Mos pyet ç'bën opozita për ty, po çfarë bën ti për opozitën

Mos pyet ç'bën opozita për ty, po çfarë bën ti për opozitën

Nga Gentian Gaba - 02/04/2019

Prej të dielës së 17 shkurtit, ditën në të cilën opozita lajmëroi dorëzimin e mandateve, qeveria ka marrë trajtat e një varke që endet pa drejtim në liqenin vocërrak të politikës sonë. Një pellg i qetë në sipërfaqe, por i trazuar nga rrymat nën të; në të cilin, zejtarët e propagandës në oborrin qeveritar, po përpiqen ta përqendrojnë vëmendjen e opinionit publik gjetkë.

Ndonëse përpjekja për të mohuar atë që është e qashtër përbën shtyllën kryesore të veprimit politik të mazhorancës, strategjia lehtësohet nga epërsia mediatike që gëzon, zhvendosja e debatit publik nga qeveria, dhe mëkatet e saj të shumta, te opozita, po merr përmasat e një dashakeqësie groteske. Që shpesh herë ndërthuret me një përtacie intelektuale dhe qytetare, fal të cilës pritet që detyrën tonë ta kryej përherë dikush tjetër.

Sigurisht kjo nuk vlen për ata që mendojnë se në Shqipëri gjerat po shkojnë mbroth. Por për gjithë ata që shohin se vendi nuk po qeveriset; se Parlamenti  mblidhet i rrethuar me policë dhe tela me gjemba, në mbrojtje të atyre që u kapën gafil duke tregtuar votat me kriminelët, dhe janë gati të veprojnë përsëri në të njëjtën mënyrë në zgjedhjet e radhës.

Por jo vetëm kaq.

Sistemi që është ngritur me tjetërsimin e votës ka zbrazur jetën politike shqiptare, dhe ka shkatërruar dialektikën pozitë-opozitë. Me epërsinë që i kanë dhuruar votat e krimit, mazhoranca ka zhbërë ndarjen e pushteteve, andaj sot kemi përballë atë që mund të quajmë partia shtet. Një formë moniste që kontrollon çdo centimetër të jetës publike, në të cilën opozita, si institucion i demokracisë, sulmohet për të asgjësuar shpresën e një rotacioni të mundshëm. Anipse kjo orvatje për të mos parë ‘elefantin në dhomë’ gjen terren pjellor kryesisht te mbështetësit e mazhorancës, në muajin e dytë të kësaj krize politike dhe institucionale, lipset që shoqëria shqiptare të kryej një ndryshim paradigme.

Përballë një opozite që ka hedhur një hap besimi kundrejt qytetarëve, duke u zhveshur nga mandatet dhe duke vendosur në pikëpyetje ekzistencën e saj për të provuar seriozitetin e kauzës për të cilën lufton, nuk është ndonjë guxim i tepruar të kërkosh: ‘Mos pyet ç'bën opozita për ty, po çfarë bën ti për opozitën’.

Kjo e fundit e ka kryer dhe po e kryen detyrën e saj. Sigurisht nuk ka përgjigje të lehta, nëse do të kishte të tilla, nuk do të ishin afatgjata e mbi të gjitha nuk do të ishin në shërbim të interesit publik. Tani është radha e qytetarëve të bëjnë një hap besimi drejt saj; pasi, çdo krizë, në thellësitë e saj, mbart edhe mundësi të reja.

Njëra prej tyre është angazhimi i kreut të opozitës për të mos e kthyer zgjidhjen e këtij ngërçi në stacionin e radhës së përplasjeve të tranzicionit shqiptar, por në një shans për të rithemeluar një sistem që nuk mban më. Pra rregulla të reja loje. Ndoshta për dikë mund të mos jetë shumë, por, në një shoqëri që riciklon kriza edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese të viti 2008, është një premtim që mund të ndryshoj gjithçka.

Për këtë arsye, përballë këtyre horizonteve të reja mundësish, opozita duhet të jetë më shumë sesa partitë që e përbëjnë atë. Jo thjesht një grupim politik, por një instrument i shoqërisë që nëpërmjet pjesëmarrjes qytetare (në thelb demokracia kjo është) zbaton ndryshimin që kërkon. Tocqueville, në ‘Demokracia në Amerikë’, mëtonte se pjesëmarrja e qytetarëve është receta e vetme për të limituar tendencat e individëve për t’u mbyllur në vetvete dhe për të frenuar depërtimin e shtetit në sferat e ndryshme të shoqërisë. Nëpërmjet pjesëmarrjes, qytetarët socializojnë, ndajnë vlera dhe objektiva; thurin kohezionin e nevojshëm që mban në këmbë një demokraci. 

Diçka që na mëson se nuk duhet të heshtim kur rendi në të cilin jetojmë është në rrezik, e të qëndrojmë larg ideologjisë që predikon padobishmërinë e një pjese të rëndësishme të shoqërisë.

Jo për opozitën, ose krerët e saj, por për veten dhe ardhmërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco