‘Rreziku rus’ si Don Kishoti i Spiropalit

‘Rreziku rus’ si Don Kishoti i Spiropalit

Nga Gentian Gaba - 13/03/2019

Nga Gentian Gaba

‘Fatkeqësia televizive’ në të cilën ra, me gojën e saj, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elsia Spiropali, në të cilën Don Kishotin e cilësoi një kryevepër të Letërsisë shqipe, nxiti ilaritet të madh në rrjet. Ndonëse nuk dimë nëse ai i javës së shkuar ishte ose jo një lapsus, rrëfenjat me rusët e ditëve të fundit na shtyjnë të mendojmë se, përtej autorësisë së Don Kishotit të Mançës, mazhoranca ka një dobësi për letërsinë kalorsiake. Madje, ashtu si Don Alonso, pasi kanë gllabëruar faqe të tëra romanësh, dhe ndonjë film me 007, nuk janë në gjendje të dallojnë realitetin nga e rremja. Sendërgjojnë kësodore armiq të jashtëm që rrezikojnë rrugën tonë europiane.

I pyetur sot nga gazetarët, në lidhje me rrezikun rus për të cilin foli kreu i shërbimit sekret, Helidon Bendo, përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Rama tha se “Rusia nuk është një vend tifoz i zgjerimit të BE-së, as i integrimit tonë në BE. Sa herë kjo agjendë cenohet, çdo vend që nuk është tifoz sheh një oportunitet”.

Qartësisht, qëllimi është ndërthurja e “shqetësimit” të Bendos me protestat e opozitës; një armë tipike e regjimeve autoritare, në të cilën mbizotëron logjika e ‘armikut të jashtëm’. E njëjta me regjimin e gjerdjeshëm, kur rreziku nuk vinte nga shokët e Moskës, por nga anglo-amerikanët. Duke e vendosur shtetin në një gjendje të ngjashme me atë të luftës, në të cilën vendi mbrohet dhe nuk lejohet mendimi ndryshe; ku qëllimi i vërtetë është politika e brendshme dhe kyçja e gojës së kundërshtarëve politikë.
Mirëpo, me përdorimin e Rusisë si ‘gogoli i integrimit’, diçka me të cilën Rama flirtoi bollshëm vitin e shkuar duke nënkuptuar se, ‘nëse nuk na merr BE na merr Moska’, mazhoranca tregon së është pranë ezaurimit të preteksteve që ka përdorur deri më sot për t’i veshur opozitës mëkatet e prodhuara nga qeveria.

Pra, integrimin e vendit nuk e bllokon krimi i organizuar, politika e kriminalizuar, korrupsioni, paratë e pista, largimi masiv i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, por ‘mulliri me erë’ ndaj të cilit Rama ngrit sot heshtën.

Pikërisht këtu Don Kishoti i Spiropalit braktis tokën spanjolle për t’u bërë krejt shqiptar. Një rrëfim marrok që përdoret si instrument për të refuzuar realitetin dhe për t’ju shmangur përgjegjësive, që nuk janë të pakta. Një botë imagjinare në të cilën Rama kalëron ekran më ekran për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë; me fantazi të shfrenuar krijon edhe një opozitë të re, ashtu siç ia ka ënda. Ku deklaron se nuk krizë politike, edhe pse vendi nuk po qeveriset; ku thotë se nuk ka zgjedhje, por është në fushatë të përhershme. E plot përralla të ngjashme në të cilat, si në traditën më të mirë donkishoteske, protagonisti niset për të kryer diçka, dhe në fund nuk bën asgjë. Thjesht historia qesharake e një politikani që kërkon vetëm të mos zbresë nga kali i pushtetit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Loni nga fieri13/03/2019 20:01

Alla re ca po behet spirolenka e parties ,te akzon per bashkpunim me ruset po qo eshte njesoj te themi qe dhia eshte dele .Po vete komunistat e rinj e Kane ceshtje idologjike nenen e tyre rusine .Ore meqe ra llafi mir e kishte spirolenka per don kishotin qe eshte me origjin nga lushnja .Don kishoti :-(Muslim Murrizi:-)Sanco panco :-(Letter Maloqi:-)

timi13/03/2019 19:24

ky osht shabon hunderri iditve te sotme

Shto koment

Denonco