Rini që bën histori

Rini që bën histori

Nga Erion Piciri - 12/02/2019

Rreth gjysëm shekulli më parë, më 16 janar të 1969-s, Jan Palach, një student i Univerzita Karlova të Pragës (universiteti më i vjetër i Europës Qëndrore, i themeluar më 1348-n), vendosi t'i jepte fund studimeve dhe ëndrrave të rinisë duke i vënë flakën vetes në qendër të kryeqytetit. Në letrën e tij dërguar Unionit të Shkrimtarëve të Çekosllovakisë dhe të lexuar në shesh përpara vet sakrifikimit, ai kërkonte të zgjonte ndërgjegjen kombëtare kundër pushtimit sovjetik të vendit të tij, kundër mungesës së shpresës dhe lirisë, kundër censurës dhe për ndalimin e shpërndarjes së Zprávy-t, gazetës propagandistike të komunistëve çekosllovakë. Palach apelonte për vijimin e reformave që liberalizonin sistemin dhe për një mbështetje nga poshtë, duke dhënë shembullin personal në këtë drejtim(http://www.janpalach.cz/en/default/archiv/kniha). Tre ditë më vonë nga plagët e marra i riu 21 vjeçar u nda nga jeta. Akti sublim e ktheu në një hero kombëtar, në burim frymëzimi për rezistencën ndaj komunizmit sovjetik, në atë kohë dhe dekada më vonë.

Rinia ka shkruar faqe të arta në histori, ka luftuar me kurajë dhe idealizëm për kauza të drejta të shoqërisë, por ka pasur edhe raste kur është keqpërdorur, i ka shërbyer me devotshmëri regjimeve diktatoriale apo kastave korruptive. Ky shkrim ndalet tek tipologjia e rinisë, klima e formësimit dhe profili i saj i dëshiruar. Sa herë shoqëritë kanë nevojë të ngjiten drejt nivelesh më të larta apo të ndalin rrëshqitjen drejt humnerave të abuzimit të pushtetit dhe pasigurisë, shohin nga rinia si aktor vendimtar i ndryshimit. Kombinimi i fuqisë, mendësisë dhe guximit ka ndryshuar jetën e njerëzve dhe kombeve në histori.

RINI IDEALISTE, KURAJOZE DHE TRANSFORMUESE NË HISTORI

Rasti i Jan Palach është mishërimi i ndërgjegjes, kurajës dhe nxitjes së transformimit shoqëror. Bota nuk mund të jetë si më parë, përpara sakrificash të tilla. Kështu ndodhi edhe në atë mes dimri në Çekosllovaki. Vetëflijimi i tij nxiti një valë protestash në të gjithë vendin. Ndonëse u shtypën, disidenca e të rinjve intelektualë nuk u ndal. 20 vjet më vonë, më 16 janar të 1989-s, në nder dhe kujtim të heroizmit të tij filloi java e Palach-it, protesta që ndonëse u përballën me brutalitetin policor i hapi rrugën në nëntor të '89-s, në të njëjtin shesh, revoltës së studentëve të Pragës që shpërthyen Revolucionin e Kadifenjtë. Kjo hodhi regjimin bolshevik dhe për një muaj ngjiti në pushtet shkrimtarin disident, aktivistin e të drejtave të njeriut dhe ish-të burgosurin politik Václav Havel.

Akte të guximshme kundër rrymës sunduese, në kohë vështirësish dhe represioni qartësojnë shoqërinë për një alternativë lirie dhe bëjnë dallimin midis heronjve dhe impostorëve, idealistëve dhe oportunistëve, disidentëve dhe të rreshtuarve deri në fund mbas regjimeve. Heshtja, përulja dhe bashkëfajësia nuk janë totale kur idealistët e guximshëm bëjnë diferencën. Kështu kombet shpëtojnë duke gjetur më pas ndryshimin tek e keqja më e vogël, tek militantët oportunistë të regjimeve që për pushtet konvertohen në misionarë të demokracisë. Jo më kot ndryshoi rrugëtimi i Europës Qëndrore nga ai i disa vendeve të Europës Lindore dhe Republikave ish-sovjetike. Non-konformizmi intelektual, kurajua për të rezistuar ndaj regjimit bënë diferencën. Asnjë sakrificë nuk shkon dëm. Herët a vonë heroizmi i paraardhësve thërret në akte të ngjashme të pasardhësve, krijohet tradita dhe simbolika, rritet motivi dhe bindja se me përballje gjërat mund të përmirësohen. Aty ku e lë stafetën një gjeneratë, e merr në dorë tjetra dhe lufta nuk ndalet derisa ndryshimi bëhet realitet.

Rasti heroik i Jan Palach-it nuk është i vetëm. Rinia është ngritur kundër juntave ushtarake, kundër sistemeve të diskriminimit racial, kundër luftërave pushtuese, kundër teokracive represive, kundër sistemit nazist dhe komunist, kundër korrupsionit dhe inkriminimit të shtetit, kundër një diktatori apo pushtetari të korruptuar, e për sa e sa çështje të tjera me interes të gjerë publik. Asnjëherë e sigurtë për jetën, por gjithnjë e bindur tek drejtësia e kauzës, e ndërgjegjësuar për t'i dalë zot vetes dhe shoqërisë. Kështu rinia studentore doli në protestë në 1956-n në rrugët e Budapestit dhe ndezi shkëndijën e revolucionit antisovjetik, u ngrit në Meksiko Siti në '68-ën kundër represionit qeveritar, për lirinë universitare dhe lirimin e të burgosurve politikë, u ngrit në po atë vit në Universitetin e Parisit (Sorbonës) për të drejtat e saj, u ngrit në vitet '60-70 në universitetet e Shteteve të Bashkuara kundër pushtimit të Kamboxhias dhe luftës së Vietnamit, u ngrit në nëntor 1973 në Universitetin Politeknik të Athinës kundër juntës ushtarake të Papadhopulos, u ngrit në Afrikën e Jugut në '76-n kundër aparteidit, u ngrit në Universitetin e Prishtinës në mars 1981 dhe ndezi revoltën kombëtare të shqiptarëve për shpalljen e  Kosovës Republikë, marshoi në Sheshin Tiananmen të Pekinit në prill të 1989-s kundër regjimit komunist kinez, u ngrit në Universitetin e Tiranës në dhjetor të 1990-s për pluralizmin politik, u ngrit në Xhakarta të Indonezisë në vitin '98 për ekonominë dhe dorëheqjen e presidentit, u ngrit në Universitetin e Teheranit në vitin '99 për mos mbylljen e një gazete reformiste, u ngrit në Kili në 2011-2012-n për shtimin e fondeve të arsimit publik dhe së fundi u organizua në rrjetet sociale në tetor 2015 dhe detyruan dorëheqjen e qeverisë së Victor Ponta-s duke i dhënë protestës së rrugës një rol vendimmarrës në luftën antikorrupsion e për shtet ligjor. Të ndryshëm në raca dhe etni, në kontinente, gjenerata dhe periudha kohore, të gjithë i lidh vetëdija e lartë për transformim shoqëror pa pyetur për kostot e revoltës. Nga historitë e tyre kupton se jo të gjithë jemi të barabartë - disa prej nesh me mendje dhe vepra mbetën më të gjallë me luftën e tyre heroike se shumë të gjallë që e çojnë jetën dëm.

Të rinjtë ngado ndjehen më të fortë e të frymëzuar nga këto përballje me regjimet, shumë pushtetarë ndjehen të frikësuar nga përballja me rininë. Forca, prestigji dhe përkrahja për rininë buron nga aktet e idealizmit dhe vetëmohimit, tek ndjeshmëria dhe solidariteti që bota universitare ka treguar ndaj shoqërisë në udhëkryqet e historisë. Veçse duhet ditur se përkrahja e njerëzve nuk duhet marrë e mirëqenë. Nëse nuk ngrihesh dot në nivelin e pritshmërive, të atij modeli që ata të perceptojnë, shumë shpejt zë vend zhgënjimi. Njerëzit priren të mbështesin kauza dhe lëvizje të drejta, me impakt të gjerë shoqëror, çështje rinore të ndërlidhura me evolucionin e vendit ku jetojnë. Njerëzit priren të mbështesin të paepurit, që kanë qëllime gjithëpërfshirëse me dobi sociale, vendosmëri për të luftuar deri në fund, që krijojnë bindjen se japin gjithçka për t'ia dalë. Të pavendosurit dhe hileqarët nuk i respekton kush. Luftëtarët imponojnë vlerësim edhe tek kundërshtarët. Për këtë, kush i hyn përballjes, mos mendojë rrugë tjetër veç triumfit total të kauzës. Kush del nga lufta pa fitore, të përgatitet për një të nesërme edhe më të zymtë se e sotshmja, kush nuk është i përgatitur të paguajë çmimin e lirisë dhe mirëqenies, vështirë të arrijë synimet, të mbështetet e të shkruajë një faqe për tu kujtuar gjatë në histori. Pozicionimi dhe domethënia e akteve luajnë rol në jetë. Në momente kyçe testohet pjekuria, popujt nderojnë aktet e guximshme për mbrojtjen e interesave publike.

Ka pasur raste kur lëvizjet rinore janë ndjerë të abandonuara nga publiku se besimi ka qenë i minuar, se më të shumtët e të rinjve kanë krijuar hije dyshimi duke bashkëpunuar me regjimet.

RINI E INDOKTRINUAR NË SHËRBIM TË REGJIMEVE DIKTATORIALE

Në kohën kur Jan Palach dilte kundër regjimit në Pragë, miliona të rinj të tjerë nxitonin t'i bashkoheshin diktaturave nga Berlini Lindor, Bukureshti, Sofia e Tirana, Moska, Pekin dhe deri në Havana. Energjia rinore në shërbim të regjimeve dhe diktaturave ka qenë një tragjedi për kombet. Jo pak herë nga shpresë është kthyer në zhgënjim. Në shumë raste rinia masivisht ka përqafuar ideologji si fashizmi, nazizmi, komunizmi e deri tek fundamentalizmi fetar. Ajo është kthyer masivisht e me vetëdije në vegël regjimesh, në një kobure në dorën e tyre, e vendosur në shërbim të idealeve të gabuara, të vlerave të munguara, të luftrave rrënuese, duke lënë gjurmë turpi në histori. Me çfarë mund të krenohet një rini që mbajti mbi supe Musolinin, Hitlerin, Stalinin, E. Hoxhën, Ceausescu-n dhe sa e sa regjime të shekullit të XX dhe XXI. Rini që furnizoi me energjinë e moshës diktatura, luftra të përgjakshme dhe sa e sa drama njerëzore. Rini që u vu në shërbim regjimesh gjakatare dhe shkoi në plumb minoritete, kreu pushtime dhe spastrime etnike. Rini që shkrepi pushkën dhe vrau intelektualë, gazetarë dhe patriotë, vetëm e vetëm se nuk konformoheshin me regjimet e kohës. Rini që me hov revolucionar shembi objekte kulti dhe persekutoi klerikë, goditi trashëgiminë kulturore që njerëzit kishin ndërtuar ndër shekuj.

Të mendosh se shembja e mbi 2 mijë objekteve të kultit në Shqipëri, pjesë e rëndësishme e historisë dhe trashëgimisë kombëtare qindra vjeçare të shqiptarëve, u nis përmes përdorimit të rinisë gjimnaziste të Durrësit, që kërkonte me anë të një peticioni (1967) të ndizte luftën ndaj shfaqjeve të huaja, kundër klerikëve dhe kundër përdorimit të simboleve fetare. Rinia komuniste e kohës u ngarkua dhe u vu me zell në shërbim të diktaturës për të zhdukur forcërisht besimin nga jeta e shqiptarëve dhe për të instaluar republikën e parë ateiste në botë. Një qasje që reflektonte rolin e "Gardës së Kuqe" kineze, e formuar fillimisht nga rinia studentore e Pekinit dhe që u bë më vonë krahu i hekurt i udhëheqësit komunist Mao Zedung (Mao Cedun) në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez, në vitet 1967-77. Radikalizmi studentor kundër asaj që e konsideronin elitizëm dhe shfaqje borgjeze u mbështet nga Mao dhe filloi kështu një luftë e egër klasash, për të fshirë memorien historike para komuniste, fenë dhe shkrimet e shenjta, deri edhe gjurmët e antikitetit. Miliona të rinj në mbarë vendin çuan përpara luftën e liderit suprem kundër historisë, kundër kulturës dhe traditave të hershme kineze. Rininë që e kap marrëzia, që vepron pa menduar, që bëhet promovuese e shkatërrimit të vlerave, harmonisë dhe kohezionit social, kthehet nga zgjidhje në problemin madhor të shoqërisë.

Kjo lloj rinie i dha oksigjen edhe regjimit nazist. 'Të Rinjtë e Hitlerit', organizata rinore e nazistëve, nga njëqind mijë përpara marrjes së pushtetit, arriti në mënyrë vullnetare në disa miliona përgjatë qeverisjes së tij. Kontributi i tyre ishte substancial, shumë syresh duke qenë pjesë e frontit të Luftës së Dytë Botërore. Ata iu nënshtruan indoktrimit racist të nazistëve dhe ishin të pakët ata që dolën kundër rrymës. Rini që pa krimet me të tmerrshme të historisë njerëzore, por heshti dhe ekzekutoi me gjakftohtësi pa vrasje ndërgjegjeje. Akt i rëndë të mos reagosh madje edhe të ndihmosh që e keqja të përparojë, zbrazëti mendore dhe kulturore kur nuk kupton se ç‘është e drejta, e ndershmja dhe e moralshmja, mungesë karakteri kur e kupton por për përfitime personale i bashkohesh së padrejtës dhe të pandershmes dhe nuk ke vrasje ndërgjegjeje të shkaktosh drama njerëzore dhe kombëtare.

Megjithatë, edhe në netët më të errëta të historisë del në dritë një fije shprese, një mirësi që ruhet thellë në mendjen e njeriut. Ka edhe rini që nuk ndikohet nga forca e regjimit apo rrjedha e turmës. Ajo orientohen nga disa vlera dhe të drejta të patjetërsueshme të individit, nga një lartësi që duhet të ngrihet qenia njerëzore në raport me të tjerët. Këtë nuk ta mëson apo transformon asnjë pushtet a propagandë, nëse ke arritur të mëkohesh me vlerat më të mira të familjes, kombit dhe më të vyerës së universales. Kështu ishin ata të lëvizjes "Trëndafili i Bardhë", e krijuar në Universitetin e Munich-ut në 1942, si reagim ndaj genocidit nazist kundër hebrenjve. Në Muzeun Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara do gjejmë të përshkruar më së miri humanizmin, idealizmin dhe kundërvënien ndaj regjimit hitlerian të këtij grupimi të vogël gjermanësh me zemër të bardhë dhe mëndje të hapur. Hans Scholl, një student mjekësie, ish-ushtar në frontin e lindjes, i kishte parë këto krime ndaj hebrenjve polakë dhe bashkë me disa të tjerë donin të sensibilizonin shoqërinë gjermane. Ata filluan të dërgonin fletëpalosje ku kërkonin rebelimin e studentëve dhe sabotimin e industrisë së luftës. Aktiviteti i tyre u zbulua, u arrestuan dhe më 22 shkurt 1943, motër e vëlla, Hans dhe Sophie Scholl u ekzekutuan. Të njëjtin fat pati edhe udhëzuesi i lëvizjes, profesori i filozofisë Kurt Huber dhe të gjithë anëtaret e grupimit (https://encyclopedia.ushmm.org/content/en/article/white-rose). Idealizmin dhe altruizmin e paguan me jetën e tyre. Një vdekje me nder që i lartëson në panteonin e historisë njerëzore, krahasuar me qindra mijë të rinj të tjerë gjermanë (dhe shumë të tjerë anembanë botës) që u vranë për kauza kriminale që nuk i kujton kush se u rreshtuan në frontin e gabuar, se i turpëroi mungesa e ndërgjegjes dhe vlerave të konsoliduara, e kurajës për të ngritur zërin në kohë dhe për t'i thënë jo një regjimi kriminal.

Jo çdo lloj rinie është një e një ardhme e garantuar, një e ardhme e ndritur për kombet e tyre. Një rini e formuar me vlerat më të mira njerëzore po, por një rini e paditur, e keqformuar, me shpirt të kompromentuar kthehet në problemin madhor të një kombi. Në këtë kategorinë e fundit, hyjnë edhe një pjesë e rinive të kohës tonë, që në sisteme të hapura dhe më të lira se diktaturat, zgjedhin të bëhen pjesë e pushteteve të inkriminuara, e plaçkitjes së organizuar të kombeve të tyre.

RINI E KOMPROMENTUAR - BASHKËPUNËTORE E KASTAVE AUTORITAR-KORRUPTIVE

Çdo vit organizatat ndërkombëtare japin të dhëna dhe rankime për të gjitha vendet e botës. Kështu për shembull, raporti i fundit mbi korrupsionin i Transparency International, vë re se 2/3 e vendeve (120 nga 180 vende) bien në gjysmën e poshtme të perceptimit të korrupsionit, në segmentin e vendeve të korruptuara dhe shumë të korruptuara. (https://www.transparency.org/cpi2018). Raporti i fundit i Freedom House, evidenton se 107 nga 195 vende (55%) janë pjesërisht apo jo të lira. Këto vende përfshijnë një popullsi prej 4.5 miliard njerëzish apo 61% të banorëve të Tokës (https://freedomhouse.org/report/freedom-world-2018-table-country-scores). Sa prej tyre janë të rinj që nuk dëgjohen të shprehin mospajtim, ta ndryshojnë këtë realitet? Sa prej tyre jetojnë në vende që dje hodhën komunizmin, por sot nuk ngrihen të çlirohen prej kastave autoritar-korruptive të postkomunizmit? Disave u mungon lidhja e fortë me vlerat universale, disave u pëlqejnë vlerat por kanë frikë të rrezikojnë për to, disa nuk i lidhin këto vlera me atë që mund dhe duhet të realizojnë në bashkëpunim me të tjerët, u mungon ambicia të ndërtojnë diçka të qenësishme e të qëndrueshme me jetën e tyre. Një pjesë e konsiderueshme janë kthyer vullnetarisht në vegla klanesh korruptive. Kjo është edhe çështje tradite. Kur nuk di ç’kërkon dhe ndryshimi vjen si lëvizje në modë, rikthimi në rrugën e vjetër të duket shpëtim, kur në fakt është dështim për t’u ngjitur në një stad më të lartë kulturor dhe zhvillimor.

Kështu ndodhi me postkomunizmin e disa vende. Rruga e shpresës devijoi në një model autoritar-korruptiv dhe rinia rendi të marri frytet e bashkëpunimit dhe mirëmbajtjes së sistemit. Si dikur kur organizatat rinore ruanin me fanatizëm komunizmin, shumë forume të sotme rinore ruajnë klanet politike të postkomunizmit. Ka një mendësi të përhapur gjerësisht që shprehet më së miri nga një politikan i ri me mendje të vjetër të një vëndi ish-komunist: 'çfarë do ishim ne pa partinë'.  Ka vende në proçes zhvillimi që partitë janë kthyer në kazerma, ku anëtaret e rinj ekzekutojnë si ushtarë të bindur vendimet e eprorëve, me shpresën se një ditë kontributi do përkthehet në privilegjet e pushtetit. Ka ende vende që vuajnë pasojat e një rinie që hyn në çeta partiake për të mira individuale, me ambicie karriere dhe pasurie të pamerituar, që toleron aktet korruptive, ushtrimin abuziv të pushtetit apo bëhet palë në cënimin e rendit ligjor e demokratik. Në moshën e njohjes me gjenialitetet e kulturës botërore dhe majave të jetës profesionale, i riu partiak njihet me doktrinën e dishepujve të kleptokracisë. E trishtë. 'Nëse nuk e bën këtë pakt, nuk mbijeton gjatë në këtë sistem', do të dëshmonte me sinqeritet, një zv.ministër i ri që vinte nga forumet rinore. Duket se kjo nuk është e rastësishme, por një sëmundje e vendeve në tranzicion nga prapambetja drejt zhvillimit. Rreth 50 vite më parë, Samuel Huntington kishte vënë re dallimin midis rrugëtimit të të riut amerikan dhe atij të botës në proces modernizimi. "Në shumë vende në proces modernizimi, është më lehtë për një të ri të aftë dhe ambicioz të bëhet ministër në rrugë politike, se të bëhet milioner në rrugën e biznesit. Si rrjedhojë, në drejtim të kundërt me praktikën amerikane, vendet në proces modernizimi mund të pranojnë si një praktikë normale dhe gjerësisht të përhapur përdorimin e funksionit publik me qëllimin e të bërit pasuri personale". (Samuel P. Huntington, Political Order in Changing Societies, Yale University Press, 1968, p. 66). Shumë të rinj bien pre e këtij shtrati kulturor ku rrjedhin punët prej shekujsh dhe i hyjnë politikës për përfitime, në moment që duhej të ishte ndryshe.

Tek çdo njeri vlon dëshira për status, përkatësi dhe evidentim, veçse kjo nuk duhet arritur me çdo çmim. Nuk ka gjë më të turpshme se kur të besohet drejtimi i një detyre publike dhe ti e kthen në çiflig personal, ku grabit të ardhurat e përbashkëta dhe tranzaksionon të mira për interesa personale dhe klanore. Shitja e shpirtit për para, karrierë dhe pushtet dëmton rëndë karakterin, besimin dhe rrugëtimin afatgjatë drejt suksesit. Sukses do të thotë të ngjitesh lart e me nder, të jesh kontribues i një produkti që ua bën jetën njerëzve më të mirë, mos zhgënjesh kurrë besimin e dhënë, mos prekësh për asnjë arsye pasurinë dhe interesat publike. Suksesi nuk mund të konsiderohet grabitja në grup, pjesëmarrja në veprime fitimprurëse në kurriz të mbarë shoqërisë. Sukses nuk mund të jetë nxjerrja e përfitimeve duke afruar ndarjen, dobësimin apo cënimin e prestigjit të atyre që rrezikojnë gjithçka me idealizëm. Asnjë shoqëri nuk mund të bëhet kur me lehtësi tradhtohet dhe me vështirësi ruhet besnikëria. Drama e një komuniteti rinor apo edhe një populli është mungesa e ndërgjegjes për çështje përtej interesit personal, vështirësia e unitetit dhe lehtësia e përçarjes për çështje të qenësishme me interes publik, sakrifikimi i kauzave të përbashkëta për përfitime individuale, mungesa e reagimit kur nuk cënohet direkt xhepi apo mirëqenia familjare, reagimi në nivel bazik për çështje mbijetese dhe jo kur shkelen të drejtat, vlerat dhe normat e një shoqërie të shëndetshme dhe të civilizuar. Ka rini që nuk kupton lidhjen organike që individualja ka me kolektiven, se si kultura e organizimit, reagimit dhe virtytit shoqëror hap rrugën e suksesit apo dështimit të një individi dhe shoqërie në tërësi.

Ka edhe një kategori tjetër të rinjsh, të frikësuar dhe nënshtruar, që miratojnë në heshtje apo indiferencë degradimin e vendit të tyre. Një ndër sfidat më të mëdha të njeriut është përballja me opinionin publik, me forcën e shumicës dhe pushtetit. Kush e kalon këtë përballje fiton vetveten. Siç do vërente John Locke, ligji i opinionit apo prestigjit ushtrojnë një forcë më të madhe se ligji hyjnor. Kanë kaluar afro 350 vjet dhe shumë njerëz nuk e kanë fituar lirinë për të qënë autentikë. Disa kanë frikë nga vetmia, nga të qenit në pjesën minoritare të opinionit apo qëndrimeve, larg gardhit të ushqyeshëm dhe autoritar të pushtetit. Për këtë disa syresh janë gati të mbyllin gojën dhe frenojnë funksionimin e mendjes. Një autocezurë e mendimeve, sjelljes dhe veprimeve për të mos provokuar një goditje nga njerëzit dhe grupet me pushtet, paralizon ecurinë e individit dhe të vendit. Kompleksi i frikës nga pushtetari është shkaku i të gjithë problemeve të qytetarit, thelbi i varësisë, nënshtrimit dhe abuzimit që i ndodh çdo njeriu. Sa larg është një rini e trembur, e heshtur dhe e bindur e kohës tonë nga ata të rinj që nuk i përkuli as diktatura. Zhelyu Zhelev ishte një i ri i botës universitare që jetonte nën regjimin komunist të Bullgarisë, por në punimin e tij të dizertacionit nuk pranoi të hiqte pjesët ku kritikohej leninizmi. U përjashtua nga universiteti dhe kaloi shumë vite si i papunë, por nuk i cenzuroi idetë e tij. Më vonë nuk nguroi të hiqte një paralele midis komunizmit dhe nazizmit e fashizmit. E mposhti frikën dhe me kohë kurojua intelektuale triumfoi mbi regjimin dhe u vlerësua nga shoqëria. Zhelev u zgjodh në gusht 1990, presidenti i parë postkomunist i Bullgarisë. Popujt kërkojnë në një moment ndryshimin dhe zgjedhin nga njerëzit më me karakter midis tyre.

Bindjet dhe kurajua dallojnë njeriun e vërtetë nga ai që vë maskë dhe krijon një profil fals që t'i shpëtojë izolimit dhe përndjekjes se të tjerëve. Me vite njeriu pa kurajë humbet autenticitetin dhe deformohet në një produkt sipas gustove të të tjerëve, një prodhim në seri i traditës dhe opinionit dominues, një qenie pa individualitet dhe pa kontribute origjinale në shoqëri. Zhvillimi nuk ka nevojë për falsitete, për njerëz që mbasi shuajnë zërin e brendshëm të vetvetes, vihen më pas në shërbim të kujtdo për të vrarë autenticitetin e atyre që mendojnë, krijojnë dhe guxojnë të çojnë përpara këtë botë. Njeriu duhet të tregojë më shumë respekt ndaj vetes, ideve dhe vizionit të tij. Një ndër sfidat më të mëdha është ruajtja e vërtetësisë, stimulimi i saj tek të tjerët, përballja për t'i kthyer punët në drejtimin e duhur. Kjo është ajo që vrasin regjimet, kjo është ajo që duhet të mbrojë rinia.

Nuk mund të heshtësh kur të mirët e gjeneratës tënde ikin për studime jashtë vendit se nuk besojnë tek vlera e arsimit kombëtar, kur katër nga pesë të rinj mezi presin të emigrojnë, kur buxheti për arsimin është nga më të ulëtit në botë, kur sistemi nuk afron garë, meritë dhe perspektivë, kur vendin ta mbulon droga e kriminaliteti me patronazh shtetëror, kur për shtrimin e disa kilometrave rrugë vidhet me një dorë sa taksat e mbledhura për një vit nga studentët në shkolla, kur demokracia ligjore është kompromentuar dhe kriza e zhvillimit ka mbërthyer vendin tënd. Kur punët nuk ecin, nuk ke ç'pret më, ky është momenti të mbash një qëndrim të drejtë dhe kurajoz në skenën publike. Të jesh në krahun e pushtetit është e lehtë dhe fitimprurëse, të jesh në krahun e kundërshtareve të tyre është e vështirë dhe me kosto të lartë për të paguar. Veçse jo në pak raste, rruga e lehtë e të bërit palë me pushtetin është komprometuese, të luftosh është një zgjedhje e lavdishme.

Këtu del në pah një dramë tjetër e mendësisë të të riut apo dhe shoqërisë, që është prirja për kompromis dhe tolerim të së keqes, qoftë ky autoritet i shenjtë, pushtues apo regjim autokratik e korruptiv. Mungesa e pozicionimit në momente kyçe të kompromenton rëndë rrugëtimin dhe arritjen në destinacion. Nuk ndërtohet e ardhmja me kompromise kompromentuese dhe masa gjysmake. Qartësia dhe vendosmëria i ka shpëtuar kombet në kryqëzimet e historisë. Nuk mund të gjesh zgjidhje tek fitimi i ndonjë beteje dhe tërheqja nga lufta, kapjen e ndonjë përfitimi dhe lënien e pushtetit në të njëjtat duar. Nuk bëhet kompromis me idetë, kauzat dhe të ardhmen tënde. Luftërat fitohen një herë pa bëre kompromise dhe mbrohen më pas me vetëmohim dhe sakrifica. Jo rrallë herë në histori mbrojtja dhe jetësimi i një ideje, besnikëria ndaj komunitetit ka qenë më i dobishëm për njerëzimin se mbajtja në këmbë e një sistemi, strukture tradicionale apo perandorie. Si do kishte qenë bota nëse i riu teolog Martin Luther do kishte bërë kompromise me bindjet, për të shpëtuar veten? Cilësia e njeriut shihet kur çmon më shumë idetë dhe vlerat se vetë jetën. Vendosmëria e Luther-it ndryshoi jo vetëm Perëndimin por edhe mbarë botën. Nuk kishte mision të lehtë të sfidonte në fillim shekullin e XVI autoritetet kishtare, vetë papën, doktrinën, kulturën korruptive të disa klerikëve, kuptimin dhe ridimensionimin e besimit, çlirimin e njeriut nga pushteti 'hyjnor' që kishin adaptuar rrjeti i përfaqësuesve fetarë pergjatë mesjetës. Një reformim që nis epokën e modernitetit. Idetë në vetvete janë të pamjaftueshme - diferencën e bën kurajua për t'i mbrojtur dhe implementuar pavarësisht sfidave dhe rreziqeve. Botën e ndryshon vendosmëria. Ky është leksioni më i vyer që percjell historia për të gjithë ne dhe ia lë si stafetë rinisë për ta çuar me tej.

Rinia ka moshën, energjinë dhe mungesën e përgjegjësive ndaj të tjerëve për të sakrifikuar më shumë për bindjet, për të qenë nonkonformiste, kritike dhe në përballje të hapur me pushtetet. Në vendin ku rinia është më e fjetur se pleqëria, ku intelektualiteti më i përulur se injoranca, ku sipërmarrja e kamur më e frikësuara nga qeveria, vështirë të flitet për shpresë, mirëqenie dhe zhvillim. Nga përgjumja, përulja dhe frika nuk ka parë mirë asnjë shoqëri. Gjithçka është arritur nga shpirti energjik, mendimtar dhe kurajoz i rinisë, intelektualitetit, krijuesve dhe sipërmarrësve, që hidhnin tej regjime që pengonin zhvillimin dhe hapnin rrugën e një epoke të re. Kuptohet që asnjë vend nuk ka 100% një lloj apo tjetër rinie. Çdo shoqëri i ka të gjitha profilet-proporcionaliteti varion nga kultura dhe trendet mazhoritare.

KONTEKSTI KULTUROR QË FORMËSON RININË E DËSHIRUAR

Rinia reflekton si pasqyrë profilin dominues të shoqërisë, shpirtin dhe kulturën e saj, sjelljet, traditat, gjithçka që shoqëria e ka parë të vlefshme të përcillet nga një gjeneratë në tjetrën. Kështu vendet marrin frytet e asaj që kanë kultivuar. Nëse duam ndryshimin racional dhe jo përmbysjet e dhunshme, nëse duam të ruajmë pakicat e çdo lloji si një vlerë të shtuar, nëse duam të stimulojmë përfshirjen e kapitalin intelektual të çdo njeriu, nëse duam të krijojmë qëndra urbane të zhvillimit dhe inovacionit, duhet të ndryshojmë mendësinë dhe të formësojmë në kohë rininë e dëshiruar. Një përpjekje joshteruese e gjejmë në këtë pjesë të fundit të shkrimit.

Ndrysho shoqërinë përmes evolucionit racional, paqësor dhe gjithëpërfshirës!

Nazizmi nuk erdhi rastësisht në Gjermaninë interbelike. Prej shekujsh një sërë intelektualësh dhe klerikësh u kishin thurur lavde superioritetit të racës dhe kishin ndezur ndjenjat nacionaliste e antisemite. Në këtë shtrat kulturor gjeti hapësirën ekstremizmi. Nico Voigtländer dhe Hans-Joachim Voth bazuar në dy studime të viteve 1996 dhe 2006, të përmbledhura tek artikulli 'Nazi indoctrination and anti-Semitic beliefs in Germany', hedhin dritë mbi efektin e traditës dhe propagandës në rritjen e antisemizmit në Gjermani. Ata vërejnë se edhe sot ndjenjat e antisemitizmit vijojnë të jenë më të larta në zonat ku votohej në nivele më të larta pro partive antisemite midis 1890-1912-s. Njëherësh ata konkludojnë se "gjermanët e rritur në kohën e nazizmit kishin një ndjenjë antisemitizmi më të lartë se gjeneratat pas saj. Edukimi kishte luajtur një rol në këtë drejtim" (https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4491745/#!po=0.925926). Po ashtu edhe përqafimi i komunizmit në disa vende u parapërgatit nga elitat kulturore të kohës. Shqipëria, një vend që nuk përjetoi çizmen e Ushtrisë së Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore si në vende të tjera të Europës Qëndrore dhe Lindore, komunizmi nuk u imponua por erdhi si një reflektim autokton i Revolucionit Bolshevik të Rusisë. Një sërë shkrimtarësh në periudhën para dhe pas pavarësisë kishin krijuar terrenin kulturor për një revansh të ashpër ndaj shtresave të pasura, ndaj elitave tradicionale. Një poemë si himn lufte, nxit njerëzit të ngrihen e le të skuqen lumenjtë me gjakun e fisnikëve dhe pasanikëve. "Ngrehuni dhe bjeruni, Korini dhe shtypini, Katundar' e punëtorë, Që nga Shkodra gjer në Vlorë!". Poezi që nxisin dhunë dhe përmbysje, urrejtje dhe revansh ndaj aristokratit dhe zengjinit, janë ide që formësojnë negativisht gjeneratën e re. Idetë radikale janë si viruset, shfaqen dhe rishfaqen sipas klimës dhe rrethanave, në kohë krize e rimarrin influencën dhe kthehen në rrezik për shoqëritë.

Truri i infektuar i njerëzve me izolimin dhe eleminimin e të ndryshmit, kthehet në një sëmundje të rrezikshme për shpirtin e shoqërive. Në terrenin fertil të ekstremizmit, ksenofobisë dhe luftës klasore rriten përbindësha që e nisin sulmin ndaj disave dhe e bitisin duke i rrënuar të gjithë. Kjo mendësi duhet kuruar. Bazat e vlerësimit të njeriut duhet të jenë profesionalizmi, karakteri dhe arritjet individuale, jo paragjykimi nga prejardhja, ngjyra apo përkatësia kolektive.

Duhet të mendojmë, punojmë dhe transformojmë me hapa të vegjël dhe të mirëmenduar, sesa të rrimë të përgjumur me dekada dhe të zgjohemi në kohë krize të varfër dhe të frustruar, e të rrënojnë gjithçka të tjerët kanë krijuar. Dallimin e bën lëvizja, kush përpiqet shpërblehet. Njerëzit duhet të nxiten të pasurohen si zengjinët, jo t'i bëjnë edhe ata më të varfër se veten e tyre. Prej shumimit të varfërisë askush nuk ka parë hajër, prej rendjes dhe akumulimit të pasurisë të gjithë kanë fituar.

Ndryshimi duhet të vijë përmes punës dhe konkurimit, jo përmes kazmës dhe pushkës. Profesori i Yale University, Bruce Ackerman, në librin e tij 'We the People: Transformations’, bën dallimin midis qasjes amerikane dhe asaj ruse në momentet e ndryshimeve. Nëse rusët në Revolucionin Bolshevik të Tetorit (1917) zgjodhën "një ndarje decisive me rendin e vjetër ligjor", një revolucion total duke mos përshtatur idetë dhe institucionet e mëparshme, ndryshe ndodhi tek amerikanët në 1780-ën, 1860-ën apo 1930-ën, vëren ai. Sipas tij, ne (amerikanet) "nuk u përpoqëm të shkatërrojmë të gjithë matricën e institucioneve të mëparshme", por përmes zgjedhjeve e sollëm ndryshimin e dëshiruar nga mazhoriteti i njerëzve. Respekti ndaj ligjit dhe demokracisë, evidenton Ackerman, e ka bërë Amerikën vend më të qëndrueshëm dhe të zhvilluar, vendin ku harmonizohen të ndryshmet (Bruce Ackerman, We the People: Transformations, Harvard University Press, 1998).

Të zhvillosh pa shkatërruar, të mobilizosh pa diskriminuar, të udhëheqësh pa dhunuar por duke frymëzuar, duhet të jetë parim në rrugën e çdo të riu. Kush ka punuar në një formë të tillë ka fituar dyfish - nga e vjetra dhe e reja, nga vendasi dhe i ardhuri, si vlera plotësuese të njëra-tjetrës. Konkurenca e ndershme duhet të jetë një ligj themelor i zhvillimit shoqëror. Me kohë hierarkitë bëhen dhe zhbëhen, më të mirët e momentit ngjiten në krye e me kohë zbresin nga froni Kjo formë lirie dhe dinamizmi prosperon shoqëritë.

Na duhet nje rini që kupton se liria, krijimi dhe puna e ngjit njeriun në shkallët e mirëqenies dhe lumturisë. Na duhet një rini empatike, në familje dhe shoqëri, që shquhet për përkujdesje dhe dashamirësi. Na duhet një rini me parime të forta jete, dhe në një përballje të përhershme me ekstremizmin, ku me vendosmëri ndjek qëllimet e saja dhe ku po me aq vendosmëri le të hapura rrugët e përballjes së ndershme me të gjithë rrymat konkurente, ku përmbysjet revolucionare dhe betonimi i ndryshimit nuk shihet si një opsion i arritjeve të saja. Jeto dhe lejo edhe të tjerët të jetojnë, konkuro pa u mbyllur rrugën të tjerëve të të sfidojnë, me bindjen se kjo botë nuk ka një rrugë apo një njeri të vetëm që e çon drejt suksesit dhe përsosmërisë.

Komuniko me kurajo qëndrimet, të përmirësosh botën që të rrethon!

Kulturat që heshtjen e kanë flori, sundimin traditë, prapambetjen kronike pjesë të qënësishme të rrugëtimit të tyre historik, duhet të ndryshojnë që të rrisin një rini që ngjall shpresë dhe sjell zhvillim. Në kulturat e frikës dhe të ndëshkimit heshtja bëhet mënyrë jetese. Njeriu pa gojë, që miraton në heshtje gjithçka të eprorëve të tij, ndihet i mbrojtur nga konkurentët dhe i promovuar nga shefat e tij. Kështu me vite konsakrohet karakteri i një grupi, nënshtrimi konvertohet në status, privilegje dhe pasuri, komunitetet humbin shansin të ndryshojnë në përshtatje me sfidat e kohës. Jetojmë në një kohë kur duhet të komunikosh ose prit të falimentosh, do thoshte Thomas Zweifel i Columbia University, në librin e tij me titull domethënës, ‘Communicate or Die: Getting Results Through Speaking and Listening’ (2006). Reagimi sjell ndryshimin. Fjala e thënë në kohën, vendin, me ekspertizën dhe mënyrën e duhur, ka influencë mbi çdo audiencë. Dekurajimi i fjalës dhe instalimi i heshtjes ka ndikimin mbi ecurinë e shoqërisë. Studime serioze hedhin dritë mbi pasojat e heshtjes. Leslie Perlow dhe Stephanie Williams mbasi intervistuan drejtorët ekzekutivë të top 500 kompanive dhe burokracive qeverisëse në revistën Fortune, vunë re se heshtja që instalohet në organizata dhe që njeriu e sheh si mbrojtëse të vendit të punës dhe karrierës, "mund të ketë një kosto të lartë psikologjike mbi individët, duke gjeneruar ndjenja poshtërimi, zemërimi të dëmshëm, keqardhje dhe nëse nuk shprehen kontaminojnë çdo ndërveprim, mbysin kreativitetin dhe minojnë produktivitetin" (Leslie Perlow & Stephanie Williams, Is Silence Killing Your Company?, Harvard Bussines Review, May 2003). Studime të tjera e lidhin komunikimin e munguar me humbjen e besimit, me lulëzimin e thashethemit.

Ka vende që e kanë harruar kulturën e guximit, por bota avancoi nga burra dhe gra që sakrifikuan me heriozëm, që frymëzuan përmes fjalës. Falë tyre gëzojmë sot më shumë liri, të drejta dhe mirëqënie. Guximi dhe heroizmi për ideale të larta duhet inkurajuar, ku ka qenë duhet kujtuar, ku nuk ekziston duhet krijuar. Kështu vendet janë zhvilluar. Jetëgjatësitë e regjimeve nuk varen vetëm nga forca e kastave, por edhe nga mungesa e reagimit të qytetarëve. Të mbrosh veten dhe shoqërinë është një proces i përhershëm, gatishmëria dekurajon ata që kërkojnë të të cënojnë të drejtat e tua.

Duhet stimuluar mendimi dhe fjala e thënë me kurajë, mbrojtja e kauzave dhe ideve. Njeriu nuk duhet të ketë frikë të udhëtojë edhe i vetëm në rrugën e të drejtës. Frikën duhet ta mposhti qëllimi i jetës, respekti për veten, respekti për vlerat, dëshira për të zëvendësuar mjedisin që prodhon dështimin me një mjedis ku të gjithë kanë një shans për sukses. Këtu rinia duhet të jetë në ballë. Disa histori rinore i rrëfyem në këtë shkrim, shumë e më shumë e ndryshojnë botën çdo ditë.

Nëse nuk rrezikon në rini, kur mund të rrezikosh me kaq lehtësi? Kur nuk tregon forcë karakteri dhe vendosmëri kur je i ri, vështirë ta demonstrosh këtë në pleqëri. Nderi ju përket njerëzve që guxojnë të ngrihen kundër diktaturave, atyre që nuk heshtin ndaj padrejtësive, luftëtarëve të paepur të kauzave të mëdha që sakrifikojnë gjithçka për të mbrojtur dhe shërbyer të tjerëve. Nuk ka rëndësi vetëm karriera dhe pushteti, por edhe karakteri me të cilin ngjitesh, qëndron dhe zbret nga vargmalet e jetës. Pragmatizmi për t'ia dalë me mjete dhe rrugë të pandershme duhet të jetë burim turpi.

Na duhet një rini që nuk e josh apo intimidon pushteti, që e motivon realizimi i gjërave substanciale, që lufton për të vërtetën, që nuk e pranon gënjeshtrën, që kërkon heronjtë autentikë jo prodhimet e propagandës politike. Na duhet një rini e frymëzuar nga guximi i atyre që kanë luftuar dhe hedhur regjime, kanë çliruar përmes sakrificave, deri dhe sublime shoqëritë e tyre. Na duhet nje rini që lufton ndaj frikës dhe nuk kthehet vetë në një frikësuese e madhe ndaj të tjerëve. Kur kjo mendësi të jetë dominuese, shoqëria është gati të kalojë në stadin tjetër. Mbas mëndjes së hapur dhe kurajës për të folur dhe vepruar, vjen ambicia për të lënë gjurmë në historinë e kësaj bote.

Ndërto klimën e ekselencës, inovacionit dhe të konkurencës globale!

Shumë vende luftojnë për mbijetesë dhe mbeten peng i qarkut të mbyllur të zhvillimit të tyre, shumë të tjera luftojnë për krijimin e qendrave të ekselences globale, tërheqin si me magnet më të mirët dhe i prijnë ecurisë së kësaj bote. Liria është minimumi i nevojshëm por i pamjaftueshëm për të arritur suksesin. Sa qytete dhe shtete janë të lira dhe demokratike por nuk ia kanë dalë në sfidën globale. Një shoqëri duhet të ketë klimë zhvillimi, lidership dhe njerëz ambiciozë e të aftë që këmbëngulin t'ia dalin. Kjo është sfida e vërtetë e shoqërive moderne, ku rinia duhet të shtojë presionin për të kaluar nga traditat lokale në trendet globale. Profesori i ekonomisë të Harvardit, Edward Glaeser, krijon një panoramë më të qartë të asaj se nga po lëviz bota e zhvilluar. Në monografinë e tij mbi qytetin, ai krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mbi përmasat e qyteteve, njerëzit, idetë dhe inovacionin që sjellin suksesin dhe mirëqenien. "Kapitali njerëzor, më shumë se infrastruktura fizike, shpjegon se cilat qytete kanë sukses", thotë ai. Urbanizimi, arsimi dhe inovacioni janë ato që kanë bërë diferencën në historinë e qyteteve, vijon Glaeser dhe këtu afron disa shembuj nga historia dhe aktualiteti ku vlen të përmendet ngritja dhe rënia e Detroitit, që arriti zgjerimin me gjenialitetin e Ford-it, dhe po pëson tkurrje se nuk po i përshtatet epokës së prodhimit të ideve dhe inovacionit si në qytete si New York-u, Londra apo Bangalore (Edward Glaeser, Triumph of the City, New York, 2011).

Këtij trendi duhet t'i paraprijnë edhe shoqëritë në zhvillim, atje ku dëshira për emigrim është edhe më e lartë. Njerëzit rendin atje ku ka inovacion, sistem prodhues, shërbime dhe siguri. Disa ia kanë arritur t'i tërheqin njerëzit e zot dhe disa t'i përzënë nga vëndet e tyre. Në shekujt e fundit në sajë të industrializimit dhe krijimit të shteteve kombëtare, kryeqendrat ekonomike dhe politike kryen boshatisjen njerëzore të qytezave dhe zonave rurale. Në shekullin e XXI me lëvizjen e lirë dhe rikrijimin e metropoleve moderne do ndodhi zbrazja e kapitalit intelektual të kryeqendrave kombëtare të shteteve të vogla dhe të mesme duke sjellë dështimin e tyre. Këtu rinia si më e interesuara për të ardhmen në vend të saj, duhet të luftojë shumë. Një vend duhet t'i flasi botës përmes mendjeve të ndritura të tij, përmes njerëzve të zot, jo përmes klaneve autoritar-korruptive të regjimeve në fuqi. Skemat e vjetra kur një grup njerëzish nga politika, media dhe biznesi krijonin një monopol kombëtar pushteti dhe i detyronin të tjerët të punonin për ta, ka dështuar. Ky model kap vëndin por i ikin njerëzit. Ky model në një botë të hapur globale e konkurenciale është model falimentimi në politikë dhe sipërmarrje. Këtij modeli rinia duhet t'i japi fund dhe të hapi një faqe të re.

Na duhet një rini që e motivon realizimi i gjërave substanciale, me shpirt të pakompromentuar, ideale të mëdha për të realizuar, e influencuar nga mendimtarë të shquar të historisë njërëzore, nga libra, ngjarje dhe personazhe që kanë ndryshuar vendet e tyre dhe botën mbarë. Na duhet një rini krijuese, që ka projeksione ambicioze për veten dhe komunitetin e saj, që mishëron frymën e realizuesve të mëdhenj të njerëzimit, që synon ekselencën në arsim, krijimtari dhe sipërmarrje, që ndërton metropolet e zhvillimit, që shpëton nga zbrazja dhe falimentimi vendet e tyre. Na duhet një rini e sakrificës të tipit të Palach-it, atje ku luftohet për të drejta e liri njerëzore, më pas një rini që ecën në gjurmët e Steve Jobs-it apo Zuckerberg-ut atje ku luftohet për inovacion e zhvillim shoqëror. Me pak fjalë një rini me vizion, kurajo dhe integritet që tejkalon etnitetin, kohën dhe vendin në të cilin jeton.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp13/02/2019 18:22

Shqiptari, po t'ju kthehesh kronikave, ky "artisti" siç e quani ju, nuk flet kodra pas bregut.Ju mesa duket e keni mar inat qe ne kohen kur kerkoji te konkuronte per Kryetar te Partise Demokratike.Per mos ti ber "hije" z.Basha iku ne punen e tij.Jep leksione demokracije."Pune koti".

Shqiptari13/02/2019 10:08

Sa bukur flasin keta artistet. Nuk i merr vesh njeri

Shto koment

Denonco