Intelektuali si krimb

Intelektuali si krimb

Nga Red Varaku - 03/04/2019

Kriza shqiptare është së pari krizë mendimi. Ajo është kryesisht pasojë e mungesës së një vizioni të ri kombëtar, që në një shoqëri moderne e krijojnë intelektualët publikë. Por, në Shqipëri, që prej Rilindjes së vërtetë, mungojnë intelektualët publikë, një pasojë e dretpërdrejtë e genocidit komunist, i cili nuk i kurseu as ata dhe as familjet e tyre. Ata janë zëvendësuar me një lloj ‘intelektuali’ tjetër, që ndryshe quhej ‘njeriu me shkollë’.

Një përbindësh që, jo vetëm ‘nuk e kundërshton të keqen’, por kthehet në mbrojtës fanatik të saj. Një lloj krimbi konformist i cili, në vend që ta kundërshtojë pushtetin, konformohet dhe shërben si noter i krimeve të pushtetit. Kjo është mbase trashëgimia më e keqe, që na la pas regjimi komunist.

Këta krimba janë të gjallë, plot energji dhe optimistë, ata nuk merakosen për dinjitetin e askujt, aq më pak për dinjitetin e tyre. E Vërteta, E Drejta dhe Liria janë si monedha të cilat i shkëmbejnë për bukën e përditshme, mirëqenien materiale.

 ‘Njerëzit me shkollë’, duke qenë se janë frikacakë të lindur, për shkak të besnikërisë dhe vartësisë, që kanë ndaj suksesit dhe pushtetit, konformohen. Ata ,për shkak të frikës nga humbja e privilegjeve që burojnë nga pushteti, bëjnë kompromis edhe me diktatorët  më të pamëshirshëm, sepse për ta është e thjeshtë; një dorë që të ushqen, duhet ta puthësh.

Regjimi inkurajonte dijen shkencore dhe rolin e ‘Intelektualit’ në fakt, ia dha ‘njeriut me shkollë’, i cili thjesht kishte krijuar një fizionomi mesatare dhe mediokre në shkencë. Kështu ndërtoi një armatë e tërë ‘njerëzish me shkollë’, që u shndërruan në gardianët më gjakatarë të injorancës dhe regjimit.

Ata shërbenin edhe në skutat më të largëta të vendit. Ishin njëkohësisht edhe antarë të forumeve më të larta të Partisë. Traditë që, fatkeqësisht, vijon edhe sot e kësaj dite. Garda e ‘njerëzve me shkollë’ ri-aktivizohet sa herë që regjimi ka nevojë për të, edhe sot e kësaj dite për të legjitimuar masakrën e radhës.

Dominimi i skenës politike akoma nga ky model, në fakt tregon edhe varfërinë intelektuale, shkretëtirën morale ku ndodhet shoqëria shqiptare. Një shoqëri që ka hequr dorë plotësisht nga vlerat e brendshme njerëzore. Ata janë shndërruar në ‘kafshë’, që përllogarit me gjakftohtësi interesa nga më ordineret dhe për këtë janë gati të shkelin këdo dhe të shesin gjithçka

Ata janë ‘gjithmonë gati’!

*Repost

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Studenti03/04/2019 14:26

Analize e gjetur profe

krasasi tp03/04/2019 14:10

Ekzakt.

Osumi03/04/2019 14:05

Redi! Te lumte. Nuk ke cfare ti shtosh analizes tuaj koncize por shume realiste. Njerez te tille ndeshim cdo dite, fatkeqesisht jane me shumice.

Shto koment

Denonco