WTF Ramush?

WTF Ramush?

Nga Çim Peka - 01/12/2018

Ramush!

Tek shikoja sesi Edi Rama të tërhiqte zvarrë për të nënshkruar mbi flamurin kombëtar në Pejë, sinqerisht ndjeva keqardhje. E gjithë skena e asaj dite ishte e përbuzshme, duke përfshirë edhe rreshtoren për të bërë shqipen, por kjo e jotja kalonte çdo kufi.

S'e di, por atë çast mu kujtua e gjithë historia e jote dhe e familjes tënde, para dhe pas lufte; kalvari i pafund i vuajtjes dhe dhimbjes.

Mu kujtua, një histori e jotja personale, kur ne 1997, nga qelitë e stacionit policor në Has, i kërkove dikujt një nder të madh. Vëllait, Luanit që të kishte mbetur i vrarë në kufi me Shqipërinë, dhe që ti e kishe lyer me benzinë trupin e tij, dikush të dilte përtej kufirit dhe ti vinte flakën, që të mos binte në duart e ushtarëve serbe.

Hasjanët fisnikë, nuk e bënë atë, por vajtën e morën trupin dhe e varrosën në oborrin e shtëpisë së tyre, ne fshatin kufitar Vlahnë. Trupin e tij e more, vetëm pas çlirimit të Kosovës. Po ashtu mu kujtua vëllai tjetër Shkëlzeni, kushërinj, shokë të fëmijërisë, bashkëluftëtarë, ushtarë të tu të vrarë në fushë betejë.

Nëse dë të dish se çfarë bënte Edi Rama në atë periudhë sakrificash sublime për ty, më mirë mos pyet. Mjafton të të them, se akoma nuk e kishte telefonuar Fatos Nano për t'u kthyer në Shqipëri.

Gjatë luftës në Kosovë, kur mbi një milion shqiptar kishin lënë Kosovën, ku vetëm në Kukës ishin mbi 150.000 refugjatë, pa përmendur Has e Tropojë, Edi Rama si Ministër i qeverisë shqiptare të vetmin kontribut që dha ishte ideja brilante që qarku i Kukësit ti bashkohej Kosovës. As një gjysëm rroge nuk hoqi mënjanë për të ndihmuar ata njerëz të shkretë.

Dhjetë vjetë më vonë, kundërshtari më i ashpër i Rrugës së Kombit ishte Edi Rama, lider i opozitës. Dhe nuk e kishte për të ashtëquajturin ‘korrupsion’. Të gjithë e dimë Ramush, se ajo rrugë nuk ishte për Shqipërinë, por për Kosovën. Veç për të mos humbur daljen në Adriatik, Sllobodan Millosheviç bëri 4 luftra, me mbi çerek milioni viktima. Ndërsa, kundërshtari politik i Edi Ramës solli Adriatikun në Prizren.

Të kërkoj ndjesë që ti hapa plagët e dhimbjes, por Kjo ishte sa për të të rikujtuar se kush je ti, e kush është Edi Rama.

Të kthehemi tek situata aktuale. Edi Rama të quajti ty, Sali Berishën dhe të gjithë kundërshtarët e idesë së ndryshimit të kufijve 'Gomar'. Se pse, po mundohem ta shpjegoj.

Kosova në fakt ka filluar me kohë të ndryshojë kufijë. I ndryshoi me Malin e Zi, me rastin e demarkacionit, duke i hequr territorit të Kosovës disa mijëra hektarë.

I ka ndryshuar edhe pas viteve 2000 kur u bë demarkacioni me Maqedoninë dhe humbi disa fshatra dhe disa kilometra të Gjilanit e Vitisë.

Ramush, të bësh paqe duke dhuruar territor është gjëja më e lehtë. Kush nuk ta pranon një paqe të tillë?

Rasti me Serbinë, është më shumë se shkëmbim territoresh, më shumë se paqe.

Serbët më mirë se vetë ne, e kanë ditur dhe e dinë se kush janë shqiptarët, çfarë përfaqësojnë, dhe kush është e ardhmja midis dy kombeve. E kanë ditur ideologët e tyre, nacionalistet e tyre. E ka ditur edhe Millosheviçi. Edhe kur u ul në Kretë me Fatos Nanon.

Ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e tanishme. As e Thaçit. As e Ramës. As e Vuçiç. Është ide e kahershme. Në diskursin politik dhe diplomatik është futur nga Ivica Daçiç që kur ishte pa u bërë kryeministër. Madje në pranverën e vitit 2012 pati qenë shpreh në Shkup, se 'nuk me intereson se nësa shtete jetojnë shqiptarët. Mua më intereson që serbët të jetojnë në nje shtet'.

Jo vetëm kaq, porse shkëmbimi i territoreve me Kosovën duhej të bëhej me marrëveshje me Tiranën, duke anashkaluar Prishtinën. Sa ishte Sali Berisha në pushtet askush nuk e mori seriozisht këtë ide, por me ardhjen e Edi Ramës gjerat ndryshuan.

Deri në vitin 2014 kjo ishte tabu, por me Edi Ramën Kryeministër të Shqipërisë, mekanizmi u vu në lëvizje. Beogradi e donte këtë marrëveshje me Tiranën, dhe Rama ishte gati t'ua jepte. Për tu realizuar kjo, duhej krijuar terreni. Pjesa e pare ishte shndërrimi i Edi Ramës në nacionalist.

Që pas rënies së komunizmit, Partia Socialiste ka pasur probleme kredibiliteti në raport me Kosovën. Edi Rama, për shume shkaqe akoma më shumë. Por Edi i duhej Beogradit si nacionalist. Dhe për këtë u ruajt momenti që vizita e tij e parë në Beograd, në fakt e para e një Kryeministri Shqiptar që nga 1946 të bëhej pas ndeshjes së futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë në Beograd.

Historinë e dronit tashmë e dimë të gjithe. Edhe sesi media ne Beograd ja veshi Olsit bëmën e ngritjes së dronit. Kur nuk eci kjo e Olsit (pasi nuk kishte kamer që e nxirrte atë me pult në dorë), doli Ballsti. Shqiptarët kudo në botë u ngritën në këmbë. Ballist Morina u bë hero!

Pak javë më pas u bë vizita e Ramës në Beograd. Ja tha Vuçicxit në sy se Kosova ishte e pavarur.

Televizionet në histeri.

Rrjetet sociale furtunë.

Tashmë ishte krijuar terreni.

Ballisti hero, Rama lider i të gjithë shqiptarëve. Vetëm se kishte dy probleme. As Ballisti nuk kishte ngritur dronin, e as Rama nuk u bë dot lider. Ramush, dronin nuk e ngriti Ballisti, por ja beri dhuratë Vuçiçi Ramës. (Të sfidoj të më provosh të kundërtën).

Pas Beogradit, Edi Rama në ekstazë shkoi në Preshevë, kaloi kufirin për në Kosove drejt Shqipërisë. Si Rama ashtu dhe Vuçiç prisnin që i madh e i vogël të dilnin në rrugë për të përshëndetur udhëheqësin e madh. Për zhgënjimin e të dyve, askush nuk doli.

As edhe një për be!

Si rrjedhim, ndaloi diku në të hyrë të Prizrenit, hëngri një drekë, dhe gjithë vrer u nis për në Shqipëri duke mallkuar nëpër dhëmbë. Skema dështoi.

Dalja e Thaçit me idenë e marrëveshjes së madhe nëpërmjet ndryshimit/ korrigjimit/ adoptimit/ a kudi çfarë termash do shpikin deri në fund, nuk është gjë tjetër veçse zbatim i Planit B, duke qenë se Plani A me Ramën lider nacionalist dështoi.

Me sa kuptojmë ka dy vjet që kjo diskutohet midis Vuçiç, Thaçit dhe Ramës. Po kaq kohë ka nga ngecja e bisedimeve ne Bruksel. Po kaq kohe ka nga ofensiva e Beogradit për zhbërjen e njohjeve nga vende të vogla.

Po kaq kohë ka edhe zvarritja e liberalizimit të vizave midis Kosovës dhe Zonës Shengen.

Kosova Ramush është mbështetur në një qoshe dhe po goditet me grushte e shqelma së pari nga Rama dhe Thaçi e pastaj nga Vuçiç e burokratë europianë pa gjak.

Pasi e dërrmuan mirë e mirë, u ngrit Thaçi e vajti në Uashington dhe në takime me zyrtarë të niveleve të ndryshme u propozoi ndryshimin e kufijve. Fabula që i kishin përgatitur Rama e Vucic së bashku me aktorë të tjerëe jo- shtetërore ishte e ëmbël për veshët e administratës së re, e cila shkon kështu pak a shumë:

Kosova është një problem që ju e keni trashëguar nga administratat e mëparshme. Në kushtet kur përballeni me një mori sfidash nëpër Botë, na lini ne, shqiptarëve dhe serbëve ta zgjidhim vetë. Nga ju duam vetëm mbështetje, asgjë tjetër. Është një frut që kapet lehtë. Ju hiqni një kokëqarje, dhe zgjidhni një krizë. Dikush nga ata, pa eksperience u entuziazmua. Mendjet e qeta i thanë: hajdeni një herë me një propozim, pastaj të shohim.

Reagimet në Prishtinë dhe Tiranë ishin refuzuese. U ngrit një stuhi. Rama askund. As nuk pyetej e as nuk përgjigjet. Shfaqjen sipas skenarit duhej ta udhëhiqte Thaçi.

E kur Thaçi mbeti i vetëm, pa mbështetje, Edi Rama erdhi je Peje dhe bëri atë shfaqjen prej pseudo-nacionalisti. Ishte lëvizje e sforcuar, por e goditur. Thaçi kërkonte ndihmë. Dhe Rama e ndihmoi. Me ty në krah. Duke të futur edhe ty dashje pa dashje në të njëjtin kazan.

Nëse këta tanët nuk e dine se ku do të shkojnë, Beogradi e ka farë të qartë. Në fakt Beogradit nuk është se i intereson shumë as Kosova, as Mitrovica. Të kapë çfarë të kapë, mjafton që të preken kufijtë.

Kushdo në Beograd e di që Kosova ka ikur një herë e përgjithmonë. Vetëm barrë në kurriz e kanë. Halli i tyre nuk është Kosova, por Republika Srbska. E që të hapet loja me Bosnjën duhet të hapet rruga me Kosovën, duke ndryshuar kufijtë. Ndryshimi paqësor i kufijve bëhet në tavolinë; në një tavolinë që nesër të jenë të ulur edhe rusët.

Ruset larguan ushtarët e tyre nga Kosova në vitin 2003, duke i mbetur borxh KEK-ut (Korporatës Elektro-Energjitike të Kosovës) plot 350,000 Euro, për energjinë elektrike të harxhuar nga Baza e tyre ushtarake në Gjilan. Para se ti ftoni në tavolinë, sëpaku kërkojuni borxhin.

Me aq para mbulohen shpenzimet e grupit negociator.

Ramush, problemet individuale të Thcacit dhe Ramës nuk janë probleme as të Kosovës e as të shqiptarëve.

Kur më 8 mars të vitit 2005 Gjykata për Krime lufte për ish-Jugosllavinë ngriti akt-akuzë ndaj teje, ti dhe dorëheqjen nga Kryeministër dhe brenda 24 orëve udhëtove për në Hage për të vënë prangat në duar.

E bëre sepse nuk doje ta ktheje problemin tënd, në problem të Kosovës. Kjo ishte hera e dytë që i dole për Zot Kosovës. Sot është hera e tretë.

Kur të pashë në Pejë duke u tërhequr zvarrë nga Rama për ta vënë dorën në flamur, edhe unë bërtita: WTF Ramush?!

Dhe Rama më dha të drejtë vetëm një ditë më pas! Para të njëjtit flamur doli jo më me ty, por me poture! Sepse ky është ndryshimi midis teje dhe atij: ti shikon të kuqen e flamurit ngjyrën e gjakut, Rama shikon tek e zeza e flamurit ngjyrën e potureve te veta.

Në mos arrifsh të bësh këtë dallim, ti qofsh!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Merita03/12/2018 09:56

Padyshim, meq jam shume e re ne moshe, edhe do besoja se kjo analize eshte prodhim i juaj gazetaresk, por duke e njohur mënyrën e shkrimit tuaj dhe afërsinë që ke me Berishën, kjo analizë nuk është shkruar nga dora jote aq më pak të ketë dalur nga koka që ke ti, sepse ajo është aq vogël për të pasur kaq shumë kujtime, bile dhe nga ato që ka qenë në dijeni vetëm Berisha dhe asnjë tjetër! Ndërsa, Bersha duke mos dashur të hap edhe një "luftë" me Ramushin pasi veç tashmë eshte "ne lufte" me hashimin, të ka pasur ty një mundësi ta bëj! Ajo që më habit është se si Berisha ta ka besuar Ty këtë paçavure përçarrëse, sepse ndoshta më mirë do kishte qenë t'ja përcjellte ne rrugë elektronike, njëjtë si ta përcolli ty, njërit nga miqtë e shumtë që ka në Beograd, dhe jam shumë e sigurtë se do kishte besushmëri më të lartë nga ajo që të jesh Ti, o klysh me veshë të prerë nga Berisha"!

shqiptar02/12/2018 09:22

Jam plotësisht dakord me ju z.Peka, me gjithshka shkruani për raportin Rama, Vuçiç e Thaçi.
Mendoj ndryshe nga ju, kur thoni se Serbia gjithë hallin e ka vetëm që të bashkohet me Serbska Republikën e Bosnjës e nuk e ka hallin për Mitrovicën.
Serbska Republika ishte një dhuratë që e mori Millosheviçi që me marëveshjen e Dajtonit.
As që dëgjohet qeveria serbe të deklarohet publikisht se kërkon të bashkohet me ate pjesë të shtetit tre kombësh të Bosnjës, sepse e di që ky shtet artificial i prodhuar në fabrikën e Dejtonit nuk do të funksionojë..Nuk e ka pasur merakun Serbia as për kishat ortodokse serbe në mbrendësi të Kosovës., po gjithë merakun e ka pasur të kolonizojë me serbë pjesën më të pasur nën e mbi tokë, pjesën verilindore të Kosovës, përfshi Mitrovicën.
Gjatë kohës që Kosova u vu nën protektoratin e OKB, nuk ishte e rastit që në këto teritore të saj, si trupa paqëruuajtëse ishin francezët , që jo vetëm lejuan që në këto territore të grumbullohen serbë të tjerë të ardhur nga mbrendësia e Kosovës e nga teritore të Kroacisë, por de facto, bënë çmos që këto teritore të administroheshin nga qeveria serbe.
Si e pse ndodhi kjo, është një histori e vjetër që ka të bëjë me të kaluarën e dipllomacisë europiane. Ashtu siç ndodhi edhe me shpalljen e pamvarësisë së cunguar të Shqipërisë në Vlorë, në vënd që kjo pamvarësi të shpallej në Prizren ku "jugori" Abdyl Frashëri e pati parë të udhës të shpallte Lidhjen e Prizrenit, Nëse disa liderë të UÇK, nuk do të tërhiqeshin nga krahinarizmi, duhej që qendrën e shtabit të UÇK ta vendosnin pikërisht në rrethinat e Mitrovicës, si zona më e rrezikuar nga serbët.

Tony01/12/2018 17:25

E paske qa. e mbytet popullin me propagande politike. Flet si predikues fetar pa asnje prove.

Alban Iliri01/12/2018 14:28

Shumë saktë z.Peka! Edhe rasti i dronit që "ngriti" (nga një kishë ngjitur me konviktin e shkollës së kadetëve të policisë!) i shituri ballist, duhet t'u hapë sytë shqiptarëve. Kam 4 vjet që e them se ishte thjesht një lojë e shërbimit sekret serb, pasi dinamika e ngjarjes që tregon agjenti i serbëve, Ballisti, është e palogjikshme nëse do marrim parasysh rrethanat, kohën dhe mënyrën e "ngritjes".

Arber01/12/2018 13:56

Bravo Peka
Shkrim perle

Ajo01/12/2018 12:34

Keni plotesisht te drejte Z. Peka!
Une sinqerisht nuk arrita ta kuptoj dhe u ndjeva e turperuar sidomos per Z. Haradinaj se si e lejoi veten te behej qesharak prej Rames, per me tepet qe gjithe kjo maskarade ndodhi ne Kosove???
Gjithashtu, jam teresisht kunder idese se Andi Bushatit qe po perpiqet te na mbushe mendjen se Rama eshte nje showman, pra nuk paraqet asnje rrezik potencial dhe askush nuk e merr seriozisht, per me teper se vete Rama nuk e ka aspak idene se cfare do apo se cfare kerkon. Ky eshte gabimi me i madh qe mund te bejne shqiptaret, te nenvleftesojne rrezikshmerine e madhe qe paraqet Rama per kombin shqiptar dhe jo vetem per Shqiperine! Bushati me djallezi apo me naivitet harron se Rama nuk eshte thjesht nje perfaqesues i “ kazanit” mediatik, as “ artist” qe krijon ne jerm monstra skulpurore, por kryeministri i Shqiperise qe drejton vendin, ka fuqi vendimmarrese dhe si rrjedhim ka ne dore fati dhe te ardhmen e krejt vendit! Per t’ ju hedhur hi syve shqiptareve dhe per ta marre me sportivitet gjithe planin e tij ( i gatuar mes Serbeve me mbeshtetjen e forte te ruseve dhe i vene ne zbatim nga Thaci me prapavije te forte Ramen ) djallezor, Rama vishet ne menyre te neveritshme, pikerisht qe ne te mos e marrim seriozisht!
Ndersa ne tallemi me veshjet e ti qesharake, Rama tallet me nje komb te tere dhe brenda pese vjetesh beri te mundur largimin e afersisht 400 mije shqiptareve, kryesisht te rinj dhe te shkolluar, shkaterroi arsimin, financat, riti borxhet, politizoi policine, kriminalizoi nje shoqeri te tere duke mos ofruar asnje mundesi punesimi apo investimi nga jashte, shtiu ne doren e tij krejt prokurorine dhe gjykatat, shkaterroi perfundimisht Gjykaten Kushtetuese, iu prish catine e qytetareve te thjeshte per te mbushur llogarite e tij offshore dhe kenaqur oligarket dhe nuk mjaftoi vetem kaq. Ne mbledhjen e turpshme te Pejes i dha nje mbeshtetje te hapur planit ogurzi te ndarjes dhe shkaterrimit te Kosoves si shtet i ri i pavarur, duke shkelur mbi gjakun e derdhur dhe sakrificat e popullit shqiptar te Kosoves per gjate nje shekulli.

Shto koment

Denonco