Emergjente, rrëzimi i këtij modeli qeverisjeje

Emergjente, rrëzimi i këtij modeli qeverisjeje

Nga Bujar Nishani - 07/01/2019

Ne shqiptarët e Shqipërisë hymë në vitin 2019 në një situatë tejet të vështirë në të gjithë kompleksitetin e saj dhe me psikologjinë e “të pamundurës”, në besim e shpresë pothuajse të degraduar, jo vetëm si koncept dhe ligjësi por si ndjesi e përjetim.

Nëse do të adresonim përgjegjësitë për këtë katandisje, ajo nuk do të përjashtonte askënd, asnjë aktor, asnjë faktor, asnjë grupim shoqëror, asnjë individ të kësaj shoqërie. 

Padyshim jo me përgjegjësi të njëjtë. Përgjegjësi që zbret në piramidën e peshës së saj por që nuk lë pa prekur, qoftë dhe milimetrikisht, çdokënd prej nesh. Por nëse vërtitemi në qerthullin e retorikës virtuale të përgjegjësive nuk do mbërrijmë kurrë gjëkundi dhe rrezikojmë seriozisht të vijojmë të mbetemi peng i Status quos së krijuar.

Përgjegjësia e seicilit që ndihet i/e tillë dhe më së shumti është i/e përgjegjëshëm, sot kërkon që të sfidojmë seriozisht e me çdo çmim, burimin e rrjedhjes të së keqes. 

Modelin e kësaj qeverisjeje që vit pas viti, muaj pas muaji, ditë pas dite që nga shtatori i 2013 shkaktoi këtë destruktivitet të shoqërisë, këtë zhbërje të shtetit dhe këtë degradim të imazhit të këtij populli.

Modelin, që ja dorëzoi vullnetin politik të popullit individëve apo dhe grupeve kriminale me axhendë, interesa, skrupuj dhe psikikë krejt të ndryshme nga ajo e shumicës dërrmuese të shoqërisë pavarësisht se cilit afilacion partiak i përket.

E mbushi Parlamentin, bashkitë, administratën shtetërore, policinë, doganat, tatimet, agjensitë shtetërore me vrasës, trafikantë, keqbërës dhe kriminelë ordinerë.

Sikur ta kishte mbushur veç me militantët partiak, thjesht do të ishte gabim por jo kriminale, siç e bëri duke e mbushur me të inkriminuar.

Modelin, që ktheu në politikë të vullnetshme shtetërore kultivimin masiv të kanabisit me nxitje dhe mbrojtje policore, duke e kthyer traditën e investimit nga agroproduktet tek kanabisi edhe atje ku kurrë nuk ishte përmendur si specie kultivare. 

Ekzekutimet dhe zhdukjet masive për shkak të bisnesit të narkotikëve ishin të pashmangëshme e nuk do të përfundojnë lehtë për shkak të këtij modeli qeverisës.

Modelin që ngriti në sistem merite korrupsionin dhe vjedhjen e parasë e pasurisë publike duke shkatërruar rregullin numër një të zhvillimit të kapitalit, konkurencën e lirë. 

Në të gjitha vitet e qeverisjes së këtij modeli, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar e raportuar miliarda lek abuzime e dëme të buxhetit të shtetit. 
Përkundër asaj, disa miliarda të tjera shpërdoruar për të financuar projektet e bisneseve të 5-6 oligarkëve, pa asnjë garë me të ashtuquajturat “ konçensione”.

Mosndëshkimi i askujt që vjedh e grabit nga maja e Piramidës, promovoi dhe kalçifikoi “modelin”; se i zotit dhe i fituar është ai që vjedh e grabit atë çka i takon të tjerëve.

Modelin, që vit pas viti varfëroi gjithmonë e më shumë tryezën dhe shtëpinë e shqiptarëve.

Taksa më të shumta e më të larta, karburanti më i shtrenjtë, energjia më e shtrenjtë, uji më i shtrenjtë, ushqimet më të shtrenjta, shtëpitë më të shtrenjta, ilaçet më të shtrenjta, arsimimi më i shtrenjtë, vende pune më pak.

Modelin, që e çoi borxhin publik nga 62% në 72% (pa llogaritur atë të fshehtin). 

Rritja me 10 pikë % në pesë vite e zhyt ekonominë familjare të shqiptarëve në stanjacionin e varfërisë aktuale minimumi në 10 vite të tjera. 

Megjithë këtë borxh pothuajse u zhduk koncepti i investimeve publike. 

Përveç disa palmave të thara, pllakave të thyera në sheshe qytetesh, investimi publik u harrua edhe si term.

Modelin, që e degradoi shërbimin mjekësor dhe spitalet në ato të nivelit të Luftës së Parë Botërore.

Nevojën për trajtim mjekësor e ka gjithkushi.  I moshuari dhe i vogli, i pasuri dhe i varfëri, fermeri dhe bisnesmeni, minatori dhe profesori. Gjithkushi !
Nëse 10% e qytetarëve të këtij vendi e kanë mundësinë të marrin një shërbim të nevojshëm e dinjitoz të kurohen e shpëtojnë jetën e tyre jashtë vendit, të tjerët janë të paradënuar të përpëliten në kushtet mizarabël që i katandisi spitalet ky model qeverisës.

Modelin, që ju imponoi studentëve shqiptarë ligjin më diskriminues të arsimit të lartë. 
Në asnjë vend të botës nuk gjen një model ku për tu arsimuar në universitetet publike duhet të paguash “tarifën e aplikimit”, “tarifën e konkurimit”, “tarifën e rregjistrimit”, “tarifën e shkollimit”, “tarifën e studimit”, shto pastaj tarifa të tjera në të gjitha shërbimet kancelarike dhe laboratorike çka ju kushton familjeve mesatare shqiptare gati 50% të buxhetit familjar, strikt kosto formale, pa llogaritur jetesën e përditëshme të fëmijëve të tyre.

Modelin, që shndërroi çdo hapësirë të mundëshme për gjelbërim, ajër për jetesë, mundësi për lëvizje në kulla pafund betoni e hekuri deri mbi dritaret dhe çatinë e tjetrit.

Modelin, që dobësoi dhe goditi konsolidimin e rolit të faktorit shqiptar në rajon në një shërbim antikombëtar në interes të qarqeve më nacionaliste dhe shoviniste të këtij rajoni. Platforma e anashkalimit të Prishtinës, defaktorizimit të lidershipit politik në Kosovë dhe koncentrimin e procesit të normalizimit shqiptaro-serb në aksin Beograd-Tiranë sipas vizionit Vuçiç-Rama.

Faktori shqiptar në tërë historinë e këtij rajoni ka qenë veçse paqëtues dhe askurrë agresor, ka qenë veçse përfshirës dhe asnjëherë përjashtues, ka qenë çdoherë mikpritës dhe në asnjë rast dëbues. Historikisht mbrojtës, kurrë sulmues.

Kjo trashëgimi dhe kulturë në terma të një konsolidimi më të madh si faktor veçse do të rriste garancitë e parandalimit të destabilizimeve. 
Kjo potencë u defektua dhe u infektua seriozisht nga ky model i të shiturit që sot duhet sfiduar.

Modelin, që riktheu eksodet masive të largimit nga vendi të qindra mijëra personave njësoj siç linin vendin e tyre sirianët dhe afganët nën luftë. 
Larguan të rinjtë, të shkolluarit, të papunët por dhe bisnesmenë të mesëm, familjarë madje dhe fëmijë ende të parritur në gjirin e familjes. 
I përzunë mes dhimbjes shqiptarët siç kurrë as nga pushtuesit e huaj.

Modelin, që përpos gjithë këtyre vrau shpresën dhe tenton çdo ditë të groposë besimin. Shpresën se e keqja mund të ndalet. Besimin se normaliteti mund të rikthehet edhe ndër shqiptarët.

Modelin, që mendon se mund të gënjejë e mashtrojë përsëri e përsëri, pa turp shqiptarët, se po bën ndryshime në qeveri.
Që të provohej dështimi i kësaj qeverie nuk ishte e nevojshme që ta pranonte vetë ky kryeministër duke shkarkuar 2/3 e Qeverisë. 
Emergjente për shqiptarët nuk është largimi i disa ministrave, disa prej tyre të dhunuar në dinjitet dhe integritet nga kryeqeverisësi dhe disa të tjerë të zhytur kokë e këmbë në batakun e qelbur të krimit dhe korrupsionit.
Emergjencë është të ndryshohet qeverisja, modeli i saj, sistemi i inkriminuar i korrupsionit, trafikimit, vjedhjes dhe mashtrimit.  Të mbyllet Burimi i të Keqes.

Fanatikët e vetëm të ruajtjes së këtij burimi të së keqes sot kanë mbetur veçse disa rrjeshtime fondamentaliste të cilat tmerrohen se do të humbasin qylin e përvetësimeve. Modeli i qeverisjes aktuale është një sponsorizim antishqiptar i qarqeve më ekstremiste shqiptarofobe. Përmes sponsorizimit të këtij modeli ata synojnë të profilozojnë në sytë dhe perceptimin ndërkombëtar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo nuk ka të bëjë me Partinë Socialiste, as me votuesit apo simpatizantët socialistë. Ata për fat të keq janë përdorur për të ngritur këtë model monstër qeverisjeje dhe kreaturën që shpërfytyroi dhe degradoi një vend dhe shtet të tërë që dhe ashtu ishte i lënduar dhe drobitur nga një diktarurë makabre dhe tranzicion post-diktatorial plot trauma.

Ndaj, emergjente sot është rrëzimi i këtij modeli, mbyllja e Burimit të së Keqes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp07/01/2019 15:15

"...disa prej tyre(ministra) te dhunuar ne dinjitet dhe integritet,nga kryeqeverisesi"(Rama).Qe te tjere jane me te denje per tu shkarkuar, une jam ne nje mendje me Ju Z.President, por kush jane ministrat e mare me qafe?,Te rrezojme modelin apo te rrezojme qeverine bashke me modelin, qe zbaton si praktike qeverisese. Ta bejme rrotacionin, duke ruajtur modelin , apo te ruajme nje pjese te modelit, me nje kryeqeverises tjeter, brenda gardhit.Nese jashte gardhit, cili do ishte modeli qe do tu servirej shqiptareve?.Disa modele te implementuara ne modelin qeverises te nalte gjatesise, e kane burimin ne disa ndryshime ne ligjin per Noterine,ne ndryshime ne Kodin e Procedures Civile,ne Kodin e Proçedurave Administrative, ndryshime te tjera me ligj, me VKM e akte nen ligjore, qe kane kufizuar apo perçudnuar te drejtat ligjore e kushtetuese te qytetareve shqiptar.Pra, modeli eshte me viruse.

Shto koment