Kukësi në eksod, 20 vite pas eksodit të madh

Kukësi në eksod, 20 vite pas eksodit të madh

Nga Artan Cena - 17/04/2019

Vetëm një ditë më parë në 16 prill në Kukës u përkujtua eksodi i madh, kur shqiptarët e Kosovës kaluan kufirin dhe mbërritën në Shqipëri.

Janë të paharruara pamjet e para të mbërritjes së kosovarëve në Kukës. Me rrobat e trupit, fëmijët në krahë dhe në një shi të butë, qindra kosovarë do të kalonin doganën e Morinit në Kukës në fillim të muajit prill 1999. Nuk do të kalonin as 24 orë dhe ato qindra shqiptarë të Kosovës do të bëheshin mijëra.

Brenda 1 jave qyteti i Kukësit, nga 20 mijë banorë që kishte do të dhjetëfishohej dhe më pas do të bëhej 500 mijë banorë. Brenda një kohe kaq të shkurtër qyteti i Kukësit dhe banorët e tij do të bëheshin epiqendra e botës, jo vetëm e shqiptare por e të gjithëve.

Televizionet më të mëdha do të zbarkonin në qytetin e vogël verilindor të Shqipërisë dhe situata do të bëhej ndërkombëtare.

Dhjetëra personalitete botërore, qindra organizata do të mbërrinin në Kukës për të menaxhuar krizën më të madhe të refugjatëve në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Këto pamje dhe vrasjet e civilëve që po bëheshin brenda territorit të Kosovës do të bënin që SHBA dhe Britania e Madhe të vendosnin për të sulmuar Serbinë dhe presidentin e saj Sllobodan Millosheviç.

Por kjo është e gjitha histori.

Kukësi që vetëm 20 vite më parë priti eksodin më të madh të shqiptarëve, i propozuar në vitin 2000 edhe për Çmimin Nobel për Paqe, sot është në eksod vetë. 

I lënë pas dore si zona më e varfër e Shqipërisë, por më pasuritë më të mëdha në vend, Kukësi sot është në krizë ekonomike dhe sociale. Qindra banorë janë larguar nga zona në vitet e fundit duke ikur jashtë Shqipërisë.

Duke kërkuar një jetë më të mirë edhe si azilantë, se sa të jetojnë në Kukës.

Situata është bërë më e rëndë pas vendosjes së traut në Kalimash dhe faktit që aeroporti i Kukësit i bërë dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pikërisht për zemrën e madhe të kuksianëve vazhdon të jetë jashtë funksionit dhe me të vazhdohet të bëhet propagandë zgjedhore nga Edi Rama. Është pikërisht qeverisja e këtij njeriu që Kukësin që priti 500 mijë shqiptarë të Kosovës, e ka shpopulluar brenda 5 vitesh.

Asnjë investim nuk është bërë në Kukës që prej viti 2013, asnjë biznes nuk është dërguar në qytetin verilindor. Gjithçka është lënë në dorë të fatit dhe të vetë njerëzve atje, të cilët vetëm 31 marsin e vitit 2018 u ngritën në këmbë në revoltë pikërisht për shkak të riizolimit që Edi Rama dhe qeveria e tij po kërkonte tu bënte.

Kukësi aktualisht është i izoluar ekonomikisht nga qeveria e Edi Ramës, duke mos hedhur asnjë sy në atë zonë, duke mos dërguar asnjë investim, por duke bërë vetëm propagandë dhe duke u tallur me ata njerëz që jetojnë në vështirësi. Pikërisht revolta e kuksianëve ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, nuk është harruar nga ky i fundit që edhe vizitën e fundit në zonë e bëri me helikopter. Edi Rama është i pari kryeministër që nuk u fut dot në një qytet të vendit të tij, por vetëm në rrethina.

Sot 20 vite pas eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës, vetë Kukësi është në eksod.

Qindra e kanë lënë atë vend dhe qindra mendojnë të ikin.

Dhe kjo vetëm sepse Kukësi është braktisur nga qeveria e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco