Pse Edi Rama nxitoi drejt RAI-t? Një reagim ndaj Europës së dy shpejtësive

Pse Edi Rama nxitoi drejt RAI-t? Një reagim ndaj Europës së dy shpejtësive

Nga Andi Bushati - 06/03/2019

Edi Rama e braktisi me shpejtësi parlamentin të enjten paradite duke njoftuar se do të udhëtonte drejt Italisë për të përmirësuar, tek fqinjët, imazhin që vendit po i prishin protestat e opozitës. Ai u shfaq pak para mesnatës në pjesën e tretë të « Porta a Porta », te Bruno Vespa, me një format që do ta kishin zili edhe emisionet më servile të Tiranës. Përballë pati një gazetar, Pietro Senaldi, që merakosej për prishjen e stabilitetit shqiptar si pasojë e ndërhyrjes së fuqive antiperendimore, mikun e tij Igli Tare, që i sjell falas çarterin për të parë në stadium Kristiano Ronaldon dhe një investitor që merret me biznesin spitalor në Shqipëri, Mimmo Petrosillo.

Sikur për pak çaste aty të mos ishte shfaqur një intervistë me tone tejet kritike e Lulzim Bashës, e gjitha do të kishte lënë shijen e një propogande bajate, nga ato që qeveritë e vendeve të botës së tretë, i kontraktojnë me sektorët e marketingut të mediave të mëdha.

E gjitha ajo shfaqe e gërditshme, me siguri nuk i ka ndihmuar, as italianëve, pjesa më e madh e të cilëve në atë orë gjendeshin në gjumë, dhe as shqiptarëve që të tilla « mis en scena » i shohin me bollëk në ekranet e tyre. Por ajo i ka volitur një njeriu, Edi Ramës,  që me sa duket  me receptorët e mjeshtërisht të stërvitur prej propogandisti, e ka nuhatur mirë rrezikun që po i kanoset.

Që pas protestës së opozitës në 16 shkurt dhe më tej, pas vendimit radikal për djegjen e mandateve, Shqipëria është rikthyer në vëmendjen e perendimorëve. Natyrisht, duhet thënë hapur dhe qartë se nga kancelaritë euro- atlantike Edi Ramës nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Të gjithë pothuajse një zëri kanë dënuar aktet e dhunës dhe sjelljen ekstremiste të opozitës për të braktisur kuvendin. Në këtë aspekt për pushtetin e rilindjes situata duket ende rozë.

Por, një vëzhgues i vëmendshëm nuk mund të mos kqyrë një lëvizje tektonike që zhvillohet me sens të kundërt. Një mori mediash prestigjoze kanë rikthyer sytë nga Tirana. Sipas devizës së njohur të këtij profesioni, se lajm është vetëm lajmi i keq, ato po përpiqen të kuptojnë arsyet e asaj që po ndodh në Tiranë. Dhe “Rai 2” e dha verdiktin e tij : trafikantët e drogës që blejnë vota. Pas 16 shkurtit francezja « Liberation » i’a atribuoi protestat, rrugës që po ngrihet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit . « France 24 » vëzhgonte se rinia shqiptare e sheh veten jashtë vendit ndërsa pothuajse të gjitha të përditshmet e përtej Adriatikut sollën korespondentët e tyre në Tiranë.   

Dhe kush e njeh mirë dinamikën e krizave politike anembanë botës nuk e ka të vështirë të kuptojë se zakonisht janë mediat ato që kanë të drejtë. Janë ato që kapin sinjalet e para të asaj që po ndodh dhe të vërtetave që burokratët dhe diplomatët perendimorë arrijnë ti artikulojnë me shumë më tepër vonesë.

Kjo garë e dy shpejtësive, asaj të zyrtarëve teknokratë, të ambasadorëve lokalë, të njerëzve që vegjetojnë në nivelet fundore të administratave perendimore, që e kanë vështirë të shkëputen nga raportet që u kanë hartuar eprorëve prej viteve dhe nga politikat që kanë vulosur pas diskutimesh të pafundme, kjo garë pra, mes tyre dhe një grupimi tjetër, atij të gazetarëve dhe reporterëve të terenit, që perceptojnë realitetin e momentin dhe prekin të vërtetën faktike, është zhvilluar në mëse në një rast edhe në Shqipëri.

Ajo, ka treguar se të parët shpesh kanë qenë të gabuar dhe të vonuar dhe në fund kanë adaptuar qëndrimet dhe pasqyrimin që ka bërë media.

Le të sjellim vetëm një shembull të kohëve të fundit nga qeverisja e Rilindjes. Ndërkohë që ambasadori amerikan shpallte në krah të Saimir Tahirit, luftën kundër drogës si një histori suksesi, ndërkohë që Guardia di Fiananca dekretonte në vjeshtën e 2016, kanabisin të çrrënjosur nga Shqipëria, ndërkohë që Rama krekosej në parlament se « po të kishte hashash, nuk mund të heshte Lu dhe Vlahutin », mediat dhe opozita filluan betejën e denoncimit të këtij fenomeni që po merrte përmasa maramendëse.

Nuk vonoi shumë dhe kjo betejë dhemb për dhëmb mes pushtetit që ironizonte kazanët gazetareskë dhe makinerinë politike të baltës dhe fakteve të përditshme të parcelave të kanabisit, tërhoqi vëmendjen e shtypit ndërkombëtar. Në pak muaj në Shqipëri kuk mbeti media prestigjoze pa shkelur dhe pa denoncuar hambarin e « barit » të Europës. Vetëm pas kësaj, pas kthimit në një kauzë të brendëshme, gazetat dhe TV perendimore kthyen sytë nga Tirana dhe u desh denoncimi i tyre që të shkunde nga letargjia diplomatët e Tiranës dhe eprorët e tyre që mbulojnë Ballkanin.

Këto do të bënin që Donald Lu, ti shkonte në zyrë Edi Ramës për t’i kërkuar shkarkimin e ministrit të brendëshëm dhe që europarlamentarët dhe bundestagu gjerman tw ngrinin zërin për luftën kundër kanabisit.

Në përmasa të tjera kjo që po ndodh tani, mund të përsërisi të njëjtin skenar. Provokimi i një krize nga opozita, dhuna, djegja e mandateve dhe braktisja e parlamentit ka krijuar premisën për kthimin e syve nga Shqipëria. Mediat perendimore tashmë ia kanë behur dhe po vënë gishtin mbi plagë. Ndoshta nuk është e largët dita kur të vërtetat e tyre do të shkundin nga përgjumja dhe diplomatët lokalë dhe kancelartitë e vendeve të tyre.

Pikërisht këtë lojë, atë të perëndimit të dy shpejtësive, ku gazetarët përshkruajnë një realitet që trondit më pas dhe burokratët, e ka kuptuar edhe Edi Rama. Si një nohës i mirë i “PR” ai e ka ndjerë se ç’mund të prodhojë në të ardhmen mekanizmi mediatik i vënë në lëvizje.

Prandaj ai la parlamentin dhe nxitoi të nxjerë kokën, pak para mesnatës në « Porta a porta ». Prandaj ai ka lobuar me gjithçka kishte mundësi që të balancojë valën e artikujve dhe reportazheve për qeverisjen e tij, që nuk po pushojnë në mediat perendimore, që prej 16 shkurtit.

Askush nuk mund të vërë bast se me sponsorizimin e shfaqeve të neveritshme si ajo e së martës në mbrëmje, ai do të arrijë ta realizojë qëllimin e vet. Por, ama, asnjeri nuk mund t’a akuzojë si miop që nuk e shikon se nga i vjen rreziku.

Pavarësisht se për momentin e ka mbështetjen e kancelarive, ai tashmë e di se cili është « kazani » që mund të shkërmoqë fasadën e shndritshme që ka ndërtuar me aq mund. Për të ndalur këtë shkoi e ra në gjunjë tek Bruno Vespa.   

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shkodran Bushati07/03/2019 09:48

Une nuk kame pare ndonjihere ( jam shikues i rregullt i RIA dhe kur jane tema intersante dhe i Porta Porta ) ndonji Kryeminister te ndonji vendi periferik ne kete emision , me la shume shije te keqe , sepse dhe atje paska ankand se sa ka shku pagesa per ate emision intersant do te ishte ta dinte publiku , .Gojte e liga thojne se rama eshte aksionar tek Lacioi e kjo eshte arsyja qe tare eshte zv/president i Lacios ( si bashke aksionar me kuota te larta se bashku me ramen) , paraqitja e tij si klluon me atlete , si fudull , pyetjet ishin si pas pageses , ndyrhynjet e panelit sidomos i tares ishte prokupacion per imazhin qe po i prishte opozita vendit , turp duket parat e fituar pa mund i kane ba te neveritshem.

Daj Jaku06/03/2019 14:47

Duke shikuar emisionin e Vespës pata shumë ndjesi kontradiktore. Mbas emisionit shkova në banjë dhe volla zorrër e barkut. Fillimisht mu kujtua koha e andreotëve, kohë e gjatë pa fund në të cilën Shqipëria nuk egzistonte as si shprehje gjeografike. Diktatori lobonte me paratë e trashëguara nga gopi i Gjyles. Më pas, kur plasi bomba humanitare, Andreoti, i kryqëzuar për heshtjen 45 vjeçare, u shpreh si dhelpër e vjetër: "ato vetë thonin se ishin shumë të lumtur". Sepse këtë e thoshte diktatori. Por lumin e kontrabandës së cigareve nga brigjet shqiptare (Qazim Myftiu) a thua nuk e dinte Andreoti? Duke parë paliaçatën e organizuar mbrëmë nga Bruno Vespa, mu dhimbs Shqipëria e rikthyer në diktaturë, ku diktatori i ri lobon nëpër botë, me paratë e trashëguara nga gopi i Netës dhe Lindës, lumturinë e popullit shqiptar nën udhëheqjen e ndritur të artistit të madh global. Në ekran një i droguar, në panel miku i tij i afërt i shpërblyer familjarisht me poste të majme shtetërore, një impreditor italian në Shqipëri që bënte mëk mëk nga turpi se po përdorej si klloun në shërbim të një gënjeshtari patollogjik, por i frikësuar për bisnesin e tij në Shqipëri, që nesër ja mbyllin pa e çarë bythën fare. Edhe një gazetar memec, sigurisht i lobuar mirë për atë qëndrim prej amebe. Dhe në fund një platé që duartrokiste maklladat dhe gënjeshtrat e kryellarministrit shqiptar. Çfarë turpi për një personalitet si Vespa! Hera e parë që thërret një kryeministër të një shteti dhe i vë në disposicion një hapësirë propagandistike. Çfarë turpi për televizionin publik italian që i serviloset një diktatori të një populli të vogël, vetëm 70 km larg. I biri i një oligarku komunist, vrasës i një poeti i panënshtruar diktaturës komuniste. RAI mbahet me taksat e popullit italian, është shërbim publik, nuk mund të zbresë në atë kënetë mediatike duke i shërbyer me prooagandë një Maduro të Ballkanit, një Gadafi, një Erdogani, një Putini, një Kastro, një Kim. Mungesa e turpit është shenja e parë e idiotsisë. Besoj se Vespa e di që kjo është thënie e Sigmund Freud.

Askushi06/03/2019 12:23

Rama shkoj tek Bruno, sigurisht se kembana e alarmit ka rene dhe do vazhdoj te bjeri me fort, se valet e kesaj kembane kane arritur dhe tek nderkombetaret dhe rezonanca e tyre do te pershkallzohet me shume, dhe Rama do qe ta neutralizoj me keto dalje bajate (duke paguar dhe shume para sigurisht) tek emisioni i Bruno Vespes. Po ta shihje me vemendje te dukej si refugjatet shqiptar te viteve 91 ne itali. I emocionuar ne kulm, i tensionuar ne kulm, sepse kishte nje mission shume te veshtir. Te mbulonte m""""tin me sh"rre, qe sa vjen dhe kundermon me shume.
Kanabisi ne vitin 2019 na qeka zeruar, po ne vitin 2016 sa ishte. Kishte mbiprodhim, magazinat jane mbushur plot dhe tani nuk ka nevoj te mbillet me sepse ka plot. Vetem eksportohet. ...

Pp06/03/2019 12:20

Shume sakte

Shto koment

Denonco