Putin në Beograd, asgjë dhe shumëçka

Putin në Beograd, asgjë dhe shumëçka

Nga Çim Peka - 18/01/2019

Vizita e shumëpritur e presidentit rus në Beograd, nuk prodhoi asgjë. Ose, shumëçka.

Në varësi të këndvështrimit dhe aktorëve.

Megjithëse kjo ishte vizita e katërt e Presidentit Vladimir Putin në Serbi, pritej të ishte më e rëndësishmja dhe me konsekuencialja jo vetëm në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë, por edhe midis Rusisë dhe rajonit të Ballkanit.

Në kohen kur presidentet e Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në negociata sekrete për fatin e marrëdhënieve midis dy vendeve, me Edi Ramën si mbështetës në prapavijë, vizita e presidentit rus, merrte një rëndësi të veçantë, për fatin dhe pasojat e një marrëveshje të mundshme.

Thaçi, Vuçiç dhe Rama, në argumentet dhe diskursin e tyre publik kanë ngritur një fabul, që parasheh edhe ndryshimin e kufijve, dmth, ndarjen e Kosovës, si vijon:

Për shkak të ngërçit dhe status quo-së, por edhe për shkak të presionit ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimit Europian (më saktë Komisionit Europian), Kosova dhe Serbia duhet që brenda pranverës së këtij viti të arrijnë në një marrëveshje finale, e cila do të parashohë njohjen reciproke të shtetësisë midis Kosovës dhe Serbisë.

Njohja reciproke, do pasohet me njohjen e Kosovës nga Rusia (dhe Kina) si vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe rrjedhimit anëtarësimin e Kosovës në OKB. Njohja reciproke do të sjellë gjithashtu anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE, OSBE dhe te gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe njohjen nga vende që nuk e kanë njohur deri tani, ku rëndësi të veçantë marrin pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur akoma.

Por, që kjo njohje reciproke të realizohet, vazhdon fabula, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise te dhimbshme. Kompromise që nënkuptojnë shkëmbimin e territoreve. Thaçi shprehet se është thjeshtë korrigjim kufijsh, e cila nënkupton kthimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nën Kosovë. Mitrovica nuk guxon të lëvizë, shprehet Thaçi.

Edi Rama pas vitit të ri ka shkuar edhe më tej në fantazinë e tyre, duke u shprehur se me njohjen reciproke do të vijë edhe bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

Pra sipas dy presidentëve tanë, marrëveshja parasheh që Kosova të marrë edhe Luginën, të mos lëshojë Veriun dhe të Bashkohet me Shqipërinë. Kjo është marrëveshja e dhimbshme. E si pasojë, Serbia do e njohë Kosoven, thonë ata, Madje edhe Rusia e kështu me radhë.

Në këtë lloj kompromisi nuk ka asgjë të dhimbshme. E vetmja gjë e dhimbshme është fakti se Hashim Thaçi dhe Edi Rama i trajtojnë shqiptarët këtej e andej kufirit si idiotë. Kaq.

Në të vërtetë, marrëveshja parasheh krejt diçka tjetër.

Marrëveshja nuk ka lidhje me Luginën. Ajo thjeshtë i jep veriun e Kosovës, Serbisë. 15% të territorit të saj. Ky po, që është kompromis i dhimbshëm. Dhe pastaj do na thonë, se kjo ishte mënyra e vetme që të arrihej marrëveshja për njohje reciproke, e cila do ta bënte Kosovën shtet, dhe anëtare të kësaj apo asaj organizate ndërkombëtare. Kjo lloj marrëveshje, në interim, do të sjellë edhe njohjen e Kosovës nga Rusia.

Vladimir Putin, duhej dhe pritej të thoshte pikërisht këtë në Beograd. Por ai nuk e tha! Që fabula Thaçi-Rama-Vuçiç të zinte vend, pritej që presidenti rus të shprehej qartë se Rusia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, me arritjen e marrëveshjes së njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës.

Nuk e tha.

Ai tha diçka tjetër. Të kundërten e saj. Ai tha se Rusia mbështet një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës nën kuadrin e Rezolutës 1244 të OKB-së. Kthim në pikën zero. Rezoluta 1244 e OKB-së e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Ai u tall edhe me Vuçiç, edhe me Thaçin, edhe me Ramën. Sepse, ndryshe nga ç'na kanë thënë liderët tanë, Rusia nuk do një zgjidhje në Ballkan. Vladimir Putin do kaos. Ai nuk i do shqiptaret. Nuk i do as serbët. Serbët i përdor si mish për top. Siç i ka përdorur në 20 vjetë.

Vetëm një ditë para se të shoqëronte shefin e tij në Beograd, ministri rus i Punëve të Jashtme dha në Moskë një konferencë shtypi mbi prioritetet e politikes së jashtme ruse për vitin 2019. Këto prioritete ai i përmblodhi si vijon:

i) Krijimi i një fronti të gjerë anti-terror nën ombrellën e OKB-së

ii) Mobilizimi i komunitetit ndërkombëtar për luftën ndaj trafikut të drogës dhe krimit të organizuar

iii) Krijimi i kushteve për zhvillime pozitive në Siri dhe Gadishullin Korean

iv) Kontributi në zgjidhjen e krizave dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Ukrainë.

Kaq.

As më shumë e as me pak.

Askund konflikti serbo-shqiptar. Askund Bosnja. Askund Ballkani.

Mbështetësve të shkëmbimit të territoreve në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë, Vladimir Putin ua hoqi kartën më të rëndësishme, atë të njohjes së Kosovës pas marrëveshjes. Ua hoqi edhe anëtarësimin në OKB. Duke u rikthyer tek Rezoluta 1244, Vladimir Putin e riktheu situatën e para vitit 2008, madje para Pakos Ahtisari.

Negociatat ti vazhdojnë, territoret ti shkëmbejnë, Por, pa Rusinë. Putin ka axhendën e vet. Ai nuk ka ndërmend të njohë Kosovën.

Ai do ndryshime kufijsh, por jo të njohë Kosovën.

I do për llogari të vete.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp18/01/2019 17:29

Te humbasesh virgjerine, e pastaj te shkosh te qepesh te doktori, per ti hedhur hi syve burrit ne pritje.Te perpiqesh te mbulosh keq qeverisjen dhe me shume se kaq, me patriotizem te shpifur.Bashkimi kombetar nepermjet integrimeve Euro-Atllantike ngelet i vetmi opson dhe me i leverdishmi.Rezoluta eshte rezolute, vetvendosja eshte vetvendosje dhe kjo tashme nuk ka kthim mbrapa.Putin i bije shkurt, se i di te gjitha keto.Ndoshta kerkon ndonji pazar per Krimene, ne shkembim te njohjes se Kosoves.

Albi18/01/2019 17:00

Nqs kjo marreveshje do ishte fakktor stabiliteti Gjermania do ta mbeshteste ne sekonde. Por nuk eshte. Eshte pikerisht burimi i kaosit qe sipas cimit ka nevoje Rusia. Ne keto ceshtje gjithomone gjykimi i Merkelit eshte me i sakte nder lideret e momentit.

Shto koment

Denonco