Për ty që më sheh nga shtëpia…

Për ty që më sheh nga shtëpia…

Nga Elona CASLLI - 13/05/2019

Për ty që çdo ditë më sheh nga shtëpia, për ty që ndodhesh para atij ekrani të vogël çdo mbrëmje, për ty që dilemat të kanë pushtuar prej kohësh, ty nga Sheshi i Teatrit Kombëtar dua të t’i them dy fjalë.

E di se ndihesh i turbullt dhe i çoroditur. Ashtu ndihem edhe unë. Mos harro se jetoj në të njëjtin qytet me ty, përshkoj të njëjtën rrugë dhe i përjetoj njësoj si ti ngjarjet e papërsëritshme të këtij vendi.

E di se çdo herë që përballesh me imazhin e atyre që nuk na përfaqësojnë në Parlamentin Shqiptar , mendon se ata nuk janë gjë tjetër veçse një Vëllazëri Vesi . E mendoj edhe unë.

E di se brenda mendjes tënde vërtitet ideja për t’u larguar nga ky vend. Për të bërë gati valixhet, për t’u përshëndetur me ata pak njerëz që vërtet i ke përzemër dhe për të mos u rikthyer më kurrë. E njëjta ide vërtitet edhe në mendjen time.

E di se shpeshherë shumë e gjatë të duket dita dhe veçse një çast i shkurtër nata. Edhe mua hera-herës ashtu më duket.

E di se që kur ke filluar të gërmëzosh fjalët e para, që kur ke filluar të hedhësh hapat e parë, që kur ke filluar të lexosh , të vraposh dhe madje edhe të dashurosh , e ke dëgjuar shpesh këtë fjali të mërzitshme që duket se ka zënë rrënjë thellë në ndërgjegjien e këtij kombi- Ne e meritojmë fatin e keq.

Por vallë pse e meritokemi fatin e keq?! Mos vallë kemi lidhur kontratë me Jetën për të jetuar keq, për t’u qeverisur keq e së fundmi për t’u ndierë keq?!
Nuk jemi Populli më i mirë në Botë, por nuk jemi as Populli më i keq në Botë.
Jemi të zhgënjyer dhe për fat të keq edhe të bindur se e Mira nuk na përket.

E di se pyet veten se ç’mund të bëjë një njeri më shumë ose më pak në këtë shesh?! E pyes edhe unë veten.
Por a nuk beson ti se ka ardhur koha të rritemi?!

Dhe të rritesh do të thotë të mos i zhvendosësh përgjegjësitë e tua tek dikush tjetër.

Të rritesh do të thotë mos të lejosh dikë ta marrë të mirëqenë lirinë tënde, fjalën tënde, pronën tënde, dinjitetin tënd dhe së fundmi edhe votën tënde.

Të rritesh do të thotë të protestosh përmes fjalës dhe kurrë përmes dhunës. Të protestosh përmes ligjit dhe jo përmes dhunimit të Kushtetutës. Të protestosh jo për të rrëzuar një Qeveri dhe për të ngritur një tjetër në fuqi ,por për t’i përcjellë një mesazh të vonuar kujtdo që është apo do të vijë në pushtet:
Shqipëria nuk i përket vetëm një Shqiptari, Shqipëria u përket të gjithë Shqiptarëve.

Unë mund të bëj gjithçka për ty, por nuk mund të protestoj në emrin tënd.

Prania jote është protesta jote dhe besomë kur të them se ka gjasa që Mungesa jote të ndihet më shumë se Prania e kujtdo tjetër.

Të pres sonte tek Kryeministria në orën 18.30.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Miri13/05/2019 18:59

Bravo!*

Niku13/05/2019 18:11

Me fal se nuk te njof ty Sycke ( dhe skam deshire te te njof ) po me qenese keta qenkan ngritur me 21 Janar duhet qe populli te ule kurizin dhe te lere keta re bejne cfare te duan ? Edhe Enveri kete beri fitoi luften dhe pastaj vrau gjith popullin , me shume sec vrau pushtuesi , ndaj kuptoj qe ti qenke vertet sycke ( miop ) ndaj me lind e drejta te te them : Epo te placin syte

trapi13/05/2019 17:17

e ke qa fare caslli tirona. sa per sycken jugore : prandaj u ndrru pushteti qe mos te perseriten po ato gjona .

Sycka13/05/2019 15:57

Ti nga po na shihje ne 21 janar ???

Kunder atyre qe u ngritem ne 21 janar duhet te ngrihemi tani.. ???

teatri13/05/2019 15:53

bukur Cas

Shto koment

Denonco