Mendimet e një mëngjesi të diele për lëvizjen komuniste dhe Opozitën.

Mendimet e një mëngjesi të diele për lëvizjen komuniste dhe Opozitën.

Nga Arian Galdini - 09/12/2018

Kam 5 vjet që shkruaj e përsëris se Opozita jonë, sidomos PD dhe ne Partitë e Qendrës së Djathtë, jemi duke vepruar në shoqërinë shqiptare si mish i huaj.

Dhe kjo nuk ka kuptim.

Nuk ka asnjë shans që një shoqëri që ka qenë 50 vjetë nën Diktaturën mizore komuniste, të funksionojë mirë dhe shëndetshëm pa të djathtën.

E djathta madje duhet të jetë motori lëvizës, frymëzimi, fuqia e kësaj shoqërie.

Sigurisht nuk po flas për peshën elektorale dhe rolin që ka e djathta për shkak të zgjedhjeve, pra në Qeverisje apo në Opozitë.

Po flas për fuqinë e ideve, për fuqinë e modelit dhe për fuqinë e aspiratave për një Shqipëri thelbësisht të lirë dhe perëndimore.

Mirëpo, përveç rrudhjes elektorale, ne partitë e së djathtës kemi pësuar edhe një tkurrje e strukje masive morale.

Madje, shkaktarët kryesorë të kësaj mpakjeje dhe mosndikimi, e jemi vetë ne politikanët e së djathtës.

PD si partia kryesore dhe lider e Opozitës në tërësi dhe e partive të djathta në veçanti, ka zgjedhur të përforcojë një natyrë politike të sajën si parti që nuk i qëndron besnike e as inkurajon individët dhe komunitetet e djathta në shoqëri.

PD bën vetëm matematikë pushteti dhe votash.

PD numëron votat e saj dhe pastaj hidhet të bashkohet me ata faktorë që po ti mblidhen matematikisht votave të PD, së bashku mund të dalin në avantazh mbi PS.

E këtu PD e humb fillin.

Sepse humbet arsyet pse një Parti Politike ekziston.

Shndërrohet në një parti që do vetëm pushtetin e gjithë kohën e saj në Opozitë e kalon duke llogaritur se me kë duhet të bëjë fejesë a martesë për të marë aq vota sa tia dalë të fitojë.

Në këtë mënyrë PD e vdes vetë me duart e saj frymëzimin apo "barkun që e lind frymëzimin".

Dhe prej 5 vjetësh, gjithçka që ka bërë PD ka qenë vetëmjaftueshmëria si Partia kryesore e djathtë dhe pamjaftueshmëria për tu bërë parti fituese.

Vetëmjaftueshmëria e PD vijon edhe sot e kësaj dite.

Ata nuk na duan neve të tjerëve.

Nuk duan asnjë nga ne individët, partitë apo komunitetet e spikatura të qendrës së djathtë.

As na ftojnë të bëhemi të gjithë bashkë në PD, e as na inkurajojnë e japin dritë si aleatë.

Na lënë aty në mes të detit që po të mbytemi aq më mirë, e po mos të mbytemi të na numërojnë si vota.

Nuk na duan e as na respektojnë.

Përkundërazi na margjinalizojnë, pengojnë, dobësojnë, censurojnë.

A e dini se mediat, Tv, Portale, gazeta ku ka influencë Opozita dhe PD apo që janë krejt të PD apo nën kontrollin e PD, janë më çensuruese ndaj nesh sesa çdo media tjetër?

Është e pabesueshme sesi mediat e PD, nuk mbështesin e as inkurajojnë kurrë asnjë prej nesh.

Mediat e PD na trajtojnë neve si konkurente të Grupit të Vetëmjaftueshmërisë së PD.

Mediat e PD bëjnë prej 5 vjetësh si star të tyre çdo komunist, çdo të majtë e çdo të pangjyrë e çdo zgjyrë që shan apo thotë apo shkruan ndonjë gjë kundër Rilindjes.

Por kurrë, kurrë nuk bëjnë lajm e as publikojnë asgjë ose publikojnë shumë pak e rrallë, lajme a artikuj për e nga aktivistët dhe intelektualët e së djathtës.

Arlind Qorrin psh, e ka bërë star vetë PD me mediat e saj.

Atë studenten që qëlloi me vezë Edi Ramën, e ka bërë star vetë media e PD.

Atë studenten që qëlloi me bojë Lindita Nikollën, e kanë bërë star vetë mediat e PD.

Edhe këtë Lëvizjen për Universitetin apo Organizatën Politike, i kanë bërë star vetë mediat e PD.

Edhe Protestën e Arlind Qorrit dhe Organizatës Politike, e pompuan dhe projektuan si dhjetor të dytë vetë mediat e PD.

E gjithë PD ngazëllehet, të gjitjë militantët e PD ngazëllehen ne facebook të ndikuar nga kurthi dhe marrëzia e mediave të PD që projektojnë krejt të gabuarën si Lëvizje Shprese.

Që ditën e parë që nisi kjo Protesta e famshme e këtyre ditëve e organizuar nga Arlind Qorri, unë jam distancuar prej saj duke deklaruar se unë nuk mbështes Lëvizje Komuniste.

Keqkuptimi i madh publik që do të sjellë edhe zhgënjimin e madh publik, u krijua nga mediat e PD, të cilat pompuan si dhjetor të dytë, një Protestë banale të manifakturuar me kërkesa pa lidhje dhe  me axhendë brenda së majtës, të organizuar nga Arlind Qorri.

Tani shajeni sa të doni Arlind Qorrin.

Tani quajeni sa të doni sekser protestash, grevëthyes, e ku di unë çfarë.

Ai është komunist.

Ai nuk ka pse të jetë me ju.

Ai nuk ka pse të jetë me ne.

Asnjëherë nuk ka qenë.

Madje për atë çfarë përfaqëson e deklaron krejt haptazi ai nuk ka pse të zhgënjejë askënd.

Ai është ai që thotë se është.

Duket qartë që gjithashtu është edhe një Lëvizje Komuniste e mirëfinancuar.

Madje edhe media e portale Oligarkësh e ngrene në qiell këtë komunistin Qorri.

Mua zilet e këmbanat më bien për Opozitën dhe Qendrën e Djathtë.

Koha që PD të mos tkurret në vetëmjaftueshmërinë e saj.

Ose të na bashkojë të gjithëve, ose përndryshe është e kotë të vazhdohet më të shpresohet djathtas nga PD.

PD dhe mediat e saj duhet ta kuptojnë se fitorja vjen nga bashkimi, jo nga veçimi.

Fitorja vjen nga hapja, jo nga mbyllja.

Fitorja vjen nga vlerësimi, jo nga çensurimi.

Fitorja vjen nga konkurimi pozitiv mes nesh, jo nga bllokimi dhe pengimi ndër ne.

Fitorja vjen, nëse PD dhe e djathta mbledh bashkë më të mirët.

Nëse PD do të vazhdojë në rrugën e saj duke na bojkotuar neve, duke na mohuar neve, duke na margjinalizuar neve, duke na çensuruar neve, duke na penguar e bllokuar neve, atëherë, nuk ka më asnjë shans e mundësi për fitore.

Arlind Qorri dhe të gjithë ata ngjyrë a zgjyrë do jenë heronjtë dhe tradhëtarët e PD duke e bërë gjithnjë e më të vogël PD.

Kaq.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp 09/12/2018 14:43

Profesor Galdini ,ju nenvizoni se "Fitorja vjen nese,PD dhe e djathta mbledh bashke me te miret".Une do shtoja se edhe e majta nuk do perfundonte ne nje qeverisje katastrofe, nese do kishte mbledhur bashke me te miret.Ja pra pse ka humb besimi,dhe shqiptaret ne shumice largohen zemerthyer nga Atdheu.Uzurpimi i partive politike, solli uzurpimin e te drejtave qytetare.

Ajo09/12/2018 14:13

Faleninderit Z. Galdini!
Me kishte munguar fjala juaj!
PD ka nevoje urgjente te hapet dhe te bashkepunoje me te djathten e vertete, jo me majte, qofte edhe te moderuar, qe ne fund te fundit kane per prind dhe vater te mallkuaren PPSH qe sot frikshem shfaqet ne shembellimin e Qorrit. Besoj se Arlind Qorri po faktorizohet ne menyre te frikshme dhe do gezoje mbeshtetjen e plote te gjithe elektoriatit te PS-se, ne rast se Edi Rama bie. Ne fund te fundit Qorri eshte njeri prej tyre.

Ajo09/12/2018 14:12

Faleninderit Z. Galdini!
Me kishte munguar fjala juaj!
PD ka nevoje urgjente te hapet dhe te bashkepunoje me te djathten e vertete, jo me majte, qofte edhe te moderuar, qe ne fund te fundit kane per prind dhe vater te mallkuaren PPSH qe sot frikshem shfaqet ne shembellimin e Qorrit. Besoj se Arlind Qorri po faktorizohet ne menyre te frikshme dhe do gezoje mbeshtetjen e plote te gjithe elektoriatit te PS-se, ne rast se Edi Rama bie. Ne fund te fundit Qorri eshte njeri prej tyre.

Shto koment

Denonco