10 arsyet pse Gent Caka nuk është ministër i Jashtëm?

10 arsyet pse Gent Caka nuk është ministër i Jashtëm?

Nga Lutfi Dervishi - 12/01/2019

Refuzimi nuk ka lidhje me moshën, apo qëndrimet publike për kufirin, por ka të bëjë me mungesën totale të transparencës nga ana e kryeministrit.

Kryeministri e paraqiti në publik kandidaturën e 29 vjeçarit nga Prishtina si njeri shumë të lexuar.  Por publiku ka më shumë pyetje sesa përgjigje.

Janë së paku 10 pyetje që kërkojnë përgjigje urgjente:

1.Sa libra ka lexuar Gent Caka?

2. Cila është  natyra e librave:  janë libra letrar apo jo letrar?

3. Në çfarë gjuhe I ka lexuar librat?

4. Duke qenë ministër për Europën dhe Punët e Jashtme- mbi 60% e librave të lexuar- sipas direktivës së BE-së për prodhimet kulturore- duhet t’i përkasin kontinentit europian. Si qëndron ky raport në lidhje me librat e botuar në Amerikë apo kontinente të tjera?!

4. Nuk sqarohet në çfarë formati i ka lexuar librat. I ka lexuar librat në letër apo në formatin elektronik? Kindle? Ebook, apo ka abuzuar dhe ka dëgjuar libra audio dhe i rreshton si libra të lexuar?!

5. Institucionet përkatëse kopetente: Bibliotekat në Shqipëri dhe Bibliotekat e vendeve partnere nuk kanë patur kohën e mjaftueshme për të kontrolluar nëse librat që ka marrë nga këto biblioteka i ka kthyer në kohën e duhur - sipas rregulloreve në fuqi, apo ka zbatuar parimin leninist: vjedhja e një libri nuk është vjedhje. Në kushtet e ndikimit të mundshëm rus në rajon- ky verifikim duhet bërë me shpejtësi dhe transparencë për publikun dhe këdo tjetër të interesuar.

6. Nuk është e qartë nëse librat e formatit elektronik janë të blerë në app store apo janë pirate që qarkullojnë përmes what’s app-it apo emailit. Shoqata e botuesve - sipas informacioneve zyrtare- nuk ka marrë asnjë kërkesë për të verifikuar nëse librat e pretenduar të lexuar respektojnë të drejtën e autorit.

7. Nëse ka lexuar aq shumë libra sa thotë kryeministri- ku e ka gjetur kohën për të punuar?!. Leximi i shërben punës, por nuk është e gjithë puna. Përndryshe, po të përdorej kriter leximi- folësit e lajmeve (gjysëm kadrijtë) do të ishin kandidatura të shkëlqyera për ministër të Jashtëm.

8. A llogariten si libra të lexuar edhe tekstet shkollore?! Gent Caka paska mbaruar dy universitete dhe 3 mastera- nëse i ka mbaruar me sukses siç pretendon kryeministri- ku e ka gjetur kohën për të lexuar libra të tjerë jashtë shkollorë?! Nga verifikimet e institucioneve nuk rezulton që ai të ketë lexuar libra në fëmijëri se përndryshe do të kishte marrë titulllin: “Miku I vogël I librit”

9. Fakti që Gent Caka nuk ka titullin doktor shkencash vë në pikëpyetje deklarimin se ia ka lexuar shumë libra!

10. Nëse përdorim si kriter leximin e librit për poste kaq të rëndësishme, çfarë duhet të themi për njerëzit që shkruajnë libra. Mos duhet t’i bëjmë kryeministra?!  Kemi autorë shqiptarë të spikatuar që kanë shkruar libra më shumë se ç’kanë lexuar dhe as pension të posaçëm nuk po marrin!

10/1. Meqë jemi në vitin e Skënderbeut. Sa libra për heroin tonë kombëtar ka lexuar Gent Caka? Në çfarë gjuhe ka lexuar?

10/2. Sa libra për ndryshimin e kufijve dhe shtetet e dobëta ka lexuar Gent Caka? A është verifikuar informacioni se kohët e fundit lexon- vetëm libra për shtete të dështura, për regjime hibride dhe libra antisistem?!

Është e kuptueshme që për hir të privacisë publiku mund të mos dijë orët se kur lexon, mënyrën se si lexon, shpejtësinë e leximit, por gjithsesi duhet ditur nëse librat i lexon nga faqja e parë tek e fundit apo lexon në stilin e Enver Hoxhës, 2-3 faqe në fillim, një në mes dhe dy paragrafë në fund të librit?

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishmja: kush ja ka rekomanduar librat për lexim Gent Cakës- Baton Haxhiu apo Berat Buzhala?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber13/01/2019 01:29

Shkrim fantanstik. Nje tallje e holle dhe therese me te palexuarin Rama dhe cunakun e tij "gjeni" qe ka kaperdire miliona libra, pavaresisht se nuk e dime ne cfare gjuhe i lexon sepse Shqipja, Italishtja dhe Anglishtja e tij jane skandal. Mbase zoteron shkelqyeshem Serbishten, si dylber i Batonit qe qenka dhe i lexojne bashke.

Pikamorepika12/01/2019 23:22

kur je dhe ti analist, pikaaaa§Kush te merr seriozisht ty more katran?

Albi12/01/2019 20:54

Pyetja baze eshte sa eshte nr i librave qe toleron sistemi i k/ministrit para se te kaloje ne mahnitje apo deri ne budallepsje? Nuk eshte gje e keqe ne thelb se deri tani e kemi te pare te mahnitur vetem nga rrefimet e krimit. Ne kete rast mund te themi besoj me bindje se tolerancen e ka masive deri ne pangopesi. Dyshoj se mund te themi te njejten gje per kete punen e librave. Satira e Dervishit eshte gjithmone e mirepritur por ne kete rast duhet te adresohet vetem tek kryeministri ,pasi i ngrati Gent eshte teresisht i pafajshem ndaj ndjeshmerise si te kaktusit ndaj ujit qe paska k/ministri ndaj leximit te librave, aq sa ta konsideroje si kriterin e vetem kualifikues per njeriun qe do ulet ne tavoline me Pompeon e Lavrovin.

Shto koment

Denonco