Sistem proporcional kundër oligarkisë

Sistem proporcional kundër oligarkisë

Nga Kastriot Islami - 14/02/2019

Arritja e konsensusit për një sistem të ri zgjedhor mund të ishte një atu për opozitën.

Një sistem zgjedhor që do të fuste në konkurrim shumë nga partitë e ‘vogla’ parlamentare dhe jashtëparlamentare.

Një sistem i tillë elektoral që do të zmadhonte numrin e partive opozitare, jashtë e brenda parlamentit, i shoqëruar me një paketë masash ‘konsensuale’ do të çonte në zgjedhje të lira e të ndershme të gjithëpranuara.

***

Gjatë kohëve të fundit është shtruar shpesh pyetja:

A duhet të ndryshojë sistemi elektoral?

Këtë pyetje apo më saktë kërkesë e kanë shtruar të gjithë partitë përvec PS e PD.

Madje shumica e partive parlamentare dhe joparlamentare, ‘të mesme’ dhe të ‘vogla’, përvec PS e PD, kanë qënë vazhdimisht kundër sistemit elektoral me të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri që nga viti 2009.

Sistemi zgjedhor mund të ketë shans të ndryshojë vetëm në dy raste:

a) Nëse të gjithë partitë ‘mesme’ dhe të ‘vogla’, parlamentare e joparlamentare, bashkohen të gjitha dhe nga sondazhet rezultojnë të kenë më shumë vota se sa shuma e votave të PS e PD të marra së bashku. Në këtë rast të gjithë këto parti do të fitonin legjitimitetin dhe ‘forcën qytetare’ për të ndryshuar edhe sistemin zgjedhor dhe për të kërkuar në mënyrë të unifikuar një sistem zgjedhor të ri. Kjo është një ngjarje e vështirë por jo e pamundur për të ndodhur.

b) Nëse të gjithë partitë e ‘e mesme’ dhe të ‘vogla’, parlamentare dhe joparlamentare,  arrijnë të bindin njërën nga partitë kryesore PD ose PS, që të pranojë propozimin e tyre dhe të gjitha së bashku të krijojnë një ‘front’ për të kërkuar një sistem të ri zgjedhor. Gjasat më të mëdha në këtë rast për të bindur do ti kishte PD, si partia kryesore opozitare dhe që ka si objektiv bashkimin e të gjithë kontributeve për ‘ndryshim’.

Në këtë rast PD dhe të gjithë ato parti ‘të mesme’ dhe ‘të vogla’ që do të bashkoheshin për të formuluar sistemin e ri zgjedhor do të mund të ishin efikas nëse do të ndërtonin një platformë adekuate për arritjen e këtij objektivi. Kjo platformë do të shërbente njëkohësisht edhe për bashkimin e të gjithë forcave politike anti-qeveritare të cilat vazhdojnë të mbeten skeptike për shkak të dyshimeve që kanë për një ‘marrëveshje PS-PD’, ndër të tjera edhe për të ruajtur të pandryshuar sistemin elektoral.

Bashkimi i PD në këtë ‘Front për një sistem të ri zgjedhor’ do të hidhte në erë edhe teoritë konspirative edhe lojën tinëzare të Ramës që gjatë gjithë kohës që nga marrëveshja e 18 majtit 2017 tenton të krijojë përshtypjen e ‘bashkëpunimit të fshehtë PD-PS’.

Bashkimi i PD me të gjithë forcat politike, ‘të mesme’ e të ‘vogla’, parlamentare dhe joparlamentare, për hartimin dhe miratimin e një sistemi të ri zgjedhor, do të thyente këtë dyshim dhe do ti hapte rrugën krijimit të një ‘fronti të madh politik’ që ose do ta linte PS të vetme kundër të gjithëve ose do ta detyronte edhe PS ti bashkohej kësaj nisme duke cuar kështu në miratimin me konsensus të sistemit të ri zgjedhor.

***

Disa nga piketat kryesore të platformës së ‘Frontit për sistemin e ri zgjedhor’, që do të kërkonin konsensusin e  do të gjithë forcave politike përbërëse të këtij fronti do të duhet të ishin:

 

  • Dekriminalizimi i kuvendit, pra aplikimi rigoroz i ligjit për integritetin e figurës së kandidatit për deputet, për të mos lejuar asnjë individ me rekorde kriminale të ulej në karrigen e kuvendit;
  • Vetingu politik, pra mos lejimi si kandidatë për deputet  i të gjithë atyre individëve  që do të rezultojnë të lidhur me krimin dhe trafiqet;
  • Pastrimi i kuvendit nga oligarkia dhe të korruptuarit, kriteret për të cilin duhen të saktësohen ndërkohë që SPAK dhe BKH duhet të jenë mekanizmat e pastrimit;
  • Pastrimi i kuvendit nga të paaftët dhe të gjithë ata që kanë abuzuar me diplomat dhe gradat e titujt shkencorë; edhe në këtë rast do të kishte nevojë për hartimin e disa kritereve dhe filtrave përkatës si dhe për përcaktimin e mekanizmave adekuatë;
  • Futja në procesin zgjedhor e identifikimit biometrik dhe e votimit/numërimit elektronik; kjo do të duhet të çonte automatikisht në depolitizimin e komisioneve zgjedhore nga KQZ deri në KQV;
  • Përcaktimi i një sistemi të thjeshtë të financimit të fushatës elektorale, i barabartë për të gjithë forcat politike, mundësisht i bazuar vetëm financime nga buxheti i shtetit, me shpenzime të thjeshta e minimale dhe me një sistem auditimi shumë serioz e strikt të shpenzimeve elektorale.  Kjo të largonte njëkohësisht shumë nga bizneset klienteliste nga zgjedhjet.
  • Përcaktimi i masave të thjeshta e të sakta për të mos lejuar përdorimin e burimeve financiare dhe mjeteve të administratës publike, qendrore e vendore, gjatë fushatës elektorale;
  • Futja e një sistemi elektoral proporcional kombëtar, me ‘prag natyral’ (thënë ndryshe pa prag juridik) dhe me lista të hapura; ndërkohë që detajet e tjera  (pranimi ose jo i koalicioneve zgjedhore dhe tipet e tyre, formulat e transformimit të votave në mandate parlamentare, tipi i fletës së votimit dhe mënyra e votimit, e tjerë) mbeten për tu përcaktuar.

Duhet patur parasysh nga të gjithë partitë përbërëse të ‘frontit kombëtar për një sistem të ri zgjedhor’ që kalimi në një sistem zgjedhor proporcional kombëtar, me ‘prag natyraL’ dhe me lista të hapura, do të ishte efikas vetëm nëse e gjithë kjo platformë do të aplikohej integralisht.

Kjo paketë do reduktonte në maksimum për të mos thënë do të eliminonte plotësisht të gjithë dukuritë negative që karakterizojnë kuvendin aktual, duke i hapur rrugën legjitimitetit të kuvendit të ardhshëm dhe pranimit të rezultatit zgjedhor unanimisht nga të gjithë forcat politike.

Madje në varësi të përzgjedhjes së sistemit elektronik të votimit/numërimit do të bëhej e mundur që rezultati i zgjedhjeve dhe përcaktimi i kandidatëve fitues për deputet të bëhej veçse  disa minuta pas përfundimit të zgjedhjeve, pra jo më vonë se 5 minuta pas mbylljes së të gjithë qendrave të votimit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp14/02/2019 20:21

Profesor i "fizikes se trupave te ngurte".Si kryeparlamentar i parlamentit te pare pluralist, kini kontribuar
me se shumti me grupin e profesorve te shkencave te natyres dhe nje grupi te profesorve te ekonomikut qe ti jepnit sistemit te ri politik formen dhe permbajtjen e nje sistemi hibrid.Kush sygjeronte platforma te tjera te perafrimit me te shpejte me komunitetin perendimor ,ua"ngrite buzqeshjen ne buze".Kush guxonte me shume i kercenonit, se do u thyenit kafkat.U kujdeset posaçerisht te pengonit konkurimin politik dhe zhvillimin e konkurences si baze e zhvillimit te kapitalizmit, duke e kontrolluar dhe komanduar qe te zhvillohej, brenda suazes se "gardhit"qe e kontrollonit me te forte, e me miqte tuaj te vjeter e te rinj.tashti me gjasme "godisni"oligarket ne nje kohe kur vet i rritet e i verselitet.Askush nuk besoj ka dyshim per kete.Ajo qe qytetaret mund te ndajne, eshte se kush qendron, para dhe pas çdo oligarku.Besoj mendje profesoresh dhe politikanesh te kazanit, duhet te jete sulmi i pa preçedent qe u krye ndaj prones private, ngrirjes se çdo informacioni mbi regjistrat e gjendjes civile dhe çdo informacioni mbi pronat.Populizmi dhe nevoja per dominim,per para e pasuri, ju afroji me mafjen e kriminelet,aq sa ju largoji nga perendimi,u afroj me lindjen.Nderkohe qe vini xhiro si "kali ne lem rreth strumbullarit", qytetaret largohen.Ankoheni se ska investime te huaja dhe punesim, kur kesaj ja keni ber ysmetin per tre dekada me radhe.Torolliseni çdo fryme opozitare, dhe debatin per reforma dhe integrim,spostoheni drejt fasades, "grindjes" dhe "pajtimit".Ju ne fakt te pajtuar jeni.Pajtimin tuaj me qytetaret, qe tash po e kerkoni, besoj do tua ofrojne nderkombetaret , nepermjet Reformes ne Drejtesi.E bekuar qofte.

Shto koment

Denonco