Alternativa Bushati

Alternativa Bushati

Nga Arion Sulo - 04/04/2019

Qëndrimi ndryshe i ish-ministrit të Jashtëm për krizën politike. Evokimi i tezës së Fatos Nanos se duhet sakrifikuar pushtet për të bërë shtet, apeli ndaj Ruçit, Majkos e Ulqinit dhe këshilla për të mos qenë arrogantë me opozitën

Arion Sulo

Socialistët sakrifikojnë pushtet për të bërë shtet. Teza e famshme e Fatos Nanos, i cili pas zgjedhjeve të ‘97-s, edhe pse kishte një nga mazhorancat më të gjera socialiste, për të shmangur revanshin mbi demokratët ndante qeverinë me aleatët, u rikthye dje në Kuvend nga ish-ministri Ditmir Bushati, si një mesazh direkt për kryeministrin Rama.

Krahasimi i situatës së sotme me vitin 1997, ku lufta civile ishte në prag, edhe mund të çalojë, por ajo që qëndron ishte se apeli i Ditmir Bushatit për të kapërcyer krizën politike ishte mjaft i ndryshëm nga linja zyrtare e kryeministrit, i cili sapo kishte thënë se nuk do të kishte asnjë pazar me opozitën dhe siglat e PD-së dhe LSI-së do t’i çonin për skrap.

Për herë të parë pas djegies së mandateve nga opozita, një anëtar i rëndësishëm i grigjës socialiste e emërtoi gjendjen si një udhëkryq i madh dhe kërkoi shmangien e arrogancës nga mazhoranca. Por mbi të gjitha në kundërshtim me kryeministrin, ai e drejtoi gishtin mbi të gjithë klasën politike që e ka “bërë baltën mullar”, ndërsa zgjidhjen e këshilloi në hapësira larg pozicioneve që palët kanë mbajtur deri tani.

Kthim në identitetin e PS-së

Fjalimi i ish-ministrit të Jashtëm, që pritej me një farë kërshërie, meqë ishte dalja e parë publike pas fshesës së zv/ministrit Gent Cakaj në shërbimin diplomatik, u përshkrua në pjesën më të madhe nga ideja se PS-ja duhet t’i kthehet modelit socialist dhe progresist të partisë, si për të evidentuar më shumë nevojën për distancim nga modeli i “Rilindjes”, aq shumë i diskutuar. “Ne jemi PSSH-ja, ne jemi socialistë, demokratë progresistë”, tha Bushati, i cili para pak kohësh i pyetur a është rilindës apo socialist, u përgjigj: “Jo, jo, unë jam socialist”. Po kaq e kërkuar ishte përmendja prej tij e tre socialistëve, Gramoz Ruçit, Pandeli Majkos dhe Musa Ulqinit, të tre të njohur si “senatorë” në këtë parti, por prej vitesh pa ndonjë rol të madh në vendimmarrjen e selisë rozë. “Unë sot pyes: Si ka mundësi z. Ruçi që pas tri dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z. Ulqini, si ka mundësi z. Majko? Pse kur grekët e maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi ta gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin”.

Zgjidhje me moderacion

Edhe pse për djegien e mandateve nga opozita, Bushati ishte në linjën e qeverisë kur tha se ky është një precedent i ri, jo vetëm për demokracitë e reja në Europën Qendrore dhe Lindore, por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës, për rrugët e zgjidhjes së krizës, ai me anë të pyetjeve naive në dukje, përcolli nevojën e një zgjidhjeje tej fanellave partiake. “A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?”. Pjesa e drejtpërdrejtë e fjalës së ish-ministrit të Ramës ishte kur ai i sugjeroi mazhorancës që të mos jetë arrogante dhe të mos harxhojë orë të tëra me protestat e opozitës. Në këtë sens, ai bëri dallimin mes opozitës parlamentare dhe opozitës politike, duke argumentuar ndryshe nga zyrtarët e tjerë të majtë që i kanë konsideruar deputetë zëvendësues si opozita e vërtetë.

Përgjigjja për Gent Cakajn

“Shërbimin e jashtëm shqiptar dhe Forcat e Armatosura janë ndër të paktat pasuri që nuk e shkatërroi asnjë regjim”, do të thoshte dje Bushati, ndërsa kuptohej se po i referohej asaj çka po ndodhte së fundi në Ministrinë e Jashtme, ku pasardhësi i tij, Gent Cakaj, ka ndërmarrë një valë shkarkimesh. Ai shfrytëzoi 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 10-vjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, për të thënë se këto dy shërbime nuk duhet të vihen kurrë në pikëpyetje. “Unë nuk jam mbrojtës assesi i status quo-së, nuk jam as partizan i nostalgjive të dikurshme, por aty ka burra e gra, të cilët kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë anëtare të NATO-s.”

Pikë tjetër e fjalës së Bushatit që kontrastonte me mazhorancën ishte kritika për të gjithë klasën politike për tranzicionin e gjatë. Nëse nga kryeministri shumicën e kohës flitet për ndryshim 180 gradë të gjendjes së vendit pas ardhjes në pushtet të tij më 2013-n dhe për reforma të kryera apo në proces, Bushati dje tha: “Ne jemi këtu ku jemi. Duhet ta mbyllim tranzicionin vetëm kur të përkojë me reformat, të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian”.

Pakënaqësia e shkarkimit

Ditmir Bushati ishte ndër të paktët ministra të qeverisë “Rama”, që në opinionin mediatik dukej si i sigurt në qeverisjen e tij. Avancimi i “Dosjes greke” me problematikat delikate të çështjes çame dhe pakti për kufirin detar, por edhe ndarja e formatit të politikanit nga diplomati kishin krijuar përshtypjen e vijimësisë se politika e jashtme të paktën ishte në duar të një teknicieni të aftë. Por kriza e studentëve që tronditi qeverinë u shfrytëzua nga kryeministri, ndër të tjera për t’u çliruar nga tipi i ministrave Bushati, që me qëndrimet e tyre kishin krijuar një lloj pavarësie nga linja kryeministrore. Shembulli më i dukshëm ishte çështja e Kosovës, kur Rama dhe Bushati ndanin pikëpamje të kundërta. Pakënaqësia erdhi dhe u bë publike kur presidenti Meta, duke mos e dekretuar Cakajn si ministër, la ministër të Jashtëm Ditmir Bushatin, i cili, nga ana e tij, nuk e pa të udhës të ndërmerrte një akt dorëheqjeje, ndërsa vetëm një dekret i ri presidencial do ta sillte zëvendësimin e tij. Dekreti i ri ishte emërimi i kryeministrit si shef i diplomacisë shqiptare, pasi për shkarkimin e Bushatit u votua në Kuvend me 77 vota pro, ndër to edhe i vetë ministrit, dhe një abstenim. Edhe pse Bushati kishte ngritur kartonin në Kuvend për të votuar pro shkarkimit të tij, i gjithë ngërçi institucional i krijuar dhe ngurrimi i tij apo mosmarrje në konsideratë e dorëheqjes, lexohej si një krisje e marrëdhënies mes tij dhe kryeministrit Rama. “Nuk mendoj se jam shkarkuar, jam liruar nga detyra si një pjesë e mirë e kolegëve. Arsyet i ka thënë dhe kryeministri”, do të komentonte më vonë ish-ministri. Në fjalën e lamtumirës, teksa i dorëzonte detyrën ministrit për Europën dhe Punëve të Jashtme Edi Ramës, Bushati do të thoshte se “nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas”, duke ironizuar kështu zgjedhjen e Cakajt në krye të diplomacisë shqiptare.

Po kështu është i njohur atashimi i Bushatit në grupin e ish-ministrave dhe ministrave si Gjiknuri, Beqaj, Ahmetaj, Çuçi dhe Klosi, që qëndrojnë në PS përkundër fluksit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, dhe ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Fjala e djeshme në Kuvend e ish-ministrit të Jashtëm, si qasje alternative nga ajo e Ramës, së pari ndaj krizës politike pastaj, ndoshta, dhe për modelin e partisë, mund të ngelet një përpjekje e ndrojtur ose mund të vijë duke u përforcuar. Kjo varet nga guximi dhe planet politike që ka bërë ish-ministri i Jashtëm./ Gazeta Liberale

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku04/04/2019 22:50

Me të vërtetë e besoni se Ditzi Bushati i detit grek po krijon "opozitën e socialistëve të vërtetë" në Parlament dhe në PS, kundër Rilindjes? "Puna e komisarit ishte lojë" thoshte i madhi Ndrek Luca. Kjo është farsa që shpërndan EDrama për të krijuar idenë se ka "dhimokraci" në Shqipëri. Të gjithë derrat një turi kanë, kanë 6 vjet në pushtet që kanë mbushur xhepat sa po i pëllcasin duke lëpirë bythën e EDramës, pa pipëtirë, sot që më në fund u ndez zjarri i protestave të popullit, ata po na dalin në "opozitë" bashkë me Kujtim Gjuzin dhe Rudinën e mamit. Derri do plumb ore miq, nuk hiqet me lojra theatri dhe skenare të pështira. E keni parasysh "Fermën e Kafshëve" të Orwell? Kur njerëzit (e Europës) menduan ta demokratizojnë Fermën e kafshëve ku komandonin derrat, u ulën në tryezën e bisedimeve me derrat që komandonin, jo me gomarin dhe kalin që punonin, as me delet që bënin be be be, as me qentë që ruanin qetësinë. Njerëzit demokratizimin ja besuan derrave. Pas këtaj, derrat filluan të ecin me dy këmbë si njerëzit, ndërsa gomari dhe kali vazhduan të punonin, qentë vazhduan të ruanin, ndërsa delet të bënin be be be. Mos ti presim ndryshimet nga derrat, as nga Europa. Derrat nuk e ndryshojnë turirin, as zakonin, duan vetëm të hanë, të sundojnë, të vjedhin, të shkretojnë vendin, të ardhmen, gjithçka për barkun e tyre, edhe pse bëjnë gjasme sikur po ecin me dy këmbë si njerëzit. Derrat duan plumb, ndryshe nuk ka shpëtim. Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund me derrat komunistë mbi krye .

Shkodrani demokrat04/04/2019 22:47

Z. Arben, Ditmir Sul By*shati rregulloi
së fundi në një post pëllumbash edhe mikeshën e vjetër të familjes, zonjën Jozefina Çoba e cila nuk ishte topalle në ato kohrat e shkuara të miqësisë.

Arben04/04/2019 11:52

Bushati eshte nje plehre dhe i pabese. Bushati eshte karrierist i cmendur. Me kedo parti politike, Bushati do bente te njejten gje po mos i shkonin gjerat sipas interesit te tij. Bushati mendoi vetem per faresis dhe miqte e tij ne kohen si minister.

Shto koment

Denonco