Një apel për reformën zgjedhore

Një apel për reformën zgjedhore

Nga Klement Zguri - 12/12/2018

Keqpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve është pjesë e rëndësishme e debateve dhe diskutimeve për financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore. Sot tema merr rëndësi të veçantë për shkak se jemi për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve lokale, dhe zyrtarisht jemi në periudhë zgjedhore. Sot na bëhen prezent, frytet e një pune të gjatë dhe të përkushtuar të ekspertizës që ndërkombëtarët na kanë vënë në dispozicion.

Natyrisht, kjo është një arritje që na gëzon.

Por, siç e kuptoj unë, trajtimi i kësaj teme sot bëhet edhe për të eksploruar pulsin e politikës, për të vëzhguar reagimin e saj ndaj rekomandimeve, pse jo, për të investiguar vullnetin e saj pro ose kundër reformës. Kjo duhet të na bëjë më të ndjeshëm, më të vëmendshëm. Për temën e rëndësishme të financimit dhe përdorimit të burimeve shtetërore, tani që ne flasim është ora ‘12 pa pesë’.  Nuk ka më kohë për të pritur. Tani duhen gjetur zgjidhje, duhen shtruar shinat e duhen marrë vendime. Tani aktorët e procesit janë thirrur në skenë për t’i dalë zot reformës.  Është fat i madh që orën e të vërtetës po e sjell tema e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, sepse reforma në këtë fushë është lëvizje madhore, është ndryshim radikal, është sprovë e mirëfilltë.

Përkushtimi publik i palëve politike ndaj kësaj teme është prova që opinioni kërkon për të vërtetuar seriozitetin e sinqeritetin e reformatorëve kundrejt reformës. Të gjitha partitë politike në vend, së bashku apo veç e veç, të mëdhatë përpara të voglave, e dinë mirë se si nuk duhet të jetë qëndrimi ndaj keqpërdorimit të burimeve shtetërore, e dinë sa kollaj shmanget kontrolli dhe llogaridhënia për to, sepse kanë mjaftueshëm eksperiencë individuale për këtë.

Partitë politike mund të mos e dinë se si duhet të jetë sistemi, që të jetë i drejtë, i barabartë, transparent dhe i pakorruptueshëm, se si duhet të jetë llogaridhënia që të jetë e efektshme, se deri ku duhet të shtrihet pushteti i KQZ-së që të ketë kuptim (In dubio pro reo). Por, për fatin tonë të mirë, ka plot rreth e qark nesh që e dinë këtë, që mund të na japin të gatshëm një sistem i cili, në mos perfekt, të jetë shumë shpresëdhënës për të ardhmen, që mund të na ndihmojnë të vendosim standarde dhe të zbatojmë me përpikëri ligjin. Shembullin për këtë më duket se na e jep prezenca e vazhdueshme e ekspertëve ndërkombëtarë në mbështetje të KQZ-së dhe Komisionit të Posaçëm Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore.

Ne si KQZ e dimë se financimi  rregullohet, se keqpërdorimi i burimeve shtetërore shmanget, se sistemi bëhet, se ligji funksionon dhe partitë mund të nënshtrohen.

Por për këtë duhet vullnet i qartë, i padiskutueshëm politik. Duhet që partitë të tregojnë se duan, janë gati t’i nënshtrohen ligjit, janë gati ta duan, nderojnë e respektojnë rregullin. Pyetja e madhe është: A do ta tregojnë këtë, tani kur ora ka trokitur ‘12 pa pesë’?

Sistemi i ri i financimit dhe kontrollit të financave në zgjedhje nuk ngrihet duke e pranuar standardin përgjysëm, nuk funksionon duke rregulluar nga njëra anë në mënyrë strikte donacionet, por nga ana tjetër duke lënë hapur dyer e dritare për keqpërdorimin e burimeve shtetërore, nuk bëhet duke bërë fushatë me buxhetin publik, në vend të fushatës me tezat dhe platformat politike, nuk bëhet duke promovuar shpenzimet buxhetore, por, në të njejtën kohë, duke fshehur detyrimin për nikoqirllëk. Çështja e financave nuk funksionon dot me të hedhur, apo me hile. Nuk bëhet kështu! Nuk bëhet si deri sot!

Ky debat duhet pranuar se zhvillohet në konflikt thelbësor interesi për një pjesë të aktorëve.

Kushdo që të jetë vizioni i KQZ-së rreth çështjes, ai nuk është kurrë i mbrojtur nga tendenca e KQZ-së si palë që midis të qenit luftarak apo pasivitetit, sakrificës apo komoditetit, përplasjes apo komformitetit, telashit apo rehatisë, vështirësisë apo lehtësisë, punës apo dembellëkut të preferojë më mirë opsionin e dytë.

Rruga e ligjit është gjithmonë rruga më e vështirë, më e thepisur, më e mundimshme. Ndaj vjen gati instinktive kur diskutohen reformat, që palët në konflikt interesi ta duan rrugën e ligjit të jetë pa thepa, të jetë e shtruar dhe në dishezë. E njejta gjë vlen dhe për partitë politike, madje, vlen më shumë për to.

Ne si KQZ besojmë se e kemi gjetur si ta dominojmë konfliktin tonë të interesit. Ne kemi vendosur t’i besojmë plotësisht ekspertizës ndërkombëtare (në rastin e financimit dhe të keqpërdorimit të burimeve shtetërore: Këshillit të Evropës dhe të NDI), kemi vendosur t’i dëgjojmë e respektojmë ata dhe të gjitha rekomandimet që na japin.  Ne e dimë se rekomandimet e tyre reflektojnë standardet, përmirësojnë rrënjësisht situatën, e bëjnë punën tonë më të suksesshme dhe zbatimin e ligjit më të sigurtë. Cilësinë e rekomandimeve të tyre e kemi me provë dhe prova na ka dalë gjithmonë pozitive.

Por ne nuk jemi faktor kur bëhet fjalë për reformën e kuadrit ligjor. Faktor janë partitë politike. Ndaj kjo iniciativë mund të arrijë suksesin, vetëm nëse rekomandimet shoqërohen me shprehjen e qartë të vullnetit politik pro ose kundër tyre, jashtë taktikave dhe takticizmave, mbi të gjitha, jashtë konfliktit të interesit.

Vullneti politik i palëve, thellësia e reformës së financimit të partive dhe fushatave  zgjedhore dhe shkalla e pranimit dhe respektimit të rekomandimeve janë të treja në raport perfekt proporcional me njera tjetrën. Ndaj ka shumë rëndësi që produkti i reformës zgjedhore të shoqërohet me deklarime të qarta publike se partitë kanë vullnet të plotë, se do ta mbrojnë reformën nga rreziku i konfliktit të interesit, se i japin besimin e plotë dhe të pakushtëzuar ekspertizës së fushës, shqiptare e ndërkombëtare, se do ta pranojnë atë pa e prishur, pa i hequr gurin e themelit, se pranojnë transparencën dhe llogaridhënien si conditio sine qua non për luftën ndaj korrupsionit politik, se distancohen nga praktikat e sëmura të së shkuarës dhe se do t’i refuzojnë ato në të ardhmen.

Nëse partitë janë gati për këtë, me siguri bashkëkryetarët e komisionit Ad-Hoc janë gati të marrin sot, publikisht dhe solemnisht ketë zotim.

Nëse kjo ndodh sot, atëherë tryezat teknike dhe aktivitetet për keqpërdorimin e burimeve shtetërore nuk do jenë thjesht takime, por do hyjnë në histori si ngjarjet që themeluan KTHESËN, që e bëri financimin dhe përdorimin e burimeve shtetërore të drejtë, të barabartë, transparent dhe të pakorruptueshëm.

Përndryshe, ky diskutim do vazhdojë të na kujtojë se ora është ‘12 pa pesë’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco