Edhe njëherë për domosdoshmërinë e ‘dhunës’

Edhe njëherë për domosdoshmërinë e ‘dhunës’

Nga Andi Bushati - 22/02/2019

Që nga protesta e opozitës të shtunën, kur u thyen 2- 3 tre xhama dhe kur shkërmoq kërpudha e artistit bashkëkohor Carsten Holler, i gjithë debati i politikës dhe studiove televizive po vërtitet rreth “dhunës”. Qeveria, kryetari i kuvendit, policia, garda, ambasadat e huaja njëra pas tjetërës, Brukseli dhe Uashingtoni po denoncojnë gjëmën që kujtojnë se ngjau dhe, njësoj si Nastradini, po shpërndajnë ndëshkime edhe për atë që do të ndodhë në të ardhmen.

E zënë në çark, në këtë vorbull propagande, edhe opozita, që kreu aktin e saj më radikal në këto 30 vite duke djegur mandatet, është kapluar nga kompleksi i dënimit të akteve ekstraligjore. Shprehja e përfaqësueseve të saj i ngjan më shumë sjelljes së fajtorëve pa faj. Ata i dënojnë militantët e vet që kryen krime të barazvlefshme me mosecjen mbi vijat e bardha apo shkeljen e semaforëve, duke u justifikuar me alibinë: “gjithçka e bëri zemërimi i popullit, i cili nuk pyet më as për ne”.

Në fak kjo është një gënjeshtër, sa e pabesueshme, po aq edhe e panevojshme. Nuk ka shqiptar që nuk e di se ato pak akte force që u bënë të shtunën e 16 shkurtit, ishin fryëmzuar, planifikuar dhe nxitur nga PD- LSI.

Por, debati nuk është ky. Pyetja që shtrohet nuk është nëse e ushtroi opozita, atë që për lehtësi komunikimi të gjithë kemi rënë dakord ta konsiderojmë si “dhunë”, por e rëndësishme është diçka tjetër: a qe e domosdoshme ajo, madje edhe akte shumë më ekstreme?

Përgjigja më e thjeshtë për këtë na vjen nga një demokraci shumë më e lashtë dhe e përparuar se ne, nga një vend që i ka prerë kokat e mbretërve dy shekuj më parë, pra nga Franca e cila u përball me një krizë shumë më të fortë demokracie, me protestën mbi tre mujore të jelekëve të verdhë. Ato që ndodhën çdo fundjavë në avenue des Champs– Élysées mund të konsideroheshin vërtet akte dhune, pa përdorur thonjzat që ne vëmë për të përshkruar atë që ngjau në Tiranë. Djegia dhe thyerja e dyqaneve, shkatërrimi i pronës private, bllokimi i autostradave, thyerja e statujave që gjendeshin brenda harkut të triumfit, qenë imazhet më të forta të asaj zemërate.

Dhe po të dëgjoje ata që e mbështesnin lëvizjen e “gilets jaunes”, avokatia e tyre ishte unanime: “Nuk ka mënyrë tjetër veç akteve të dhunës, për të bërë të dëgjohet zëri i atyre që shpërfillen. Nuk ka mjet tjetër për ta bërë pushtetin dhe kastën të mbajë vesh”.

Natyrisht, njihet edhe kundërargumenti i atyre që qëmtojnë diferenca mes asaj që ndodhi në atdheun e galëve dhe kësaj që ka marrë jetë në vendin e shqiponjave. Ata thonë se nuk ka ngjashmëri, sepse në Francë u ngrit një pjesë e popullit, ato grupime të margjinalizuara dhe rurale që nuk gjendeshin fare të përfaqësuara dhe ndiheshin të padëgjuara nga sferat e larta, ndërsa në Shqipëri po proteston opozita, e cila kishte gati gjysmën e parlamentit, e cila ka vëmendjen mediatike, e cila është prezente kudo, pra që nuk mund të ankohet për shpërfillje dhe mos dëgjim.

Dhe këtu vijmë në pikën kyçe.

Po a mund të konsiderojë çdo individ i arsyeshëm dhe me gjykim të lirë se opozita është e përfillur dhe e dëgjuar në Shqipëri?

A mund të quhet ajo e tillë, kur edhe pasi zbulon një vjedhje 40 milionëshe, askush nuk përfundon në burg?

A mund të quhet ajo e tillë, kur edhe pasi provohen vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me bandat e drogës, askush nuk ndëshkohet?

A mund të quhet ajo e tillë, kur qeveria fal koncesione dhe PPP që e tejkalojnë me pesë fish mandatin e saj kohor?

A mund të quhet ajo e tillë, kur parlamenti miraton ligje antikushtetuese “ad nominem” dhe askush nuk ka gjykatë ku të ankohet?

Të gjitha sa më sipër tregojnë se, njësoj si kudo, nga Parisi në Karakas, aktet ekstraligjore të forcës, nuk janë asgjë më shumë se klithma për t’u dëgjuar dhe për të tërhequr vëmendjen.

Madje shpesh herë ato shërbejnë si katalizatorë për transformime të mëdha.

Nuk dua të përmend këtu një argument që e kam stërpërdorur, atë për vitin 1997. Atëherë dhuna tragjike, madje rrëmbimi i armëve, prodhoi një Shqipëri më të mirë. Ajo shërbeu për shembjen e regjimit diktatorial të Berishës dhe sado e rëndë që ishte kostoja njerëzore, ajo na la trashëgim një vend ku morën fund burgosjet politike të kundërshtarëve, ku Sudja dhe Xhaferri u zëvendësuan me banka private, ku megafoni i vetëm i pushtetit, ekrani shtetëror, u mposht nga dhjetra televizione të reja që lindën si pasojë e erës së re të lirisë.

Pra edhe tani, në situatën ku gjendemi, askush nuk mund ta mohojë se përdorimi i mjeteve ekstraligjore është shpresë për ditë më të mira të nesërmen.

Duke qenë një nga ata që besojnë se është dhunë më e madhe të shembësh për interesa okulte 300 shtëpi të mjerësh tek unaza, sesa të thyesh kërpudhën; se është më ekstreme të rëmbesh tokën publike në qendër të Tiranës dhe të ndërtosh gjashtë kulla 200 milionëshe, sesa të zaptosh me forcë sallën COD të kryeministrisë; se është më kriminale të blesh vota me Avdulajt, sesa që protestuesit të hyjnë me forcë në mjediset e parlamentit: unë i shoh të dytat si të vetmen rrugë për të neutralizuar të parat.

Sepse të gjitha këto veprime të “dhunshme” nuk janë asgjë tjetër veçse apel që shqiptarët të hapin veshët dhe ndërkombëtarët të kthejnë sytë nga ato krime që propaganda e regjimit po i mban të relativizuara.  Dhe historia na mëson se sa më ekstreme të jenë këto akte, aq më e madhe do të jetë vëmendja për të dekriptuar mëkatet e Rilindjes. Pra sa më shumë të shtojmë “dhunën”, aq më pranë do e kemi zgjidhjen.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Tarasi23/02/2019 11:34

"Dhune "kundra dhunes se rilindjes, Bushati e thote qarte, rruge tjeter nuk ka!!!! Institucionet ligjzbatuese nuk funksionojne ose me sak jane ne funksion te krimit qeveritar!! Zgjidhja eshte e qarte , opozita te udheheqe revoltat popullore deri ne largimin e kryehorrit Rame qenefit.

shqiptar22/02/2019 23:51

E shoh të dyshimtë e të pasinqertë këtë dëshirën e Bushatit për të nxitur opozitën që të kalojë në veprime të dhunëshme.
Edhe mënyra si e komenton ai se opozita sipas tij nuk tregohet e sinqertë kur ju bën thirrje protestuesve për përmbajtje nga dhuna, e ka brenda qëllimin dinakë
Është parë që Bushati si një pinjoll i Bllokut, në protestat e opozitës , bëri çmos për të propoganduar pedagogun marksist të Lëvizjes për universitetin, Arlind Qorri.
Ndonëse këto vitet e fundit ky gazetar, ka mbajtur një qendrim të ashpër kritik ndaj qeverisjes së Ramës, duket kjartë se ai është përpjekur qe tek Rama të gjejë objektin e "shëmtisë së kapitalizmit" duke tentuar që ta barazojë "rilindjen" me partitë e djathta shqiptare.
Një krahasim dinak e mjeran prej komunisti në gene që kapitalizmin oligarkik mafioz të Ramës ta barazojë me kapitalizmin demokratik të shtetit ligjor që predikon e djathta.
Qëllimi është i kjartë.
Duke e trazuar çorbën e revolucioneve të dhunëshme të llojit komunist, ka shpresë se veç mafies së socialistit Rama, do të shkatërohet edhe opozita e djathtë shqiptare e në Shqipëri të dalë nga varri i Enverit, një lëvizje "e pastër" komunsite që mendon "për popullin e varfër".
Asnjëhere në historinë politike nuk ka ndodhur që të djathtat e moderuara e bile edhe ato ekstreme, të vijnë në pushtet me dhunë.
Shembullin me të kjartë e kemi në Shqipëri që e djathta erdhi në pushtet pa dhunë e viktima në 1992, dhe e majta rierdhi në pushtet në 1997 me dhunën e kallashnikovëve të grabitura nga depot të oficerëve vullnetarë të Enverit. Por sa viktima la pas ai revolucion bollshevik ?
Akoma edhe sot vazhdojnë të vriten shqiptarët me njeri tjetrin, pikërisht me ato armë të vjedhura në depot ushtarake.
Nuk ka sepse të fërkojnë duartë komunistët me shpresën e një konflikti me luftë civile, mund të rikthejnë në politikë ndonjë parti të re të punës.Një pesë shumë e madhe e protestuesve, veç pasojave dramatike që solli qeverisja mafioze e Ramës, janë të irrituar edhe për faktin se në krye të një parlamenti pluralist demokratik, Rama kthehu edhe një ish ministër të fundit të mbrendshëm të diktaturës enveriste.
Nuk ka sepse ky popull i masakruar nga diktatura enveriste, që gjysma e tij ka emigruar nga skamja, të përgjysmojë edhe ata që kanë ngelur duke bërë një luftë civile se kështu i do qejfi dikujt për të kthyer sistemin e gjyshërve e baballarëve. enveristë. Një pushtet i korruptuar e shkelës i ligjeve të demokracisë, mund të detyrohet të bjerë edhe me një protestë të fuqishme të shoqëruar me mosbindje qytetare që pa dhunë, duke paralizuar qeverisjen, e nxjerr ate jashtë loje.
Basha duhet të ketë kujdes, që të mos influencohet nga këto zëra dinakë, por të vazhdojë me frymën demokratike europianiste që e karrakterizon..
Luftë e gjak mund të derdhim vetëm kundër një pushtuesi të huaj e jo të vritemi me njeri tjetrin për qëllime revanshesh politike.
Mund të mos i pëlqejjë këto mendimet e mija ndonjë që i ka vajtur thika në kockë.
Por ka disa mënyra për të përmbysur një qeveri mafioze e nuk është e thënë se punët mund të zgjidhen vetëm me pushkë

Askushi 22/02/2019 23:06

Asgje nuk fitohet me paqe. Une nuk do ta quaja dhune, por revolt popullore. Jam dakort me Bushatin. Revolta popullore nuk ka kufij, nuk ka diplomaci, nuk eshte politik. Nuk unde te cahet kordoni policeve ne kryeministri, por nuk eshte vetem kryeministrija, revolta prek gjitheshka qe ndodhet aty, revolta drejtohet tek pika me e dobet e kundershtarit dhe jo aty ku jane vendosur polic, ushtar e tanke. Nese nuk ka revolt popullore te mirfillt, nese nuk marrim pjes te gjithe ne kete revolt, ne se dhe vete Bushati, Lubonja , Shkullaku, Bejtja, Rakipllari,Rakipi, Zhej, Gjekmarkaj,etj etj nuk i bashkohen revoltes, sigurisht revolta do te deshtoj. Shqiperija ne rrezik. O tani o kurr.

Shto koment