Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

Ty, që 'të vjen turp' nga Shqipëria që proteston

Ty, që 'të vjen turp' nga Shqipëria që proteston

Nga Gent Strazimiri - 28/02/2019

Nga Gent Strazimiri

Ti, që "të vjen turp" nga Shqipëria që proteston për demokraci përballë parlamentit të rrethuar me tela me gjemba, duhet të ishe turpëruar ditën kur more vesh që vullneti i Shqipërisë ishte përdhunuar nga "gjushët" , "gjiknurët" e "niçet" në orgjira sado-mazo me regji të "Rilindjes" ...

Ti, që "të vjen turp" nga Shqipëria që i qëndron përballë gazit helmues dhe nuk dorëzohet, duhet të ishe turpëruar ditën kur parlamenti i "gjushëve" u vetë-rrethua me tela me gjemba e policë nga frika e popullit.

Ti, që sot "turpërohesh" nga mungesa e dialogut midis Shqipërisë që nuk dorëzohet dhe "gjush-qeverisë" , duhet të ishe turpëruar ditën kur more vesh që "gjush-qeveria" dialogonte me sukses me krimin e organizuar, trafikantët e drogës e vrasësit për të fituar "tepsinë" !

Ti që të "turpëron" fakti i trishtë që në parlament nuk ka më debat intelektual alternativash, duhet të ishe turpëruar ditën kur more vesh që 19 "rilindas" nga 64 gjithsej, nuk vinin nga auditoret e bibliotekat, por nga burgjet e gjysmës së Evropës...

Ti, që sot ndjehesh "i turpëruar" nga retorika shpesh e rënduar e opozitës, si përgjigje e reagim, duhet të ishe turpëruar atë ditë kur kryeministri ndyu sallën e parlamentit me "batutën" e parë, ditën e parë kur foli si kryeministër, për shkak të votës që ti i dhe si "ndryshim" .

Ti, që sot ndjehesh "i turpëruar" se "imazhi i vendit" është përkeqësuar në Evropë, duhet të ishe turpëruar ditën kur gazetat e Evropës publikuan shifrën e parë të eksodit të ri të shqiptarëve, së bashku me fotot e tyre nëpër çadra të ndyra në pritje të një shansi për të rrezikuar edhe jetën e fëmijëve te tyre vetëm për të mbërritur diku në Angli... pa adresë e as plan.

Ti, që sot nga "turpi" që ndjen se Evropa po merr vesh që ka një Shqipëri që refuzon të emigrojë por që lufton për të mos u përzënë nga shtëpia prej qeverisë së dale "nga influenca e Niçes, Habilajve, Agron Xhafajve", duhej të ishe turpëruar ditën kur për shkak të Edi Ramës e sajmirtahirëve të tij, vendi yt meritoi emrin aspak gazetaresk " Kolumbia e Evropës"!

Ti, që nuk u turpërove asnjë dite, që nga ai 12 shtatori i vitit 2013, ti nuk e njeh turpin!

Ti, mund të kesh shkollë e të kesh lexuar e shkruar libra pa fund!

Ti, mund të krenohesh për aftësi intelektuale e politike, por psherëtima e "të moderuarit" që nxjerr sot, nuk të shpëton dot nga klithja e heshtjes tënde bashkëpunuese 6 vjeçare.

Ti, që sot "po humbet durimin" e që shqetësohesh se po na ikën një shans tjetër për t'u bërë "evropianë", je shembulli më i gjallë i prapambetjes intelektuale të kësaj shoqërie të atrofizuar në reagim deri në nivelin e primitivizmit.

Ti nuk e njeh turpin! 

Ti je turpi vetë, kudo ku ndodhesh, kurdo ku ke heshtur, e në çdo rast kur ke "përtuar" të reagosh sepse prisje diçka nga qeveria e "gjushit", sepse "s'të frymëzonte Luli", sepse kishe "frikë" se mos padashje bëheshe "demokrat", apo "donatorët" e projektit në ambasadë "nuk ta këshillonin" reagimin...

Ti sot hesht! 
Nëse nuk hesht dot, kërko thjesht falje dhe rrjeshtohu me Shqipërinë që rri në këmbë! 
Rri diku aty nga fundi, se mbase kupton se ç'do të thotë dinjitet, e fillon të bëhesh i denjë për një shoqëri që pikë referimi ka Evropën, jo ambasadat e saj në Tiranë!!!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Protestuesi i Heshtun02/03/2019 10:58

Nuk i ban turpi me hezitu sot njerzit por asht skepticizmi se per ke e per çfare po çohem e protestoj, pasiguria se ç'ka po vjen mrapa. 2013-a ishte proteste masive kunder korrupsionit te hapun te Ilir Metes the atij te perfolun te fmive te Sali Berishes apo Lulzim Bashes e ministrave, drejtoreve e shume zyrtareve te tjere.
Individet e masiperm e kane humb te drejten morale me u pri njerzve. Me pas njerzit besim dhe siguri tek nje lider i ardhshem, njerzit i ke me miliona n'proteste, por ngaqe njerzit kane humb besimin tek ky grup politikanesh atëherë njerzit rrine e shofin rojet personale te politikaneve apo deputetet dhe te afermit e tyne the ju vjen dham zemra se ska u ba me sakrificen die shpresat e tyne te humbuna ne keto 30 vjet.

Sokoli28/02/2019 13:28

Bravo Gent. Si rralleherë me ke pelqyer me kete shkrim. Aty do qendrojmë. Ne kembë. Vetem një porosi : ja kam thene edhe para protestës se pare njerit prej eksponentëve te PD kur erdhi te na mbledhë ne lagjen tonë. Mos u terhiqni. Mos na lini në balte. Mos na tradhtoni, se mandej do ju kthehemi ju, dhe po ju garantoj qe ne, demoktatet e 1991, qe i dolem perballe policisë se Ramizit, ne do jemi te paret qe do vijme ta shkaterrojmë me themel selinë e pd dhe shqupin. Kthim pas nuk ka. MOS NA TRADHËTONI !

Daj Jaku28/02/2019 11:44

Mungesa e turpit është shenja e parë e idiotsisë totale (Freud), nuk është simbol i intelektit ose intelektualizmit.

Shto koment

Denonco