Kur Europa sheh në dy pasqyra; Ramën optimist dhe kryeministrin tragjik!

Kur Europa sheh në dy pasqyra; Ramën optimist dhe kryeministrin tragjik!

Nga Shënim - 28/02/2019

Delegacioni i Parlamentit Evropian, i përbërë nga 7 eurodeputetë të forcave të ndryshme politike (5 të partive të majta dhe 2 të djathta dhe të qendrës), i cili ndodhet në Tiranë, për hir të së vërtetës ndryshe nga si e shet propaganda e Rilindjes, nuk është këtu për të zgjidhur krizën e madhe që ka përfshirë vendin, pas vendimit radikal dhe të detyruar të opozitës parlamentare shqiptare, për të dorëzuar mandatet.

Ky tur i këtij delegacioni, ka qenë i planifikuar muaj më parë dhe është në kuadër të rutinës faktmbledhëse që bëhet për çdo vend që aspiron hapjen e negociatave me BE-në, apo hapa të tjerë në prag të vendimeve që do të merren këtë qershor. Prandaj në axhendën e këtij delegacioni pas Tiranës e ka radhën, edhe Shkupi dhe Prishtina.

Fakti që ky delegacion rastisi në kulmin e një krize të vjetër të maisur për vite nga Edi Rama, por që shpërtheu si vullkan së fundmi, ka bërë që gjatë bisedimeve ky delegacion ti japë përparësi asaj.

Pas takimeve që “shtatëshja” bëri me të gjithë faktorët politikë në vend, anëtari që u shfaq më “i egër” kundër problematikës që opozita ngre sot në mënyrë radikale ishte ai që në rastin më të mirë duhej të heshte; pikërisht Knut Fleckenstein, i cili ka katër vite që paguhet si raportues për Shqipërinë.

Nëse ju kujtohet këta “faktmbledhësit” e Parlamentit Europian, erdhën edhe në fillim të vitit 2018 dhe si gjithmonë në atë delegacion më i zëshmi dhe më “optimisti” ishte pikërisht raportuesi Knut Fleckenstein, cili është edhe përgjegjësi kryesor për raportin rekomandues, për vendet anëtare të BE-së.

Rama hapi shampanjën atëherë pas raportit të sheqerosur të KE-së në të cilin Knuti me shokë “kishte harruar” të shkruante, për drogën në bashkëpunim e nën lejen e policisë, Tahirin, krimin e organizuar që kishte kapur shtetin, parlamentin, ekonominë etje, etj.

Por shampanja që hapi Rama, Fleckenstein, Hahn, Mogerini e një tufë e madhe që rezultojnë në borderonë e Xhorxh Sorosit në Brukesel, ngriu në ajër, kur në qershorin e vitit të shkuar vendet anëtare të BE-së ( më e vendosura Gjermania) refuzuan ta gëlltitin xhelatinën e përgatitur nga “faktmbledhësit” dhe KE.

Tani jemi në prag të një qershori tjetër, ku do të diskutohet sërish hapja e negociatave por këtë herë me një ndryshim “të vogël”; Rama është lakuriq, pa gjethen e fikut-opozitë që të paktën vitin e shkuar e kishte vënë përpara vendeve anëtare të BE-së.

Ka pasur një moment interesant gjatë diskutimit që “shtatëshja” ka bërë me përfaqësuesit e opozitës, që ka dalë në rrugë me popullin. Pasi kanë dëgjuar “moral të kulluar” se përse duhet që të futen në sërish në parlament, Vangjel Tavo, i ka bërë një pyetje raportuesit Fleckenstein;

Me çfarë morali ulesh në këtë takim, kur për katër vjet si raportues për Shqipërinë, nuk  paske treguar asgjë në Bruksel për atë që Rama ka instaluar në Shqipëri dhe na detyroi ne, që të ndërmarrim këtë hap radikal pa na lënë asnjë rrugë tjetër?!

Pas kësaj ky “raportues” xhelatine, në vend që të jepte përgjigje doli jashtë i nervozuar për të pirë cigare!

Ndoshta edhe për menduar a konsultuar me Ramën, se çfarë do të raportojë këtë herë në Bruksel, pasi gënjeshtrat e katër viteve rresht tashmë janë shndërruar në krizë të rëndë në Shqipëri.

Sepse problemi nuk ka nisur siç duan ta devijojnë debatin, me hapin radikal të mandateve të dorëzuara, por që kur Knuti devijoi dhe gënjeu për gjëra të rënda edhe për vende jo demokratike, si kanabisimi i organizuar i vendit, shndrimi i Shqipërisë në nyje të trafikut të heroinës e kokainës, pastrimi i frikshëm i parave në ekonominë tonë, blerjen e zgjedhjeve në bashkëpunim me trafikantë, zgjedhjen e Arta Markut dhe kapjen e prokurorisë, deformimi i Reformës në Drejtësi etj etj.

E gjithë situata, se si Shqipërinë e shohin në dy pasqyra në Bruksel, mund të përmblidhet në vetëm një fjali që tha në konferencën e sotme për çështjen e integrimit të vendit tonë në BE, eurodeputeti Cristian Preda:

Ju keni një kryeministër optimist tragjik!

Optimist për raportet e gatuara për katër vite nga Fleckenstein e shokë dhe tragjik, për atë që Rama dhe organizata e tij ka gatuar këtu brenda në Shqipëri dhe e sheh qartë Gjermania dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së, të cilët në fund të fundit kanë edhe çelësin e verdiktit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco