Pse shkoi sot Ver Llapa në Parlament?

Pse shkoi sot Ver Llapa në Parlament?

Nga Gentian Gaba - 31/01/2019

Ishte një e enjte parlamentare për kokoshka me vete. Sigurisht, gazetarët në lozhën e epërme e kanë shijuar spektaklin e gladiatorëve të politikës; të cilët, me fjalën në vend të shpatës, godisnin kundërshtarin në përpjekje për të dalë ngadhënjimtare nga dueli i së enjtes.

Në këtë zallamahi, e cila pushtoi media të reja e të vjetra, vëmendja shkoi edhe një herë te kryeministri. I pari i qeverisë doli në krye të tufës që drejton me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, verbale apo fizike.

Iu fut betejës me kokë, me mish e me shpirt; nxori histori të vjetra e të reja, ashtu sikurse e ka zakon, për të përqendruar çdo shkëndijë te vetja. Edhe një herë e vendosi gjatësinë e tij në shërbim të funksionit politik, duke zëvendësuar veten me pëlhurën e kuqe, përballë demit të tërbuar opozitar, në arenën plot me spektatorë që kërkojnë gjak dhe spektakël.

Për këtë arsye nxori gjuhën përballë kundërshtarëve, sikur në sallën e Parlamentit të kishte shkelur një personazh i njohur i kryeqytetit, Ver Llapa, i famshëm në grimasën e tij, dhe jo  kryeministri i Shqipërisë. Për të njëjtin shkak nxori përsëri historinë e djalit të sulmuar pa mëshirë nga kundërshtarët e tij politikë. Motivi është shumë i thjeshtë: Publikimet e ‘Zërit të Amerikës’, dhe raporti i Transparency International mbi shkallën e korrupsionit në botë, në të cilën Shqipëria u radhit në vendin e 99-të, ndryshe nga viti i shkuar ku gëzonte pozicionin nëntëdhjetë e një.

Duke e filluar nga pika e fundit, raporti i Transparency International, regresi përbën një shqetësim të tejskajshëm për qeverinë aktuale. Jo sepse korrupsioni përfaqëson një fenomen të panjohur në Shqipëri; por sepse, ndryshe nga vitet e mëparshme, mazhoranca në pushtet kontrollon gjithë hallkat e shpërndarjes së posteve në menaxhimin e gjësë publike. Kësodore, edhe shpërdorimet që kanë cytur indeksin në fjalë, nuk mund të jenë tjetër gjë, veçse shembulli më i mirë i paaftësisë së atyre që drejtojnë të vetëm ekzekutivin. Duke e thjeshtëzuar, të vetë kryeministrit, që kërkoi një mandat vetëm për këtë punë; dhe sot, këtë punë, jo vetëm nuk di si ta bëjë, por po përkeqësohet nën drejtimin e tij.

Pika tjetër është ajo më e rëndësishmja, ndoshta edhe momenti më vendimtar në vitin politik që po shtrohet përballë shqiptarëve: Përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës.

Nuk janë thashetheme gazetarësh, spekulime analistësh apo zëra kafeneje të përhapura nga prokurorët në aromë vettingu. Jo, më shumë se kaq. Janë përgjime dhe zëra që zgjasin sa vetë akuzat e opozitës, 2016-2017, mbi marrëdhëniet aspak të ligjshme midis mazhorancës dhe krimit të organizuar në vend, me qëllim deformimin e votë së shqiptarëve.

Dosja nuk është publikuar ende në mënyrë integrale, megjithatë media që ka marrë përsipër nxjerrjen në publik, përtej ‘kuzhinierëve’ lokalë, mban garancinë dhe standardet, jo vetëm të shteti më të fuqishëm në botë, por të shtegtreguesit të rrugëtimit politik të Shqipërisë në këto 28 vite.

Përballë këmbënguljes të Zërit të Amerikës, që pas përgjimeve të Arben Çukos mbi punësimet në administratën publike, merr përsipër të ‘çjerrë maskën’ mbi mënyrën sesi Partia Socialiste korr votat në disa qarqe të vendit (para edhe gangsterë); mazhoranca, në personin e të parit të saj, reagon në rrugë krejt të paarsyeshme dhe emocionale, duke nxjerrë në pah tensionin që kalon çdo nerv dhe çdo fjalë. Në një përqasje të vobektë për ta zhvendosur debatin gjetkë.

Me ‘rendin imagjinar’ të rënë, pasi tashmë e rënë është gjithë ngrehina propagandistike me të cilën ishte ndërtuar historia e suksesit politik të ‘Rilindjes’; sot mazhoranca dukej si vogëlushja që u kthye në një fenomen të rrjeteve sociale me këtë frazë: A mund të qaj 5 minuta?

Kundruall gjithë këtij zullumi tingëllon si një pyetje legjitime; megjithatë, përgjigjen do të mund ta japë vetëm ‘Zëri i Amerikës’, për të cilin, mazhoranca, duket se do të duhet të ‘qajë’ më shumë se kaq.

/Politiko.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku01/02/2019 12:13

Çfarë thoni more? Do qajë EDrama? Ai qan gjithë natën. Tani do qajë Zëri i Amerikës. Ato dy katunaret e prokurorisë do ti arrestojnë të gjithë gazetarët zagarë të Zërit, spiuna të tradhëtar Saliut, shërbëtorë të imperialistëve amerikanë, do ti dënojnë me burgim të përjetshëm në Spaç të Mirditës, të nxjerrin mineral bakri për lulëzimin e "Rilindjes". Dhe piplli shqiptar do brohorasë rilindjen e perëndi babës edver, sepse që kur e humbi s'fjeti. parti edver, jemi gati kurdoher. sepse piplli tani duhet ti hajë mutin edhe asaj nallones lushnjare (të paktën të ishte labe).

Shto koment

Denonco