Në Europë ka plasur lufta tregëtare, ja pse jemi vetëm në krizën tonë politike…

Në Europë ka plasur lufta tregëtare, ja pse jemi vetëm në krizën tonë politike…

Nga Artur Zheji - 28/03/2019

Presidenti kinez Xi Jinping, me turin e tij Europian solli në sipërfaqe një parashtrim dhe një iluzion të ri në kontinentin kolosal, që mbiquhet Euro-Azia…

Ai zbarkoi në Romë e më pas në Paris, me një dosje plot projekte dhe me parakontrata të gatshme që tringëllojnë qindra miliarda dollarë, në një Europë të tronditur nga kriza ekonomike dhe të tronditur, nga doktrina Trump, “America First!”, e cila e vendos Bashkimin Europian në plan të dytë.
Projekti kinez, është madhështor për nga përmasat dhe i frikshëm për nga pasojat, një projekt që vetëm kinezët mund ta ëndërojnë dhe vetëm kinezët mund ta financojnë me surplusin e tyre gjigantesk financiar.

Projekti kinez është emërtuar nga ata: Rruga e Mëndafshit. Por ndërsa 500 vite më parë “Rruga e Mëndafshit”, perceptuar dhe ndërtuar nga italiani Marko Polo, ishte një rrugë karvanesh që sillnin mëndafshet e çmueshme kineze në Europë, projekti i sotëm është është pak të themi i krahasueshëm vetëm me Murin e Madh kinez.

Bëhet fjalë për mijëra kilometra hekurudhë, nga Kina nëpër Siberi, bëhet fjalë për porte të reja në boshtin që lidh Kinën me Europën e pasur, bëhet fjalë për fjalë për platforma magazinimi të kontenjerëve kinezë, në përmasa qytetesh, ku shpërthimi i largët ekonomik kinez, ka zgjedhur të pushtojë Europën në mënyrë të përgjithshme.

Mbas taksave të forta të SHBA, ndaj mallrave kineze, të kërkuara dhe të zbatuara nga administrata Trump, Xi Jimping, presidenti kinez dhe qeveria e tij ambicioze në përmasa planetare, sapo bëri një lëvizje gjeniale gjeopolitike dhe gjeoekonomike, në Bashkimin Europian, të rraskapitur nga mungesa e një perspektive ekonomike madhore.

“Goditjen e parë”, Republika Popullore e Kinës, e dha në Republikën Italiane, duke nënshkruar një marrëveshje të posaçme me kryeministrin Italian, Konte, që parashikon ndër të tjera, konçesione aksionere, për dy portet strategjike italiane, në Trieste dhe në Gjenovë, nga ku kinezët synojnë të depërtojnë në zemër të Europës me mallrat e tyre të pafundme.

Qeveria italiane, e shpërfilli në mënyrë të habitshme paralajmërimin serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë drejtim, duke sfiduar në të njejtën kohë edhe presidentin francez Makron dhe kancelaren gjermane Merkel. Sepse italianët, shohin te marrëdhënia e re me Kinën, një dalje të mundshme nga tuneli raskapitës i krizës së tyre ekonomike shumëvjeçare, qoftë kjo edhe si një luftë tregëtare ndaj partnerëve të tjerë. Xi Jinping, gjeti të gatshme hallkën më të brishtë të Bashkimit Europian, Italinë, e cila për herë të parë në historinë e pasluftës së Dytë Botërore, u tregua moskokëçarëse ndaj amerikanëve dhe rreziqeve të paralajmëruara nga kjo marrëveshje.

Porse kinezët, nuk u ndalën këtu, Xi Jimping shkoi vetëtimthi nga Roma në Paris, ku Makron, thirri si partnerë dhe si dëshmimtarë të takimit me presidentin kinez, kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin e BE, Junker. Pa shumë fjalë, por me një “çek prej 35 miliardë dollarë” në dorë, Xi Jimping, kontraktoi me shumëkombëshen europiane Airbus, plot 300 aeroplanë për flotën ajrore kineze, duke i dhënë një goditje të madhe, kompanisë së madhe amerikane Boing, deri dje, klienete kryesore e Kinës.

Ky veprim financiar kaq joshës, në periudhë krize, e ka nervozuar tej mase Uashingtonin, që ndjehet krejtësisht i mënjanuar, sëpari nga Italia, por me rradhë edhe nga vendet e tjera të BE. Parashikohet se me këto investime , që në harkun e një 10 vjeçari, mund të mbrrijnë në mijëra miliardë dollarë, dhe angazhimet territoriale të Rrugës së Mëndafshit, si porte, hekurudha dhe platformat e magazinimit të përmasave të pazakonta dhe milionahektarëshe, vjen nga pas, një ushtri e tërë me specialistë dhe punëtorë kinezë, që edhe kjo llogaritet disa milionëshe, duke prishur çdo ekulibër të sotëm gjeopolitik, madje shpejt edhe demografik në Europë.

Jemi kështu në një luftë të vërtetë tregëtare nga njera anë dhe në një luftë të ftohtë të deklaruar, SHBA-Kinë, nga na tjetër…

Për tu kthyer në hallet e mëdha, të shtëpisë sonë të vogël, të shtetit të vogël dhe të varfër të Evropës, Shqipërisë, mund të kuptohet fare mirë se sa qesharake është dhe do të jetë, vëmendja amerikane apo europiane, për Tiranën e trazuar të vitit 2019.

Një kokëçarje shqiptare pra, thjesht e bezdisur, e krahasueshme me pickimin e mizave të kalit, kur karroca ka ngecur në llucë. Apo në mesin e një lufte tregëtare dhe jo vetëm, ndërmjet Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe Kinës, si partnere e re, që zbarkon në Europë e ngarkuar me miliarda dollar dhe me formulën magjike ekonomike të zgjidhjes së krizës ekonomike europiane.

Në këto rrethana, mund të përcaktohemi krejt vetëm dhe as qeveria e as opozita, nuk mund të mbështetet tek ndërkombëtarët, në një ndërhyrje konstruktive, në mbrojtje të demokracisë apo të halleve tona të brendëshme politike.

Ose në rastin më të keq, do të trajtohemi si një fshat poterexhinjsh, që për zgjidhjen e halleve tona parësore, do të ngarkohen disa diplomatë të dorës së tretë, me dhimbje koke, me ulçera në stomak apo me hemoroide të acaruara.

Por ky edhe do të jetë rasti, që shqiptarët të zgjedhin, në një rast të afërt, nëse kanë një besnikëri reale dhe ideale, ndaj SHBA-ve, që nuk janë sot, në ditët e veta më të mira, në raportet ekonomike dhe gjeopolitike me Bashkimin Europian…

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Albi28/03/2019 14:17

Ore zheji, projektet kineze nuk kalojne as rregulloret e sigurise e fizibilitetit ne filipine, e jo me ne mes te europes. Edhe sorosi armiku me i madh i trump i ben thirrje te nderhyje fuqishem kunder projektit te rruges se mendafshit sepse e konsideron skllaverues e varferues per vendet e azise. Shkurt jane projekte qe i vlejne ekonomikisht dhe politikisht vetem kines. Nuk jane dhurata, por kredi me norma interesi jo te favorshme dhe te kushtezuara te perdoren per interesat kineze. Kina nuk ka surplus buxhetor sepse kina ka strukture ekonomike ku nuk e dallon dot borxhin e bankave nga ai i qeverise dhe bankat atje kane investuar miliarda ne investime teresisht te zhvleresuara ne nje perpjekje te deshtuar per rritjen e kerkeses se brendshme, me pasoja te tmerrshme nder te tjera per klimen. Ne qofte se europianet do te tregohen aq budallenje se te pranojne investime politikisht dhe ekonomikisht kushtezuese, nderkohe qe kane ne plan shpenzimin e miliardave ne baze te marreveshjes klimatike te parisit ata qofshin, por nuk e besoj. Kina nje nga ndotesit me te medhenj ne bote nuk eshte pjese e paktit dhe fallisifikon te dhenat mbi ndotjen sic ben me ato ekonomike gjithashtu, duke i bere te pavlera dhe shpenzimet qe kane ne plan europianet (pasi efektet klimatike nuk kufizohen brenda kufinjve shteterore) dhe qe po i vene flaken parisit dhe shume shpejt edhe berlinit nqs vendosin te zbatojne ate strategji te tmerrshme per zhdukjen e teceve qe prodhojne 40 per qind te energjise elektrike ne gjermani. Ne terma relative kina eshte i semuri ekonomik ne bote. Lufta e trumpit kunder nje shteti hajdut te pronesise intelektuale, manipulator te monedhes dhe tregtise ka dhene dhe po jep rezultate. Persa kohe qe mbeshteten nga amerika per mbrojtjen europianet nuk kane rruge tjeter vecse te qendrojne ne nje front. Kina ben gabimin strategjik qe e zhvendos vemendjen e trumpit ne europe, pasi ftoja me sh.b.a ishte zgjedhje e trumpit dhe mund te ndryshoje. Amerika first nuk ka nenkuptuar kurre zbehje te fuqise gjeopolitike te shba, eshte thjesht nje qasje pragmatike. Mbi te gjitha kina nuk eshte dhe nuk ka qene kurre nje lojtar dhe partner i besueshem ne nivel global. Mos perhap panik me te dhena te pabazuara.

krasasi tp28/03/2019 13:47

Z.Zheji, ke fantazi te "shfrenuar" per ate se çare pasoja do sjell, peripatua e Z.Xi ne Europe.Porte italiane nen administrim kinez,kontenier me mallra kineze ne fusha qe s'ju duket fundi dhe nje ushtri e tere specialistesh dhe puntoresh kinez.Z.Konte sipas meje,, me shume ngjan te shantazhoje BE dhe SHBA , se sa te zbarkoje Azine ne Europe.Sa per vendin tone, une mendoj se politikanet qe e drejtojne steken, per ta cuar Shqiperine drejt lindjes dhe pastaj nepermjet karambolit ta cojne nga Kina ne BE,jane politikane kazani.Kush mahnitet me zhvillimet kineze dhe shef deshtim e zi ne perendim jane politikane kazani.Ndaj bashkepunimi per stabilitet-demokraci dhe integrim ne BE eshte detyre Nr 1 sot, per te gjithe politiken.Ne dime historine se si Duçja perfundoji i varur ,dhe nuk dime se si mund ta mbyllin kariren politike, te "varur ne peme" ,ne burg ,ne ekzil apo duke pleqeruar ku? politikanet tane.

Shto koment

Denonco