Dhjetori nuk vjen çdo vit. Dhjetori vjen njëherë në 28 vjet

Dhjetori nuk vjen çdo vit. Dhjetori vjen njëherë në 28 vjet

Nga Erl Kodra - 07/12/2018

Unë isha 24 vjeç. Elegant më shumë se ç'duhej, flokëzi, i qeshur dhe ëndërrimtar. Ashtu jam gjendur në Tiranë natën e 7 Dhjetorit 1990, me pantallona të grisur, këpucë që shtinin ujë dhe pa asnjë qindarkë në xhep.

Me sa duket, Krijuesi i rregullon disa punë, ndaj unë u gjenda në Tiranë në vendin e duhur, në kohën e duhur. I trallisur nga lumturia, qaja me lot gëzimi kur thërrisja "Poshtë Diktatura!"

8 Dhjetori ishte dita më e lumtur e jetës time. Atë ditë edhe po të vdisja nuk më vinte keq; unë nuk ndjeja frikë, nuk kisha të ftohtë dhe nuk i ndjeja shkopinjtë e gomës. Pas disa orësh më iku zëri, me sa duket i pamësuar me ato fjalë lirie që i kisha shqiptuar vetëm nën zë gjatë 24 viteve të jetës.

***

Dhjetori i sivjetshëm nuk u tregua bujarë me mua, por ska gjë. Sepse kohët teknologjike kanë ndryshuar, e kështu unë mund të jem përsëri aty, madje me mendimet e mia.

Po e them që në krye;

Dhjetori i 2018-tës duhet të jetë më madhështor se ai i 1990-tës. E di se gjërat nuk janë të thjeshta, por pikërisht se janë të tilla, ato kërkojnë zgjidhje adekuate dhe vendosmëri. Punët duhen çuar deri në fund. Saktësisht për këtë arsye nevojitet që mendjet e kthjellëta të dijnë se çfarë kërkojnë, se si të veprojnë. Fitorja ose humbja shpesh vijnë ose ikin nga faktor në dukje të parëndësishëm. Ndaj, para së gjithash kërkohet vendosmëri. Por edhe syçeltësi.

Organizata mafioze e Rilindjes që ka pushtuar zyrat e Qeverisë Shqiptare tashmë ka kaluar në fazën finale të përmbushjes së qëllimit; rrënimit pa kthim të shpirtit të çdo shqiptari. Jo thjesht rrënimit ekonomik, sepse këtë e ka arritur me kohë, jo thjesht zbrazjes së Shqipërisë, sepse vetëm gjatë qeverisjes së tij vendin e kanë braktisur përfundimisht 500 mijë shqiptar, jo vetëm nëpërmjet urisë në kuptimin e parë të fjalës, por edhe nëpërmjet vrasjes.

Po, jam krejt i saktë, nëpërmjet vrasjes së shpresës, se ne shqiptarët nuk mundemi të ngrihemi, nuk kemi fuqi, nuk kemi takat, jemi mjerana, jemi coftana, jemi rrjepacakë, jemi askushi, jemi vetëm një tufë me dele të urta që prodhojmë qumësht, lesh dhe mish për të kënaqur terpinë e madhërishme të Edi Ramës.

Por jo o tungjatjeta!

"...pagë e t`dheta me i là kujë:

por të lirë me shkue ata motin,

veç mbi vedi tue njohtë Zotin,

e as kurrkujë n`këto troje t`veta

mos me i bà kurr tungjatjeta!

*Atë Gjergj Fishta

Unë kam një lutje të thjesht për ju.

Kushdo që i bie fati t'i lexojë këtë tekst, e njëkohësisht ndajmë të njëjtën dhimbje, i lutem që të bëj gjënë më të thjesht në botë;

Të dalë nga shtëpia, nga dyqani, nga kafja, nga puna, nga shkolla, nga auditori, nga spitali, nga zyra. Të shkojë në qendër të Tiranës, të bashkohet me ata të rinjë. Të ndalojnë para zyrave të qeverisë shqiptare, dhe të mos largohen prej aty, derisa i urituri i përjetshëm që nuk po e ngijmë dotë, të largohet nga zyrat e shtetit. E nëse nuk largohet "me dëshirë", ta largoni me pahirë.

Rrugë tjetër nuk ka. Rrugët e tjera janë mashtrimi, zhgënjimi, zgjatja e agonisë, poshtërimi, zhburrërimi, linçimi, trajtimi çnjerëzor dhe degradues; i juaji, i gruas, vajzës, djalit, fëmijës tuaj.

Këtë lajm duhet t'ia jepni çdonjërit që keni mik e shok, të njohur e të panjohur. në shkallë, në rrugë, në lagje, në qytet e fshat. Thjesht besoni se Liria është në dorën tuaj.

Ju nuk jeni dele për qumësht, lesh, mish dhe lëkurë. Sepse edhe kafshët trajtohen me më shumë dinjitet.

Ju jeni Zotat e Shqipërisë, dhe nuk ka birbo që mund t'ua ulë krenarinë, dinjitetin dhe të drejtën për jetën tuaj. Nuk ka birë kurve që mund të shembë themelet dhe çatitë e shtëpive tuaja, duke ju hedhur në rrugë si kafshët.

Mos dëgjoni sirenat e mashtrimit që djallëzisht ka kurdisur Edi Rama prej vitesh, që pabesisht dhe poshtërsisht sulmojnë dhe mallkojnë opozitën. Me njëmijë mënyra të sofistikuara, me struktura të posaçme dhe të mirëpaguara, me njerëz të blerë dhe të shitur, që sot po "qajnë" me lotë krokodili; duke shpifur dhe sulmuar në mënyrën më të ulët Partinë Demokratike.

Spiunët politik dhe mediatik deri më tani kanë patur rezultate; ata ia kanë arritur qëllimit që të mbajnë nën kontroll qytetarin e zakonshëm, nëpërmjet mediave të shitura, nëpërmjet spiunëve nën masikim si demokratë dhe opozitarë, që gjithë puna e tyre është të thonë se "opozita nuk frymëzon".

Kush duhet të të frymëzojë që ti të mbrosh bukën dhe jetën e fëmijëve të tu?! Edhe për këtë ti njeri i mjerë kërkon të të frymëzojë Lulzim Basha?

Është e drejtë njerëzore dhe detyrë hyjnore të mbrosh bukën, nderin, dinjitetin, strehën e familjes tënde. Ndaj këtu nuk ka lidhje Lulzim Basha që ty nuk të frymëzoka, por ka lidhje Edi Rama që të vjedh, të mashtron, të përqesh, të poshtëron, të burgosë, të mbjellë Atdheun me drogë, e në fund të flakë në rrugë të madhe.

Lulzim Basha mund të mos jetë më i miri, por më të mirë sot për sot Partia Demokratike nuk ka. Jo thjesht, sepse ai është në krye të Partisë Demokratike, por edhe pse mëtonjësit për kryetar të saj, njëri pas tjetrit po lezetohen në prehërin e Kryeministrit Edi Rama. Ua shtoftë Zoti lezetin!

Ti, pikërisht ti që po i lexon këto rradhë, dhe je dakort me fjalët e mia, bëj detyrën tënde. Nëse je në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Tepelenë, Berat, Fier, Lushnje, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shkodër, Kukës, Tropojë, Dibër, Pogradec, Përmet, në veri e jug, në lindje e përëndim.

Nisu për Tiranë, e nëse nuk ke mundësi të shkosh atje për arsye ekzistenciale si buka e fëmijëve, dil në qendër të qytetit tënd. Refuzo nënshtrimin, dhe kërko të drejtën tënde për jetën. Kërko paratë e bukës për fëmijët tuaj, që vidhen ashiqare, pa pikën e turpit nga përbindëshi Edi Rama.

Nesër vendoset fati yt dhe i familjes tënde për dekadat që vijnë.

Dhjetori nuk vjen çdo vit. Dhjetori vjen njëherë në 28 vjet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Emigranti07/12/2018 14:41

Nje shkrim brilant.
Piket me te ndritura jane ne trajtimin e metonjesve per kryetar te pd dhe propaganda e te shiturve te medias.
Qershia mbi torte eshte:Frymezimi meret nga bemat e edi rames jo nga Basha.
Per mua Basha me qendresen e tije i cmontoi rilindjes strukturen e korupsionit.Ky eshte nje sherbim i madh per vendin dhe PD ,qe rama u mundua ta shkateronte.

krasasi tp07/12/2018 13:14

"Kush jeni Ju z.Sorge", mu kejtua pyetja qe mundonte sherbimet e huaja gjate luftes per nje "aktor" sherbimesh, gjate luftes se dyte boterore.Sigurishte, Ne qytetaret nuk jemi "dele" as per qumesht e as per lesh apo mish siç na i perkujtoni ju me te drejte.Por shoqerija njerezore ne shekuj , eshte e organizuar politikisht.Edhe delet si tufe, ju prine perpara, dashi me kembore.Kur pas 28 vitesh Ne qeverisemi nga nje qeveri qe i meriton te gjitha epitetet qe Ju i permendni, shume qytetar mund te jene skeptik.Si djal i ri dhe protagonist ne ndryshimin e sistemit, Ju per realizem nuk duhet ti etiketoni skeptiket ndaj "ndryshimit" si spiun apo te shitur te Edi Rama,qofte brenda PD qofte per Ne te tjeret jashte partive.Thone qe semundja vjen menjehere por iken ngadale.Ju si protagonist i ndryshimit,Z.Lubonja si kontestator i ish regjimit, mund te na ndriçoni, dhe te na udhehiqni drejt sherimit te semundjes.Siç Ti e di krahas dashit qe prin kopene bariu mban edhe dy tre me te vegjel ne mosh ,si pas ardhes se dashit te kopese ne nje raste fatkeq kur dashin e ha ujku.Ju jeni larg me sa duket,Z.Lubonja e ndan banimin midis Shqiperise dhe Italise, Z.Basha e ndan midis Shqiperise dhe Hollandes, te tjere "deshe" tjeterkund .E pra , para kryeministrise , duhen deshet per ta rrezuar se bashku qeverine.

Claus07/12/2018 11:58

Shqiperia eshte bere ai vend ku njeriu nuk ka se cilin te zgjedhe per qeverisje, por ky problem nuk eshte vetem shqiptar, ai eshte tashme nje problem i perbotshem.
Nuk ke se cilin zgjedh ne France, ne Itali, ne USA bile bile kesaj rruge po i afrohet dhe Gjermania.
Koncentrimi i kapitalit ne disa duar, elementet mafioze ne qarqet e larta financiare, globalizimi dhe neoliberalizmi ne ekonomi, hyrja e vendeve me profile skllaveruese per fuqine punetore si Kina a ndonje vend tjeter, kane sjelle raporte te reja ne ekonomi te cilat pasqyrohen hapur dhe ne politike.
Po politikanet shqiptare a jane bere pjese e ketij zinxhiri korruptiv? Natyrisht. Me lidhjet e tyre mafioze me firma ofshore, me lidhjet e tyre te fshehta dhe te hapura me qarqe kriminale dhe financiare ata kane si qellim te tyre vetem mashtrimin dhe rrjepjen e xhepave te njeriut dhe shtetasve te vete.
Keto procese filluan me Nanon, vazhduan me Saliun, tanime me Ramen dhe pastaj do te vazhdojne me Lulin a dikush tjeter.
Kapitalizmi eshte sistem plot te „fshehta korruptive“ , por ne Shqiperi ai e ka kaluar kete faze, ai eshte bere grabitqar dhe i eger.
Cfare duan ne fund keta studente? Ulje ketu dhe ulje atje, heqja tarifash ktu dhe heqje atje. Po kush i vendosi keto tarifa?
A filli ky proces me Saliun qe privatizoi universitete ne mase te madhe? A na dolen Henri Cili a dikush tjeter qe ja moren doren liberalizimit ne arsim duke ndikuar ne berjen e ligjeve sipas midese se tyre?
Kete mut te madh e kemi dhurate nga te gjithe, nga Saliu me shoke dhe nga Edi me Co.
Dhe sa per studentet ata nuk jane vecse nje vegel ne duart e dikujt ashtu si ne vitet `90 qe shkuan me vrap Sali dhe Gramoz dhe kapen postet e tyre per ti perdorur ato me vone ne politike.
Keta studente jane nje mase amorfe, nje mase pa emancipim dhe pjekuri. Keta jane me nje formim te cunguar, formim qe u ka nisur ne kafenete, klubet plot droge dhe orgji, jane mase qe nuk ia ne thene njehere punes „miremengjes“, ashtu si dikur edhe Edi Rama, Ilir Meta, Azem Hajdari, Arben Imami dhe te tjere dhe te tjere.
Ja cfare Shqiperie bene ata. Shqiperine e korrupsionit, droges, pisllekut moral dhe dergradimit te njeriut ne qenie te eger asociale.
Ja kjo eshte Shqiperia ime. Ne fund te fundit te gjithe te rinjte nuk jane per te studiuar. Nuk mund te jene te gjithe studente. Nese e merr ate barre mbi supe duhte te besh investime ne kohe dhe ne financa, ky eshte kapitalizmi, fytyre humane arsimi sigurisht duhet te kete me mekanizma dhe forma per barazi dhe te drejta, por te studiosh se duhet te marresh nej diplome sa per mburrje duke e ditur qe nuk do vleje per asnje miniute edhe kjo eshte absurde dhe miopi.
Protestat e viteve `90 me protagonistet e tyre na dhane kete Shqiperi edhe keto protesta nuk do te na sjellin ndonje te ardhme te ndritur, por vetem nje klase po ashtu te korruptuar dhe pamoral.
Politika, protestat, permbysjet e medha duan emancipim, moral, ideale dhe sakrifica.
Kush i ka keto?
Askush. Shqiperia me keta breza eshte e pashprese.
Tek Azemi, Iliri, Edi, Arbeni nuk kam shpresuar ne ate kohe edhe sot nuk shpresoj tek ata djem dhe vajza te mireushqyer dhe me kapuce dhe pelice mbi krahe.

Shto koment

Denonco