Monologu i papërgjegjshëm i Kryeministrit

Monologu i papërgjegjshëm i Kryeministrit

Nga Bujar Nishani - 10/12/2018

Monologu i papërgjegjshëm i Kryeministrit nga streha e ngrohtë dhe lluksoze e Qeverisë, ishte një logorre tashmë e neveritëshme dhe e super dëgjuar nga shqiptarët me dhjetra herë në këto gjashtë vite qeverisje sa herë që shpërthejnë skandale të tmerrshme të pa dëgjuara kurrë më parë. 
Logorre, që sa herë shpërthenin këto skandale, zaptonte ekranet dhe lëshonte zorrën e shkumës me synimin për të davaritur erën e qelbur të skandalit të rradhës.

Përballë kësaj logorreje, atje në bulevardin e ftohtë dhe të lagësht, ndoshta shumica prej tyre edhe pa ngrëne dot mëngjes për të kursyer ato pak para, qëndronin sfidues studentët, Shpresa e rilindur për Shqipërinë. 

Mesazhi thelbësor i logorresë nga zyra e luksit kryeministror ishte: “Rrini atje se nuk më jepni dot mua leksione”. Një diversion “alla punist” për t'i veshur protestës së studentëve nxitjen nga “armiqtë e partisë”. 

Kjo është jo vetëm fyerje dhe diversion ndaj studentëve por dhe tentativë për ti kompleksuar dhe përçarë ata.

Kryepërgjegjësi për rrënimin e studentëve u thotë : “Ju nuk kuptoni se çfarë dua të bëj unë, se ajo që dua të bëj une është fantastike” !!!!. Hahaha. 

Por shqiptarët e panë prej gjashtë vitesh çfarë iu bëri: e mbushi politikën dhe institucionet e shtetit me kriminelë, varfëroi tryezën e ushqimit të çdo familje, pasuroi me miliarda marramendëse 10 oligarkë që blejnë pushtetin e luksit të atij me mjerimin e shqiptarëve, mbushi vendin me kanabis dhe mbolli kulturën e drogës, vrau shpresën dhe detyroi qindramijëra shqiptarë të braktisin vendin, i dha fytyrën dhe fuqinë e shtetit vrasësve, trafikantëve dhe gangsterrëve të botës së krimit. 

Përjashtoi studentët nga qeverisja universitare dhe ju rriti tarifat e shkollimit me pesëfish.

Qindra milion euro që jua merr studentëve me tarifat, prindërve të tyre me taksa mbi taksa, në vend të ndërtoj dhe të bëj spitale që shqiptarët të kurohen dhe auditore universitare ku të rinjtë të arsimohen, jua fal ato një oligarku për të ashtuquajturin check up. 

Kjo është vjedhje uluritese. 

Kemi parë se si milionat që ju merr studentëve me tarifa dhe familjeve të tyre me çmimet skandaloze të naftës apo të atyre palo shërbimeve publike që gjoja ofron, ja jep oligarkut që takson rrugëkalimin e shqiptarëve. 

Kemi parë se milionat që mbledh nga taksat e shtuara ndaj prindërve të studentëve në vend të financoj kartën e studentit i kthen në luks zyrash e makinash për shërbëtorët, servilët dhe ata që mashtrojnë popullin në interes të tij. 

Kemi parë se si jep 40 milion euro për 2 km rrugë edhe ato, anonimëve me letra të falsifikuara. 

Po të vazhdojmë listën se çfarë kemi parë e kuptuar është aq e gjatë sa rrezikohemi të pajtohemi me normalitetin e maskarallëkut. 

Tashmë këto nuk ja fsheh dot më njerëzve dhe as i manipulon dot më studentët. 

Ajo që po tenton, është t'i izolojë studentët atje në një cep të bulevardit. 

T'i izolojë ata nga familjet e tyre, t'i izolojë nga populli i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, t'i izolojë nga e vërteta, t'i izolojë nga e drejta, t'i izolojë nga fryma e një vendi dhe populli të tërë.

Studentët po e shohin se çdo shqiptar sot është me ta. 

Në çdo rrugë, lagje, qytet të Shqiperisë, është me ta. 

Në çdo shtëpi, çdo kafene, çdo dyqan flitet dhe solidarizohet me studentët. 

Sot të gjithë janë me studentët. 

Me kryeqeveritarin sot është vetëm Mero dhe Taulanti, si model, si identikit dhe si e ardhme.

Imagjinoni modelet që janë përballë njëri tjetrit sot.

Edi, Mero dhe Taulanti (me milionat e oligarkëve) nga njëra anë dhe studentët e i gjithë populli (shpresëvrarë por shpirtëzjarr) nga ana tjetër. 

Nuk besoj se është vështirë ta parashikosh fituesin e kësaj beteje.

Beteja e studentëve është me padrejtësinë.

Beteja e tyre synon të drejtën.

Ajo sfidon gënjeshtrën, spekullimin dhe përçarjen.

Ata, duhet të çajnë dhe shpërthejnë më së pari tentativën për ti izoluar. 

Qëllimi i tyre, jeta e tyre, e sotmja e tyre, e nesërmja e tyre, e mira e tyre është dhe e prindërve të tyre, miqve të tyre, bashkëkombasve të tyre.
Izolimi, që synon t’jua bëjë kryepërgjegjësi i padrejtësisë ndaj tyre është sfida emergjente dhe më e para sot për ta.

Fitoren mund ta arrijnë madhështore duke qenë bashkë me prindërit e tyre, me pedagogët e ndershëm mes tyre, me qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco