A do të dështojë sërish Shqipëria ti bashkohet BE-së?

A do të dështojë sërish Shqipëria ti bashkohet BE-së?

Nga Ana L. Scheer - 18/04/2019

Më 11 prill, shumica e parlamentit të Mbretërisë së Holandës, me kërkesë të tre grupeve parlamentare: Kristian Demokrat, Socialist dhe Liberal, votoi për propozimin për rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë për shkak të kriminalitetit në rritje si dhe për rritjen e emigracionit ilegal në Holandë.

Dje, më 17 prill, parlamenti i Holandës votoi në favor të kthimit të vizave për Shqipërinë, duke proceduar me kërkesën formale për aprovim nga institucioni i BE për implementimin e vendimit. Kjo erdhi si një goditje e rëndë për qeverinë shqiptare e cila ka shumë gjasa të përballet me një tjetër refuzim nga Brukseli për ftesën e hapjes së negociatave për anëtarësi në BE.

Ndërsa nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga qeveria shqiptare për këtë vendim, opozita dhe spektri politik shqiptar shpejtoi të fajësonte kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për aktin e parlamentit holandez.

‘Ky është një ndëshkim i ashpër për Shqipërinë’, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha. ‘Për shkak të Edi Ramës, qeverisë së tij të korruptuar e cila është e përfshirë në tregtinë e drogës, Shqipëria nuk do të marrë ftesën për të hapur negociatat me BE. Shqiptarët rrezikojnë të humbin një nga arritjet e tyre më të mëdha, lëvizjen e lirë në Evropë, udhëtimin e lirë në zonën Schengen’.

Më 2010, qeveria holandeze ishte një nga përkrahësit kryesorë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Rritja e krimit të organizuar shqiptar në Holandë dhe numri në rritur i azilkërkuesve më 2017 detyroi agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Holandës t’u kërkonin autoriteve ligjbërëse rikthimin e vizave për shqiptarët.

‘Kohët e fundit kërkesat për azil nga shqiptarët në Holandë  e kanë kaluar numrin e aplikantëve sirianë duke u bërë numri më i madh’, tha një zëdhënës i ministrisë së Sigurisë e Drejtësisë. E shqetësuar nga ky trend në rritje, Holanda duket se ka marrë masa për frenimin e influksit të azilkërkuesve dhe për parandalimin e përhapjes së krimit të organizuar shqiptar në Holandë.

Për më tepër, duket se disa vende të BE mund të jenë alarmuar nga një sondazh i kohëve të fundit i Gallup, sipas të cilit Shqipëria renditet e katërta në botë për sa i përketë dëshirës së popullsisë për të migruar. Në Shqipëri, 60% e popullsisë së rritur dëshiron të largohet nga vendi. Në sondazhin e organizuar në periudhën midis 2015 e 2017, Shqipëria renditet pas Sierra Leones dhe Liberisë, ku pati shpërthim të Ebolas, dhe Haitit.

I njëjti sondazh e vendos Shqipërinë në majë të indeksit ‘rrjedhjes së trurit’ në Evropë, një indeks që mat nivelin e të rinjve, njerëzve me arsim të lartë të cilët duan të ikin pa pasur në plan të kthehen. Sondazhi tregon se në Shqipëri 32% e atyre me arsim të lartë duan të lënë vendin. Monika Kryemadhi, kryetare e LSI tha se ‘rinia është dështimi më i madh i kësaj qeveria e cila detyron të rinjtë të largohen nga vendi duke u shkulur shpresën dhe ëndrrat’.

A do të ketë një efekt domino vendim holandez për vendosjen e vizave? Franca ka pasur në konsideratë prej kohësh të bëjë të njëjtën gjë. Nëse ndodh, integrimi evropian i Shqipërisë do të vihet në rrezik më tepër se kurrë. Presidenti Ilir Meta deklaroi se vendim i parlamentit të Holandës është një sinjal paralajmërues. Edhe qeveria dhe partia në pushtet e dinë këtë gjë. Mbi të gjitha, shqiptarët e dinë këtë dhe ata janë të tmerruar nga telashet me aplikimet për viza.

Por problemet për kryeministrin Edi Rama duket se nuk vijnë vetëm nga çështjet evropiane por kryesisht nga brenda. Gjatë javëve të fundit, mijëra njerëz kanë protestuar para kryeministrisë dhe parlamentit. Këto protesta kanë tërhequr vëmendjen e medias botërore për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të gazit lotsjellës në sasi të madhe nga policia dhe për shkak të vendimit të papritur të partive opozitare për të dorëzuar mandatet parlamentare, një akt i paprecedent në politikën shqiptare, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.

Shqipëria është në rrëmujë politike e sociale. Studentët, intelektualët dhe përkrahësit e partive politike protestojnë prej muajsh. Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të shënojnë një krizë edhe më konfliktuale.

Lulzim Basha, kreu i opozitës, ka denoncuar dosjet hetimore 339 e 184, sipas të cilave ish-ministra dhe kryebashkiakë socialistë janë të përfshirë në bashkëpunim me organizata kriminale për manipulimin e zgjedhjeve të kaluar. Opozita po intensifikon protestat për dorëheqjen e Ramës dhe vendosjen e një qeverie transitore për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme, shpresa e vetme e Ramës mbështetet te reforma në drejtësi. Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria i është nënshtruar një reforme të thellë në drejtësi. Por, një tjetër sondazh, i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit, tregoi se 63% e shqiptarëve nuk besojnë aspak te reforma në drejtësi. Shqiptarët duken skeptikë për vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve që duket se kanë lidhje të ngushta me zyrtarët e qeverisë apo që nuk munden të justifikojnë pasuritë. Kjo e ka lënë Ramën në një boshllëk politik.

Kryeministri shqiptar duket se e ka pranuar faktin që me shumë mundësi, në qershor, Këshilli i Evropës nuk do ta ftojë Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit, por ai duket se shqetësohet më tepër për ruajtjen e pushtetit të tij se sa për integrimin në BE. Dhe Shqipëria ende mbetet në të njëjtin udhëkryq ku ka qenë prej vitesh, e ngecur midis dëshirës së një kombi të tërë për të hyrë në BE dhe gravitetit të politikës së vjetër që vazhdon ta mbajë këtë vend të vogël të Ballkanit jashtë portave të Brukselit.

Marrë nga Off-guardian.org-Përgatiti: SYRI.net-Shkruar nga Dr. Ana L. Scheer

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco