Kryeministri i trajtoi gratë e Fierit, si Tahir Baçova arushat e cirkut

Kryeministri i trajtoi gratë e Fierit, si Tahir Baçova arushat e cirkut

Nga Agron Gjekmarkaj - 09/03/2019

Pranvera erdhi përsëri. Faleminderit o Edi Rama! E kush e besonte? Kush kishte kaq ëndrra? As më guximtari. Të paçim! Vërtet ishim të rrezikuar që të ndaheshim përjetësisht me stinën e dashur. Nuk i besuam lajmet që na solli paraprakisht gjeniu, ministri i Jashtëm, Genti, i cili buzëqesh i përskuqur nga një turp i ëmbël.

Ai çap me duar e çap me këmbë u përpoq të na thoshte se “atje lind dielli i gëzuar”, “se dielli atje është i gëzuar dhe hëna e buzëqeshur”, e përsëriti disa herë duke iu ndërruar vendet, por si ngalakeq u shkrimë në gaz të mbytur sepse na dukej si në jerm a tromaksje nga peshë e këtij dimri zuzar. Në fakt, paskësh qenë lajmëtari i pranverës që na dërgove!

Do të na mungonte marsi me trazimet e veta dhe fjalimet e tua, prilli me surprizat e motit, maji me flladin që lëmon brigjet e këtij vendi plot mungesa në përkëdheli! Prej disa ditësh kemi kohë me diell, edhe pse opozita djeg goma, të cilat nxjerrin tym të zi e Policia hedh gaz lotsjellës me ngjyrë gri, sepse Edi Rama është ngjitur në qiell, ka fryrë bulcinjtë dhe me firomë ka shpërndarë retë që rrezet të bien mbi ne si dhuratë.

Pranvera erdhi që në shkurt, edhe pse opozita kishte nxjerrë Flamur Nokën dhe Mond Spahon me çifte në krah në kufijtë veriorë për të penguar ardhjen e saj. Po kaq i madh ishte dëmi në kufijtë jugorë, ku Luçiano Boçi dhe Agron Shehaj ndalonin dimrin të dilte nga Kapshtica! Por me një rreng i bëri të ktheheshin në Tiranë e stina vërshoi. Lanë vendrojat, kur dëgjuan se Don Kishoti qenkësh një personazh romantik e kompleks i letërsisë shqipe! U ndjenë të paditur dhe të padenjë për detyrën që iu kishin ngarkuar.

Po ashtu, në themelet e Rilindjes Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, Mimi Kodheli dhe Damian Gjiknuri komplotonin kundër diellit të gëzuar dhe hënës së buzëqeshur, duke ndjellur shiun me letra fati. I goditi me artileri kundërajrore planet e tyre djallëzore.

Do të mbeteshim peng të acarit, akullit, dëborës dhe suferinës sepse opozita braktisi mandatet dhe doli në rrugë për ta penguar takimin e Shqipërisë me pranverën! Nuk i kishin bërë mirë hesapet! Vullneti i tij ishte të sjellë pranverën me ngjyrën e saj të blertë si gjethe kanabisi! Po kaq i trishtë do të ishte fati ynë nëse vetë ai mbathur me çizme e lopatë në duar nuk do udhëtonte nëpër natë e nëpër det si Skënderbeu në vitin 1462 drejt Italisë për të hequr baltën, që hodhëm atje tej, televizion më televizion, gazetë më gazetë për të penguar ardhjen e pranverës! Ia doli, edhe shkurtin e bëri me 28 ditë!

Vërtet nuk na e kishte premtuar, vërtet nuk e ka shkruar në programin e tij elektoral se dukej në kufijtë e së pamundurës, por me vullnet, me besim, me këmbëngulje me sakrifica të epërme shkatërruan shtëpi e duke hapur rrugë të kushtueshme me 20 milionë euro për kilometër, ai e bëri të pamundurën të mundur, ëndrrën realitet, solli në mes nesh Pranverën! Po për këtë arsye bleu e mori vota Xhuxhi me të tjerët! Duheshin për këtë ditë ndaj në Parlament duhej një opozitë e re!

Edi Rama udhëtonte nëpër Shqipëri si Kostandini, duke kaptuar male, lumenj e suka edhe pse rrugët i ziheshin, zyra i rrethohej me gjindje, Parlamenti po ashtu për të kuvenduar e bindur kohën të na e kthente më të bukurën e stinëve! Ja tani, qytetarët dalin në sheshe e sokakë dhe përqafojnë marsin të përmalluar, të gëzuar plot besë e shpresë tuj brohoritë njëzëri: Faleminderit, o Edi Rama!

Atë bënë edhe gratë në Fier, paçka se ndonjë cinik tha se Kryeministri i trajtoi si Tahir Baçova arushat e cirkut!

Ndonjë tjetër me gojëlig kërkonte reagimin e Shoqatave të Tiranës që rrojnë me fonde qeverie për mbrojtjen e grave ta konsideronin dhunë psikologjike e poshtërim ahengun fierak të 8 Marsit! Por jo e jo, Ai shkoi në mesin e tyre dhe u rrëfeu arritjen më të madhe të 6 viteve të Rilindjes, atë që pranvera erdhi përsëri, falë tij!

U ndezulluan gratë hareje, e rrethuan e i kthyen nurin tek i tundeshin plot isharete sapo i thirri. Melhem i binin mbi xhan aq të turbulluar mundimesh e dertesh këtij dushmani dimër ato naze e ojna! Si bandill e si ashik ndihej në mes të asaj dalldie e ndezullie plot aman e zaman se pranvera të shkrin, të heq molepsjen, të rinon.

Kur ta shohë në “Youtube” Gjenerali Kim Jong atë skenë, sa do xhelozohet! Ai gjuan qiellin me raketa dhe s’ia del ta sjellë pranverën! Edi Rama na e solli tanimë, s’na ka asnjë borxh! Si zor se e premton në fushatën e re elektorale se do na sjellë edhe verën se është në kufijtë e së pamundurës, por prisni kur të na e sjellë edhe atë e të na lërë pa fjalë! Faleminderit! Pranvera erdhi përsëri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Messi 11/03/2019 18:10

Fieri eshte kampion per buce!

cuco 11/03/2019 16:13

Z. Gjekmarkaj, si gjithmone analist i holle, e prozator poet, na ben qe te ndjehemi mire per disa momente, na fut ne panvere edhe pse neper rruge te dhimshme per ne shqiptaret, qe e duam vendin!?

ani10/03/2019 19:29

Epo nuk leni gje pa i vene emer .

Loni nga fieri09/03/2019 21:22

SA keq me vjen qe Nena ime nuk ja arriti kesaj dite te lume qe te kercente dhe ajo e shkreta nje vallzim bark me bark me edi palloshin

Une nga lushnja ti nga fieri09/03/2019 16:13

Arushat e cirkut Patosit me iphona...hahahaaaaa
Hajt me rrrrruaçiiii...e gezuar 8 marsin!!!!!

Shto koment

Denonco