Djegia e mandateve, ‘e keqja’ e domosdoshme

Djegia e mandateve, ‘e keqja’ e domosdoshme

Nga Andi Bushati - 18/02/2019

Vendimi radikal i PD për të djegur mandatet e deputetëve, si reagimi i vetëm për tu përballur me një qeverisje autokratike, ka ngritur dilema të mëdha brenda kampit opozitar.

Ata që kërkojnë vërtet një zgjidhje të ndershme dhe të drejtë (ku nuk bëjnë pjesë ata që kundërshtojnë më shumë se Ramën rivalët e tij) po bëjnë një mori pyetjesh:

Mos vallë do të dëmtohet opozita nga zëvendësimi i karrigeve të saj me modele salirexhepërish të paguar nga pushteti? Mos do të krijohet një parlament me 140 ushtarë të Edi Ramës? Mos po i dhurojmë kryerilindastit shumica të kualifikuara, që mund të vendosë nesër edhe për fatin e presidentit, kryeprokurorit, apo ligjeve të veçanta?

Mos po shkojmë drejt asgjësimit të opozitës? Mos po nxjerrim sytë në vend që të heqim vetullat? Mos po shtojmë dozat diktatoriale të një regjimi? Mos në vend që ta shkurtojmë po përjetësojmë pushtetin e liderit global? Mos po rrënojmë përfundimisht funksionimin demokratik të vendit?

Natyrisht për një vendim kaq të fortë, të gjitha këto dilema janë të përligjura. Ato bëhen edhe më të mprehta po të vihen në sfondin e një Europe të hallakatur, të një Amerike të çoroditur dhe të një pjese të madhe të opinionit këtu, që në vend që të rregullojë Shqipërinë, po mendon si e si ta braktisë atë. Pra risku, që në këtë kontekst, një pushtet i korruptuar moralisht dhe i pa kuruar mendërisht të degradojë edhe më, është i lartë.

***

Por, të gjithë ata që kanë këto frikëra, duhet ti bëjnë së pari një pyetje vetes: A kemi më se çfarë të humbim? A jetojmë sot në një pushtet demokratik? A duhet të jemi në paqe me status quo-në?

A është normale që pasuritë e vendit të ndahen mes 9-10 oligarkësh? A është normale që për koncesionet dhe PPP mos japë llogari askush? A është normale bashkëjetesa me një parlament që prodhon ligje ‘ad nominem’ për klientët e kryeministrit?

A është normale falja antikushtetuese e taksave me efekt prapaveprues përtej të cilës përfitojnë më të kamurit? A është normale që prokurorët e Tahirit dhe Gjushit të transferohen? A është normale që pas reformës në drejtësi, të kemi një kryeprokurore me votat e Ramës? A është normale që shoqja e saj e ngushtë, përqesh me shpërfillje atë zdapin e OMN-së dhe përdhos vettingun duke dalë e pastër? A është normale që të provohet me përgjime vjedhja e zgjedhjeve me anë të bandave dhe dosja të fshehet e askujt mos i hyjë gjemb në këmbë?

Ja pra, që kush merakoset për normalitetin dhe demokracinë gënjen veten duke dashur të ruajë vetëm iluzionin e tyre.

Sot kemi mbërritur në një pikë ku Edi Rama bën ç’të dojë dhe opozita vetëm mund të çirret në parlament në mënyrë të padobishme.

Ajo mund të flasë, të denoncojë, të fitojë beteja si ato për kanabisin, dekrinalizimin, PPP, vjedhjen me tendera, por, në fund, e gjitha reduktohet në një hiç, sepse fuqinë vendimmarrëse e ka vota që prodhon çamë në Dibër dhe shokë të Gjushit në Durrës.

Pra në këtë pikë, të kërkosh të bësh opozitarin brenda sistemit, duke shkuar si zyrtar në parlament, apo si kandidat në zgjedhje, është një farsë.

Prandaj nëse rruga e djegies së mandateve është një e panjohur e rrezikshme, kjo që kemi aktualisht është një letargji e sigurtë vdekjeprurëse. Pikërisht për këtë duhet ndërprerë.

***

Përpos dilemës, sa riskon opozita me këtë hap radikal, ka edhe një tjetër: çfarë përfiton ajo?

Le të jemi të qartë. Me rrugën e djegies së mandateve dhe daljes nga sistemi, askush nuk duhet të fërkojë duart për një fitore të shpejtë. Ajo është një kalvar sa i gjatë, po aq sa dhe i lodhshëm, që kërkon sa vendosmëri po aq dhe aq nevojë për vetëpastrim.

Por, ky radikalizim do të sjellë, si bonus të parë, një prerje si me thikë në shoqëri, mes atyre që vazhdojnë të mbrojnë të keqen dhe atyre që radhiten kundër saj. Dalja nga sistemi e opozitës do ta lërë Edi Ramën të vetëm përballë shqiptarëve. Ajo do ti vendosë ata para dilemës, ose ta mbajnë po aq gjatë sa Enverin, ose ta tërheqin zvarrë si statujën e tij.

Por, vetëm alibia ‘nuk më lë Flamuri me Starzimirin të jem kundër Ramës’, pas kësaj, nuk do të ketë më kuptim. Sepse hapja e këtij hendeku që provokon një debat kaq thelbësor, vështirë të lërë indiferente ndonjë qenie shoqërore të denjë për këtë emër.

Sepse pas kësaj prerjeje me thikë, diskutimi që do të gëlojë, nuk do të jetë se kush është më hajdut apo më kriminel mes Edit dhe Saliut, por, krejt e kundërta: a meritojmë ne të jetojmë në demokraci apo në diktaturë?

Një veprim kaq ‘ekstremist’ i opozitës, do të tërheqë drejt Tiranës edhe projektorët e ndërkombëtarëve. Natyrisht si fillim ata do ta anatemojnë PD-në, liderët e saj, do të ushtrojnë presion që mos e hedhë këtë hap, por nëse ‘gjëma’ ndodh, ata sado të hallakatur qofshin, do të fillojnë të kuptojnë se nuk mund të ngrihet një regjim autarkik, në një vend që aspiron për në BE.

Shembulli radikal i çadrës së dy viteve më parë, që pasi kërcënoi me bojkotin e zgjedhjeve, e çoi krizën shqiptare nga një çështje lokale ambasadorësh burokratë, në një dosje me të cilën u morën politikanët më me peshë të kontinentit, është prova më e mirë për këtë.

Një radikalizim i dytë, i sinqertë dhe serioz, krijon sërish mundësinë që autoritarizmi shqiptar të mos mbetet në sirtarët e diplomatëve të s’qullët të Tiranës.

Ai ka nevojë për ndërkombëtarizim të fortë.

Këto janë para dy anët e ndryshme të një vendimi të fortë, për ta nxjerrë opozitën nga sistemi.

Në thelb ata që djegin mandatet kanë shumë më pak për të humbur, sesa kanë shqiptarët për të fituar.

Prandaj nuk duhet hezituar për ta hedhur këtë hap.

Nëse si bëhet i sinqertë, jo si taktikë e çastit, jo sa për të kaluar lumin e radhës, të gjithë do të shpresojmë të shohim një ditë, dritë në fund të një tuneli të gjatë.

Nëse ai dështon e ardhmja është e njohur: do të vazhdojmë të jetojmë në një ‘demokraci’, ku gjithçka e kontrollon dhe e fiton Edi Rama.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

emigranti 18/02/2019 21:17

Akoma me keq do te ndodhe nese PD nuk e ka seriozisht, PD nuk do te egzistoje me. .

Kadriu18/02/2019 21:14

O legen e drodhe?
Se dje the qe Rama doli me i forte pas protestes

Manjola 18/02/2019 20:04

bla bla bla bla .Se keshtu te intereson ty Bushat te thuash tani. Neser do thuash dicka tjeter sipas interesit tend sigurisht.

Shto koment

Denonco