Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

 Rama, vëllai siamez i Maduros…?!

Rama, vëllai siamez i Maduros…?!

Nga SYRI.net - 25/01/2019

Rama i ka prishur marrëdhëniet me partnerin kryesor europian dhe për këtë mund të flasë më konkretisht ministri i jashtëm i shkarkuar pikërisht se ka të gjithë informacionet për marrëdhëniet e tij të tensionuara dhe të prishura.

Madje edhe vendimin që është marrë nga ky vend për qëndrimin ndaj këtyre plangprishësve të korruptuar, të inkrimunuar dhe autoritarë të Ballkanit.

Rama i ka dëmtuar deri në ftohje marrëdhëniet edhe me mentorin e tij kryesor, për këto marrëdhënie mund të flasë më gjatë e më shkoqur Erjon Veliaj, të cilin Rama e ka venë në shënjestër për ta eliminuar, por ka shumë frikë ta ndërmarrë një hap të tillë. Duket se mentori ka kërkuar që Rama t’ia transferojë pushtetin Erjon Veliajt për tu larguar butësisht para se të ndodhin trazira që do të ishte e pamundur të kontrolloheshin e ta shpëtonin Ramën nga një fund i tmerrshëm.

Duket se Rama deritani ka preferuar të zgjedhë rrugën e kundërshtimit ndaj këtij sugjerimi dhe me shumë gjasa do të ketë fatin e mikut të tij gjeorgjian që u kthye në një apartid dhe të cilin po i njëjti mentor e ka sulmuar për lidhjet me oligarkët ruse, ndërkohë që Maduro shqiptar lidhjet e papëlqyeshme nga mentor i tij i ka me ‘vëllamin turk’.

I ndodhur në panik, Rama, përmes lobistëve të paguar majmërisht, por edhe me ndihmën e mikut serb dhe të vëllamit turk, është përpjekur kohët e fundit ti afrohet personit të cilin e cilësoi si ‘turpin e njerëzimit’.

Por është i pasigurtë që do të kishte mbështetjen e tij reale e të qëndrueshme. Për më tepër që edhe nëse kjo mbështetje do të realizohej do të shtoheshin shqetësimet e problemet nga partnerët europianë. Pavarësisht këtyre hezitimeve, i ndodhur nën e presionin e largimit nga pushteti, Moduru shqiptar ka dërguar mesazhe përmes lobistëve të tij, se është gati të pranojë gjithçka, edhe ‘ndarjen e Kosovës’ me kushtin që të garantojë një ftesë që do të përdorte si mbështetje për ti shpëtuar të lakut që po i merr frymën.

Sepse mbështetja pa rezerva që dha Rama për largimin e dy diplomatëve iranianë, mesa duket ishte e pamjaftueshme për ti garantuar qëndrimin e qetë në pushtet, ndërkohë që ju desh të konsumonte shumë energji për t’ia shpjeguar këtë lëvizje tinëzare mikut turk me të cilin e lidhin shumë afera.

Ndërkohë që Rama, Thaçi e Vuçiç janë bërë gati të firmosin marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, kanë ndodhur trazirat në Venezuelë. Lideri i opozitës venezueliane është vetëdeklaruar President i përkohshëm i Venezuelës deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Presidenti amerikan ka mbështetur liderin e opozitës dhe ka sulmuar fuqimisht presidentin ilegjitim Maduro.

Rama pa u vonuar ndonëse e simpatizon dhe imiton Maduron, është prononcuar menjëherë në mbështetje të qëndrimit të Trump.

Ky qëndrim i Ramës ka çuditur më së pari ‘mikun turk’ i cili është prononcuar në mbështetje të Maduros. Ndërkohë që të gjithë partnerët europianë kanë buzëqeshur me këtë lëvizje prej sharlatani të Moduros shqiptar, duke kuptuar ndërkohë arsyet që fshihen pas kësaj lëvizjeje tinëzare dhe qëllimin e tij.

Rama gjendet ne panik dhe pasiguri të plotë, aq më tepër që në 16 shkurt opozita do të dalë në një protestë masive që mund të prodhojë një situatë të ngjashme si në Venezuelë, duke e trajtuar Ramën, si vëllain siamez të Maduros.

Për më tepër që Rama ka shumë frikë që shumë nga partnerët perëndimorë do të mbanin ndaj Ramës të njëjtin qëndrim që ata po mbajnë ndaj Maduros venezuelian. Ndërkohë që Rama ndjehet më i vetmuar se kurrë ndërkombëtarisht. Reagimi shpërfillës i ish-ministrit të jashtëm është mesazhi i qartë i kësaj vetmie, Sepse së pari, Rama është ftohur në ekstrem me mentorin e tij.

Po ashtu me ‘vëllamin turk’ gjërat nuk shkojnë sic duhet për shkak të lëvizje tinzare të Ramës. Nga ana tjetër, lobistët por edhe disa miq të tij i kanë shpjeguar se personi të cilin Rama dikur e cilësoi si ‘turpi i njerzimit’ si dhe njerzit e afërt pranë tij i kanë të qarta lidhjet e vjetra të Ramës me mentorin e tij, por edhe sulmin që Rama, me porosi të mentorit të tij i kishte drejtuar gjatë fushatës presidenciale, madje duke u bërë thirrje amerikanëve në CNN e Nju Jork Times të mos e votojnë atë për president.

Pyetje që shtrohet është kjo: C’do të bënte Rama, i abandonuar nga të gjithë, nga ‘miku turk’ për shkak të lëvizjeve tinzare, nga mentori për shkak të mosdëgjimit të këshillave të tij, dhe në konflikt me partnerët europianë për shkak të thikës pas shpine që kërkon t’ju ngulë me rolin e tij si guru i ndarjes së Kosovës, por edhe nga partneri kryesor që nuk e ka harruar as sulmin e shëmtuar ndaj tij, nëse të gjithë partnerët ndërkombëtarë do të mbështesnin kërkesat e qytetareve të revoltuar të deklaruara në protestën masive të 16 shkurtit 2019.

Pra nëse të gjithë pa përjashtim do ta trajtonin Ramën si vëllain siamez të Maduros?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco