Djegia e mandateve shënon fundin e stabilokracisë

Djegia e mandateve shënon fundin e stabilokracisë

Nga Gentian Gaba - 17/02/2019

Që protesta e djeshme ishte një nga më të mëdhatë që është organizuar në tri dekadat e fundit, nuk pohohet vetëm nga opozita, por edhe nga heshtja e kundërshtarëve politikë, dhe kasnecëve të tyre mediatikë, të cilët e lanë mënjanë xanxën e kahershme të shifrave dhe pamjeve të vjedhura me fluturakët spiunë.

Basha e lexoi pjesëmarrjen si një referendum ndaj qëndrimeve të mbajtura nga Opozita dhe, për pasojë, sot bëri një deklaratë zhurmëmadhe e cila prishi limontinë e së dielës politike. “I kam propozuar grupit parlamentar të PD dhe forumeve më të larta të PD djegien e mandateve parlamentare”- tha kreu i demokratëve, duke nisur kështu njën kapitull të ri në jetën politike të vendit.

Pra, nga sot, kriza merrë trajta të panjohura, të cilat do të komentohen gjatë në ditët në vijim. Megjithatë, përpara se të mendojmë për trajektoret e fatit politik të vendit, duhet kujtuar edhe një herë arsyeja kryesore që prin atë varg akuzash të cilat po shtyjnë Bashën drejt radikalizmit të qëndrimeve. Ajo është “paqja e keqe” e vitit 2017, e cila prodhoi zgjedhjet e 25 qershorit, që shënuan apogjeun e krizës krim, para dhe administratë në funksion të tjetërsimit të votës.

Ky tashmë nuk është më një spekulim politik, nga pala e lënduar, por fakt i provuar nga përgjimet e prokurorisë dhe publikimet e “Zërit të Amerikës”. Pra, Parlamenti që lindi në 25 qershor, nuk duhet dhe nuk mundet të legjitimohet më. Prej dy vitesh mazhoranca po prodhon ligje, politikë të jashtme dhe politika ekonomike që nuk pasqyrojnë një produkt të mirëfilltë politik, pasojë e një dialektike të shëndetëshme mazhorancë-opozitë, por vendime autoritare të dala nga vullneti arrogant i një kryeministri që mbretëron i vetëm dhe vetëm për ata që i kanë siguruar atij fitoren.

Të tolerosh gjallimin e mëtejshëm të kësaj mazhorance do të thotë të lejosh kalcifikimin e kësaj situate, me kosto të paimagjinueshme për ardhmërinë. Si metaforë, për të ilustruar mbajtjen e “plaçkës së vjedhur” nga ana e mazhorancës, mund ta krahasojmë me situata të ngjashme në botën e sportit. Kush kapet në hile, apo me doping, dorëzon titullin dhe penalizohet; ndërsa te ne, në garën tonë elektorale, ata që “droguan” zgjedhjet, me paratë e hashashit, mbajnë me krenari mandatet e turpit.

Me “lojën” politike të prishur, ku kundërshtari gëzon një avantazh jo të ligjshëm, të vijosh të “luash” do të thotë të legjitimosh thellimin e pabarazisë në rezultate dhe një qeveri që nuk është nga populli, për popullin dhe me popullin; por nga niçet, për niçet dhe me niçet. E nëse nga njëra anë ky akt politik i Opozitës i jep goditjen përfundimtare një Parlamenti ilegjitim; nga ana tjetër shënon nisjen e një sfide edhe më të madhe, atë kundër “stabilokracisë”. Një term që përshkruan qasjen e Perëndimit kundruall politikës Ballkanike, duke mbështetur qeveritë që sigurojnë stabilitet në marrëdhëniet me jashtë, por brenda luhatet midis demokracisë dhe autoritarizmit. Ilustrimi më i mirë për të kuptuar këtë qasje vjen po ashtu nga protesta e djeshme. Kur protesta arriti klimaksin e saj, ambasadat e akredituara në vendin tonë bënë vrik apel për ndaljen e dhunës. Paradoksalisht, këtij apeli iu bashkua edhe Ambasada Franceze, e cila i kërkoi shqiptarëve të jenë “më francezë se francezët” që prej muajsh kanë braktisur çdo lloj mëshire ndaj pronës publike, kur bëhet fjalë për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Dhe kur “kërpudha” e Ramës vlerësohet më shumë se Harku i Triumfit, do të thotë që ka diçka tmerrësisht të padrejtë në stabilokracinë që po na imponohet. Për këtë arsye, nëse opozita do të çojë deri në fund aktin e saj, i cili bash me Ramën sfidon edhe qasjen hipokrite të ndërkombëtarëve, nuk do të ketë fituar vetëm ajo, por edhe qytetarët shqiptarë.

Të cilët kanë tridhjet vite që kërkojnë që ky vend të bëhet si gjithë Europa, dhe jo siç do Europa.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Lola20/02/2019 09:12

Bravo , ja vlen per ta lexuar!!

shqiptar18/02/2019 11:56

Nëse ka ndonjë deklaratë hipokrite të ndonjë ambasadori francez, apo ndonjë deklarate të shtrëmbërimit të së vërtetës të ambasadorit austriak, nuk më duket se mund të thuhet se kështu na do Europa.
Është një standart dipllomatik që gjithë ambasadat që përfaqësojnë ventin e tyre në shtete të ndryshme, në raste protestash të fuqishme, të bëjnë thirrje për shmangjen e dhunës.
Nuk duhet që me naivitet akoma të përgjithësojmë gjithë ndërkombëtarët apo gjithë Europën.
BE në maj të këtij viti do të zhvillojë zgjedhjet e reja të parlamentit europian.
Ndërkaq situata politike mbrenda BE ka përpjestime të dukëshme të acarimit ndërmjet palëve politike. Në një situatë të tillë, kur cilido shtet antar i BE, është përfshirë në përballjen e luftës politike të mbrendëshme, është e kuptueshme që ato nuk do të donin që të mereshin me ndonjë konflikt të dhunshëm në Shqipëri.
Fakti që kryeministri Rama, nuk po pritet më nga asnjë vend i BE, është një tregues i kjartë se BE nuk e mbështet ate.
Faktin që të gjitha ambasadat janë deklaruar se mbështesin protestat popullore si një dukuri e kulturës demokratike, nuk e zbehin thirrjet për përmbajtje nga dhuna.
Nuk besoj se shumica e popullit shqiptar që ka pasur kaq shumë viktima nga abuzimet me pushtetin, veçanërisht ate komunist, do të dëshironte ti kthehej revoltës së dhunëshme.
I vetmi politikan shqiptar që mund të evitonte një konflikt të dhunshëm me pasoja viktima të shumta, është kryeministri i papërgjegjshëm Rama, që nuk e kupton se bëhet qesharak kur pretendon se po qeveris me votat që i ka dhënë "populli", kur tashmë është dokumentuar. që këto vota i ka marë në rrugë të paligjëshme si Maduro i Venezuelës.
Nese ai ka një fije humanizmi e dhimbsurie për këtë popull të vuajtur, duhet të dëgjojë zërin e arsyes e të qindra mijë shqiptarëve që i kërkojnë dorheqjen..
Nese ai nuk e kupton që me këtë këmbëngulje e kryeneçësi do të ketë vetë pasoja të rënda, duhet të jenë ato 76 deputetë të "mazhorancës", që ti thonë mendjes për vete e të ndihmojnë edhe shefin e tyre se kjo rrugë të shpie në pikiadë në humnerë.
Nuk pijnë më ujë propogandat me fasada, kur qindra mijë qytetarë dalin e protestojnë kundër mjerimit e varfërisë, kanabizimit e trafikut të tij, politikave antisociale të një partie socialiste, vjedhjet e hapura të taksave të gjithë shqiptarëve, për të pasuruar 5-6 oligarkë.
Duhet bërë mirë hesapi se ndonëse në pjesmarje kjo protestë ishte më e madhja dhe më e organizuara në periudhën e tranzicionit tonë të gjatë, janë edhe dhjetra mijëra njerëz tejskajshmërisht të varfër e drobitur që nuk e patën mundësinë që ti bashkohen fizikisht kësaj proteste.
Padyshim se nëse Rama nuk do ta kupojë se po luan me zjarrin duke mos dhënë dorheqjen, protestat veç përqëndrimit në kryeqytet, do të përhapen edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë e nuk ka gjeneral Lleshi që t'ju bëjë derman.edhe sikur të fusë ushtrinë e jo më policinë.

Zamira 18/02/2019 04:53

Te lumte keto lloj mendje i duhen vendit tone te dale prej batakut!!

!

Ajo17/02/2019 22:56

Te lumte Z. Gaba!
Ju lexoj me shume kersheri sepse jeni nje opinionist i sakte logjikisht, konciz dhe teper elegant!

Shto koment

Denonco