Pas artikullit të Bild, Rama si ‘skifterat’: ‘Shëtito’ për 30 ‘qershoro’

Pas artikullit të Bild, Rama si ‘skifterat’: ‘Shëtito’ për 30 ‘qershoro’

Nga Gentian Gaba - 17/05/2019

Nga Gentian Gaba

Që ‘diçka është e kalbur në Shqipëri’, shumica e qytetarëve e di prej shumë kohësh. Preludi ishte pagëzimi si ‘aleanca e qelbësirave’, e asaj që do të kthehej në mazhorancën e vitit 2013. Ligji i dekriminalizimit arriti të çirrte maskën, duke i nxjerrë gangsterët nga zyrat e shtetit, por jo të thyente lidhjen simbiotike që gjallon jashtë institucioneve.

Mirëpo, pas largimit të opozitës nga Parlamenit, duket se për situatën reale në Shqipëri po interesohen edhe mediat e huaja. Përherë e më të shumta në numër, ato po nxjerrin beribat mazhorancën. Rasti më i fundit është ai i gazetës Bild.

Artikulli i gjatë për Shqipërinë, i një prej gazetave më të mëdha teutonike, tingëllonte më shumë si një epitaf për mazhorancën aktuale.

Një renditje e pamëshirshme e të gjitha akuzave të ngritura ndër vite. Nga kanabizmi i vendit, te ministrat e brendshëm të lidhur me krimin; nga përgjimet deri tek akuzat për blerjen e votës në bashkëpunim me krimin.

Shkrimi që terratisi imazhin e mazhorancës, duke e nxjerrë gollomesh vetë Ramën përballë lexuesve të shumtë të së përditshmes gjermane, mori një përgjigje nga deputetja socialiste Blerina Gjylamenti, e cila e cilësoi si një artikull të paguar nga opozita. Këtë deklaratë nuk e hodhi poshtë vetëm autori i shkrimit, gazetari Peter Tiede, e cili e konsideroi reagimin e Gjylamentit një çmenduri, por vetë kreu i mazhorancës. Nga kolltuku i emisionit Opinion, Rama tha se i ka tërhequr vërejtje deputetes, pasi ajo e kishte bërë atë deklaratë pa dijeninë e tij. Duke shtuar berrejshëm se: ‘Nuk ka urdhra partie për të dalë në media’.

Ky kujdes për ta faturuar gjetkë atë qëndrim, është pasojë e vetëdijes së kryeministrit për rreziqet e antagonizimit të mëtejshëm të shtypit perëndimor. Në këtë moment të vështirë, me opozitën që kërkon ‘kokën’ e tij dhe zgjedhjet monopartiake të 30 qershorit në horizont, Rama e di që artikulli nuk cyt vetëm audiencën e këtushme, por sidomos gjermanen dhe europianen.

Pasqyrime të tilla të realitetit shqiptar nuk hedhin poshtë thjeshtë propagandën e mazhorancës, por depërtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek votuesit dhe taksapaguesit europianë; të cilët, pa filtrat dhe gjuhën e drunjtë të ambasadorëve rezidentë në Shqipëri, mund të lexojnë dhe kuptojnë, në mënyrë krejt autonome, realitetin e hidhur shqiptar. Nga ky vetëdijesim i opinionit publik ndërkombëtar, te reagimi i politikanëve të atjeshëm, hapi është shumë i vogël. Madje është thjeshtë çështje kohe.

Për këtë arsye Rama nuk është më mahitari që kemi njohur. Madje kohët e fundit, në komunikim me gazetarët, kemi zbuluar se në fjalorin e tij ekzistojnë fjalët të lutem dhe faleminderit.

Pra kthimi i reflektorëve nga mediat ndërkombëtare, e ka bërë të duket si ata dy ‘skifterat’ e bërë të famshëm këto ditë në rrjetet sociale. Këta të fundit, të kapur gafil teksa përgatisnin goditjen e radhës, përpara syrit të kamerës, flisnin përçart në tentativë për të mos ligështuar personin që i kishte zbuluar. Kësisoj edhe Rama, në përpjekje për t’i dhënë ngjyrën mavi gjithë hartës territoriale të Shqipërisë, i ‘kapur’ nga gazeta Bild, duket se do të jetë i detyruar të heqë dorë nga zgjedhjet vendore, diçka që mund të tingëllojë si: Shëtito për 30 ‘qershoro’.

Pasi, sikurse ‘skifterat’, ai e di se  nuk mund të çojë deri në fund grabitjen e zgjedhjeve të radhës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco