Mekanizmi i kalbur i shpërndarjes së mirëqënies

Mekanizmi i kalbur i shpërndarjes së mirëqënies

Nga Klodian Tomorri - 10/05/2019

Nga Klodian Tomorri

Vitin e kaluar Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë ishte 1 mijë e 647 miliardë lekë. Për të njëtën periudhë, fondi total i pagave i dhënë nga qeveria dhe bizneset për të gjithë të punësuarit në rang vendi ishte vetëm 306.5 miliardë lekë ose 19 për qind e PBB-së. E thënë ndryshe në cdo 100 lekë që prodhon ekonomia shqiptare, puna shpërndan vetëm 19 lekë.

Kjo është një shifër tmerrësisht e ulët, ndërkohë që në vendet e zhvilluara kompesimi i punonjësve është absolutisht komponenti më i madh i të ardhurave kombëtare. 

Në SHBA, fatura totale e rrogave është sa 57 për qind e Prodhimit Kombëtar. Në vendet e pasura të OECD, punonjësit marrin përmes pagave 55 për qind të PBB-së, ndërsa në Eurozonë, pagat shpërndajnë 47.5 për qind të të ardhurave kombëtare. Pra, për ta vendosur në kontekst krahasimi, pjesa e mirëqënies që shpërndan puna në ekonominë shqiptare është tre herë më e ulët se sa ajo në vendet e tjera të zhvilluara.

Këta numra kanë implikime të thella për jetën e përditshme të qytetarëve. Puna është mekanizmi kryesor dhe më efektiv, përmes të cilit ekonomia shpërndan mirëqënien tek qytetarët. Por kur puna shpërndan më pak se 20 për qind të të mirave që prodhon ekonomia, atëherë mekanizmi është kalbur. Dhe ky është një debat global.

Edhe pse në ekonomitë e zhvilluara, punonjësit marrin përmes pagave më shumë se gjysmën e tortës ekonomike, sërish vitet e fundit ekonomistët kanë lëshuar alarmin se kjo pjesë nuk mjafton. Vitin e kaluar, të ardhurat nga puna ishin tema qëndrore e raportit flamur të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të njohur si World Economic Oultook.

Në këtë raport ekspertët e FMN, dokumentuan se krahasuar me vitet 1970, pjesa e të ardhurave që marrin punonjësit ndaj PBB-së në ekonomitë e avancuara ka rënë me 4 për qind. Sipas FMN, ky është një sinjal alarmi. Kur pjesa e pasurisë që rrjedh tek punonjësit bie, pabarazia rritet dhe po kështu edhe rreziku për destabilitet social. Dhe kjo për vendet ku punonjësit marrin nga pagat dhe shpërblimet më shumë se gjysmën e Prodhimit Kombëtar. Në Shqipëri, ku shifra është vetëm 19 për qind situata është edhe më dramatike. 
Por pse puna shpërndan kaq pak mirëqënie në ekonominë tonë? Arsyet janë disa. Së pari, punësimi i ulët. Sipas INSTAT, vitin e kaluar, numri total i të punësuarve me pagë në ekonominë shqiptare ishte më pak se 500 mijë vetë, më pak se një e trëta e forcës së punës. Pjesë tjetër janë të papunë, të vetëpunësuar pa pagesë, ose të punësuar në sektorin bujqësor.

Përvec numrit të ulët të të punësuarve me pagë, arsyeja e dytë se pse puna shpërndan kaq pak mirëqënie në Shqipëri janë rrogat e ulëta. Një pjesë e madhe e punësimit me pagesë në ekonominë shqiptare, vjen nga sektorët më produktivitet të ulët, kryesisht industrinë e përpunimit aktiv si fasoni, apo shërbimet e Call Centerave. Këto janë punë që paguajnë pak dhe rrjedhimisht shpërndajnë pak mirëqënie për të punësuarit.

Ekonomia shqiptare ka një problem të madh. Motori kryesor që shpërndan mirëqënien tek popullata e gjerë është i fikur. Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa e familjeve që kanë të ardhura nga puna në Shqipëri është më pak se 35 për qind e totalit. Pra në tre familje, vetëm njëra ka të ardhura nga puna. Gati njësoj sa raporti i pensioneve. Ky është një mekanizëm i kalbur shpërndarje, i cili lë pjesën dërrmuese të popullsisë jashtë përfitimeve ekonomike duke ushqyer pabarazinë, emigrimin masiv dhe pakënaqësitë sociale.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Sputnik10/05/2019 23:01

Vetem prodhimi industrial eshte ai qe prodhon mireqenie. Por ju injorantet e ekonomise liberale e shkaterruat ate me privatizime dhe degradim, e flaket ne rruge apo emigracion forcen prodhuese shqiptare dhe tani ankoheni pse nuk jep te ardhura tregtia e prasit dhe bananes ambulante apo fasoneria dhe call centeri.

krassasi tp10/05/2019 21:24

"..ne çdo 100 lek qe prodhon ekonomia shqiptare,puna shperndan vetem 19 lek...ky eshte nje mekanizem i kalbur shperndarje, i cili le pjesen derrmuese te popullsise jashte perfitimeve ekonomike duke ushqyer pabarazine, emigrimin masiv dhe pakenaqesite sociale".Keshtu ndodh kur "sistemi i qeverisjes globale" drejtohet nga sistemi bankar.Kur pergjithesisht politikanet kane ne dore çelsat e kashtes.Kur fizibilitetin e investimeve e percaktojne nje kupole mikste "ekspertesh"te huaj dhe politikanesh te pa afte dhe te korruptuare.Te cilet kane frike edhe te artikulojne , lere pastaj te veprojne.Kur koka e inteligjences dhe krahu i punes me i kualifikuar perzgjidhet per punuar jashte.Sa na kushton arsimimi dhe kualifikimi i tyre dhe kush perfiton nga kjo.Sektori prioritar i ekonomise qe eshte bujqesija ka investimet me te ulta ,per pasoj edhe eksporte teper te ulta, ne krahasim me kapacitetet potenciale te ketij sektori.Po keshtu edhe ne burimet minerare.Investimet ne fushen e turizmit etj.Nje ekuiliber i ri midis globalizmit dhe demokracise do sillte ndryshime pozitive ne vendin tone por edhe ne rang global.

Shto koment

Denonco