…Lexim i vendimit të Metës dhe i reagimit të Ramës…?!

…Lexim i vendimit të Metës dhe i reagimit të Ramës…?!

Nga Kastriot Islami - 10/01/2019
  1. Më duhet të shënoj se propozimi i Ramës për Ministrin e ri të Jashtëm, vendimi qetësisht i menduar dhe i argumentuar i Metës, reagimi disproporcional, emocional dhe i acaruar, i Ramës dhe qëndrimet/reagimet e shumë politikanëve dhe përfaqsuesve të rëndësishëm mediatikë, nga Shqipëria dhe Kosova, duhen lexuar dhe kuptuar në kontekstin e një vendimi “gjeopolitik”, shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e Kosovën dhe me impakt për sigurinë e të gjithë shqiptarëve, por edhe për stabilitetin në rajon. Një vendim që ka hasur dhe duket do të hasë kundërshti nga shumë aktorë e faktorë shqiptarë si dhe mbështetje e kundërshti edhe nga partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë e Kosovës.
  2. Shqiptarët duhet urgjentisht të bëhen me dije se po merret në vendim “gjeopolitik”, shumë i rëndësishëm dhe me impakt “historik” për integritetin e Kosovës por që mund të shkaktojë pasiguri për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve në rajon. Një vendim shumë i diskutueshëm dhe me shumë pikëpyetje, vecanërisht për integritetin e Kosovës, sigurinë e Shqipërisë e Kosovës, integrimin e tyre në BE dhe stabilitetin e rajonit. Ndërkohë që jo të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës janë në unison për këtë vendim.
  3. Në dijeni të detajeve të këtij vendimi, të procedurave përkatëse dhe të kalendarit kohor të implementimit të tij eventual janë vetëm Thaci, por edhe Rama. Thaci ka zbuluar deritani vetëm dicka kurse Rama ka heshtur duke mbuluar gjithcka, pavarësisht se ka lënë të kuptohet se e mbështet Thacin në nismën që con  në marrjen e këti vendimi. Qytetarët e Shqipërisë e të Kosovës do tju duhet t’i kërkojnë urgjentisht e me forcë, Thacit e Ramës, sa nuk është ende vonë, që Thaci-Rama ose të shprehen qartë e publikisht për këtë vendim ose të distancohen duke u larguar nga ky proces.
  4. Meta ka marrë një vendim, qetësisht të mirëmenduar dhe të argumentuar, për të mos dekretuar Ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë duke u futur në “konflikt” me Kryeministrin Rama. Prej disa kohësh Hashim Thaci, në “konflikt” me shumë politikanë në Kosovë e Shqipëri, insiston për të përmbyllur me Vucic, një marrëveshje që mendohet se cënon integritetin e Kosovës. Këto “konflikte” kanë përfshirë edhe shumë politikanë dhe përfaqsues të medias, nga Shqipëria e Kosova.
  5. Në të vërtetë, kundërshtitë për cështjet në fjalë janë vetëm maja e ajsbergut, sepse në realitet kundërshtitë që kanë politikanët shqiptarë mes tyre kanë të bëjnë në të vërtetë me “vendimin gjeopolitik” me ndikim jo thjesht në integritetin e Kosovës por që do të rriste pasiguritë për të ardhmen e saj, të Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Duket, se pas më shumë se një shekulli shqiptarët do të duhet të përballen me një vendim të ri “gjeopolitik” me pasoja historike për ta.
  6. Është urgjente të bëhet sa më shpejt publike “platforma e marrëveshjes” që eventualisht Thaci do të mund të nënshkruajë me Vucic në Davos të Zvicrës, dhe nëse kjo s’është e vërtetë të deklarohet publikisht e kundërta apo më saktë e vërteta. Vecanërisht të bëhet publike se cfarë parashikohet konkretisht për “veriun e Kosovës”?
  7. Po ashtu është urgjente që Rama të pushojë së heshturi dhe të bëjë të ditur nëse e mbështet “platformën e marrëveshjes” mes Thacit e Vucic? A është Rama në dijeni të saj dhe cfarë konkretisht Rama di për këtë marrëveshje. Mjaft me qëndrime të maskuara sepse sot me qëndrimin e tij, emocional e të ashpër, e për rrjedhojë aspak dinjitoz për postin që mban, ndaj vendimit të Presidentit Meta, ka rënë edhe maska e Ramës, dhe qytetarët presin artikulimin e tij verbal.
  8. Në asnjë nga programet politike të partive politike kryesore në Shqipëri (PD, PS, LSI e tjerë) e në Kosovë (PDK, LDK, VV, e tjerë), por as në programet e qeverisjeve të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë 28 vjetëve të fundit, nuk gjëndet qoftë edhe një fjali e vetme për cështjen prekjes së integritetit të Kosovës që lihet të kuptohet se do të përmbante eventualisht marrëveshja mes Thacit e Vucic.
  9. Nuk ka për më tepër asnjë debat të brëndshëm në partitë politike kryesore në Shqipëri e Kosovë.  Po ashtu nuk ka asnjë debat, të hapur jo e jo por as të mbyllur, mes partive politike në Shqipëri e Kosovë.   Dhe as që bëhet fjalë për një komunikim transparent mes drejtuesve të lartë politikë të Shqipërisë e Kosovës. Kuvendet në Shqipëri dhe Kosovë, shumica e deputetëve dhe politikanëve, e të gjithë diplomatëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe shumica e ministrave në Shqipëri e Kosovë janë në padijeni të plotë se cfarë vendimi “gjeopolitik” është gatuar dhe po merret. Për qytetarët as që bëhet fjalë, ata do të kapen me shumë gjasa në befasi të plotë dhe duket se është bërë e qëllimshme që ata të gjëndet përballë një vendimi të përfunduar, efektet e të cilit do të fillojnë ti ndjejnë vetëm pas disa vitesh. Ose partitë politike kryesore duhet të grisin programet e tyre ose qytetarët duhet ti zhdukin nga peisazhi politik ato parti që veprojnë ndryshe nga programet me të cilin ju kanë marrë votat qytetarëve; ky është një rast “ideal” për qytetarët të ndëshkojnë politikanët që veprojnë ndryshe nga c’premtojnë…
  10. Qëndrimi i Thaçit, në kundërshti me qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj dhe shumë politikanëve të tjerë në Kosovë, për të biseduar me Vucic për “integritetin e Kosovës” dhe propozimi i Ramës për emëruar në postin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Genti Cakajn, në kundërshti me qëndrimin e Presidentit Meta dhe të shumë politikanëve në Kosovë kanë lidhje me vendimin “gjeopolitik”. Me ndikim për integritetin e Kosovës, dhe me shumë gjasa që do të rriste pasigurinë për të gjithë shqiptarët në rajon. Platforma për marrjen e këtij vendimi duket eventualisht se është përfunduar në vija të përgjithshme, përvec ndonjë momenti “pikant”, por ende nuk ka garanci dhe siguri se ajo do të zbatohet. Bëhet fjalë për një vendim shumë të rëndësishëm “gjeopolitik” për një prej kufijve shumë të rëndësishëm në rajonin tone, për të cilin edhe kundërshtitë janë “gjeopolitike”.
  11. Duket fatale, që në këtë moment, ndoshta më i rëndësishmi në historinë e kombit shqiptar, pas më shumë se 100 vjetësh, politika mbarëshqiptare gjendet e përçarë në ekstrem, edhe së brendshmi në Kosovë, edhe së brendshmi në Shqipëri por edhe mes Kosovës e Shqipërisë.  Karakteristika të tjera të sjelljes politike aktuale të drejtuesve politikë në Kosovë e Shqipëri janë edhe: i) mungesa e transparencës madje mbajtja tërësisht në errësirë e shumicës së politikanëve dhe e të gjithë qytetareve se çfarë po ndodh dhe çfarë vendimi historik po merret për të ardhmen e tyre, ii) mungesa e dialogut mes aktorëve të ndryshëm politikë; iii) mungesa e debatit publik e mediatik mes politikës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
  12. Shumë politikanë dhe analistë mendojnë se ka një tentativë nga Thaçi e Rama për të mbajtur të fshehtë këtë marrëveshje me synimin për ta përdorur atë për interesat e tyre personale të pushtetmbajtjes. Dhe pikërisht prekja e këtyre interesave mesa duket shpjegon edhe “kokëfortësinë” e Thaçit për mbajtur eksluzivitetin e kësaj marrëveshjeje dhe çuar atë i vetëm deri në fund dhe reagimin disproporcional, të acaruar dhe aspak dinjitoz të Ramës ndaj vendimit të matur, të mirëmenduar dhe të argumentuar të Metës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment