Gjenerali i ushtrisë së Policëve

Gjenerali i ushtrisë së Policëve

Nga Ana Konti - 13/03/2019

Gjenerali hyri me rrëmbim në zyrë. Nuk donte të humbiste asnjë minutë për të hedhur mbi plan mendimet që i kishin feksur gjatë natës.

I kishte hedhur, ashtu, shkel e shko në bllokun e vogël, me kapak lëkure dhe logon e NATO-s sipër që mbante përherë në xhepin e majtë të xhaketës, por sigurisht gjithçka duhej pasqyruar me përpikmëri mbi planin operacional.

Edhe kohë shumë nuk kishte në fakt. Protesta e radhës po afronte. Praktikisht… armiku ishte tek dera.

Shkoi dorën mbi flokët e bardhë, hapi bllokun me shënime dhe skica të shumta dhe u përqendrua mbi maketin e shtruar gjerë e gjatë mbi tavolinën e punës.

‘Hmm, -mendoi-ka diçka që nuk shkon ..duhet një tjetër element, një element surprize që ta shtangë armikun pikërisht në momentin kur nuk e pret. Qëllimi ishte të dukej i dobët saktësisht... saktësisht kur ishte më i fortë se kurrë...’

Parimi i famshëm i Sun Tzu, jo pak herë i kishte ardhur në ndihmë gjatë jetës së tij. Fytyra e tij fëmijërore, çuditërisht pa asnjë rrudhë, që kontrastonte fuqishëm me flokët tërësisht të thinjur, vështrimi i përulur që përherë i shmangej syve të bashkëbiseduesit, netët e gjata të studimit mbi strategjitë e ushtarakëve të famshëm, miqësia me shkrimtarin e madh kombëtar, të cilin kishte arritur ta mahniste me librin e shkruar për heroin kombëtar (në ëndrrat e tij më të fshehta besonte se me këtë libër mund të merrte edhe çmimin Nobel për letërsinë), e kishin ndihmuar padyshim në rrugën e karrierës.

Kishte ecur shumë në fakt. Ja ashtu, duke u treguar i dobët dhe modest nga jashtë, pa asnjë debat apo konflikt serioz në jetën e tij, duke shmangur çdo situatë nga ato të fortat kur burrit edhe i duhet ta thotë më në fund atë që mendon, kishte ngjitur shumë shkallë, duke u munduar të ndjekë kokëulur gjurmët e eprorit të radhës.

Fundja ai ishte ushtarak.

I bindej parimit bazë: ‘Urdhrat e eprorit nuk diskutohen, ato zbatohen!’. Ndaj në këtë pikë ishte tërësisht i qetë. I kishte shërbyer me ndershmëri çdo eprori, të çdo lloj ngjyre, të çdo lloj tipit, sepse sigurisht, në thelb, i kishte shërbyer atdheut të tij.

Hodhi vështrimin në zyrën e mobiluar mirë, të denjë për kreun e një prej institucioneve më të rëndësishëm në vend. Ishte në kulmin e karrierës. Shefi i madh e besonte. Mundohej që përpara tij të fliste pak dhe të thoshte fjalë me mend. Pak e saktë. Më shumë në mbrojtje sesa në sulm sepse në thelb shefi i madh ishte i paparashikueshëm. Atij nuk i dihej kurrsesi gdhihej dhe ngrysej.

E në përgjithësi kur gdhihej dhe ngrysej keq hante nga një kokë. Ndaj gjenerali pasi e kishte bërë një analizë të thellë psiko-taktiko-operacionale të subjektit ‘shefi i madh’ kishte krijuar planin e tij mbrojtës. Dhe keq nuk i kishte dalë. Po të mendoje ata që ishin ulur më parë në atë karrige, jo jo, s’po e mendonte më mirë fare. Fundja ata ishin civilë dhe jo ushtarakë. Hm, civilë, pa tru!

I duhet të përqendrohej tek beteja e radhës. Ishte shumë i emocionuar. I jepnin një ndjesi të jashtëzakonshme betejat.

Një ndjenjë ankthi, ethesh, padurimi dhe sigurisht ajo ndjenja e triumfit që përjeton kur e shpartallon armikun..ah..më shumë se adrenalinë.. Pale ai momenti kur në celular të vjen sms e famshme e ‘shefit të madh’.. Ekzaktësisht 6-8 minuta pas fitores, aty është kulmi. E rilexon mijëra herë tekstin dhe sytë i mbushen me lot nga gëzimi.

‘Gjeneral i shtype si mizat, bravo!’.

Betejat për një ushtarak janë si ajri. E kishte ndjerë mungesën e betejave. Kishte një jetë që studionte me leket e shtetit në akademitë më prestigjoze të perëndimit, një jetë që zbërthente me laps e letër në dorë artin ushtarak, dinte përmendësh çdo detaj të betejave më të famshme të historisë, një jetë në postet drejtuese të ushtrisë.. ama ama thellë në vete ishte i pakënaqur.

I mungonte aksioni, misioni, beteja!

Një minutë të vetme nuk kishte qenë në një mision. Vetëm në zyrë…mes librave..duke studiuar sesi të bëhej gjeneral. Dhe ishte bërë, por jo gjeneral prej vërteti. Tani, po. Tani ndihej tamam gjeneral. Kishte një armik përballë, të egër, dinak, taktikisht të përgatitur. Edhe trim, sidomos trim! Po këto nuk mjaftonin sepse armiku i tij nuk kishte përgatitjen e një gjenerali…

-Zoti Ministër-mendimet e tij i ndërpreu zëri si fëshfërimë i sekretares- Janë mbledhur të gjithe gati për mbledhje!

Për pak kishte harruar. Mbledhja me krerët e institucionit të tij.Pak ditë përpara protestës. U fut në sallë. ‘Këta as uniformën nuk e kanë për të qenë !-mendoi gjenerali- Pff policë hesapi!’. Qejfi do t’ia kishte të ishte gjeneral ushtarësh, jo policësh. Po avash-avash. Meqë nuk shkonte dot tek ushtria, po e sillte ushtrinë tek policia. Ta mendosh hollë –hollë ishte i vetmi ministër rendi gjeneral. Po ashtu ishte i vetmi gjeneral që drejtonte policinë në vend që të drejtonte ushtrinë. Pak lëmsh, po s’ka gjë!

Do ta rregullonte këtë punë. E rëndësishme të mposhtej armiku.

Kaloi vështrimin mbi të gjithë drejtorët që kishte thirrur në mbledhje. Ngadalë, me ritëm të njëjtë, thua po i peshonte të gjithë:

-Fillojmë-tha. Këtë herë beteja do të jetë edhe më e vështirë. Armiku do të marrë përforcime nga diaspora! Pra le të themi armiku i brendshëm do të bashkohet me armikun e jashtëm, i cili jam i bindur se njeh taktikat më të avancuara të kohës. Ndaj do të na duhet shumë kujdes. Po të dëgjoj, cili është plani yt për betejën e radhës?

Iu drejtua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të cilin në fakt kishin ndërmend ta hiqnin nga java tjetër. Do ta zëvendësonte me një ish-komando. Budalla për budalla, të paktën ky i dyti të shtinte edhe frikën kur e shihje.

-Zoti Ministër, foli drejtori,- Kemi marrë të gjitha masat e duhura. Snajperët mbi ndërtesa, makinat e ujit që na sollën turqit fshehurazi do t’i nxjerrim të gjitha në terren, bombat me gaz i kemi me shumicë, madje serbët e ‘TRAYAL’ na telefonojnë përditë e na thonë ‘Doni më?’. ’Sarpët’ i kemi gati, janë nja 20 këtë herë.

Gjenerali picërroi sytë përballë drejtorit të policisë:

-Çfarë janë ‘sarpët’?

-Të infiltruarit shef... si Sarpi tek telenovela turke. Ju vetë na keni thënë ndiqni telenovelat turke se ju zhvillojnë zgjuarsinë.

O Zot mendoi gjenerali. Këta marrin gjithçka seriozisht.

-Qartë, qartë-foli- Por të paktën u ndryshoni xhupat, mos i hidhni më në terren me xhupat e kuq.

-Si udhëron shef!- tha drejtori i policisë që me gjysmë zëri shtoi - Kemi dhe një tjetër problem, që nuk dimë si tua themi.

-Flisni-tha Gjenerali. Drejtori i Operacioneve u ngrit në këmbë:

-Shef, policët refuzojnë të përdorin gazin lotsjellës në protestën e radhës.

Gjenerali shqeu sytë. Po kjo pikë e zezë. Policët dhe konventat ndërkombëtare nuk është se kanë fort lidhje me njëri-tjetrin. Këta kodoshë, parazitë e të padisiplinuar, pa dale, dale. Ndërsa me zë tha:

-Pse? Ç’do të thotë kjo?

-Kanë frikë zoti Ministër. Më mirë të na çojnë në Afganistan në mision thonë sesa të hedhim gaz lotsjellës.

Gjenerali buzëqeshi me përçmim:

-Ata ëëë? Dikan ata se ç’do të thotë Afganistan?

Drejtori heshti pak, pastaj shtoi:

-Po shef, tani aty është bërë lëmsh. Ca janë policë, ca janë ushtarët që keni sjellë ju dhe që gjithë ditën tregojnë historitë e Afganistanit… dmth..

Gjenerali u egërsua në fytyrë:

-Mjaft me këto budallallëqe. Dil në temë pse nuk duan të përdorin gazin lotsjellësh?

Drejtori i Operacioneve u kapërdi me siklet:

-Kanë marrë tmerr shef. Herën e fundit që i përdorën në vend që të vinin maskat dhe të hidhnin bombat, hodhën bombat dhe vunë maskat.. dmth nuk i vunë dot shef sepse dhe nga tymi i madh nuk po i gjenin dot. Nja 40 efektivë përfunduan në spital. Madje siç dhe mund ta dini pesë a gjashtë prej tyre u ndihmuan nga protestuesit..u hodhën ujë..

Gjeneralit fytyra iu bë më e bardhë se flokët:

-Pse nuk më keni informuar me hollësi për ngjarjen. Pra armiku na paska ardhur në ndihmë, armiku na paska turpëruar..? T’ju vijë rëndë..

Drejtori s‘dinte ç’të thoshte:

-Zoti Ministër jo tamam, tamam armiku..ishin protestues dmth saktësisht ishte ai burri i vjetër që shet byrekë te cepi parlamentit dhe ca gra e burra që po u prishin shtëpitë tek ‘Astiri’ ..hallexhinj.

-Boll-bërtiti gjenerali-Armiku mbetet armik. S’ka mëshirë! Kush nuk është me ne është kundër nesh. Marsh nëpër zyra. Filloni punën sepse nuk ka më kohë.

I dhimbte koka kur hyri në zyrë, por këmbët e cuan tek maketi mbi tavolinë. Duhej të ndryshonte diçka tek renditja e forcave. Mbase po të linte ndonjë kontingjent të fshehur aty pas dy kullave e ta hidhte në fushë diku nga mesi i betejës.. mbase. U ul në karrige.

Kryqëzoi duart nën mjekër. E priste një betejë e lavdishme. Një sms tjetër nga shefi i madh. Dhe sidomos, sidomos kënaqësia teksa pa të mbulohej nga tymi i gazit serb atë… liderin legjendar të armikut. Çudi sa e donin..?

Ia kishte tërhequr edhe rojet dhe ata faqezinjtë në vend të iknin të shikonin punën e tyre kishin dhënë dorëheqjen nga Garda për të ndenjur me të. Çudi! Gjenerali solli ndërmend disa nga ushtarët e tij. Jo, jo askush prej tyre nuk do ta bënte këtë sakrificë për të. Iu kujtua edhe sesi dikur, për të marrë gradën e radhës, në darkat e ushtrisë i hidhte lekë orkestrës dhe u thoshte të merrnin këngën e vendit ku kishte lindur lideri legjendar i opozitës.

Tani ishte kundër tij. Sigurisht, që do ishte kundër tij. Ai e kishte përbuzur dhe e kishte flakur tej kandidaturën e gjeneralit për President të Republikës. Gjenerali e urrente njeriun që i kishte lënduar aq rëndë krenarinë dhe i kishte thyer ëndrrën.

Mbylli sytë. Një fushë beteje madhështore nga ato që Tolstoi përshkruante tek ‘Lufta dhe Paqja’ iu fanit si në ëndërr. Erë baruti, gjëmime armësh, zhurma trumpetash, vringëllima shpatash, hingëllima kuajsh…shtrëngimi i një dore mbi sup e trembi dhe e nxori nga beteja..

-Zoti Ministër, zgjohuni,

Ishte sekretarja.

-Po?

-Zoti Ministër, porosia që më latë. Universiteti privat ‘X’ konfirmon me email se ju ka kaluar pagesën për dy leksionet që dhatë muajin e kaluar…!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

cak-cak14/03/2019 19:32

Po a mund të realizonte Edi Rama kanabizimin e gjithë Shqipërisë apo ta bënte Shqipërinë rekordmenen e trafikut të drogës në Europë, pa pasur si "këshilltarë" të tij gjeneral Lleshin e gjeneralin e shërbimit të fshehtë serb Baton Haxhiun ?

Loni nga fieri13/03/2019 16:03

Me qe lefteri beratit ube deputet kush do kujdeset ne burg kur te vej leshi per ate helm qe I hodhi popullit se nje dite Jo te larget do ta paguaj

Gjeneral me floke "metalixato"13/03/2019 15:50

Hahahahahah

"Kanë marrë tmerr shef. Herën e fundit që i përdorën në vend që të vinin maskat dhe të hidhnin bombat, hodhën bombat dhe vunë maskat.. dmth nuk i vunë dot shef sepse dhe nga tymi i madh nuk po i gjenin dot. Nja 40 efektivë përfunduan në spital. Madje siç dhe mund ta dini pesë a gjashtë prej tyre u ndihmuan nga protestuesit..u hodhën ujë."
E madhe fare. Po ku te ka vajt mendja .
Hahaha.

Bravo, suksese

kompliment13/03/2019 14:48

i madh ky shkrim, perle. kush eshte kjo ana konti? komplimente.

Shto koment

Denonco