Për të 40-tat e Kaçifasit!

Për të 40-tat e Kaçifasit!

Nga Bled Komini - 05/12/2018

Ende pa mbushur një muaj nga ngjarja që shkaktoi shumë zhurmë në Bularat, grekët dhanë sinjalin se për të 40-tat e Kaçifasit ata do nisen sërish drejt Shqipërisë. Qindra ekstremistë grekë pritet të vijnë të shtunën drejt Gjirokastrës për të përkujtuar Kostandin Kaçifasin, i cili humbi jetën pasi qëlloi mbi forcat e policisë në Bularat dhe nuk pranoi të dorëzohej.

Akti i ngjan një paralajmërimi, njësoj si tek libri i Gabriel Garsia Markezit ‘Kronikë e një vdekje të paralajmëruar’, botuar në 1982, ku ai tregon për një vrasje të paralajmëruar nga të tërë. E gjithë novela përshkruhet nga tema e fatalitetit, e një fataliteti që do përfundojë me humbjen e një jete njeriu. Ngjarja fillon pikërisht me një dasmë të madhe, dhe përfundon me vrasjen e paralajmëruar të Santiago Nasarit.

Pavarësisht përpjekjes së shtetit shqiptar për të pasur marrëdhënie normale me Greqinë, duke u munduar këto vite që të sheshojë edhe ato problematika që kanë qenë të ‘ngrira’ për dekada të tëra, ‘dasma’ e paralajmëruar e një marrëveshje për kufirin detar, ashtu si dhe për çështjet e mbetura pezull, nuk u konsumua.

Dorëheqja e Kotziasit, ish ministrit të Jashtëm grek, nxori në dritë një ‘pajë’ që i kishte kushtuar shumë Athinës, madje ajo ishte marramendëse, prej miliona eurosh të derdhura fshehurazi për të lobuar për ‘nusen’ shqiptare. Dështimi i pajës dhe nxjerrja në shesh e milionave të derdhura nëpër media, gazetarë dhe faktorë interesi në Shqipëri, shfaqi edhe diçka tjetër, mungesën e ndershmërisë në bisedime ose virgjërisë, si në novelën e Markezit. Pikërisht kjo kishte ndodhur edhe në rastin e kronikës së vrasjes së paralajmëruar të Santiago Nasarit. Ishte mungesa e virgjërisë (ndershmërisë) së nuses, ajo që detyroi binjakët Vikario të goditnin për vdekje të prezumuarin pa gjyq si fajtor, për çvirgjërimin (e paditur) që ai i kishte bërë motrës së tyre.

Pothuajse pas 3 vitesh kontakte,vajtje-ardhje e bisedime, asnjë marrëveshje nuk është arritur ende me Athinën në lidhje me atë çfarë kishin pretenduar në fillim ministrat e jashtëm të të dy vendeve. Një heshtje e thellë ka përpirë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë. Asnjë informacion se përse u ndalën bisedimet, çfarë u bisedua dhe çfarë u arrit gjatë kohës së takimeve. Asnjë sqarim nëse ka ndonjë faktor të tretë që i ka bërë presion Tiranës për të mos vazhduar më tej bisedimet apo jo.

Nga ana tjetër brenda Greqisë ka ende fraksione politike që vijojnë të mbeten bizantine, të egra, fashiste, aspak të qytetëruara me fqinjët dhe me emigrantët që venë për të punuar e për të nxjerrë bukën e gojës.

Që nga vrasja e Kaçifasit, përdorimi i tij politik nuk ka reshtur për asnjë çast, qoftë nga mediat greke, ashtu dhe nga disa politikanë zyrtarë, sidomos ata të ekstremit të djathtë. Përdorimin e kësaj ngjarje e treguan hapur autobuzët e ardhur në Bularat ditën e varrimit të të ndjerit, që mbase ne shqiptarëve na dhimbset më shumë, sepse nuk do arrinim ta përdornim edhe të vdekur, kjo ngaqë ne të vdekurit i kemi frikë dhe i lëmë në botën e tyre, nuk i ngacmojmë. Por me sa duket, dozat e bizantinizmit fashist grek, ende janë të gjalla e të forta, dhe s’duan t’ia dinë aspak për të vdekurin, për të ndjerin.

Nuk po flas këtu vetëm për reagimet e mediave ekstremiste, grupeve dhe partive të ekstremit të djathtë, të cilat që para vrasjes e kishin përgatitur mortin. Kjo pasi i riu ishte viktimë e ideve dhe bindjeve të gabuara fashiste që kishte. Ai jetonte me armë, me uniformë vorio-epiriote, me idenë se ai mund të bënte ç’të donte, pasi këtë të drejtë ia jepnin ata që e kishin bindur t’i ndiqte. Unë nuk po flas aspak për këto gjëra, ashtu siç nuk po flas as për përdorimin e ngjarjes prej Kishës Ortodokse Greke, e cila lëshoi shkreptima e ‘mallkime’ për ata që e vranë Kostandinin. Pra, nuk po fus në një thes me shtetin, diplomacinë dhe fqinjësinë, asnjërën prej këtyre që përmenda. Por, po ndalem vetëm tek ‘dhëndri’ dhe ‘nusja’ dhe mungesa e virgjërisë që nuk po i lë të shijojnë dasmën.

Fillimisht u duk se qeveria greke do ishte e përmbajtur dhe nuk do anësohej për rastin e Kostandinit, por dalëngadalë ajo mori trajtën e gotës që vet e kishte mbushur me tharmin e përdorimit dhe shfrytëzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Duhet ta pranojmë edhe ne, se nuk është një dasmë me leverdi ajo me Greqinë. Por fqinjësia ndonjëherë të detyron të kapërdish edhe athtësinë e mospranimit. Prandaj ne shqiptarët, jemi munduar të jemi më bashkëpunues edhe kur Greqia nuk ka dashur, ose kur ka kërkuar të na imponohet.

Nga ana tjetër Tirana nuk është se ka bërë diçka konkrete dhe për ta thënë më troç, nuk ka bërë asgjë për t’u dalë në mbrojtje atyre mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi prej vitesh, të drejtat e të cilëve shkelen me këmbë dhe ata nëpërkëmben e trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Asnjë përpjekje gjatë viteve të fundit nuk është bërë për të zbardhur dhjetëra raste vrasjesh e dhunimi të shqiptarëve në rajonet e policisë greke. Po ashtu asnjëherë nuk u është gjendur në ndihmë përfaqësia diplomatike shqiptare, as ndonjë avokat nuk u është dërguar për të parë përse mbahen prej policisë greke në rajone, duke i konsideruar kriminelë dhe përzënë më pas prej Greqisë.

Nga të gjitha këto, asnjë dokument zyrtar nuk ka dalë në sipërfaqe në Tiranë, as ndonjë notë proteste a kërkesë llogarie prej Athinës. Pra indiferenca karshi bashkëkombësve tanë ka qenë aq e madhe sa tashmë askush nuk e beson se shteti do mundohet të bëj diçka për t’i mbështetur dhe për t’u bërë të ndjehen krenar që janë shqiptarë kudo ku venë.

‘Nusja’ jonë është punëtore, është e shkathët, por vetëm për të ligat e veta. Ajo di fare mirë ta kamuflojë zhvirgjërimin me nacionalizmin. Ajo di ta kapërdijë zemërimin kur i thonë dhe e quajnë të përdalë. Në fund të fundit rëndësi ka se çfarë fut në xhep, e jo çfarë llomotisin mediat. Kështu ndodh me politikën tonë, e cila vetëm në pak raste e ka zbatuar devizën ‘jam krenar që jam shqiptar’. Por, edhe atëherë kur e ka shprehur, si pas ndonjë ndeshje futbolli, ka treguar se është cinike dhe aspak atdhetare.

Rasti i përdorimit të vdekjes së Kaçifasit është një turp i madh për të dy shtetet. Si për Greqinë që me këtë rast kërkon t’ia vëri Tiranës të dy këmbët në një këpucë, ashtu dhe për Shqipërinë që e shet ardhjen e grekëve me këtë rast si progres dhe emancipim për të përmbushur detyrimet me shtetin fqinj.

Nga ana tjetër shprehja ‘për inat të sime vjehrre,shkoj me mullixhiun’ ka hyrë në një trend negativ, i cili nuk dëmton aspak Greqinë, Turqinë apo Serbinë kur qeveria shqiptare synon t’i vëri përkundër njëri-tjetrit, por vetëm Shqipërinë që mundohet të luaj me dy apo më shumë porta,ngjashëm me nusen e përmendur tek vepra e G. G. Markezit. Kjo lojë politike nuk ka qenë dhe nuk do mund të jetë kurrë në dobi të Shqipërisë, sepse në thelb, ajo nuk synon të jetë një investimi afatgjatë i fqinjësisë së mirë, por shkas për konfliktualitet në një rajon që ka nevojë më tepër për stabilitet sesa për lidera donkishoteskë.

Ballkanasit e kanë në gjak megallomaninë. Duan të tregojnë se kanë dhe se janë më tepër se ç’duken. Shpesh ndodh që politikanët grek synojnë të tregohen diplomatë të aftë e mendimtarë kalibri, si dhe të përfitojnë sa më shumë në kurriz të popujve të tjerë që i rrethojnë; ndërsa politikanët shqiptarë përmes një nacionalizmi të shpëlarë duan të përfitojnë e pasurohen në kurriz të popullit dhe të përplasin të tjerët, vetëm që ata të ruajnë interesat e tyre të paprekura. Nga ky këndvështrim, nuk mund të shmangen as ato vende fqinje apo rajonale që ndërsa na quajnë vëllezër, investimet e tyre madhore i bëjnë në Serbi a gjetiu.

Në përfundim të gjithë i hedhin benzinë zjarrit për të djegur tjetrin, duke harruar mullarin me barë që secili ka në shtëpinë e vet. Aq e vërtet është kjo, sa nga njëra anë Tirana zyrtare deklaron se ka me mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ndërkohë që nuk bën asgjë për të drejtat e tyre; po ashtu Athina zyrtare, përmes Presidentit grek Prokopis Pavlopulos shprehet se, nëse marrëveshja e detit dështon, atëherë Greqia do pengojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke harruar mullarin(Agimin e Artë) që pothuajse ka marrë flakë në Greqi (dhe nuk pranon asnjë marrëveshje me Shqipërinë dhe Maqedoninë).

Grekët duan të na e shesin dhëndrin për burrë të mirë, me namuzë, ne duam t’u japin një nuse sa për të kaluar radhën. Kështu janë kthyer marrëdhëniet mes dy vendeve, si ato zyrtare ashtu dhe ato ‘miqësore’, në sfondin e një tragjedie që vazhdon të luhet në skenë.

Vrasjet e shqiptarëve me prapavijë nacionale apo etnike në Greqi po rriten dita-ditës. E fundit ishte ajo e Petrit Zifles në Korfuz, që u vra për shkaqe të pastra nacionaliste prej një anëtari të Agimit të Artë. Edhe sa vdekje të tjera do duhet të ndodhin, që Tirana e Athina të kuptojnë se me zjarrin nuk luhet? 

Për të 40-tat e Kacifasit të shtunën, pritet të nisen me qindra grekë drejt Shqipërisë. Mund të ndodh që konfrontimi me policinë dhe forcat RENEA të jetë i ‘çastit’, ashtu siç mund të ngjajë që çdo gjë të kalojë në heshtje. Por një pyetje duhet t’ia bëjmë vetes ne si shqiptarë, si politikanë dhe si atdhetarë: Kur do fillojmë të mësojmë të respektojmë në fillim veten si shqiptarë, para se t’u japim të huajve të drejtën për t’u ndjerë autoktonë në Shqipëri?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

toni06/12/2018 14:28

do ishte me mire qe tja ngrinin trupin atij dhe grekerve te tjere tu a vendosnin perkujtimoret e tyre para parlamentit grek, dhe jo te dilnin dhe te hyjnin per srbep te eshtrave te tyreve ,te benin qfar te donin tek ne .eshtrat e gjysherve baballareve,nenave dhe femijeve shqqiptar te camerise i kan zhdukur ,edhe varret e vetera edhe masive qe ata qe sot veprojn kunder nesh, jane po ata qe benne masakrat e popullit te camerise.

Shto koment

Denonco