Në botë, për mos hapjen e negociatave, bëhen edhe filma

Në botë, për mos hapjen e negociatave, bëhen edhe filma

Nga Gentian Gaba - 03/05/2019

Samiti i Berlinit ishte shumë më shumë sesa një takim ndërkombëtar për të ardhmen e Ballkanit. Sigurisht tregoi se dy fuqi botërore, që BE-në e kanë themeluar me ‘qymyr dhe çelik’, jo vetëm do të mbushin vakumin e lënë përkohësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kanë edhe një vizion të përbashkët për rajonin. Veçse Samiti ishte edhe tribuna publike në të cilën u vu në skenë një leksion i vjetër i politikës: Ndëshkimi.

Merkel dhe Macron, përballë ‘lodrave’ të aksit Rama – Vuçiç –Thaçi, nuk kishin zgjidhje tjetër. Duhet të ndëshkonin ata që po përpiqeshin të hapnin, edhe kundër sinjaleve që vinin nga fronti perëndimor, ‘Kutinë e Pandorës’, sikurse janë konsideruar ndryshimet e kufijve në Ballkan.

Në këto raste, dënimi duhet të jetë gjithmonë në përpjesëtim me fajin. Proporcional dhe i dukshëm. Sigurisht ndëshkimi është edhe një sinjal për të gjithë ata që mund të kenë fantazuar me idenë e kryerjes së një shkeljeje. Një mesazh që do të thotë se askush nuk është i përjashtuar nga pasojat e ‘tradhtisë’.

Për këtë arsye, përtej dokrrave të këtushme, nga shqiptarët u thirrën ata që kishin flirtuar me idenë e ndryshimit të kufijve. Për të njëjtën arsye, i vetmi shqiptar që qëndroi stoik në lojën e kufijve, Haradinaj, u ‘përkëdhel’ publikisht nga të zotët e shtëpisë. Në rrethin e të ndëshkuarve, hyri edhe Federica Mogherini,  kryenegociatorja se BE-së. Të gjithë bashkë, ata që treguan oreks të madh por dhëmbë të dobët, morën një shuplakë të fortë përballë opinionit publik ndërkombëtar për tentativën dyvjeçare të shkëmbimit të territoreve.

‘Kaputt’ dhe të gjithë në shtëpi.

Sigurisht një kthim jo i lehtë për të ndëshkuarit. Mogherini mbyll pa asnjë lavdi mandatin e saj; Thaçi nis një lojë të dëshpëruar për të përfshirë ‘Xhaxhi Sam’ në gërnjën e tij me Merkel dhe Macron; Vuçiç duhet të bëj hesapet me nacionalistët, ndërsa Rama, mbeti pa ‘dafinat’ ndërkombëtare, dhe në kthim duhet të përballet me një realitet aspak të qetë. 

Jo vetëm i kthehet një vendi që nuk po qeveris dot prej dy vitesh, në krizë të thellë politike dhe institucionale, por edhe me ankthin e Jo-së për çeljen e negociatave. Vendimi që pritet të merret në shtator, paçka hedh poshtë narrativën e rremë të ‘dallgëve’ të kaluara me sukses një vit më parë, shton pikëpyetjet për verdiktin e shumëpritur.

Nëse Europa e re që do të lindë, si pasojë e zgjedhjeve të tanishme, do të gjendet përballë Shqipërisë së vjetër të krimit, korrupsionit dhe të konfliktualitetit politik, përgjigja negative do të jetë e sigurt.

Përballë kësaj situate, kryeministri nuk mund të fshihet pas ndjeshmërive të shteteve anëtare të BE-së. Sepse ka dështuar në mënyrë të përsëritur në rrugën e negociatave për shkak të krimit, kanabizimit të vendit, azilkërkuesve që lanë Shqipërinë për pasojë të keqqeverisjes dhe korrupsionit që lulëzoi gjatë viteve të tij si kryeministër.

Shtegu i vetëm që i ka mbetur, për t’i lejuar Shqipërisë ecjen përpara, është bërja e disa hapave mbrapa. Kjo do të thotë sakrifikim i pushtetit të tij, për hatër të një vend që vetë ka sjellë në këtë pikë. Do të thotë lëshimi kundrejt kërkesave për një qeveri Tranzitore, që do t’i lejojë Shqipërisë kryerjen e detyrave të shtëpisë. Përfundimin e reformave të rëndësishme, nga ajo në drejtësi te reforma zgjedhore, si dhe zhvillimi i një palë zgjedhjesh përnjëmend, dhe më në fund, demokratike. Duke krijuar kësodore një klimë politike të paqtë, që sigurisht do të përshëndetej nga vendet europaine që në vjeshtë do të shpallin vendimin e tyre.

Çdo zgjidhje tjetër do të na çojë drejt dështimit, të brendshëm dhe të jashtëm. Një çmenduri politike që çon në përsëritjen e të njëjtave gabime të së shkuarës që, brenda përkufizimit të Einsteinit për marrëzinë, do të përktheje me frazën: ‘Të bësh të njëjtin gabim pa pushim dhe të presësh rezultate të ndryshme’.

Për të mirën e vendit, mazhoranca ka ende kohë për t’i thënë mjaft çmendurisë. Për ndryshe, nëse asnjë gjë nuk ndryshon, do të gjendemi përballë justifikimit të zakontë me të cilin tashmë na kanë mësuar: Në botë, për mos hapjen e negociatave, bëhen edhe filma.

Por këto janë filma nga të cilët shqiptarët janë lodhur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ajo03/05/2019 11:59

Z. Gaba, te ishte ndonje kryeminister tjeter, i ndonje vendi tjeter, do ta kishte dhene doreheqjen me kohe...., por kesaj i thone Shqiperi dhe per kryeminister kemi nje mesues vizatimi medioker me kompleksin e te qenit burre shteti i madh, si psh Napoleoni, apo Rusvelti. I ketij mendimi eshte edhe Shpetim Nazarko qe nuk ju la mbreme tek 360 grade te shtjellonit qofte edhe nje analize te vetme deri ne fund. Shqiptaret duhet te degjonin ate dhe vetem ate, sigurisht ne gare te forte me avokatin e percartur Ngjela. A nuk e pate se sa bukur ia beri alibine e deshtimit Rames? Na fryu koken duke minimizuar rolin e Gjermanise sot si promotor i EU dhe gjithe Europes, duke na treguar se ate rol na e paskerka perandoria austro- hungareze, packa se kjo e fundit u plotesisht 101 vjet me pare! Nuk ka faj Rama qe megjithese deshton ne menyren me spektaktorale per te 100-n here, prape na sundon, vjedh, varferon me tej, na fyen, na le jashte pragut te EU-se, dhe pastaj na tall dhe poshteron, a thua se jemi idiote dhe nuk meritojme asgje me teper ,sepse ka aradhen e Nazarkove me shoke qe jane kthyer ne bombola me oksigjen per azmatikun qe na ka zene deren.

Skrapari03/05/2019 11:42

Do apo nuk do me bisht ne shale Edvin pisi do te dorezohet, alternative tjeter nuk ka. Punet e Shqiperise pas kesaj do ecin mrekullisht.

Shto koment

Denonco