Qytetarët, Opozita, Zgjedhjet …

Qytetarët, Opozita, Zgjedhjet …

Nga Kastriot Islami - 05/01/2019

Duket se opozita ka përcaktuar axhendën e saj politike në tre drejtime kryesore:

  • Drejtimi i veprimeve reaktive: Ndriçimin e zullumeve të qeverisë Rama dhe diskretitimin e kësaj qeverisjes përmes bërjes publike të gjithë skandaleve të saj, e veçanërisht të atyre të lidhura direkt me Ramën dhe kupolën e tij të ngushtë. Gjithë kjo veprimtari po bëhet dhe duhet të thellohet ne dialog të përditshëm me qytetarët, me grupet e interesit, me grupet qytetare në protestë, për të rritur besimin dhe shpresën e qytetareve;
  • Drejtimi i veprimeve protestuese: Përcaktimin e marrëdhënieve të kushtëzuara me kuvendin dhe të gjithë pushtetin ilegjitim të Rilindjes dhe angazhimin për largimin e Ramës nga drejtimi i vendit me të gjitha mjetet demokratike, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira me një qeveri pa Ramën kryeministër, duke mbështetur dhe nxitur të gjithë protestat e grupeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ky ndoshta është edhe drejtimi me objektivin më të vështirë për të gjithë opozitën politike e qytetare që kërkon paraprakisht plotësimin e disa kushteve paraprake: i) krijimin e shpejtë të ekipit alternativ; ii) hartimin dhe bërjen publike të platformës alternative gjithëpërfshirëse të shpresës, iii) krijimi e një fronti të bashkuar gjithëpërfshirës;
  • Drejtimi i veprimeve konstruktive: Angazhim serioz për kryerjen e një reforme zgjedhore në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe krijimin e kushteve për konkurrim të barabartë, dinjitoz e të ndershëm me synim ndërtimin e një parlamenti legjitim, cilësor e të gjithëpranuar.

Për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sigurisht me një qeveri pa Ramën kryeministër, është e domosdoshme që të realizohen ndryshimet adekuate në Kodin Zgjedhor apo në dokumenta të tjerë, përmes një procesi gjithëpërfshirës e konsensual. Një liste e cila eventualisht nuk është shteruese do të ishte:

  • për ndalimi e blerjes së votave;
  • për largimin e të gjithë individëve me rekorde kriminale apo të lidhur me kriminelët:
  • për shkatërrimin e kapjes së shtetit nga oligarkia dhe largimin e nga kuvendi të bartësve të këtyre lidhjeve korruptive;
  • për identifikimin biometrik të votuesve,
  • për realizmin e votimit dhe numërimit elektronik të votave;
  • për kontrollin e  shpenzimeve financiare gjatë fushatës elektorale;
  • për ndalimin e përdorimit të mjeteve administrative gjatë fushatës elektorale,
  • për departizimin e komisioneve zgjedhore të të gjithë niveleve;
  • për kryerjen eventuale dhe adekuate, inkluzive, të ndryshimeve në sistemin zgjedhor,
  • për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhje, (çështje që duhet ti jepet një zgjidhje përfundimtare e dinjitoze)
  • dhe pa asnjë dyshim edhe për reflektimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE-ODHIR.

Vendi i ndodhur në një udhëkryq të rrezikshëm për të ardhmen e tij, kur për më tepër po boshatiset me shpejtësi dhe shumica e qytetarëve janë të pashpresë, ka nevojë për reflektim të thellë gjithëpërfshirës, për veprime të matura dhe inteligjente dhe angazhimi serioz të të gjithë faktorëve e aktorëve politike, të mëdhenj e të vegjël, por mbi të gjitha për pjesëmarrjen e qytetarëve të ndershëm e të përgjegjshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Valbona05/01/2019 17:25

Me vjen keq kur lexoj komentet. Profesori eshte shume i qarte te ato qe thote. Analiza e tij eshte integrale dhe terapia qe propozon eshte po ashtu integrale. Lexojeni me vemendje dhe kujdes profesorin per gjithcka thote. Ai eshte i qarte dhe racional, prandaj gjithcka thote nuk ka asnje perseritje ne ato qe thote dhe njekohesisht eshte koherent ne kohe e hapsire me gjithcka ka thene dhe thote, por duke pasur nje dinamike mendimesh e propozimesh ne perputhje me realitetin qe ndryshon. Thoni dicka konkrete qe nuk qendron kurse nese keni dicka per te shtuar profesori ju ka lene hapsiren e plote kur ju thote se "....lista ... nuk eshte shterurese...".

Ajo05/01/2019 15:25

Me gjithe respektin qe kam per ju Z. Islami, por a nuk po ju duket se po perserisni veten tuaj?
Ka ikur koha e denoncimit dhe zberthimit te klanit mafioz te Rilindjes. Sot eshte koha e veprimit!
Perse valle opozita dhe PD- ja ne vecanti nuk po e shfrytezon kete klime proteste qe me ne fund u arrit?
Perse nuk vihet ne balle te saj per ta bere vertet fuqishme dhe te masivizuar per ta detyruar kete qeveri mafioze te jape doreheqjen?
Cila opozite ne bote do te linte nje shans te tille ti ikte nga dora?

krasasi tp05/01/2019 15:17

Profesor, mesa duket edhe ju keni ardhur ne nje perfundim te arsyshem e llogjik, se ndryshimet ne ligjin zgjedhor, per te siguruar zgjedhje te lira, te ndershme e gjitheperfshirese, nuk mund te ndodhin perderisa estabilshmenti i vjeter politik, i futur ne kazanin oligarkik, nuk lejon ndryshime pozitive,por i shtyn ndryshimet per ne minuten e fundit, per mos ti realizuar ato asnjehere.Mire e kini Profesor. Nuk i bihet murit me koke.Ndaj Ju gjithmone e me pak i referoheni oligarkeve, atyre qe percaktojne prioritetet e zhvillimit, kostot e investimeve, tenderave pa gare , fshehjeve e te gjitha mbrapshtirave ne kurriz te buxhetit te shtetit, ne kurriz te taksave,neper kazanat e ofshoreve te botes.Projekti qe propozoni dhe rruget per realizimin e tij, kane kaluar nepermjet kalcifikimit te gjithe sistemit partiak me ate rilindjar, majtas e djathtas.Po mund ta realizojme nje ndryshim sipas parametrave qe propozoni, me ngushellimin se çdo kush qe vjen pas Rames kryeminister, do jete pak, apo shume me pak i demshem se Ai.Mirepo qe gjithçka te finalizohet, duhet te kemi nje "kryengritje ne pallatin e PS"pra nje qeveri te majte pa Edi Ramen Kryeminister siç propozoni Ju.Mirpo megjithe kundershtimet tuaja brenda "pallatit", apo ne te tjerave ne "oborr", nuk ja arritem ti bindnim "gjithesine" rilindiste se pa Ramen eshte me mire per te gjithe.Ndaj ne keto kushte kur per fate te keq nuk arrihet nje qeverisje e majte pa Edi Ramen Kryeminister çfare na keshilloni, per te dal nga kjo gjendje?.

Shto koment

Denonco