Ne e dogjëm vetë katedralen tonë

Ne e dogjëm vetë katedralen tonë

Nga Armand Shkullaku - 16/04/2019

Nga Armand Shkullaku

Heshtja kaploi mbrëmë miliona njerëz, ndërsa ndiqnin live djegien e katedrales së Notre Dame të Parisit. Rrallëherë fatkeqësia e një godine mund të prekë aq thellë në brendësinë e qënieve njerëzore. Të shtangur, me një vështrim të mpirë prej trishtimit, me dhimbjen për atë masë gurësh mbi 800 vjeçarë, njerëzimi përjetoi rrënimin e një pjese të historisë së tij. Dukej se në flakë nuk po kallej një ndërtesë, por një qënie e gjallë që kish marrë jetë në shekuj në shpirtin e çdo francezi. Ndoshta e njëjta dhembje, mbase edhe më e madhe, nëse do të bëhej fjalë për një tragjedi me jetë njerëzore.

Ekzistenca e një ndërtese mund të marrë trajtën e një ekzistence njerëzore përsa kohë ajo është e lidhur me kujtimet e atyre që jetojnë me të. Ajo kthehet në pjesë të jetës së tyre jo thjesht si objekt, por si një dëshmitare e dashurive, vuajtjeve, gëzimeve, ngjarjeve të vogla apo ndodhive të përditshme. Bëhet pjesë e rrëfimeve dhe e memories njerëzore, mbartëse e kujtimeve qindravjeçare që brezat ua transmetojnë njëri- tjetrit. Ekzistenca e saj është diçka që njerëzit e zakonshëm e përcjellin edhe si dëshmi të ekzistencës së tyre. Duke e patur të pranishme në rrëfimet e tyre, ata komunikojnë me të, krijojnë një raport të veçantë emocional, preken kur rikthehen pas një mungese të gjatë, u mungon kur largohen nga vendi i tyre, mjafton një foto që t’i përlotë, duke përzierë në shpirtra kujtime të largëta që ai objekt i mbart ndër gurët e tij.

Janë pikërisht këto ndërtesa, qofshin madhështore si Notre Dame apo të thjeshta si kinemaja e vjetër e një lagjeje, që lidhin rrënjët dhe shpirtrat e atyre që jetojnë bashkë me to. Ato përbëjnë “memorien e pafajshme” që i bën njerëzit më të ndjeshëm, më të butë, më të dashur me njëri- tjetrin, që krijon historinë e vogël të përbashkët dhe kujdesin për ta përcjellë atë të padëmtuar tek ata që vijnë më pas. Kjo memorie mban gjallë emocionet, nostalgjinë, historinë dhe vetë rrëfimin e lashtë që i jep kuptimin jetës njerëzore. Godinat, pemët, rrugicat, madje dhe qentë apo macet e lagjes, që e përbëjnë këtë memorie, frymojnë bashkë me banorët e tyre. Ndaj humbja e tyre dhemb po ashtu si një humbje njerëzore.

Shoqëritë njerëzore që nuk e kanë këtë dimension të ekzistencës së tyre, janë më të vrazhda, me mungesë thuajse të plotë të solidaritetit human. Ato motivohen nga materializmi, eksitimi për të fituar, individualizmi dhe papërgjeshmëria ndaj të përbashkëtës. Për këto shoqëri gjithçka fillon e mbaron brenda mureve të shtëpisë së tyre. Memoria e tyre regjistron vetëm vlerën e pasurisë që mund të mbledhin, si të vetmen vlerë që do të lenë pas. Rrëfimi i përbashkët që do t’i bënte qënie më sociale, më të ndjeshme e më të përgjegjshme, e ka humbur fillin dhe konflikti, si dominim i më të fortit, kthehet në ligjësi.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë se si ndër dhjetra vjet ranë të gjitha godinat, lagjet dhe hapësirat ku gjallonin kujtimet tona. Bashkë me to u fshi edhe ajo memorie e pafajësisë që kishte rritur disa breza. U zhduk Tirana historike, shtëpitë e vjetra, pastaj me radhë kinematë, fushat e sportit, dyqanet e vogla, parqet e lodrave. U shkatërrua lulishtja emblematike e sheshit Skëndebej, u shemb stadiumi, do prishet Teatri Kombëtar, Durrësi antik, e kështu me radhë. Më të fortët do ngrenë kulla, ndërtesa moderne, kryevepra të arkitekturës, të cilat do të prodhojnë memorien tonë të re, atë të asgjesimit të përkatësisë së përbashkët dhe lartësimit të etjes për të fituar, duke shkelur mbi gjithçka e mbi gjthëkënd.

Prej shumë vitesh po ecim në këtë rrugë dhe habitemi pse jemi gjithnjë një shoqëri në konflikt permanent. Prekemi papritur vetëm nga një foto bardhezi që dikush e hedh në facebook e na provokon nostalgjinë për qytetet tona që nuk i përfshiu flaka por i fshiu kazma që i vumë vetë ne. Ku jetojnë kujtimet e gjyshërve, prindërve tanë? Po kujtimet tona cilat janë? Nuk ka mbetur më asgjë. Edhe fotot ngacmojnë emocionet e atyre që i mbajnë mend dhe i kanë përjetuar lagjet e qyteteve tona të dikurshme, e që do vazhdojnë të jetojnë edhe pak kohë pas tyre. Po fëmijëve tanë, çfarë memorie u kemi lënë nga jetët e mëparshme? A ndjejnë ata diçka kur shemben edhe shenjat e fundit të kujtesës sonë për t’ua lënë vendin strukturave të xhamit e betonit?

Në sytë e tyre nuk do të gjendet kurrë ai trishtim sublim që rridhte tek miliona francezë ndërsa shihnin katedralen e Notre Dame të përpëlitej mes flakëve. “Sot po digjet një pjesë e jona, tha presidenti francez. Ajo është historia jonë, letërsia jonë, imagjinarja e jonë. Ajo është epiqendra e jetës tonë”. Po epiqendra e jetës sonë, cila është? Atë ne e kemi djegur prej kohësh. Prandaj është e kotë, ne nuk do të përjetojmë kurrë të tilla ndjesi si ato që përjetuan mbrëmë miliona qënie njerëzore, ndërsa shihnin të digjej një pjesë e shpirtit, e jetës dhe e kujtimeve të tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp16/04/2019 20:10

Per çfare kujtimesh flet Z.Shkullaku.Nga kujtimet lindin emocionet,nostalgjija.historija.Nje filozof shqiptar profesor i nderuar, ne
nje debat se si ta shkruajme historine , thoshte se historine e shkruajne fitimtaret, si ju volit interesit politik te fitimtareve.Ti kerkon ti kthehesh kujtimeve. Mirepo "kujtimet fluturojne",siç fluturuan, qendrat historike,arkeologjike, sportive,shtepite dhe lagje karakteristike.Kujtimet te çojne larg.Te moshuaret rrojne me kujtimet,te rinjte jetojne ne te ardhmen.Ju jeni i ri akoma.Ju kerkoni rrenjet e atdheut.Ku ti kerkojme rrenjet e tua parti pyesin edhe sot me te rinjte.Cdo epoke identifikohet me figurat e shquara qe e kane determinuar, apo i kane vene "vulen",ne politik,shkence, art,etj.edhe pas 100 apo 200 vjetesh Tirana do identifikohet me Erion Veline, njeriun,"kulle"njeriun "peme".Ndersa ju personalisht do kujtoheni nga femijte, ja e shumta nga niprit dhe mbesat. Nese sot je ne nje shtepi private, asaj kushedi kur mund ti vihet syri per kulle.Qe femijte e tu nese djali juaj psh nese jeton jashte dhe dikur kthehet, shikon dhe kerkon,me siguri do ta pyesin.I kujt je ti mor bir,ku e keni pasur shtepine?.Jam i Arman Shkullaku-t do pergjigjet Arleni,po gjyshin si e quanin?, do pyes ofiqari?.Gezim do thote djali.Armand Gezim Shkullaku nuk kemi neper rregjistra, do thote ofiqari.Kadri Gezim Shkullaku ,kemi.Shko bej lidhjen e trungut te japim kompensim.Po cne Kadri Gezim Shkullaku do habitet Arleni.Me te vjetrit do ti sygjerojne djalit te kontrollojne ne rregjistrat e gjendjes civile, ne ato me vet deklarim, apo ne ato qe ndryshohen pa nje kerkese.Te tjre mund ti sygjerojne djalit apo nipit te shfletoj shtypin e kohes.Akti i trashegimnise me vendim gjykate do ligjerohet qe ne seacen e pare.Armand Gezim Shkullaku, ne vitet 2019-2021 thirrej nga Kryeministri, Kadri.Pra Armand Gezim Shkullaku dhe Kadri Gezim Shkullaku, jane i njejti njeri.Ja se si per nje shtepi,te humbet edhe emri.Nje nga mallkimet e te pareve ishte, te humte emri,Sot mallkimi eshte, te humbte varri.Qe mos te te identifikojne as me ADN.E shikoni se si politikanet e determinojne historine dhe i vene vulen e tyre epokes dhe jetes se individit.Edhe 100 te tjera Armand.

FILANTROPI DT. 16 PRILL 201916/04/2019 19:06

Keni bërë një REZYME të shkëlqyer z. Armand Shkullaku të asaj djegie të llahtarshme të kadedrales "Notre Dame" të Parisit që pamë mbrëmë live në ekranet e TV. Po është e vërtetë që tek ne , njeriu i Ri i PPSH i ardhur në pushtet i brumosur me ideologjinë proletare me frymën e proletariatit , dogji dhe shkatroi ndërtesat historike të kultit .Kishat , xhamitë , vakëfet... Sot besimtarët apo misionarët i rindërtuan por jo me BAZILIKËN e arkitekturës të hershme mesjetare. Për ironi të fatit sot, njeriu i ri i PPSh i ardhur në pushtet ju ka vënë syrin të prishë Tatrin Kombëtar, Durrësi antik e të tjera...Sa keq .. Po fshihet nga kujtesa një pjesë e historisë tonë kombëtare.Po i le vëndin MAKUTËRISË ANTIQYTETËRIM për të zhvatur për tu pasuruar duke ngritur kulla apo betonizuar në çdo vënd historik....

FILANTROPI DT. 15 PRILL 201916/04/2019 18:38

Keni bërë një REZYME të shkëlqyer z. Armand Shkullaku të asaj djegie të llahtarshme të kadedrales "Notre Dame" të Parisit që pamë mbrëmë live në ekranet e TV. Po është e vërtetë që tek ne , njeriu i Ri i PPSH i ardhur në pushtet i brumosur me ideologjinë proletare me frymën e proletariatit , dogji dhe shkatroi ndërtesat historike të kultit .Kishat , xhamitë , vakëfet... Sot besimtarët apo misionarët i rindërtuan por jo me BAZILIKËN e arkitekturës të hershme mesjetare. Për ironi të fatit sot, njeriu i ri i PPSh i ardhur në pushtet ju ka vënë syrin të prishë Tatrin Kombëtar, Durrësi antik e të tjera...Sa keq .. Po fshihet nga kujtesa një pjesë e historisë tonë kombëtare.Po i le vëndin MAKUTËRISË ANTIQYTETËRIM për të zhvatur për tu pasuruar duke ngritur kulla apo betonizuar në çdo vënd historik....

snuk16/04/2019 18:13

bobo cfare skandali eshte qendra

askushi 16/04/2019 18:02

Ne perjetojme perdit emocione te tilla, pasi cdo dite marim se vesh do te digjet dicka, keshtu qe ne kemi me shume caste te tilla. Pervec atyre qe kemi pare, shume shpejt do te shohim zhdukjen e teatrit, e me pas sigurisht ndonje gje tjeter, dhe mostrat me fytyre njeriu na dalin neper tv e na cajne menderen. E ky popull hesht e hesht.....

Shto koment

Denonco