Studentët kanë një ‘hall’: Sa gurë duhen për Edi Ramën?!

Studentët kanë një ‘hall’: Sa gurë duhen për Edi Ramën?!

Nga Poli Hoxha - 06/12/2018

Duket si një mrekulli; Tirana e zymtë dhe e stresuar, papritur është bërë e bukur si Parisi!

Nuk zbriti nga qielli, por paska qenë gjithmonë mes nesh. Rrjeti ngazëllen dhe harbon. Rrugët, shtëpitë, zyrat, kafenetë janë ndriçuar papritur nga një diell, që deri dje konsiderohej i thithur nga vrima e zezë e një grushti njerëzish.

Edhe ekranet e televizive, duken më të ndritshëm. Portalet janë bërë ‘francezë’. Po zgjohen edhe më pesimistët, disfatistët e nihilistët; ata që vinin bast se pushtetarët dhe e gjithë klasa politike e këtyre 28 viteve ja kishte arritur, që ta ‘tridhte’ shpirtin dhe mendjen e këtij populli.

A po themelohet më në fund, Dhjetori i Dytë?!

Në të Parin, Dhjetor 1990, studentët e universitetit të Tiranës me të cilët u bashkuan edhe ata të Kamzës, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, nisën papritur revoltat që ‘habitën’ e tronditën një shoqëri, ku frika kishte bërë fole në mendje e shpirt, me dhunë e propagandë për 45 vite rresht.

Gjithçka startoi duke bojkotuar mësimin, mbushur sheshet e dritaret e konvikteve, deri në momentin që përmbytën rrugët e Tiranës duke u shndërruar në një uragan popullor, që trembi edhe regjimin më të egër në Europë. E zbythi dhe e bëri që ‘me brekë nëpër këmbë’, të çlirojë darën e frikës!

Edhe atëherë, 28 vite më parë, arsyet e atij rebelimi në pamje të parë ishin ‘ekonomike’. Por në momentin që studentët u gjendën përballë arrogancës dhe më pas pre` e dhunës së qeverisë Çarçani gjithçka u shndërrua në politike, siç edhe ishte në thelb.

Këtë ai brez e kuptoj, kur e gjeti veten ‘papritur’ në zëdhënës të mllefit të gjithë popullit. Se zemërimi i tyre nuk kishte të bënte vetëm me dritat që iknin për orë të tëra në konvikte, pilafin me miza në mensë, apo xhinset që i shihnin vetëm në TV dhe në ëndërr.

Zbritën qetësisht atëherë drejt sheshit ‘Skënderbe’ studentët e Dhjetorit të Parë, por kur kuptuan se ‘paqja’ është një melodi që nuk depërton në veshët e pakicës autokrate që jeton e izoluar e në luks, bashkë me mijëra qytetarë që u bashkuan me ngazëllim, rrëmbyen gurët!

Mijëra gurë, për çdo vuajtje në dekada të tëra!

Ramiz Alia atëherë i quajti ata studentë, ‘rrugaçë’, që nuk e duan mësimin, por ca ditë më vonë u detyrua që të ulet dhe ti dëgjojë si qengj i butë.  Edi Rama sot i etiketon ‘ngelësa’, që bëjnë pallë në shkollë dhe duan të abuzojnë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

 Por vetëm në ditën e dytë të këtij Dhjetori të Dytë, ‘ngelësit’, u shumëfishuan. Njësoj si Ramiz Alia atëherë, Edi Rama sot, fillimisht u vuri përballë forca të shumta policie. Pastaj po sipas të njëjtës skemë (por në vend të Skënder Gjinushit që të paktën ishte profesor), nxori ministren e tij ‘UFO’ të Arsimit, për tu hedhur protestuesve një kockë.

Studentët e përbuzën ofertën ramiziane, kurse policët civilë e me uniformë,  po shtohen me shpejtësi përreth tyre

Zoti, makutëria dhe oligarkët ta shtofshin inatin, Edi Rama!

‘Do kthejmë 1990-ën’- shkruhej në një parullë të madhe, që mbante lart një studente. E duam Shqipërinë, si gjithë Europa!- këlthiste masa gjigante e të rinjve.

 Dje kërkonin vetëm heqjen e gjobave, që Rama u vë të pamundurve me aq lehtësi, sa ndërron brekushet e modës së fundit. Sot e duan Shqipërinë si gjithë Europa!

Duket sikur ora, kalendari i Shqipërisë deri më tani kishte ngecur në Dhjetor të vitit 1990, kur këta të rinj nuk kishin lindur ende.

Por ja ku jemi, dëgjojeni!

Tik-tak, Tik-tak Edi Rama me gjithë lukuninë e babëzitur, që beson në atë thënien e poshtër; Shqiptarëve sa më shumë lëkurë tu rrjepësh, aq më shumë nuk bëjnë zë, se u ‘mbijnë’ të reja!

 Rrjepje pa fund nga Damianrat, Ahmetrajt, Vilmrat, Klodianrat, Shefqetrat, Saimijrat, Fushrat... 

Dëgjoji dhe tallu sërish me studentët, siç ke bërë për 5 vite rresht me këdo që të ka dalë përballë e të ka thënë, ‘Kujdes!’, me rrugën e Dreqit që ke zgjedhur.

Babëzia dhe frika, të shtofshin inatin!

Nuk dua të jem më e Ardhmja. Që sot jam e Tashmja- betohej dhe premtonte me gjithë shpirt, një studente-protestuese.

Nesër dalin në shesh edhe gjimnazistët; pasnesër prindërit e tyre. Edhe unë, edhe ai-ajo, edhe ata...

Nuk kemi më lek, as për të paguar parullat dhe rulet e letrave higjenike-ankohej një studente protestuese.

E kupton, se deri ku ka arritur puna?!

Përtej lëkurës së shtatë, Edi Rama!

As mundësinë për të protestuar në paqe, nuk i ke lënë këtij populli. Prandaj mos bëj ‘habitorin’ dhe ‘të penduarin’, kur nesër këta mijëra që po ngazëllejnë vendin, të rrëmbejnë si studentët e Dhjetorit të Parë mjete për të cilat nuk kanë nevojë që të paguajnë.

Gurë e gjithçka tjetër, që ti të kuptosh se Shqipëria nuk është një lopë për ta mjelë ata që kishe mbledhur paralel me protestën, te kazinoja e re me ‘5 Yje’.

Një gur për gjobat që u vendos me ligj studentëve, me një të rënë të lapsit. Një gur tjetër, për konviktet-geto që i paguajnë si dhoma hoteli. Për nënat e baballarët e papunë apo jo, që vetëm shpirti i tyre e di se ku i gjejnë ato lekë që u merr, për shkollimin më të shtrenjtë në Europë.

Për ata pedagogë që të ‘tarifojnë për të çdo provim, apo nota më të mira; për ministren tënde të Arsimit arrogante, që vajzën e vet e arsimon jashtë vendit.

Për Astirin ku grabit 20 milion euro në një dorë, por ku nuk ke ndërtuar qoftë edhe një çerdhe, kopsht e shkollë, edhe pse ajo lagje është bërë qytet me mbi 150 mijë banorë. Njësoj, në gjithë Shqipërinë.

Vazhdo, por edhe prit; gurë të mëdhenj madje, që shkatërrojnë dritaret e selisë tënde e të gjithë ministrive ku Fuga, Agaçi, Ahmetaj, Gjiknuri, Manastirliu e gjithë aradha jote Rirrjepëse, planifikojnë rrjepjen e lëkurës së radhës.

 Edhe mercedezin tënd, nga mban fjalime për ‘kadrinjtë’ dhe i bën vetes auto-seanca frojdiane, mos e nxirr për një kohë pa afat!

Gurë për mësuesit e shkretë të cilët duhet të japin 5 mijë euro për një vend pune; mjekët e infermierët që po ikin natën në Gjermani, duke lënë me lot në sy fëmijët e familjet këtu me ty, Lindën dhe Zahon, që ndryshe nga ata, po jetojnë përrallën.

Për trafikun e Tiranës dhe autobusët e ferrit; për ato 10 kilometra rrugë të Tiranë-Elbasan, që nuk i bëre kurrë.    

Rre me gurë, prit Edi Rama; për mijëra biznese të vogla që mbylle me taksa e gjoba; për miliardat që shpërndan paradhënie po aq lehtë, sa lëshon batutat e tua të dala boje, për një tufë makutërish që i ke pagëzuar ‘koncesionarë’  e ‘biznesmenë të mëdhenj e strategjikë’.

Sa gurë duhen si reciprocitet, për ‘shëndetësinë falas’ që premtove, por rezultoi një minierë ari vetëm për familjen Nushi sot e në 10 breza; për parajsën që i ke ofruar mafies së ilaçeve?!

Në cilin lum ti mbushin studentët kamionët me zall të fortë si çelik, për të ‘folur’ në emër të atyre nënave që lusin zotin t`u mbrojë fëmijët e arratisur në emigrim?!

 Edhe për ato të tjerat, që lagin çdo natë jastëkun me lot të hidhur për djemtë e zhdukur, pasi lejove u ofrove si alternativë ferrin e drogës të maskuar si ‘parajsë’?!

Ku mund të gjesh aq shumë vezë, gurë, hunj e çfarëdo tjetër, si reciprocitet për çdo mashtrim që u bërë votuesve të tu dhe gjithë shqiptarëve në opozitë dhe 5 vite rresht në pushtet?!

 Për ty, Rilindjen, por edhe gjithë këtë klasë politike, që e bëri orën dhe kalendarin e Shqipërisë, të ndalë në Dhjetor të vitit 1990!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Xyz08/12/2018 12:09

Tani eshte momenti qe zullmqaret te paguajne per veprimet e tyre. Shprese qe ky uragan te mos ndalet, deri ne permbysjen e te keqes dhe fillimin e nje epoke te re ne kete vend.

Shpetimi06/12/2018 21:51

Gurre, sa me shume gurre kunder kryemashtruesit e neofashistit Edi Rama dhe gjithe qeverise se tij, qeveri harremi. Gurre, sa me shume gurre ndoshta edhe t'u merret szhpirti kesaj lukunie me emrin "Rilindje". Te dalin jashte ligjit PS, Rilindie, PD dhe LSI me te gjitha satelitet e tyre, duke filluar nga Mediu e gjithe te tjeret

Student06/12/2018 21:32

Po kush k... do e mori ket pushtet...
Pa na be nje editiorial mor zoteri...
Mire qe po heqim ket zgjebjen arrogant po kush k.... do vije...
100000 doll question he?

Shto koment

Denonco