Diçka tjetër duhet të digjet...

Diçka tjetër duhet të digjet...

Nga Bledian Koka - 16/03/2019

Edi Rama është akoma në apogjeun e vet politik të blerë me votat e drogës edhe pas protestës masive të 16 Marsit.

Rrëzimi i tij duket ende i largët, por jo i pamundur. Askush nuk tha që largimi i tij do të ishte një aksion i lehtë afatshkurtër kur sot bëhet plot 1 muaj që nga dita kur opozita dorëzoi mandatet. Shumë ujë politik ka rrjedhur që prej 16 shkurtit, kur në akt të pashembullt, 99% e deputetëve të PD e LSI dorëzuan mandatet, por duket se kjo nuk mjafton. E pra opozita ka akoma për të djegur nga pushteti i saj që të mëtojë të djegë përfundimisht pushtetin okult që mban në këmbë Edi Ramën.

Mandati i kryebashkiakëve të PD dhe LSI (15 PD dhe 5 LSI) është hapi tjetër i cili mund dhe duhet të merret nga opozita për të konkretizuar bojkotin e saj total. Një pushtet lokal funksional qoftë edhe për sy e faqe, nuk është më i nevojshëm për opozitën, ajo tashmë në mënyrë të pavullnetshme është perdja e fundit që mbulon mbrEDIn lakuriq. Pas protestës së sotme ku edhe njëherë qyetarët iu përgjigjën opoiztës, kjo e fundit është sërish në borxh me pritshmëritë e qytetarëve që njësoj kërkojnë largimin e Edi Ramës. Sot më shumë se kurrë, lipset që terreni pushtetit që nuk menaxhohet nga Edi Rama të kthehet në një “terra bruciata” nga ana opozitës.

Mandatet e kryebashkiakëve, janë një tjetër mekanizëm që e shtrëngojnë lakun politik të pushtetit të Edi Ramës, e që nuk i shërben për asgjë interesit qytetar. Reforma territoriale, me atë së cilës mazhoranca arriti të bëjë ndarjen më të turpshme të shqiptarëve në jug e veri, është një tjetër pikë e cila duhet të adresohet në momentin kur kriza politike të marrë zgjidhje. Sepse një ditë ajo do të zgjidhet, por deri atëherë opozita duhet të jetë gjithmonë e më e qartë se cfarë ofron në këmbim. Edi Rama ia mori isos sot me fëmijët e Poliçanit, për të treguar se atij akoma nuk i ka djeguar shumë djegia e mandateve. Për këtë arsye pas 16 Marsit, ai meriton një tjetër përgjigje të forta nga opozita dhe dorëzimi i mandateve nga kryetarët e bashkive është një i tillë.

Edhe pse mandati i tyre de-jure përfundon për vetëm 2 muaj, akti i tyre do të ishte një tjetër simbolike e “opozitës njësh me popullin”. Në yryshin opozitar nën moton “Rama ik”, etapa tjetër nuk mbetet tjetër veçse mandatet e kryebashkiakëve. Meqë opozita shqiptare po rishkruan historinë politike (deri edhe botërore thonë), le ta bëjë atë deri në fund. Le ti hapet rrugë, Edi Ramës të shkojë drejt pushtetit absolut ashtu siç proklamon në çdo takim elektoral që po zhvillon prej një viti në moton e “Portalit të Bashkëqeverisjes”. Ndoshta kështu edhe ndërkombëtarët do të binden, që beteja e opozitës është për bëtë shtet, dhe ajo Edi Ramës vetëm për pushtet.

Dikush duhet të sakrifikojë pushtet për të bërë shtet. Dhe meqë Edi Rama nuk e bën, atëherë këtë e ka ende të mundur Lulzim Basha. Në këtë mënyrë, në protestën e radhës kur Lulzim Basha ti thërrasë sërish qytetarët në shesh, Edi Rama do ta humbasë mundësinë ti tregojë ata me gisht si “punëtorët e bashkive të Xhelalit dhe Voltanës”.

Makar edhe për këtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

t16/03/2019 19:21

ky sygjerim duhet te merret ne konsiderate.nqs behet duhet te vijoje me doreheqjet e antareve te opozites ne KQZ

Shto koment

Denonco