Teatri i kukullave dhe dinjiteti i atyre që e refuzuan

Teatri i kukullave dhe dinjiteti i atyre që e refuzuan

Nga Eno Bozdo - 16/05/2019

Eno Bozdo –

Këto ditë, një lajm i gëzuar u shpalos në media: një deputet i listës shumemërore të opozitës, pas një vargani të gjatë ecejakesh të tensionuara në korridoret e KQZ-së, mori më në fund mandatin e deputetit, mandat që e fitoi mundimshëm me djersën e ballit. Pasi u konsultua nga afër me “amerikont dhe inglizt”, i konsultuari vendosi që për hir të stabilitetit të vendit dhe interesave jetike të Shqipërisë, të integrimit europian dhe më gjerë, të vetësakrifikohej duke marrë mandatin dhe bashkë më të, guximin për të luftuar hordhët e Ramës, mu në strofkullën e tij të krimit. Po, pikërisht aty, në Kuvend! Misioni i opozitarit e thërriti në skenën e historisë dhe ai iu përgjigj thirrjes së saj. Është e tepërt të shtohet se konsultuesit morën frymë lirshëm pas këtij lajmi. Shqipëria ka opozitë, madje parlamentare dhe dinjitoze, siç e kërkon zakoni.

Po në të njëjtën ditë, një djalë i ri refuzoi mandatin e deputetit pas një fjalimi të pastër politik dhe akuzator. Në fjalën e tij iu referua amanetit të të atit, përkatësisë të tij politike si dhe historisë!

Marrja apo lënia e mandatit është provë e fortë njerëzore dhe politike. Dhe siç edhe thuhet, njeriu njihet veç në prova të tilla. Disa nuk mundën ta kalojnë dot këtë provë. Por shumë të tjerë ia dolën. Kuvendi sot, apo më mirë ajo që ndodh në Kuvend që prej djegies së mandateve nga opozita, është përpjekja e fundit e Ramës për të maskuar një krizë politike që rrezikon të kthehet në krizë shumë të rëndë sociale. Në përpjekje e sipër, Ramës i ka dalë shfaqja nga duart. Kuvendi është kthyer në teatër kukullash, ku kukullat, në dallim nga Teatri i vërtetë i Kukullave, marrin frymë, janë të gjalla dhe madje bëjnë moral dhe shesin polikë. Por sado mirë e maskuar qoftë shfaqja, të gjithë bien dakord që ky teatër nuk është aspak një spektakël dinjitoz, sepse në këtë teatër kukullash nuk ka dinjitet.

Teatri i kukullave ka disa akte. Në aktin e parë të tij, Rama luan hokatarin, duke “krehur” me humorin e tij të hollë opozitarët përballë. Sigurisht pa harruar t’u përmendë emrin, në mënyrë që ata të kenë më pas të drejtën e replikës. Më pas, në aktin e dytë, në replikë e sipër, dëgjon angazhime rrëqethëse opozitare në emër të idealeve të opozitarizmit, angazhime në përpjesëtim të zhdrejtë me formimin logjik, oratorinë politike apo edhe më rëndë, me ligjërimin korrekt në gjuhën shqipe.

Teatri i kukullave ka ende akte. Sepse nuk mund t’i lihet hapësirë mediatike protestës rinore që ndodh gjithmonë jashtë Kuvendit. Për këtë arsye, në aktin e tretë, Rama merr fjalën në foltore përsëri. Po kësaj here mban me vete një “krehër” edhe më të madh. Në diskutimin e tij rritet doza e “respektit” për ata të opozitës parlamentare që ndoqën rrugën e drejtë (drejtimin e duhur) dhe shtohen talljet e batutat për lidershipin e opozitës së rrugës. Ky është çasti, ku opozitarët e “rrugës së duhur” të Parlamentit shkrihen me batutat plot kripë të Ramës. Me kaq seanca ka mbaruar. Mediat e kanë transmetuar të plotë, nëpër portale janë shpallur titujt kryesorë me atë që Rama tha, Rama bëri, apo që liderët e “opozitës së duhur” debatuan. Kaq ishte lajmi nga Kuvendi. Kësaj i shtohet herë pas here edhe ndonjë lajm grishës mbi opozitarin e radhës, që pranon mandatin për hir të Shqipërisë që duam.

Personazhet e opozitarizmit në fjalë nuk janë thjesht anekdotë. Janë realë, groteskë po aq sa edhe përfaqësues të kohës ku jetojmë. Si të tillë përfaqësojnë pikërisht zemrën e problemit, apo më mirë të themi të kënetës ku po mbytemi si shoqëri dhe s’po mundemi të marrim frymë dot.

Por si për çdo medalje, ka gjithmonë dy anë të kësaj historie. Ana tjetër shqetësuese e medaljes është se nuk flitet, apo më mirë nuk ka interes të flitet për disa individë që kanë refuzuar teatrin e kukullave. Media i përmend pak apo aspak, ndërsa opinioni i shëndoshë publik humbet rastin për t’u njohur me veprime dinjitoze njerëzore, aq të munguara nga politika në këto kohë. Kështu, për çdonjërin nga personazhet e mësipërm të “opozitës që duam”, janë shumë të reja dhe të rinj, zonja dhe zotërinj, të cilët kanë refuzuar jo vetëm mandatin, por edhe benefite në natyrë që Rama i ofron paketë, së bashku me mandatin.

Këta njerëz nuk ndihen heronj. Maksimumi që kanë bërë është që kanë deklaruar në media sociale qëndrimin e tyre pa ekuivok. Dhe kjo jo thjesht për hir të një promovimi personal, por për merakun e drejtë që qëndrimi i tyre të jetë publikisht i qartë dhe pa asnjë mëdyshje në favor të kauzës opozitare dhe interesit publik.

Këta njerëz madje nuk marrin përsipër as të sillen si heronj. Janë njerëz të zakonshëm, të shkolluar dhe të mirëformuar, të cilët në kushte të tjera do ta kishin krenari dhe privilegj të merrnin një mandat deputeti në emër të partisë që solli pluralizmin në Shqipëri. Si të tillë, si të gjithë ne, kanë familje për të mbajtur dhe përgjegjësi për të ushtruar. Dhe në lojë kësaj here nuk kanë qenë vetëm mandatet, por oferta financiare të cilave vetëm një karakter i mirëformuar dhe qytetar dinjitoz ka fuqinë t’i refuzojë.

Një djali të ri në jug të vendit, emisarët e Ramës i ofruan 500 mijë euro, plus një drejtori të rëndësishme dhe një vend të sigurt në listën e Partisë Socialistë. Ky djalë e refuzoi pa mëdyshje ofertën. E pra, ishte një ofertë nga ato që të ndryshojnë jetën. Jam i sigurt që një person i tillë do t’i bënte nder çdo formacioni politik. Një të reje në veri të vendit iu ofrua një ofertë e ngjashme, përsëri i njëjti refuzim në emër të vlerave dhe moralit.

Po në veri të vendit, një zotërie iu ofruan 5 milionë euro si dhe një vend i sigurt në listën për deputetë të Partisë Socialiste. Për habinë e ofertuesve, oferta u refuzua me dinjitet.

Janë jo pak, por afro 100 persona të tillë. Ndërsa të gjithë kanë refuzuar mandatin, në shumicën e tyre kanë refuzuar në të njëjtën kohë edhe oferta shumë joshëse financiare, për të cilat çdo njeri do të mendohej mirë dy herë. E kanë bërë jo thjesht në interes të forcës politike që ato përfaqësojnë, por mbi të gjitha në emër të interesit publik dhe vlerave të qytetarisë. E pra, për këtë model shkruhet pak apo aspak. Edhe vetë PD duhet të bëjë më shumë për të promovuar publikisht këtë model qytetarie.

Punimet e Kuvendit nesër, apo javës që vjen e kështu me radhë, do të hapen përsëri me fjalimin plot kuptim të Ramës dhe më pas, siç e do skenari, me debatin e “ashpër” opozitar në Kuvend. Ndoshta ndonjë kukull e radhës do ketë ngecur në rrjetën e Ramës dhe do ketë pranuar hyrjen në Kuvend, gjithnjë në emër të integrimit europian dhe të interesave të Shqipërisë. Për këtë do të marrë përgëzime nga vetë Rama. Edhe ndërkombëtarët do shënojnë statistikën e radhës. Por e sigurt është se në të njëjtën kohë, disa qytetarë të tjerë kanë refuzuar pjesëmarrjen ne teatrin e kukullave, për hir të interesit publik dhe bindjes së tyre. Tutje të gjithë diskutimit politik, ky është modeli i njerëzve me karakter dhe dinjitet, që nuk pranuan as të shiten dhe as të blihen!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

opozitari i flakte e i devotshem kujtim gjuzi16/05/2019 22:47

sa te jem une ne kuvend,nuk do lejoj shkelje t kushtetutes.do e bej edi ramen te pshurret aty ne karrige,keni per ta pare,spartak brahon do e be te dhjese ne foltore.me thone gjuz mua,ore

lamja16/05/2019 18:25

ca thu mor jahu! Ne ai Gjuzi na kenaqi (ai i ores atlantik pa T perpara),,tani po e shofim portokalline dy here ne jave biles edhe tre here fale pjesemarjes se ketij neper emisione televizive.Deputet me kete formim ekselent ,qe per batuta ja mer dhe Rames ,ky popull e ka enderuar.Dhe te mendosh qe partia e tij ka mare vetem 634 vota ne mbare Shqiperine.Faji eshte i popullit qe s'di te zgjedhe pasi njerez te tille do na perfaqesonin denjesisht dhe ne parlamentin europian.Eshte i njejte me KM tone pasi Rama per te terhequr vemendjen e njerezve ne gjera dytesore vesh atlete,citjane,etj ne takime te nivelit te larte ,ky nxjer ne pah telefonin,papjonin si gjera qe vlejne me shume se ai vete.Lum ne per keta klloune.

Shto koment