Dako e Rilindja përballë Don Ciancimino; Gjeni ndryshimin, zoti Soreca!

Dako e Rilindja përballë Don Ciancimino; Gjeni ndryshimin, zoti Soreca!

Nga Poli Hoxha - 20/02/2019

Kur, Zoti Luigi Soreca, u shfaq zyrtarisht në Tiranë si ambasadori i ri BE-së, pati një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Kjo për të paktën dy arsye; E para sepse ai po zëvendësonte, Romana Vlahutin, e cila u shfaq pa kurrfarë skrupulli në krah të qeverisjes Rama, pikërisht në kohët më të errëta të saj. U kthye ambasadorja famëkeqe që vendosi të flinte në vilën e një prej klientëve më të përfolur të Ramës, në një “qorre dhe shurdhe”, kur Shqipëria u shndërrua në “Kolumbinë e Europës” dhe krimi i organizuar dhe trafikantët ndërkombëtarë hodhën një hap cilësor, për tu shkrirë me biznesin dhe politikën.

Gjithsesi ajo iku dhe erdhi Zoti Soreca, të cilit natyrisht i duhej kohë për të mësuar në detaje, se çfarë po ndodhte në Shqipëri.

Heshtja e tij dhe mos distancimi nga paraardhësja javët e para të detyrës, u morr fillimisht si një “përmbajtje diplomatike”, por shumë shpejt në vend do të kishte disa zhvillime të rëndësishme, të cilat kërkonin një qëndrim.

Përveç skandaleve të korrupsionit flagrant, si ai i “Unazës së Madhe”, një “patate e nxehtë” doli në shesh, siç ishte dosja 339/1 e publikuar në fragmente edhe nga “Zëri i Amerikës”.

Bëhet fjalë për rolin e krimit të organizuar në zgjedhje dhe ngjizjen e tij me politikanë dhe pushtetarë vendor dhe qendrorë.

Meqenëse një nga arsyet e kryesore të pritshmërisë së madhe për zotin Soreca, ishte fakti se karrierën e tij ai e kishte nisur në fillim të viteve 90-të, si hetues i Antimafies italiane në Palermo, kur edhe u finalizua një luftë e egër mes shtetit të së drejtës dhe mafies së shkritë me politikën, pritej që dosja 339/1 ti rikthente në kujtesë zotit Sorceca, ato kohë.

Por ai e mbyti ekspertin e Antimafies dhe zgjodhi të mbante zhgunin e diplomatit, “as mish e as peshk”. Nuk foli as edhe një fjalë për këtë zhvillim tronditës, i cili deligjitimon parlamentin aktual dhe qeverisjen Rama. Heshti, edhe pse u pa qartë nga përgjimet se kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe shumë eksponentë politikë e administrativ të Rilindjes, ishin kapur “me presh në dorë”, si miq dhe bashkëpunëtor të një klani ndërkombëtar mafioz, si ai Avdylaj duke blerë vota.

Madje nuk denjoi, as ti bënte thirrje prokurorisë, që të paktën të zhbllokonte hetimin mbi përgjimet për deformim të zgjedhjeve të vitit 2017 që kishte në dispozicion dhe pastaj, drejtësia le të vendoste se cila është e vërteta.

Nëse zoti Soreca e ka harruar kohën kur shërbente në fillim të karrierës në Palermo dhe ka vendosur që të bëjë diplomatin që “fle” në të njëjtën vilë që i la trashëgim Vlahutin, ne mund t`ja gërvishtim sado pak kujtesën.

Vetëm 2 muaj pasi kishte marrë detyrën e rëndësishme në Tiranë në një dalje të parë televizive në studion e Blendi Fevziut, ai u pyet;  Mendoj se në atë kohë (kur shërbente në Palermo) në Itali kishte shumë akuza për lidhjet mes politikës dhe mafies. Cili është roli i gjykatësve apo prokurorëve në këtë lidhje?. Kur njeh mirë, për shembull, disa njerëz nga mafia, nga malavita, kur kanë lidhje të mira me politikën, sepse i ndihmojnë këta njerëz për votat, i ndihmojnë për nevojat politike që kanë dhe për kompensim kanë mbështetje.

Ambasadori u përgjigj tekstualisht: Nuk kam pse e zbuloj historinë, por ama ne identifikuam politikanë jo vetëm në nivel vendor, por edhe në nivel kombëtar që ishin të lidhur me krimin e organizuar. Në fakt, krimi i organizuar ka nevojë për mbështetje në mënyrë që të kryejë veprimtarinë e vet kriminale. Pra, ata kërkojnë mbështetje dhe mosndëshkueshmëri.

Në kohën për të cilën Zoti Soreca flet si bashkautor i operacionit të Antimafies, Palermo u çlirua nga një sundim gati 30 vjeçar i mafies me pushtetin lokal dhe segmente deri në atë qendror, siç tashmë dihet dhe e pohon edhe ai vetë përpara Fevziut.

Por në konteksin e sotëm shqiptarë, ajo që duket qartë është se Palermo e atyre 30 viteve, të kujton tmerrësisht shumë Durrësin e 12 viteve, të Vangjush Dakos.

Çfarë ka ndodhur?

Krim i Organizuar u shkri në një marrëdhënie dyshe me  politikën. Fillimisht, në  të ashtuquajturin “biznes ndërtimi”, ku Vangjush Dako mbahet si “Mbreti i betonit” dhe lejeve të shesheve vend e pa vend. Krimi i organizuar pasi kishte siguruar sasi gjigante financiare nga trafiku i drogës dhe i kontrabandës kërkonte që për ti ligjëruar ato, të shndërrohej në biznes. Por për këtë i duhej ndihma e politikës dhe qeverisjes. Nga ana tjetër, kësaj të fundit i duhen votat dhe financa për të vazhduar projektin dhe kështu rrethi vicioz, funksionon në mënyrë perfekte. Kjo jo vetëm për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht Tiranën.

Në fakt nuk kemi të bëjmë me një shpikje të Edi Ramës, sepse fillesat janë eksperimentuar me sukses për disa dekada në Itali dhe me lindjen e demokracisë kanë nisur, edhe në Shqipëri. Por, hopi cilësor në këto 6 vite është i frikshëm!

Zoti Soreca pati një vrull të pa parë në karrierën e tij të mëvonshme diplomatike pranë institucioneve të BE-së dhe KE-së, pikërisht nga fakti se e njihte mirë këtë skemë që kishte funksionuar me sukses për 30 vite, në Palermon e fund-shekullit të 20-të.

Atij besojmë se i kujtohet slogani i dy “kapitenëve” të Cosa Nostra-s në politikën italiane të këtyre viteve të errëta, Salvatore Lima dhe Vito Ciancimino; “Palermo e Bella, Façiamola piu Bella”, që në shqip përkthehet; “Palermo është e bukur, por do ta bëjmë edhe më të bukur”!

Për 30 vite që mafia kontrolloi këtë zonë vërtet të bukur të Italisë nëpërmjet politikanëve të saj dhe “Façiamola piu Bella” rezultoi në një ndërmarrje e pastrimit të parave nëpërmjet betonit dhe një zhvillimi kaotik urban, që shkatërroi pa mëshirë trashëgiminë antike dhe kulturore. Dhe këtë e arriti nëpërmjet dy ish-kryetarëve të bashkisë Salvo Lima (të cilin  më vonë mafia e gradoi edhe senator) dhe famëkeqit, Vito Ciancimino.

A nuk ju kujton kjo periudhë e Palermos, Zoti Soreca, edhe “Rilindjen Urbane” të Edi Ramës e cila në Durrësin e Vangjush Dakos ka shënjuar pikën më të lartë të një Deja Vu-je, me Palermon e asaj kohe (kujtojmë Velierën dhe shumë krime të tjera, në kurriz të trashëgimisë dhe turizmit)?!

Mafia siguronte me hir e pahir, me financa e me dhunë votat për Cianciminon si kryetar bashkie në Palermo e Limën etj, në qendër, këta të fundit u siguronin “biznesin” e licensa  që në fakt ishin mburojë e punëve të tyre kriminale dhe lavatriçe pastrimi parash.

 Dhe kështu për vite me radhë, deri sa u mbush kupa. U desh që populli italian të ngrihej në këmbë kundër klasës politike që e qevriste, si dhe gjaku i  Falcone e Borselino, që i dhanë fund kësaj epoke të errët të Italisë, ku edhe ju ishit protagonist, në anën e qytetarëve të ndershëm dhe shtetit ligjor.

Por ja pas 29 vitesh kur patë e dëgjuat fakte nga përgjime që i kanë bërë shërbimet inteligjente të vendeve europiane që ju përfaqësoni tani si diplomat në Tiranë, për një “Ciancimino” të rlindur në Durrës të Shqipërisë, nuk folët asnjë fjalë. E ritheksoj; të paktën një shtysë e inkurajim për prokurorinë që qeveria nuk e fsheh se e ka “emëruar” vetë, që të zbardhë deri në fund faktet që dolën.

Nëse ju kujtohet, sepse keni pasur akses në dosjen dhe hetimin “Palermo”, ish kryetari i bashkisë Ciancimino, ose siç e njihnin më së miri, Don Vito, ishte një politikan i njohur i Siçilisë,  por edhe një mafioz “ndryshe”. E dini se ai kishte një akses dhe rol të veçantë brenda forcës politike që udhëhiqte Italinë e asaj kohe, Demokracisë Kristiane, por njëkohësisht kishte pozicion të rëndësishëm edhe direkt, brenda kupolës së Cosa Nostra-s.

Nga të dhëna të asaj dosje të cilat nuk janë më sekret dhe që ju e keni kaluar nëpër duar pa u bërë publike, Don Ciancimino,  përpara dhe gjatë fushatave elektorale dhe më pas, përpara mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Palermos, ishte i detyruar që të takohej me shefat e Cosa Nostras. Kjo për të bërë strategjinë, se si do të vazhdonin të mbanin pushtetin, e më pas për leje ndërtimi, licensa, punët e portit, mbetjet, etj. Kështu vazhdoi për rreth 20 vite, deri sa ajo lloj politike dhe qeverisje, nën presionin e popullit italian përfundoi aty ku e kishte vendin.

Ky “film”, kjo skemë e parë njëherë nga ju dhe gjithë bota, Zoti Ambasador, nuk ju ri vjen në kujtesë, kur mëson dhe di edhe më shumë se ne, se kryetari i bashkisë së Durrësit, funksionon njësoj si Ciancimino?!

A nuk takohej e komunikonte kryebashkiaku Dako me klanin mafioz Avdylaj, para e pas zgjedhjeve, për çështje votash?! Vëlla- njëri, e vëlla- tjetri, dreka e darka, punë të mbaruara në bashki?!

Dako i mbrojtur nga Rama dhe partia në pushtet, po njësoj Ciancimino në atë kohë të errët të Italisë?! 

Tani në këtë “kohë shqiptare”, që dolët dhe folët fortë kundër veprimit të detyruar dhe radikal të opozitës dhe të përshëndetur në shumicë nga qytetarët shqiptarë, shtrohet një pyetje për ju. Kur klasa qeverisëse në Italinë e atyre viteve, u dekonspirua si e bërë njësh me krimin e organizuar, u ngrit populli, por reaguan pa frikë deri në vetësakrifikim edhe një pjesë e politikës (dolën ligje speciale, por jo të tipi FUSHA), por veçanërisht struktura të pa kapura të shtetit ligjorë; dëshmorët  Falcone e Borselino, apo edhe ju dhe kolegët tuaj që përmendët te Blendi Fevziu;  Boris Giuliano, Nini Cassararo, Roco Canici, Emanuela Lori, etj.

Këtu prokuroria po bën të kundërtën, bllokon dosjen 339-1; është bërë palë dhe merr urdhra nga Rama e Dako.

Parlamenti që braktiset sot nga opozita, pasi u mbush me të ngjashëm të shokëve të Cianciminos, zgjedh me dhunën e shumicës së kartonëve atë, që duhej të bënte punën që bëtë ju dhe kolegët tuaj, në ato kohë në Palermo.

Pyetja është jo për ju si ish prokuror i antimafies që shkatërroi kartelin politik-krim të Italisë së asaj kohe, por si përfaqësues i vendeve më demokratike të Europës në Tiranë:

Nëse krimi i organizuar kap votën, parlamentin, qeverinë, median, biznesin, e të gjithë së bashku kapin “antimafien” (prokurorinë), atëherë për çfarë duhet opozita parlamentare?!

Nëse mendoni se Shqipërisë i takon përveç shpikjes suaj të ndyrë gjeopolitike, posaçërisht për Ballkanin (e quani stabilokraci), edhe klepto-krimo-kracia, atëherë ju dhe homologët e tjerë në Tiranë të paktën na e kurseni retorikën, për themele e demokraci stabile.

Nëse keni nevojë për një kthjellim, shkoni takoni Dakon në Durrës se përveç peshkut të mirë të servirur me “duar si akullore” është e sigurt, që do tu nxjerrë edhe mallin e simbolit të bashkëqeverisjes, krim-politikë në Itali, Don Ciancimionos! 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Bruno20/02/2019 21:33

E ke qare

krasasi tp20/02/2019 18:54

"A doni te dini kush jini,shikoni nga vini".(Soreka).Dini ndonji kryeminister qe pasi le postin , kthehet ne oligark?.Kush e gjen, do ti jap nje dreke.Po ju jap nje ndihme te vogel.Cfare ka ndodhur ne vitin 1992?.bastin mund ta fitoj komentuesi t.

Daj Jaku20/02/2019 16:59

Luigi Soreca nuk është më ai "luftëtari" i ri, i mbushur me entuziazëm rinor, me moralin e nderit në luftën kundër mafies antishtet. Përse ja kujtoni atë motin e shkuar, mendoni se i ka mbetur ndonjë pikë nostalgji për ato kohë heroike kur bashkëjetonte me rrezikun? Duke parë se si antishtetasit brigadistë si Mogherini dhe "i suoi compagni", ose si bax-hellat sorosiane si Lu e Vllahutin, Boldrini, Keyong e compania e tyre u bënë miliarderë duke rruar nga të katër krahët, bile edhe rrogat e majme qoftë nga BE si dhe nga Sorosi. Gjithashtu edhe mosha tashmë "e pjekur", me entuziazmin e fikur, e shtyjnë për të menduar seriozisht, për të siguruar "pensionin e artë" në ndonjë ishul tripikal, sikurse paraardhësit. Tek e fundit, nuk është e rastit që pozicioni i ambasadorit në Shqipëri është bërë qëllimi kryesor i jetës i shumë dipllomatëve, lobimi për atë post është gjigand, sepse rikthimi i investimit është shumëfish. Amerikanët nuk arrijnë dot të emërojnë ambasador në Shqipëri sepse lufta për këtë post është e llahtarëshme, çdo ide e hedhur nga stafi i Trump sulmohet më keq se Trumpi vetë, qoftë nga Sorosi plak dhe i biri me vath, bashkë me gjithë organizatën e tij të "demokratëve" me shalë hapur. Sepse Shqipëria është çiflig i Sorosit dhe e sorosianëve, EDrama, ERmutVeliaj, LindaRama, Mogherin, Soreca dora vetë etj, Lazarat tutje përpjetë, siç ka qenë do të jetë. Prandaj ne shqiptarët që e duam Shqipërinë nuk duhet ti japim rëndësi këtyre larove të huaj që nuk i rruhet fare për Shqipërinë dhe që janë të gatshëm ta shesin, të paktën po aq kollaj sa e bën EDrama vetë me langot e tij. As ata e as fëmijët e tyre nuk do vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri. Prandaj ne duhet të mendojmë vetë për fëmijët tanë, të huajt nuk e mendojnë.

Balo Bna 20/02/2019 16:40

Jo nje here Soreka,dhe nje here Skorçeka..
Me mire Luixhi Skorrexha.....

Xhoni20/02/2019 15:41

Se ka sherbyer nuk do te thote qe ka mbajtur anen e ligjig. Pse ka njerez si sore a ka ardhur ne kete derexhe sot Italia.

t20/02/2019 15:17

Eshte bere krahasimi me dakon sepse dolen ne shesh ato pergjime,por lal fik eri eshte eshte akoma me keq se dako duar akullorja

Shto koment

Denonco