Firmat që nuk ‘Bindin’ as ligjin…

Firmat që nuk ‘Bindin’ as ligjin…

Nga SYRI.net - 07/05/2019

Emisioni investigativ ‘Boom’ në Ora News ka verifikuar listën e firmave të mbledhura për themelimin e Partisë Bindja Demokratike të Astrit Patozit, nga ku rezulton se më shumë 600 firma janë të parregullta.

Parregullësia e tyre është serioze aq sa asgjë nuk do ta pengonte Prokurorinë e Përgjithshme që të niste një hetim për falsifikim. Konkretisht disa qytetarë të cilët rezultojnë se kanë firmosur për themelimin e Bindjes Demokratik dolën publikisht para kameras dhe u shprehën të habitur kur panë se firma e tyre ishte në listën e Bindjes.

Për të konfirmuar se firma e tyre është e falsifikuar emisioni investigativ ka kontaktuar një ekspert për të verifikuar nëse firmat e tyre janë të falsifikuara dhe e vërteta është që po. Koordinatori i Bindjes Demokratike i pyetur për këtë çështje nga Ylli Rakipi u shpreh se nuk i interesonte kjo pjesë, por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës së përgjigjes së tij.

Ai nuk është i pa interesuar për këtë çështje, e kundërta është e vërtetë. Ai është i interesuari i parë që të kishte shumatoren e firmave për të hapur partinë e tij sot për nesër.

Ndoshta Patozi thotë edhe të vërtetën kur thotë se nuk i intereson. Sepse me shumë gjasë ai nuk është marrë fare me atë punë. Dhe kur themi ai, nënkuptojmë partinë e tij të hapur nën një nxitim të pajustifikueshëm nga një idhnak të mllefosur keqazi me Lulzim Bashën, që gjithnjë e më shumë po shfajësohet që e la atë jashtë gardhit të PD.

Opozitës nuk i vlen shumë beteja kundër ‘të Pabindurve të zakonshëm’ sepse ajo ka tashmë halle të tjera. Sigurisht që nuk ka as frikë se mos Astrit Patozi me dinakërinë e tij politike mund ti marrë skeptrin e kryeopozitarit Lulzim Bashës.

Vetëm nëse skeptri i opozitës ndodhet në dorën e Edi Ramës. Po të ishte kështu, atëherë po që ai do ta pagëzonte Astritin Lulzim dhe pse jo, Valbona Mezinin ‘fallxhore’ në vend të Monika Kryemadhit. Vend për opozitë fasadë politike ka, duhen thjeshtë profesionistë.

Patetizmi i një beteje për tu bërë parti me zor, në tentativën për të zëvendësuar Lulzim Bashën duke përdorur mekanizmat dhe empatinë e Edi Ramës është ajo që e vrau Bindjen që në embrion. Jo se po të ishte ngjizur më ndershëm, veza e dalë prej pulës do të mund të bëhej gjel.

‘Bindja Demokratike’ dhe ‘të Pabindurit’ në radhët e PD-së nuk janë një film që nuk është parë më herët në selinë blu. Ditët e saj më të vështira, prodhojnë gjithmonë idhnakë që rendin të bëjnë parti.

Kjo i ka ndodhur edhe ‘më të mirit’.

Kushdo që thotë se PD nuk ka prodhuar demokraci, e bën këtë se nuk njeh historinë e saj. Nëse PS-së i njihet vetëm një skizëm e fortë me në krye Ilir Metën, Astrit Patozi është thjeshtë ‘benjamini’ i radhës në timeline-in e 29-vjeçarit të saj ekzistencial që ka dalë nga dera dhe gjuan me gurë në një shtëpi xhami.

Vetëm se në ndryshim nga modelet e mëparshme, Astrit Patozi dështoi të ngjitej në katedër. Nga ai pritej diçka më shumë. Nga ish-numri 2 i PD-së nuk pritej të ishte i 3-ti i PS undercover. Ata që e kanë bërë skizmën para tij, e kanë bërë aksionin deri në fund.

Por të hapësh një parti me afat kohor 1 mujor, kjo është për të ardhur keq. Edi Ramës mund t’i shërbesh edhe më mirë se kaq, pagesa do të ishte e majme në çdo rast.

Sepse para të pista për të blerë opozitarë të mllefosur ka, thjeshtë duhet të kesh kurajën për ta pranuar ofertën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco