Pse Arlindi dhe OP kanë një problem me opozitën?

Pse Arlindi dhe OP kanë një problem me opozitën?

Nga Habjon Hasani - 09/12/2018

Jani Marka, një pedagog i Organizatës Politike u neutralizua sot gjatë protestës së studentëve, disa persona e ndërprenë atë befasisht ndërsa tentoi të merrte fjalën, e zbritën nga karrigia dhe I hoqën megafonin.

Akti ndaj pedagogut Marka në fakt është reagim ndaj organizatës ku ai aderon, një entitet i quajtur Organizata Politike e udhëhequr nga pedagogu Arlind Qorri.

Kjo organizatë ka arritur të krijojë një profil unik  vitet e fundit, jo vetëm për ideologjinë që përqafon, një ideologji filo-komuniste, por edhe për aftësi të spikatura të aktivistëve të saj në disa protesta. Aktivistët e kësaj organizate shfaqen të stërvitur, të artikuluar, të trajnuar, ata dinë të spikasin dhe të orientojnë një protestë dhe kur protesta nis pa dijeninë e OP.

Por me rritjen e profilit publik të kësaj organizate, paralelisht u rrit dhe agresiviteti i saj, në disa protesta në të kaluarën kjo organizatë ka tentuar të përjashtojë, madje dhe ka sulmuar përpjekje të partive opozitare për të mbështetur këto protesta.

Rasti më flagrant ka qenë ai i disa muajve më parë me marshuesit e Zharrëzës, ku anëtarë të OP në mënyrë agressive u përpoqën të përzinin kreun e PD-së Lulzim Basha ndërsa ky donte të takonte protestuesit e Zharrëzës.

Ky ishte një akt që krijoi dyshime mbi rolin dhe objektivat e kësaj organizate, pasi veprimi i tyre ishte tërësisht i papjekur, e mbi të gjitha në kundërshtim me vet vullnetin e protestuesëve të Zharrëzës, të cilët, pak më vonë i kërkuan OP-së që të largohej nga protesta e tyre.

Personalisht kam qenë i dyzuar mbi qëndrimin që duhet të mbaj në Hashtag.al ndaj kësaj organizate. Sepse i vlerësoj disa nga aksionet e saj, idetë që ka përcjellë mbi çështje me interes publik në të kaluarën, i gjej me kuptim.

Sikundër kam parë me dyshim mënyrën se si kjo organizatë ka mpirë disa protesta si pasojë e akteve të saj të papjekura ose përjashtuese dhe sidomos një lloj mburrjeje që shfaq kjo organizatë , të tipit: ne jemi të virgjër, xix të pastër, të pakorruptuar, të varfër, gati-gati perfekt.

E kam të pamundur të besoj se në një vend si Shqipëria, ku dhe për të caktuar se kush do punësohet zdrukthëtar në Bashkinë e Lushnjes, vendimi merret në Tiranë, krejt papritur ekzistoka një oaz i dëlirë i virgjër, krejt i shkëputur nga qerthulli i interesave dhe ndikimeve politike.

Për më tepër kur në Shqipëri disa vite më parë është konsumuar ndoshta akti më i rëndë i mashtrimit me këto ‘organizatat e pavarura’, ku një ndër organizatat e dikurshme më të promovuara në publik, jo vetëm që nuk i shërbeu shoqërisë civile dhe interesit publik, por  përkundrazi ,prodhoi një lider që është tërësisht sot në shërbim të partive ‘të vjetra’ politike dhe i lidhur me 101 fije me oligarkët. Për MJAFT-in dhe Erion Veliajn është fjala.

Duke patur parasysh dhe precedentin e MJAFT-it dikur, jemi tërësisht legjitim të dyshojmë dhe prapavijën e lojës  së Organizatës Politike dhe cilitdo entitet që na shfaqet me ‘vlera absolute’ që akuzon gjithëkënd për kompromentim, e kërkon të imponohet në emër të ‘virgjërisë’ së vet.

Shqipëria është një katund i katundit Ballkanik, e përfshirë në një dynja ku rolin e lokomotivës e luajnë koorporatat, bankat dhe ata që quhen oligarkët e sistemit.

Në një kohë kur dhe Kina që është zyrtarisht shtet komunist, është e detyruar t’i nënshtrohet rregullave filo-koorporative të sistemit ekonomik botëror, e kam të pamundur të besoj se një organizatë me ca të rinj në Tiranë, do shembë sistemin duke u bazuar te ideologjia komuniste.

Janë broçkulla. Ose, mund të jenë dhe broçkulla të menduara mirë.

Sepse një sistem filo-koorporativ që kontrollon çdo aspekt të jetës, mbase nuk e ka dhe aq të vështirë të financojë dhe të na përballë me iluzionin e opozitave të virgjëra,  lëvizjeve në dukje idealiste, por tërësisht nën kontroll të kujt i krijoi dhe financoi.

Ka shembuj konkretë të kësaj.

Për shembull, Fondacioni Soros (Projekti Hausmman) është zyrtarisht nismëtar i atij ligjit të famshëm PPP të koncensioneve që ka shkaktuar aq dëme këto vitet e fundit, ama i njëjti fondacion, ka financuar këtu në Tiranë edhe media investigative që herë pas here e pickojnë ndonjë koncension. Dhe kaq. Koncensionet vazhdojnë prodhojnë fitime vit pas viti, ndërsa shkrimet investigative harroen pas tre ditësh.

Ndaj dhe krijimi i opozitave iluzive nga vetë mogulët e sistemit, nuk është aspak çudi apo diçka e papritur. Përkundrazi, është tipar i sistemit.

Në këto kushte është gjëja më legjitime, më logjike, që kur në horizont na shfaqen organizata politike ose apolitike, që na shesin virgjëri, ne të bëjmë disa pyetje.

Për më tepër që askush nuk mund ta kërkojë besueshmërinë në paradhënie.

Arlind Qorri apo kushdo tjetër mund të ketë qëllimet më të pastra në botë, por s’mund të na e kërkojë besimin në paradhënie. Fakti që Arlindi mendon ose thotë se është ‘i virgjër’ nuk është ndonjë arsye për ta marrë të mirëqenë pretendimin e tij  mbi veten ose dhe organizatën e tij.

Nuk kemi asnjë provë se Organizata Politike di ta ushtrojë pushtetin më mirë se PS-PD-LSI, s’kemi ndonjë provë të kësaj.

E vetmja provë që kemi deri më sot është se ata janë aktivë në protesta, i bëjnë moral të gjithëve dhe pretendojnë se janë më të pastër dhe më të mirë se të tjerët.

Mbi këtë pretendim, shpesh kanë bërë përpjekje që dhe të përjashtojnë partitë e tjera nga përfshirja nëpër protesta.

Mirëpo ato partitë e tjera, ndonëse kanë njolla kompromentimi gjatë kohës kur kanë qenë vet në pushtet,  në ndryshim nga OP-ja e Arlindit, janë të mandatuara, kanë bazë popullore. Kanë forcë reale aty në terren.

Image

Sot me gjestin ndaj pedagogut Jani Marka nuk ka ndodhur asgjë tjetër përveçse demonstrimi i kësaj force, partitë  kanë ushtruar forcën e tyre ndaj një organizate që kërkon t’i asgjësojë nga protesta, kanë neutralizuar një organizatë që këtyre partive u shet moral të kulluar.

Teza e ‘moralit të kulluar’ është djegur që me precedentin e Erjon Veliajt, kështu shiste dhe ai moral të kulluar dikur me lëvizjen MJAFT, ndërsa sot ne e kemi përballë si ortakun dhe menaxherin kryesorë të oligarkëve të vendit.

Në atë protestë ka vend për të gjithë ata që mbështesin sinqerisht pretendimet e studentëve.

Nëse Organizata Politike dëshiron të përjashtojë faktorë të caktuar politikë opozitarë, ka dy rrugë:

-Duhet të provojë se është vërtetë e kulluar siç pretendon, por këtë mund ta provosh vetëm pasi vjen në pushtet.

-Ose duhet të posedojë një mbështetje popullore aty në terren aq të fortë sa t’i përzërë me forcë këta përfaqësues partiakë.

Me ç’duket nuk e posedon as këtë mbështetje mbarëpopullore.

Morali i kulluar është tepër i bukur teorikisht, por në këto vite eksperimentesh me organizata ‘të virgjëra’, nuk është rritur vetëm Veliaj, por është rritur dhe Shqipëria.

Morali i kulluar nuk bind më askënd. / Hashtag.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco