Letra e 30 shkrimtarëve europianë, si shuplakë për copëtuesit e Kosovës

Letra e 30 shkrimtarëve europianë, si shuplakë për copëtuesit e Kosovës

Nga Andi Bushati - 26/01/2019

Letra apel e plot 30 shkrimtarëve europianë (mes të cilëve edhe Ismail Kadare) që bëjnë thirrje për shpëtimin e një Europe që po merr flakë, mund të interpretohet nga një mori këndveshtrimesh të ndryshme.

Ajo mund të përndezë gjakrat e një europiani të djathtë, që nuk e gjen fajin e vetëm për këtë që po ndodh tek rritja e ekstremizmit, tek demagogët dhe populistët që etiketohen si fajtorët ekskluzivë të situatës aktuale, por që i shpjegon ato me kalimin e sovranitetit tek burokratët e pavotuar të Brukselit, me anashkalimin e qytetarëve të thjeshtë të vendit të tij dhe me zhbërjen e identitetit kombëtar, në emër të elitave kozmopolite të shkëputura krejtësisht nga realiteti.

Ajo mund të shihet me përçmim nga një besimtar i së majtës, pasi i bishtnon problemeve reale të krizës së sotme: akumulimin e pushtetit në duart e pakicës, rritjen galopante të pabarazive, qeverisjet e vëna në funksion të bankave dhe korporatave, këmbënguljen në politikat çnjerzore të frymëzuara nga teoritë neoliberale, të cilat sollën rendjen e më të pambrojturve drejt ekstremeve dhe zhgënjimin nga ëndrra fillestare e Europës.

Por, pavarësisht nga polemikat, nëse ky apel është në gjendje të rokë ose jo thelbin e krizës së sotme, ai mbart një mesazh disi të ndryshëm, por tejet të fortë për mbarë botën shqiptare.

Sepse në këtë moment, kur në të dy anët e mëdha të kombit tonë po gëlon debati i dialogut shqiptaro-serb, kur më shumë se kurrë, si zgjidhje e artë po serviret rivizatimi i kufinjve etnikë, kur si opsion final për fundin e të tëra problemeve po shitet bashkimi kombëtar, kur ideja e tij po përdoret si një shantazh nacionalist ndaj kontinentit të vjetër që rrefuzon të na pranojë në gjirin e vet, thirrja e 30 shkrimtarëve europianë jep dy mesazhe të forta.

I pari konsiston në faktin se “atdheu i dytë për të gjithë njerëzit e lirë të globit” është braktisur nga Amerika e Trump-it dhe rrezikohet nga Rusia e Putinit.

Mesazhi i dytë, edhe më i fortë, është se zgjidhja nuk gjendet tek thirrjet e demagogëve populistë për tu kthyer tek shpirti i kombeve, tek përkatësitë etnike, tek ngritja e mureve dhe tek fshehja pas kufijve nacionalë.

Por, kohët e fundit të gjithë ata që po propogandojnë coptimin e Kosovës dhe gjetjen e zgjidhjes së artë përmes shkëmbimit të territoreve, që krijojnë shtete etnikisht të pastra, po i mbështesin pikërisht këtu themelet e projektit të tyre të ardhshëm.

Ajo që thonë nën zë është se plani i tyre ka nga pas miratimin e Trump-it dhe Putinit. Ajo që e shprehin me gojën plot është se krijimi shteteve etnikisht të pastra mbetet shkopi magjik që do të zgjidhë të gjitha problemet.

Në këtë kuptim, letra e 30 shkrimtarëve të shquar europianë, edhe nëse s’bie ideologjikisht dakord me optikën e tyre, është një porosi e madhe për mbarë shqiptarët.

Sepse ajo përbën një apel për të parë drejt vlerave të përbashkëta të së ardhmes dhe jo për tu ngujuar tek zgjidhjet e provuara nacionaliste të së shkuarës, sepse ajo e sheh zgjidhjen tek triumfi i një identiteti të përbashkët europian dhe jo tek kthimi në “shpirtin e kombit” që propagandojnë demagogët populistë.

Pikërisht për këtë, ajo mund të lexohet si një shuplakë e fortë kundër të gjithë atyre që duan t’u imponojnë shqiptarëve (po aq sa edhe serbëve) zgjidhje që bien krye këput ndesh me idealin e një Europe që kërkojmë dëshpërimisht të përqafojmë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ajo27/01/2019 12:49

Vertet, Kadarese i djeg shpirti per te ardhmen e familjes europiane, por nuk shqetesohet aspak se atdheu i tij po perjeton periudhen me te keqe te ketyre 28 te fundit, duke perjashtuar vitin 97’.
Perse hesht Kadare?
Perse gjithmone eshte rreshtuar me bijte e komunisteve dhe PS-ne , pasardhesen natyrale te partise se tij, PPSH-se, ky “ disidenti” parizian?
Perse nuk flet per rreshqitjen e vendit drejt nje diktature te re?
Para se te shqetesohet per fatet e BE-se, do bente mire te shqetesojej per fatin e vendit te tij, qe qartesisht duket se nuk i intereson me. Jam thellesisht e zhgenjyer prej Z. Kadare. Dikur e kam adhuruar per talentin e tij te madh, por pas 28 vjetesh kam kuptuar se ka shume difekte te karakterit( per te cilat kemi degjuar edhe para viteve 90’ ) dhe meriton respektin e kombit te tij sepse me shume se per atdheun e tij eshte perpjekur vetem per lavdine personale. Eshte rasti me i shkelqyer i narcizistit! Shpresoj qe kurre te mos e mare cmimin Nobel, per te cilin ka nje jete qe enderron. Nuk e meriton nje shkrimtar mendjemadh, qe gjithmone ka ditur te mare gjithshka si prej lexuesve te tij, ashtu edhe nga shteti, si dje ne diktature edhe sot ne kete Shqiperi te mjere te tradhetuar nga idhujt e reme!

shqiptar27/01/2019 11:09

Në respekt të madh për shkrimtarin e shquar shqiptar të përmasave botërore, Kadaresë, më duket jo fort kjartë i shpjegueshëm interesimi i tij për problemet e BE e frika e disa shkrimtarëve se në Europë po forcohen tendencat nacionaliste.
Kadareja nuk është dëgjuar të shprehet publikisht për situatën politike shqiptare, pra për vendin e tij , Shqipërinë.
Përse hesht Kadareja për problemet e shumta të qeverisjes Rama ?
Mirë bën Kadareja që shqetësohet për familjen e madhe europiane, por a nuk duhej së pari të shqetësoheshte për familjen e tij shqiptare ?

Shto koment

Denonco