KLGJ dhe KLP në rrugën e paligjshmërisë si Antireformë

KLGJ dhe KLP në rrugën e paligjshmërisë si Antireformë

Nga Petrit Vasili - 30/12/2018

Integriteti moral e profesional dhe zbatimi i ligjit ishin shtyllat e supozuara parimore të Reformës në Drejtësi. Reforma, veçanërisht në këtë moment kur organet e qeverisjes janë ngritur, për fatin e keq të saj ka hyrë rrezikshëm në rrugën e paligjshmërisë që zhbën reformën.

Reforma në Drejtësi, për të evituar lojën e keqe dhe të pisët me interpretimet, u orientua shumë fort drejt saktësimit të çdo momenti ligjor në ligje e Kushtetutë. Aq e vërtetë është kjo sa që pati edhe zëra kundër detalizimit edhe të Kushtetutës, por megjithatë Reforma eci në këtë rrugë.

KLGJ dhe KLP sot janë përballë provës së integritetit. Alibia se do ta shkelim ligjin sepse të huajt po na mbështesin është një alibi që rrënon procesin. Të huajt dhe misionet e tyre kanë qenë po ata që kanë mbështetur, asistuar e miratuar edhe ligjet e kodet, që reforma i rrëzoi e ndryshoi. Konkretisht pjesë ligjesh, që rregullojnë veprimtarinë e KLGJ dhe KLP, janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe këto organe nuk kanë asnjë të drejtë interpretuese, por vetëm qartësisht zbatuese.

Edhe nëse janë zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dispozita, që rregullon mënyrën e thirrjes dhe mbledhjes së këtyre organeve kolegjiale nuk ekziston, pasi ato rezultojnë të shfuqizuar (neni 61 dhe neni 159 i ligjit nr.115/2016 “Për organet qeverisëse në sistemin e drejtësisë”, janë shfuqizuar tërësisht). Pra, ka vakum dhe mungesë rregullash se si ky organ mblidhet dhe nuk ekziston asnjë rregull se çfarë të drejtash kanë këto organe (KLGJ dhe KLP), çfarë aktesh nënligjore mund të vendosin. Referuar këtyre mangësive dhe boshllëkut ligjor të krijuar, krijohet rreziku që as buxheti i tyre nuk mund të hartohet dhe as të miratohet dot, as akte nënligjore nuk miratohen dot, as procedime disiplinore nuk realizohen dot, as dënime disiplinore nuk jepen dot, as emërime nuk kryhen dot, as transferime nuk realizohen dot. Nuk ka përcaktim ligjor se si janë përgjegjës dhe çfarë shkeljesh disiplinore, apo si procedohet një anëtar i KLGJ dhe KLP nga ana disiplinore. Janë shfuqizuar dispozitat që rregullonin këtë proces (neni 5 dhe neni 103 shfuqizuar tërësisht). Ajo që lind e nevojshme nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizim të këtyre neneve në ligje është se: Kuvendit do të duhet të angazhohet sërish për të plotësuar vakumin-zbrazëtinë ligjore, të krijuar nga ky vendim, duke plotësuar:

- Se cilat janë ato dispozita dhe mënyra e procedimin disiplinor të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë?

- A do të duhet të ketë një rregullim të veçantë procesi disiplinor ndaj anëtarëve të KLP dhe KLGJ?

- Cilat janë kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që mund të ushtrohen me vendimmarrje të përcaktuara për Mbledhjen Plenare të këtyre organeve apo të Nënkomisioneve që mund të ngrihen?

- A do të duhet dhe a mundet që KLP dhe KLGJ një pjesë të kompetencave t’i ushtrojë në komisione të posaçme?

Për këto arsye të pakapërcyeshme:

Plotësimi i vakumit ligjor, në të dy ligjet qoftë në ligjin nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, apo dhe në ligjin nr.115/ 2016 “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”, pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, është i detyrueshëm dhe i menjëhershëm dhe kjo kërkon angazhimin e Parlamentit që me frymën e bashkëpunimit të plotësojë këto vakume, në mënyrë që sistemi i drejtësisë, të mos ndodhet në një moment që ka qeveri, por që s’merr dot vendime. Mosplotësimi i këtyre boshllëqeve ligjore do të sjellë mosfunksionimin normal dhe me efikasitet të plotë të këtyre organeve, të reja, të cilat në mungesë të ligjeve do fillojnë të interpretojnë dhe të krijojnë praktika, që do mund të kundërshtohen dhe do sjellin pasiguri dhe humbje të besimit të publikut.

KLGJ dhe KLP nuk kanë një bazë ligjore të shëndoshë për të funksionuar, të mblidhen dhe çfarë mund të vendosin. Pra, mund të konstituohen, siç ndodhi, por nuk mund të funksionojnë normalisht. Sipas nenit 81, pika 2, të Kushtetutës të dy këto ligje votohen me shumicë të cilësuar 3/ 5 dhe ky është aspekt shumë i rëndësishëm.

Duhet ndrequr me urgjencë dhe në Kuvendin e Shqipërisë, çdo gabim që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar, në mënyrë që organet e reja të zgjidhen dhe të fillojnë nga funksionimi sipas ligjit dhe në respekt të plotë të tij. Të plotësohet vakumi ligjor në mënyrë që këto dy organe, pra, KLGJ dhe KLP të ushtrojnë kompetencat qeverisëse dhe ligjore, që zgjedhin siç duhet organet e tjera apo të udhëheqin sistemin e drejtësisë. Militantizmi politik profan e ka dëmtuar jo pak reformën deri tani. Ndaj, duhet ndalur sot së bashku me lojën tepër të rrezikshme të interpretimeve, që tronditin sistemin e drejtësisë dhe bëjnë të atakueshme dhe jetëshkurtër vendimmarrjet si dhe riciklojnë anët me negative të sistemit të vjetër, që duam të lëmë pas.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Per krasasatin ne by..30/12/2018 18:24

Too cheap....!

Ajo30/12/2018 17:59

Po si ta bejne funksional nje parlament te kapur!!!
Cfare do te thote apo te sugjeroje opozita, Rama dhe Ruci me kartonat e deputeteve dordolece te programuar vetem te miratojne cfare i urdheron lartmadhnia e tij, nuk kane piken e vleres. I duhet vene rruspa Rames dhe PS- se qe te filloje ndertimi i shtetit ligjor. Cfare nuk u be ne vitin 92’ duhet bere tani!

krasasi tp30/12/2018 14:10

Futuni pra ne Parlament ,arrini kompromis per ti ber funksionale organet e reja te drejtesise.Opozita as ne rruge,as ne parlament, as ne revolucion dhe as ne kunder revolucion.Te gjithe tjerim llafe, disa tjerin lesh,Ju keni mandat politik ,ushtrojeni pra.

Shto koment

Denonco