njoftime të varura bukur me numrin e policisë, ambulancës, zjarrfikësve etj, etj. Pra gjëra të tilla ‘të vogla’, që do të bëjnë jetën tuaj në pallatin- shtëpi e përbashkët-  normale.

Ju e dini që për të gjitha këto do të paguani me qejf 10 mijë lekë të vjetra në muaj, por ato janë asgjë, nëse gjithçka shkon si duhet. Pasi i dëgjoni këta burra-kandidatë që do të qeverisin pallatin tuaj për 4 apo 5 vite, votoni; zgjidhni atë që e mendoni si më të mirin prej tyre; bashkia ja vulos mandatin, kurse ju ikni të qetë në punët dhe hallet tuaja.

Pastaj koha nis e ecën dhe duket fillimisht, se gjërat po ndryshojnë; nuk ka më qese plehrash nëpër shkallë e ashensorë, vendoset kutia postale dhe mbi të gjitha, fasadat e mureve nëpër korridore e shkallë janë lyer bukur.

Pastaj ikin muajt e vitet dhe sheh që gjendja rikthehet atje ku ishte, madje mos më keq. Ashensori herë punon e herë jo, llambat nëpër korridore digjen sistematikisht, plehrat rishfaqen nga ca kokrra që duan të jetojnë ‘rehat’ në kurriz të shumicës...derisa gjendja e bëhet e padurueshme. Administratori- ai burri i mirë që premtoi një mal me ‘çudira’- tund kokën e tij për çdo ankesë dhe vazhdon përpara duke mos harruar ama që çdo fund muaji, të të trokasë fortë në derë për të marrë 10 mijë lekëshin.

Kur situata bëhet e padurueshme, shumica e banorëve të revoltuar mblidhen e thërrasin administratorin e tyre. Ai lëshon një lum me justifikime për administratorin paraardhës, kërkon hesap për të papërgjegjshmit dhe fëmijët rrugaçë dhe e mbyll me premtime të mëdha; po punohet fortë dhe situata do të ndryshojë shumë shpejtë.

Ikin kështu koha, por nga të gjitha premtimet e tij realizohet me korrektësinë më të madhe, vetëm ai i trokitjes derë më derë- edhe në mes të natë- për të të marrë jo vetëm taksën e 10 mijë lekëshit, por edhe ca shtesa për të rregulluar ashensorin që e prishin rregullisht ‘të papërgjegjshmit’ dhe fëmijët ‘rrugaçë’; për elektricistin që duhet të rregullojë ndriçimin çdo muaj; për bojaxhiun që duhet të rilyejë muret të cilëve ju del boja çdo tre muaj...

Kështu zullumi trashet dhe ju banorë të pallatit thërrisni këtë herë të revoltuar, sërish të zgjedhurin tuaj. I kërkoni llogari, e ai bën sikur ju dëgjon. Përsërit sërish të njëjtat gjëra, blla-blla-blla, pastaj rikthehet te kafeneja ku e pret grupi i tij me meze e raki. Ankoheni edhe në bashki, por aty ju thonë se vetë e keni zgjedhur, durojeni deri sa të vijnë votimet e tjera!

Situata vazhdon njësoj dhe keq e më keq, derisa ju kuptoni dhe zbuloni se administratori juaj i zgjedhur ndan lekët tuaja me teknikun e ashensorit, elektricistin, bojaxhiun. Shet edhe vendet tuaja të parkimit përreth pallatit dhe bën sikur nuk i sheh ata që tymosin marijuanë te hyrja, e qosheve të pallatit ku rrisni fëmijët tuaj. Madje zbuloni se ai ‘grupi i meze rakisë’, janë pikërisht ata.

Atëherë kuptoni se ky është kulmi; i zgjedhuri juaj jo vetëm që nuk jua ka përmirësuar jetesën, por edhe ju vjedh. E thërrisni këtë herë jo të revoltuar, por të zemëruar keqas e gati ta kapni për fyti. Ja thoni të gjitha me fakte dhe kërkoni që të largohet nga ajo detyrë, ndryshe do të lajmëroni prokurorinë. Por ai tund i qetë kokën e tij; mbron ustallarët, vazhdon avazin e fajësimeve për situatën që gjeti dhe të mbyt me premtime se çdo gjë do të ndryshojë.

Ky moment duket se është kulmi i kulmit, pika e fundit e ujit në një gotë të mbushur plotë me zemërim dhe mllef. I thoni, se jeni ju që e zgjodhët dhe jeni po ju që e hiqni kur të doni. Por ai jua përplasë në fytyrë; as ju dhe askush nuk më largon dot, vetë më keni zgjedhur dhe unë do të qëndrojë administratori juaj, deri sa të bëhen zgjedhjet e tjera pas ca vitesh. Jam i votuar!

Si bëhet me këtë njeri pas kësaj; duhet ulur koka e të prisni deri sa të vijnë zgjedhjet e ardhshme, apo do ta merrni me hu dhe le të bëjë çfarë të dojë më pas policia dhe prokuroria?!

Nëse mbaruat me situatën hipotetike që përshkruam më lartë, zgjerojeni krahasimin; vendosni në vend të pallatit tuaj Shqipërinë, kurse në vend të administratorit, kryeministrin që kemi të gjithë prej 6 vitesh ‘të zgjedhur me votë’.

Gjithmonë e kam vrarë mendjen, veçanërisht këto kohët e fundit; çfarë kanë pasur ndërmend të thonë baballarët e Kushtetutës së Shqipërisë kur kanë përpiluar Pikën 2 të Nenit 2 të këtij dokumenti, që mban në këmbë Republikën?!

Meqenëse është vendosur që në fillim të saj-pra mund të quhet si gur themel-patjetër që duhet të jetë shumë i rëndësishëm.

Këta ‘baballarë’ kanë shkruar tekstualisht; Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij, ose drejtpërsëdrejti!

Kjo nënpikë e Nenit 2 lë për të kuptuar, se është parlamenti vendi ku populli përfaqësohet. Faktikisht në këtë parlament, përfaqësi kanë vetëm rreth 28 për qind e shqiptarëve. Kusuri janë rreth 780 mijë që votuan kundër administratorit Rama dhe akoma më shumë- rreth 60%- ose nuk u paraqitën fare te kutitë, ose zgjodhën ti vënë kryq votës së tyre. Këto janë pak a shumë shifrat përfaqësuese të popullit, për zgjedhjet e fundit të vitit 2017. Se si është sot pas dy vitesh situata nuk e dimë, por Rama na thotë se duhet ta mësojmë vetëm në vitin 2021.

Le të lemë mënjanë, premtimet e pa mbajtura të administratorit tonë. T`ja ‘falim’ edhe skandalet gjigante të grabitjes së financave të shtetit dhe taksave; le të mbyllim njërin sy edhe për rreth 400 mijë banorët e larguar nga ‘ky pallat’ me këtë administrator jo vetë të keq por edhe hajdut dhe të ngelemi, te përfaqësimi.

A ka më kjo parti, kjo qeveri dhe ky kryeministër të drejtë që të vazhdojë të drejtojë vendin, kur nuk e ka problem që edhe zgjedhjet për administratorët lokalë është i vendosur ti zhvillojë pa alternativë zgjedhjeje dhe me shumicën, që refuzon të paraqitet te kutitë e votimit?!

Kushtetuta në Nenin 2, Pika 2, thotë jo; Nëse populli nuk përfaqësohet, atëherë ai humbet sovranitetin; Nëse humbet sovranitetin nga që nuk përfaqësohet më, atëherë atë ka të drejtë që ta fitojë vetë atë, e ta rivendos jo më nëpërmjet të zgjedhurve, por DREJTPËRDREJTË.

Drejtëpërsëdrejti sipas Kushtetutës të cilën Edi Rama po e përdor sot si gjethe fiku, do të thotë që populli në një moment të caktuar ka të drejtë që të fshijë parlamentin që nuk e përfaqëson më dhe njëkohësisht, edhe qeverinë dhe kryeministrin që rrjedh prej tij. Akoma më drejtëpërdrejtë; i jep të drejtë që ta nxjerrë edhe me hu Ramën nga zyra e tij dhe të gjithë ata që bëjnë `deputetin e popullit` në parlament, përderisa refuzojnë të pranojnë se janë në kushtet e një pushtimi të përfaqësimit.

Deri këtu duket si zgjidhje shumë e qartë dhe kushtetuese, por çështja është se si do të ndodh që kjo situatë ciklike 30 vjeçare, të mos ketë shans të rikthehet kurrë më?!

Se ja për shembull; të gjithë ata që ndjekin opozitën nëpër protesta, (tashmë pa rrugëdalje tjetër) vendosin që të zbatojnë në teren Pikën 2 të Nenin 2 të Kushtetutës dhe e përzënë me hu Ramën nga zyra e tij, meqenëse nuk dëgjon të ikë vetë. Por pas kësaj, a do të kemi përfaqësim të shumicës së popullit, nëse në atë zyrë fusim Lulzim Bashën?!

Vetëm të mendosh 60-përqindëshin që nuk voton me gjithë emigrantët, plus dhjetëra mijë të majtë të ndershëm që e dinë se Rama e Rilindja i ka tradhtuar, atëherë përgjigjja është absolute; jo.

Është e vërtetë që në këtë moment, Lulzim Basha në krye të opozitës përfaqëson një shumicë më të madhe se ajo që po ndjek ende Edi Ramën, por sërish kjo shumicë është më e vogël se shumica absolute e popullit, të cilës i referohet Kushtetuta në pikën që citojmë.

 Atëherë si i bëhet me këtë shumicë, kush do ta përfaqësojë?!

Të gjithë mendojnë se topi është në fushë të Edi Ramës, por në fakt është e kundërta. Ai është te këmbët e Lulzim Bashës dhe forcave opozitare. Rama faktikisht është më gjunjë dhe po mendon vetëm për mënyrën, se si do të dalë nga fusha; me këmbët e tij apo me barelë.

Është Basha ai që duhet të na tregojë skemën; se si do të zhvillohen kampionatet në vazhdim. Duhet ta kuptojë sa është ende në kohë për këtë. Përndryshe ajo shumicë mbi të dyja palët, do të vazhdojë të sillet si ai studenti konviktor i cili nuk i hiqte kurrë çorapet e palara. Kur i thoshin shokët e dhomës-ndërroji dreq, se u mbytëm të gjithë nga kutërbimi- ai përgjigjej;

Përse ti ndërrojë, pas ca kohësh edhe ato të rejat prapë do të qelben! 

/Shkruar per SYRI.net nga Poli Hoxha

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

ylli shehu,eurodeputet19/05/2019 10:22

ME BESUTEN,ME VOTUTEN

t19/05/2019 07:27

z.Poli shkrimet i ka gjithmone te goditura dhe ky eshte me kuptimploti ,por situata ne vend eshte e tille qe ky skizofren qe kemi ne krye duhet te ike sa me pare sepse ai eshte vete sistemi,pastaj cdo gje do te kthjellohet pak nga pak.luli po te jete ai qe pretendon se eshte,, pas rrezimit te rames te bashkevendose me te gjithe palet paperjashtim si do zhvillohen 'kkampionatet e tjere' dhe te shpalle se po te fitoje nuk do pranoje te behet km.

Skrapari18/05/2019 15:31

Duhet te besojme ne ate qe opozita dhe lideri i saj z. Basha ka premtuar te beje, ndryshe c'kuptim ka. Qe ky felliqesira dhe gjithe lakejte qe e ndjekin pas duhen larguar me hu kjo nuk ka nevoje per shume mend pasi zullumi eshte trashur shume. Edhe ata palo parlamentare grotesk duhen nxjere nga parlamenti po me hu. Ne 25 maj besoj do jete finalja, duhet me cdo kusht dhe te gjitha menyrat ti zbojme nga qeveria dhe parlamenti keta zuzare qe po na marin frymen. Fitore

Shto koment

Denonco